Opinione / Kulturë

“Shkëlzeni dhe Haziri” (I)


Bozho Kovaçeviq

[Recension i librit”  Škeljzen Malići, Kosovo i raspad Jugoslavije, Links, Beograd, 2014; përktheu në gjuhën shqipe Anton Berishaj] [1]

 

Titulli i  këtij libri tregon shumë mirë atë që përmban brenda, por kjo nuk është e gjitha. Bisedat që Baton Haxhiu i ka bërë me Shkëlzen Maliqin gjatë periudhës së vitit 2007 deri më 2011, në fakt na sjellin autobiografinë e Maliqit prapa sfondit të ngjarjeve politike në ish Jugosllavi, dhe historinë politike të shembjes së Jugosllavisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës nëpër mes prizmit të përvojave të tij personale.

Fatin e njeriut  cili ka mbaruar studimet e filozofisë dhe ka shkruar vepër të shquar për historinë e estetikës bizantine, dhe me këmbëngulësi por deri tani pa sukses, ka tentuar të jetë poet dhe dramaturg, në mënyrë vendimtare e ka drejtuar vetë politika.

Në publikun e Jugosllavisë të viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë është profilizuar si kritik i informuar, elokuent dhe kompetent si dhe demistifikues i miteve politike mbi Kosovën, të cilat i kanë shpërndarë anëtarët e komunitetit akademik  të Serbisë dhe vetë makineria e tyre propagandistike politike.

Ishte njëri nga nismëtarët e  themelimit të SHNDJ-së në Kosovë, Shoqatës për Nismën Demokratike Jugosllave, e cila do të kishte më shumë kuptim nëse do të ishte themeluar disa dekada më herët, por ky projekt në vitin 1989 nuk  arriti t’i konkurronte krijimit të partive politike të cilat nga pushteti komunist kërkonin kundërshtim më të ashpër ndaj politikës së Milosheviqit për zgjerimin e Serbisë së madhe, dhe aspironin mbajtjen e zgjedhjeve demokratike përbrenda kufijve të republikave të tyre.

Madje tre vite ishte kryetar i Partisë Social Demokrate të Kosovës, por rreth kësaj teme nuk flet edhe shumë në këtë libër. Është themelues i komitetit të Helsinkit në Kosovë dhe anëtar i saj nga viti 1990 gjer më 1997. Nga viti 1999 deri në vitin 2012 ishte në krye të Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit në Kosovë.

Porosia kryesore e librit të Maliqit është e qartë si drita. Shpërbërja e Federatës Jugosllave nisi me heqjen e autonomisë së Kosovës pas vdekjes së Josip Broz Titos.

Frustrimi i vazhdueshëm i një numri të madh të anëtarëve të elitës intelektuale dhe politike serbe u nxit nga fakti se me heqjen e Rankoviqit nga pushteti në vitin 1966, kontrolli i Beogradit ndaj kësaj krahine u zvogëlua dukshëm, e edhe më shumë me pranimin e amendamenteve me të cilat hyri në fuqi emri zyrtar Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, si dhe me kushtetutën e FSRJ-së të vitit 1974, ku Kosova njëjtë si Vojvodina u bënë pjesë konstituive e Federatës Jugosllave.

Miti se Serbia në paqe ka humbur atë që ka fituar me luftë, bashkë me kërkesat e shtyra fuqishëm nga propaganda, që kjo e ashtuquajtur padrejtësi historike të zhbëhet, kanë ushqyer aspiratat serbomëdha që Jugosllavia të bëhet ajo që në sytë e nacionalistëve serbë do të duhej të ishte përgjithmonë: Serbi e madhe.

Sllobodan Milosheviqi është përpjekur të realizojë këto ideja. Atributet e shtetësisë së Kosovës, Kuvendi, Këshilli Ekzekutiv dhe Presidenca, si dhe organizatat shoqërore-politike dhe institucionet shkencore dhe kulturore të kësaj krahine ishin therë në zemrën e nacionalistëve serbë.

