Kjo është fjala e mbajtur nga Gerta Zaimi në panelin mbi “Dezinformimin rus në Ballkan” në Konferencën për Dezinformimin, organizuar në Prishtinë nga “The Geopost” më 22 shkurt 2024
Vitet e fundit, sidomos pas pushtimit të Krimesë, Ballkani si rajon akoma më shumë ka marrë interes të veçantë për fushatat dezinformuese ruse. Kjo jo vetëm për shkak të ndikimit historik që Rusia ushtron në rajon, por edhe për shkak të pozicionit gjeostrategjik të Ballkanit.
Pavarësisht depërtimit dhe lidhjeve historike me secilin prej vendeve, qëllimi i përgjithshëm i Kremlinit është të destabilizojë rajonin, të minojë institucionet demokratike (sigurisht një detyrë shumë më e lehtë në vendet me demokraci të brishtë si ato të rajonit) dhe të avancojë objektivat strategjikë të Moskës.
Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, nuk ka një popullsi mbizotëruese sllave me simpati ndaj Rusisë, nuk e ruajti miqësinë me Bashkimin Sovjetik për një kohë të gjatë gjatë Luftës së Ftohtë.
Ajo gjithashtu nuk ndan kufij me ish-Bashkimin Sovjetik dhe kisha e saj ortodokse nuk është e lidhur me Serbinë apo Rusinë. Kështu që ndërhyrja ruse në Shqipëri për arritjen e qëllimeve të saj, nuk duket të jetë aq e dukshme sa gjetkë.
Mjafton të kujtojmë se si Rusia ndërhyri me mjete të ndryshme për të bllokuar anëtarësimin në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, presion të cilin nuk e bëri ndaj Shqipërisë.
Sa i përket Shqipërisë, janë disa ngjarjet të cilat krijojnë atë kornizë që ndikoi në intensifikimin e aktiviteteve ruse përmes taktikash të ndryshme.
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe partnere e privilegjuar e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. SHBA-të, përveçse bashkëpunimit në armatime, kanë vendosur të forcojnë bazën ushtarake të Kuçovës dhe po vlerësojnë mundësinë e hapjes së një baze të re në portin e Durrësit, krahas bazës së Gjadrit.
Lufta në Ukrainë dhe qëndrimi i Shqipërisë, që në momentin e parë të pushtimit të Krimesë dhe pas fillimit të agresionit masiv në 2022, përkrah Perëndimit në sanksionet kundër Rusisë dhe dërgimin e armatimeve në Ukrainë.
Roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në dy vitet e fundit.
Roli i Shqipërisë në drejtimin e OSBE-së, ku u zhvilluan edhe bisedimet për negociatat fillestare me Kremlinin.
Zgjedhja e qeverisë shqiptare si një bashkëbiseduese e privilegjuar për BE-në dhe SHBA-të në Ballkan. Zgjedhje që në vizitat e liderëve të ndryshëm, qartësisht argumentohet në stabilitetin e Shqipërisë dhe faktorizimin e komponentit shqiptar në rajon.
Masat e marra nga Shqipëria ndaj diplomatëve rusë të shpallur si Non Grata.
Partneriteti i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, veçanërisht pas sulmit që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Objektivat e Rusisë, si në të gjithë rajonin, synojnë mbi të gjitha destabilizimin politik, dobësimin e aleancave perëndimore, ngadalësimin e integrimit dhe anëtarësimit në BE, si edhe zvetënimin e politikave mbi të drejtat e njeriut.
Ndryshe nga vendet e tjera, ku Kremlini mund të bazohet në mbështetjen e një popullsie sllave dhe kishës ortodokse, në Shqipëri krijimin e një fryme antiperëndimorë do të mundohet ta arrijë përmes mbështetjes së thyerjeve të brendshme politike dhe nxitjes së përçarjes fetare.
Kjo e fundit larg asaj që ështe tradita shqiptare, por më e lehtë për t’u arritur në një kontekst globalizimi post komunist.
Roli i aleancave me Perëndimin (BE dhe SHBA) duke minuar rëndësinë e tyre dhe duke krijuar frymë antiperëndimore. Nuk janë pak ata që mbështesin faktin e një rënieje të perëndimit dhe vlerave të tij, duke argumentuar përmes manipulimit, keqinformimit dhe lajmeve të rreme, forcën e potencave globale jashtë rrethit perëndimor.
Promovimi i doktrinës ruse të Botës së Re në rajonin e Ballkanit, gjë e cila përhap frikë dhe radikalizëm tek ata të cilët nuk i përkasin kësaj bote, që mund të kthehen në faktorë shtytëse për trazira rajonale.