Në vendin të cilin serbët e konsideronin si djep të shtetësisë serbe po krijohej shteti i dytë shqiptar. Në repertorin e argumenteve që shkonin në dobi të kërkesave që kjo gjë të parandalohet përfshiheshin edhe tezat raciste dhe gjenocidale të Vaso Qubriloviqit për nevojën e zhdukjes së shqiptarëve si dhe përsëritja e vazhdueshme e pohimit se serbët ishin zhvendosur dhunshëm nga Kosova, me shpërfilljen e plotë të faktit se motivet e zhvendosjes në shumicën e rasteve kanë qenë ekonomike, se shqiptarët kanë blerë toka nga serbët e Kosovës me çmime shumë më të mëdha se ato në Serbi,  dhe që shpesh janë blerë të njëjtat prona të cilat gjatë kolonizimit serb të Kosovës në mes dy luftërave botërore të ardhurit thjeshtë i kanë pushtuar ato nga paraardhësit, shqiptarët.

Fakti që gjeneratat e para të shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë diplomuar nëpër universitetet jugosllave, e më së shumti në atë të Beogradit, dhe kanë nisur të marrin pozita vendimmarrëse në ekonomi, politikë, shëndetësi, kulturë dhe veprimtari shoqërore kosovare, për nacionalistët serbë ishte vetëm një dëshmi e qartë se separatistët shqiptarë po bëhen gati për shpalljen e republikës, e assesi një shenjë e daljes nga prapambetja ekonomike dhe shenjë e mundësisë së integrimit të suksesshëm të Kosovës në shoqërinë jugosllave.

Heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989  do të ishte hapi i parë në realizimin e planit që republikat e atëhershme jugosllave të shndërrohen në krahina serbe.

Në fund Serbia ka humbur një serë luftash të cilat jo vetëm që kanë rezultuar në shembjen e Jugosllavisë por edhe vetë Serbisë, e tillë si ishte gjatë paqes Jugosllave në gjysmën e dytë të shekullit 20.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe fakti që në një kohë të shkurtër pas kësaj më shumë se qindra shtete, përfshirë edhe SHBA e njohën këtë shtet të ri, shënoi rrënimin përfundimtar të politikës ekspansioniste e cila buronte nga ideologjia mbi Serbinë e madhe.

Perspektiva kosmopolite

Duke parë në mënyrë shumë të qartë problemin e nacionalizmit serb, Maliqi në asnjë moment nuk i përkulet thjeshtëzimeve të cilat me ekzistimin e nacionalizmit serb do të arsyetonin çfarëdo nacionalizmi tjetër.

Duke u përballur me shembuj të sotëm të tillë të thjeshtëzimeve si dhe falsifikimin e qartë të fakteve historike, por edhe me biografitë e aktivistëve të caktuar politikë, Maliqi me durim i shpjegon proceset politike  të cilat kanë sjellë deri tek shembja e Jugosllavisë,  njëjtë si që përshkruan edhe mënyrën e tij të menduarit gjatë etapave të ndryshme të kësaj shembjeje.

Disa nga kritikët e tij të sotëm publikë, duke u nisur nga pohimi se për Kosovën nuk ishte mirë që kishte qenë pjesë e Jugosllavisë, thonë se me faktin që Maliqi gjatë një periudhe kishte qenë i orientuar për Jugosllavinë, ai gjithsesi i përfaqëson interesat që janë në kundërshtim me ato të shqiptarëve të Kosovës.

Maliqi përgjigjet se, për dallim nga këta kritikues, ai kurrë nuk ka qenë pjesë e strukturave politike Jugosllave, qoftë rinore, partiake apo shtetërore.

Vetë fakti se këta protagonistë të ngjarjeve politike në Kosovë sot, kanë marshuar gjatë e gjerë përgjatë institucioneve politike jugosllave, tregon se këta të njëjtit, nuk kanë aq shumë të drejtë.

Pavarësisht terrorit të UDB-së, Kosova në kornizën e Jugosllavisë ka përparuar në çdo aspekt, e sidomos në krahasim me Shqipërinë staliniste.

“Serbia nacionaliste me vendosmëri ka shembur gjatë natës atë që socializmi i ndriçuar dhe përparimtar jugosllav po ndërtonte gjatë ditës në Kosovë. Kur të përmblidhen të gjitha, mendoj që më shumë ka fituar Kosova dhe shqiptarët. UDB-ja thjeshtë nuk ka mundur të mbyllë dhe montojë proceset kundër të gjithë intelektualëve, ekspertëve dhe patriotëve të vetëdijesuar”.

“Gjenerata e Fadil Hoxhës dhe babait tim, nga viti 1945 deri në 1981, me kompromise dhe kthesa, kanë arritur qëllimin dhe kanë përgatitur terrenin që Kosova të bëhet faktor përbrenda federatës jugosllave, ndërsa realizimi i pavarësisë i mbeti gjeneratave të cilat lindën dhe u rritën në kohë të socializmit.” (114)

Me shkollimin e shpejtë të kuadrove shqiptare, të cilët nisën të largonin serbët dhe malaziasit deri atëherë dominant nga pozitat udhëheqëse në politikë dhe ekonomi, nisën edhe konfliktet politke në Kosovë.

Një pjesë e intelektualëve shqiptarë reaguan ndaj presioneve politke të motivuara nga nacionalizmi serb,  duke afirmuar në mënyrë jo kritike të gjitha vlerat tradicionale shqiptare, me këtë duke vulosur pikërisht ato pjesë të identitetit të tyre kombëtar të cilët të njëjtin identitet e bënin jo modern.

“Duke e mbrojtur atë ‘identitet’, ai e përbin karremin, duke u bërë i njëjtë çfarë e paramendon fuqia dominante kolonizuese e cila e kufizon dhe e mban në kope, e mbyllë në rezervat, krijon kufij të kulturës së mbyllur, jo produktive, folkloristike, klanore… ky tribalizim kulturor pamundëson krijimin e marrëdhënieve shoqërore moderne”, (115) si shembull të prodhimit të tillë intelektual Maliqi e merr “veprën në dukje monumentale të Rexhep Qosjës”.

Një sërë institucionesh kulturore kombëtare që për drejtim kanë hulumtimin dhe afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, janë të kapluara, ashtu si thotë Maliqi, nga pikëpamja albanologjike, dhe gjer tani nuk kanë krijuar qasje “me të cilën kultura dhe tradita shqiptare, si dhe ajo botërore, do të shqyrtohej dhe hulumtohej me metoda dhe mjete më bashkëkohore, pa komplekse provinciale, pa gara klanore dhe nacionale për ‘afirmimin’ e vlerave kombëtare të cilat konsiderohen të përjetshme në format e konservuara të një tradite statike, e cila është e palëvizshme, me kultin e paraardhësve e cila në fund bëhet mjet për shkatërrimin e ideve të gjalla”.

Kur lexohen këta rreshta, me vlerësimin e tyre se kultura bashkëkohore kosovare vuan nga provincializmi dhe nevoja për të krijuar kritere të posaçme të vetëvlerësimit autonom (147), është e qartë pse pas çlirimit të Kosovës Maliqi mbeti në opozitën politike dhe në izolimin kulturor të llojit të vet.

Në këtë nuk ka ndikuar fakti se ai pikërisht gjatë viteve të tetëdhjeta më shumë se cilido intelektual shqiptar ka kontribuar në zbardhjen e mekanizmave të demonizimit të shqiptarëve nga ana e ideologjive serbomadhe, ndërsa gjatë të nëntëdhjetave vazhdimisht ka vënë në pah metodat dhe qëllimet e politikës nacionaliste të Milosheviqit në Kosovë.

Perspektiva e tij nuk është as klanore, as lokale, as nacionale, ajo është kozmopolite. Përballja me kultura tjera dhe të ndryshme, mënyra të ndryshme të përcaktimit të identitetit vetanak dhe mënyrave tjera të artikulimit të interesave politikë duhet të jenë arsye për diskutim, e jo medoemos arsye për hyrjen në spiralen e mosbesimit e cila shpesh tjetrin dhe ata që janë ndryshe i përcakton si armiq.

Për shkak të tërë mendësisë jodemokratike të elitave politike jugosllave, të përballura me shpërthimin gjithnjë e më dramatik të çështjeve të pazgjidhura kombëtare, koncepti i federatës më lehtë është pranuar si përbashkim i nomenklaturave nacionale komuniste se sa si çfarëdo lloji i demokratizimit të jetës politike.

Nëse libri i Maliqit do të përmbante vetëm paraqitje politologjike të shkakut dhe procesit të shembjes së Jugosllavisë, do të ishte vetëm një vërtetim i thjeshtë i asaj që tashmë është vërtetuar nga shumë studime dhe dëshmi të pjesëmarrësve në strukturat e qeverisë jugosllave të cilët janë përballur me politikën e Milosheviqit ndaj ngjarjeve të popujve dhe tentimeve të instrumentimit të organeve të federatës për arritjen e qëllimeve serbomadhe.