Minimi i besimit në institucionet demokratike të shtetit të së drejtës. Tezë kjo lehtësisht e arritshme për shkak të korrupsionit endemik dhe mosfunksionimit të institucioneve që ka përfshirë Shqipërinë në 30 vite tranzicion.
Lufta kryesore në ndihmë të kësaj teze është kundër SPAK-ut dhe reformës së re në drejtësi, si edhe rolit të aleatëve dhe partnerëve kryesorë në lindjen dhe veprimtarinë e SPAK.
Manipulimi i lajmeve në lidhje me luftën në Ukrainë, me situatën në terren, i rëndësisë së një rezultati pozitiv për Kievin dhe për vlerat demokratike evropiane, pasojat me të cilat do të përballet rajoni në rast të fitores ruse.
Manipulimi i situatës në Kosovë dhe përparimi i dialogut duke fajësuar partnerët perëndimorë për dështimin e këtij progresi. Duke anashkaluar kontributin e politikave të lidershipit kosovar në këtë mungesë progresi.
Përhapja e teorive konspirative në shumë aspekte të jetës, për të rritur pakënaqësinë popullore dhe për të minuar marrëdhëniet me Perëndimin. Lajme të rreme që popullsia është shumë e gatshme t’i përthithë.
Sipas një vëzhgimi në kohë, edhe pse në mungesë të qendrave studimore të cilat do të duhej të merreshin me këto fenomene në mënyrë empirike dhe analitike, mjetet e përdorura nga Kremlini për të arritur këto objektiva janë disa:
Mediat janë burimi kryesor që përdoret për përhapjen e lajmeve të rreme, dezinformatave dhe manipulimin. Ekzistojnë mbi 600 media on line, pjesa më e madhe e të cilave janë të paregjistruara ose të regjistruara në vende të treta, pothuajse 70 televizione në rrugë kabllore dhe mbi 60 radio. Një pjesë e mirë e tyre janë shndërruar në mjetin kryesor për shpërndarjen e propagandës ruse.
Kemi të bëjmë në këtë rast me media që janë në vështirësi financiare dhe i drejtohen rusëve me kërkesa për financim, media të cilat janë në vështirësi ekonomike dhe pranojnë financime duke rënë në grackën e Kremlinit dhe media që janë themeluar për të përhapur propagandën e Moskës.
Rekrutimi i politikanëve, komentuesve që frekuentojnë media të ndryshme, zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore dhe gjithashtu në grupe të mëdha private.
Asnjë politikan shqiptar nuk do të kishte ndonjëherë kurajën për të qëndruar hapur kundër Shteteve të Bashkuara, por përdorin argumente të ndryshme për të minuar politikat dhe aleancat perëndimore përmes kritikave ndaj politikave të qeverisë apo atyre të BE-së.
Pa dyshim që në një shoqëri demokratike fjala e lirë është një nga gurët themelorë të saj, por linja e kufirit mes saj dhe propagandës, manipulimit dhe dezinformimit është shumë e hollë.
Shoqëri me demokraci të avancuar janë kthyer lehtësisht në preh të saj e për këtë boll të shohim pikërisht atë që ndodh në SHBA apo vende te tjera të BE-së. Kështu që është mision lehtësisht më i arritshëm te shoqëritë në tranzicion dhe me demokraci të brishta si ajo shqiptare.
Financimi ndaj subjekteve politike apo OJQ-ve për ndikim indirekt.
Financimi dhe krijimi i një rrjeti prorus që shërben për përhapjen e tezave ruse. Rrjetet sociale, sidomos Facebook dhe Tik Tok, luajnë një rol të rëndësishëm në ditët e sotme, kur informacionet merren nga interneti.
Bursa për shkollim studentave dhe ndihma ndaj një rrjeti njerëzish që bëjnë biznes me Rusinë, Serbinë apo shtete të tjera satelitare të Kremlinit. Sipas informacioneve të mbledhura mendohet se Rusia ka dhënë rreth 2 mijë bursa studentëve nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, shumë prej të cilëve pas kthimit kanë krijuar një rrjet të gjerë në shpërndarje të tezave ruse në terren.
Lidhur me pikat e mësipërme duhet nënvizuar se si një aktivitet i fortë nga ana e Greqisë ndër vite përmes komentuesve të ndryshëm në mediat kryesore dhe jo, institucioneve fetare, etj, i shtyrë nga kauza të veta lokale në lidhje me destabilizimin politik të Shqipërisë, konvergojnë me ato të Kremlinit.