Vlera e saj e vërtetë qëndron tek shpalosja e ngjarjeve në të cilat ka qenë vet pjesëmarrës, dhe te analiza e rëndësisë së këtyre ngjarjeve, me një vlerësim kritik dhe alienim brehtovian ndaj veprimeve të veta.

Gjithsesi, edhe me mënyrën e shkëlqyer të të treguarit, e cila pa vlerë të humbur ekziston edhe e përkthyer në gjuhën serbe nga Anton Berisha. I biri i partizanit, nipi i çaushit, Maliqi nuk bën pjesë në numrin e madh të shqiptarëve të Kosovës të cilët për shkak të përjetimeve ciklike dhe masovike të represionit, thjeshtë patën fatin e paraprirë që të marrin rolin e nacionalistëve shqiptarë, të frymëzuar nga fryma antiserbe.

Vetë fakti se babai i tij Mehmeti ishte njëri nga pak partizanët në mesin e shqiptarëve të Kosovës, dhe sidomos fakti se pas luftës së dytë botërore ka punuar në shërbimet e sigurisë dhe dy herë ka qenë ministër i punëve të brendshme, në mënyrë të vendosur ka përcaktuar edhe rrugën e Maliqit.

I lindur në momentin kur babai i tij nuk ishte në shtëpi, por në ndonjërin prej misioneve të rrezikshme të shpartallimit të kundërrevolucionarëve, Shkëlzenit sipas traditës ia ka dhënë emrin vëllai më i madh i babait [Sinani],  fillimisht e kishte Bajram, pasi që fëmija kishe lindur në ditën e Bajramit.

Por pasi që u kthye nga përndjekja e ballistëve,  Mehmeti të birit të tij të porsalindur ia ndërroi emrin dhe e quajti sipas malit, buzë të cilit kishte mbajtur rroje si partizan.

Në kohën kur në Kosovë nuk ka pasur universitet, dhe është ditur se as nuk do të ketë edhe për një kohë të gjatë, mësuesi i shkollës fillore, duke parë talentin e Shkëlzenit të vogël, e bindi të atin që në vend të klasës së pestë ku mbahej mësimi në gjuhën shqipe, ta regjistronte në klasën serbe, në mënyrë që t’i hapet perspektiva e shkollimit të lartë.

Edukimi i shkollës fillore dhe të mesme në gjuhën serbe ia mundësoi Shkëlzenit që kjo gjuhë, së bashku me shqipen dhe turqishten, t’i bëhet sikur gjuha ëmë. Për shkak se nuk kishte barrierë gjuhësore dhe se që nga ditët e para të studimit në Beograd në tërësi u integrua në jetën e metropoles ku do të jetonte 16 vitet e ardhshme, dhe fakti që për te nuk kishte ngarkesa apriori dhe se nuk ka qenë i përjashtuar si një i huaj i pa gjindshëm, por i pranuar si pjesëmarrës i barabartë i shoqërive në të cilat po endej, i kontribuoi në vetëdijesimin e thellë dhe të mprehtë ndaj marrëdhënieve shqiptaro-serbe në një pikëpamje ndryshe nga pikëpamja e atyre që ishin viktima të represioneve të shpeshta serbe, ose ishin pjesëtarë ashiqare të një kulture të ndryshme e të zhvlerësuar nga ana e mosnjohjes indolente të atyre që vetveten e kanë mbajtur superiorë në secilin aspekt.

Gjyshi i Shkëlzenit ka shërbyer si çaush, me fjalorin e sotëm do ta quanim nënoficer, tek “sulltani i fundit Abdulhamit i perandorisë Otomane” (44), ashtu si thotë Maliqi.

Ky pohim nuk është i qartë ngase Abdylhamiti, i cili ka sunduar nga viti 1876 gjer më 1909, nuk ka qenë sulltani i fundit otoman. Sulltan i fundit ishte Mehmedi i VI Vahdeddin i cili e ka mbajtur atë detyrë nga viti 1918 e deri kur parlamenti turk në vitin 1922 e hoqi sulltanatin, kur sulltani edhe u dëbua nga Turqia.

Atëherë si kalif, pra si udhëheqës fetar i të gjithë myslimanëve, u emërua Abdylmexhiti i II-të. (Shaw dhe Kural Shaw1977: 365). Deri në atë moment sulltani në të njëjtën kohë ishte edhe kalif.[2]

Vendimin  e Abdylit që qendra e kalifatit të jetë Stambolli, kryeqyteti i mbretërisë Otomane, pushteti turk e konsideroi si mosrespektim të institucioneve republikane dhe faktit që Ankara u shpall si kryeqytet i Turqisë. Mendohet se pikërisht për këtë arsye qeveria turke në vitin 1922 murr vendimin për heqjen e kalifatit dhe përndjekjen e kalifit të fundit Abdylit.

Nëse gjyshi i Shkëlzenit Haziri, i cili ka shërbyer si ushtar i Sulltanit Abdylhamid të II-të, është kthyer në Prizren pas vdekjes së sulltanit, atëherë kjo me siguri do të ishte në vitin 1909. Nëse në Stamboll i ka shërbyer sulltanit të fundit Mehmedit të VI-të, atëherë do të ishte kthyer tek në vitin 1922.[3]

Përgjigje ndaj pyetjes pse gjyshi Hazir është detyruar të braktisë Stambollin së bashku me shumë prona që kishte pasur atje, nuk gjejmë në librin e Maliqit. Historia e koklavitur e perandorisë Otomane të shekujve të fundit jep material për shumë hamendje rreth arsyes pse ndodhi kështu.

Sidoqoftë, nën shkaqe të paqarta, por sigurisht me dhunë, gjyshi Hazir e la kryeqytetin otoman dhe u kthye në Prizren, në Kosovë. Në këtë vend paraardhësit e Maliqit ishin vendosur në fund të shekullit 18 ose fillim të shekullit 19.

Qartazi, gjatë perandorisë Otomane, Shqiptarët kanë lëvizur dhe jetuar pa u penguar, nëpër vende të cilat gjatë shekullit 20 i kanë përkitur shteteve të ndryshme të kësaj perandorie. Gjendja e sotme është e tillë që Shqiptarët banojnë në Shqipëri dhe Kosovë si dhe në disa pjesë të Maqedonisë, Malit të zi, Greqisë dhe Serbisë.

Shakaja e hidhur e një grupi të të rinjve shqiptarë të cilët më 14 tetor të vitit 2014, gjatë lojës së futbollit në mes reprezentueses Serbe dhe Shqiptare në Beograd, kanë lëshuar një dron i cili mbi stadium fluturoi transparentin me imazhin e Shqipërisë së madhe dhe e cila i përfshinte të gjitha këto territore etnike shqiptare, ka treguar se çfarë potenciali të kobshëm bartë përkujtimi i këtij fakti, dhe frustrimin të cilin mund ta shkaktojë kjo gjë në publikun serb.

Presidenti i Serbisë Vuciq, në konferencë për shtyp gjatë vizitës zyrtare të Edi Ramës në Serbi më 10 nëntor të vitit 2014, me shumë nervozë reagoi në konstatimin e kryeministrit të Shqipërisë se Kosova është shtet i njohur nga më shumë se njëqind shtete tjera.

Po supozoj se edhe përmendja e shpalljes së “pavarësisë së Shqipërisë së pjesërrishme në Vlorë” (44) nga Maliqi, do t’i shtyjë disa të cilët pos novelave sportive lexojnë edhe libra, të mendojnë pak më kujdesshëm rreth perspektivave të zgjidhjes së çështjes kombëtare Shqiptare, duke marrë parasysh se ajo “Shqipëria e pjesërishme” të cilën po e përmendë Maliqi, gjendet brenda kufijve të sotëm të Republikës së Shqipërisë, si dhe për faktin se Maliqi sot është këshilltar i kryeministrit aktual shqiptar Edi Ramës.

Tërësia e librit të Maliqit nuk na sjellë në ndonjë përfundim se ai vetë do të mund të ishte ithtar i një politike e cila kërkon që të gjithë shqiptarët të jetojnë nën një shtet.

Gjithashtu përjashtohet mundësia që për të arritur këto caqe ai të propozojë përdorimin e metodave ndaj të cilave u përkul Serbia. Duke marrë parasysh shkatërrimin e politikës e cila me fitore territoriale u përpoq të arrinte qëllimin që të gjithë serbët të jetojnë brenda kufijve të një shteti, politikë për të cilën flet edhe ky libër i Maliqit, do të ishte e çuditshme, befasuese dhe e pabesueshme.