Mjete të tjera që Moska përdor kanë të bëjnë me inteligjencën, si psh. mbikëqyrja e bazave ushtarake, infiltrimi i agjentëve nëpërmjet fluksit të turistëve, përdorimi i kompanive offshore në futjen e kapitalit dhe investimeve në Shqipëri, blerja e pasurive të paluajtshme, vëzhgimi me synim shantazhimi i figurave të ndryshme politike dhe opinionistëve.
Përballë një situate të tillë për të cilën Perëndimi në 2014 pas pushtimit të Krimesë nuk pati një kundër reagim të shpejtë dhe ende ngjan më shumë me një garë vrapi me pengesa, rekomandimet që mund të jepen janë disa.
Pjesa parandaluese është ajo që duhet të ketë një fokus të rëndësishëm fillimisht dhe më pas ajo që lidhet me inteligjencën.
Financimi i mediave “mike” që ndiqen në nivel kombëtar. Jo domosdoshmërisht për këto financime duhet të kërkohet aplikimi në projekteve, për të cilat këto media nuk kanë as trajnim dhe as njerëzit e duhur. Mediat mike duhet të shërbejnë në shpërndarjen e argumentimeve për të kundërshtuar pikërisht ato teza të Kremlinit për të cilat u fol, si edhe rëndësinë e aleancave perëndimore, pa qenë e nevojshme të kalohet në islamofobi, si dhe rëndësinë e rolit të Shqipërisë, anëtare e NATO-s, në rajon.
Bursa të shumta, jo vetëm për diploma e master, por edhe për kurse formative, si nga BE ashtu edhe nga SHBA-të duke ndjekur sistemin Fullbright, i cili detyron kthimin në vendin e origjinës.
Investimi nga BE-ja dhe SHBA-të në një klasë politike e intelektuale të re, por edhe tek ata që aktualisht janë në qarkullim. Ka nevojë debati publik dhe shoqëria civile. Njëra nuk mund ta përjashtojë tjetrën. Është në interes të sistemit demokraci që ky proces të ketë sukses.
Thjesht dhënia e fondeve për të njëjtët subjekte ndër vite, që u tregojnë donatorëve atë që donatorët duan të dëgjojnë, në fund të ditës nuk ka asnjë ndikim dhe nuk prodhon rezultate reale.
Bashkëpunim mes universiteteve me pedagogë dhe profesionistë nga vendet perëndimore, të cilët mund të vijnë për të dhënë përvoja, për të futur mendimin kritik, për të zhvilluar njohuri dhe për të ndikuar në ndryshimin e perceptimeve të rreme tek studentët.
Të shtohen fondet për OJQ që realisht punojnë për të lënë impakt në opinionin publik.
Të forcohen njësitë e sigurisë kibernetike për të kundërshtuar aktivitetin e trollëve në internet ose teorive të ndryshme konspirative të përhapura, si dhe sulmeve të hakerave në sektorë të ndryshëm.
Presioni ndaj fqinjëve (aleatëve) të Shqipërisë, të cilët, edhe pse aleatë të Shteteve të Bashkuara ose të BE-së, për interes të politikave lokale çojnë ujë në mullirin e interesave të Rusisë.
Kontrolli i fluksit të parave që vjen nga çdo subjekt, qoftë edhe me lidhje indirekte me Kremlinin.
Survejimi i organizatave kriminale mafioze që mund të kenë lidhje me mafiozët rusë.
Thënë këto rekomandime të përgjithshme, ajo që duhet të merret parasysh është se në këtë drejtim të një rëndësie të veçantë janë:
– Drejtësia dhe funksionimi i saj real, i shpejtë dhe efikas kundër korrupsionit masiv, vjedhjeve dhe joefikasitetit pa lënë mënjanë askënd.
– Menaxhimi korrekt i krizës në Kosovë, pa zvarritje dhe lojëra që krijojnë opinione dhe situata të favorshme për Rusinë, pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm në opinionin publik shqiptar. Dhe qartë, jemi dëshmitarë të krijimit të një fryme antiperëndimore që po përhapet edhe në rajon, e cila buron nga politikat që ndjek lidershipi kosovar.
– Investime reale dhe bindëse në politikë dhe ekonomi në sistemin shqiptar nga Shtetet e Bashkuara.
– Politika koherente nga ana e aleatëve që nuk çojnë në cenimin e besueshmërisë ndaj tyre.
Me pak fjalë, Shqipëria duhet të rrisë nivelin e vëmendjes ndaj sulmeve që vijnë nga Moska. Këto nuk janë sulme të drejtpërdrejta, por një strategji transversale që tenton të ndotë politikën properëndimore të zgjedhur nga ky vend që nga rënia e regjimit dhe lindja e demokracisë.