Edi Rama e vërtetoi këtë fakt gjatë vizitës që i bëri pjesëve të Serbisë ku shqiptarët janë shumicë, duke theksuar se qeveria e tij nuk është për Shqipëri të Madhe. Sidoqoftë nuk mund të harroj që, edhe kur disa vite pas bombardimit të NATO-s përfundoi edhe çfarëdo shprese se Milosheviqi, me dëbimin e Shqiptarëve nga Kosova do të kompensonte humbjet e luftës në Kroaci dhe Bosnje,  hyra në pazarin e famshëm të Budapestit ku një aktiviste ma dha afishen parazgjedhore të partisë Fidesz e cila sot është në qeveri, dhe ku ishin vizatuar kufijtë e Hungarisë të cilat përbënin pjesë të Sllovakisë, Rumanisë, Ukrainës, Serbisë dhe Kroacisë.

Dhe në fund, aneksimi tash vonë i Krimesë, me përkrahjen pothuajse plebicitare të publikut rus, tregon se në Evropë edhe sot ekzistojnë koncepte të ngjashme me ideologjinë në emër të së cilës Milosheviqi nisi luftërat e tij të humbura.

Gjyshi Hazir pra e ndërtoi karrierën dhe pasurinë e tij në Stamboll, kryeqytetin e perandorisë Otomane. Kur u shemb perandoria e udhëheqësit ndaj të cilit kishte qenë besnik, u kthye në vendin e paraardhësve. Kishte ikur, me siguri, nga nacionalizmi i ri turk.

Shkëlzeni në Beograd as nuk fitoi pasuri, e as nuk  i shërbeu udhëheqësit të Jugosllavisë, por ishte i integruar në jetën kulturore dhe shoqërore të ish kryeqytetit jugosllav ashtu si gjyshi që kishte qenë i integruar në jetën e Stambollit.

Ashtu si gjyshi që iku nga turqit e rinj, edhe Shkëlzeni e la Beogradin kur idetë serbomadhe nisën të artikuloheshin publikisht, duke dhënë parandjenjën se po mendohej seriozisht për luftëra, për fitimin e territoreve në emër të të drejtave të cilat gjoja Serbia i humbi brenda kornizave të Jugosllavisë komuniste.

Dhe pikërisht shqiptarët e Kosovës duhej të flijoheshin të parët për shndërrimin e konfederatës jugosllave në Serbi të madhe.

Kur ky projekt dështoi, qoftë për shkak rezistencës së ashpër të Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës, qoftë nga kthesat politike në BE dhe SHBA dhe vendimit që të përkrahen qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike në ish republikat jugosllave, Milosheviqi me politikën e spastrimit etnik në Kosovë u  përpoq të mbulojë humbjet e luftës në pjesët perëndimore të Jugosllavisë.

Gjersa gjyshit Hazir iu përfundua karriera ushtarake në makthin e shembjes së perandorisë Otomane dhe nga Stambolli u kthye në Prizren që atje t’i kalojë vitet e mbetura, karriera e vërtetë e Shkëlzenit nisi me kthimin e tij në Prishtinë, prej ku zëri i tij jehoi me vite, duke paralajmëruar qëllimet e regjimit të Milosheviqit dhe madhësitë e krimeve që po kryente në këtë krahinë të okupuar.

Sot ai zë i thërret intelektualët shqiptarë dhe politikanët në Kosovë dhe Shqipëri që të jenë të arsyeshëm, që të mos falsifikojnë të kaluarën, dhe se me kujtimin e  meritave të kaluara dhe me madhërimin e tyre, të mos harrojnë as iluzionet dhe gabimet që kanë bërë.

Titoizmi dhe Enverizmi

Represioni i pushtetit serb ndaj Kosovës eskalonte vazhdimisht, atëherë kur bëheshin përpjekje të organizuara për kërkimin e statusit të republikës.

Ashtu ndodhi në vitin 1968, 1981 dhe 1989. Kërkesat për status të republikës dhe bashkimin me Shqipërinë mbështeteshin mbi rezolutën e konferencës Themeluese të Këshillit për Kosovë dhe Dukagjin e cila në vitin 1944 u mbajt në Bujan. Atje delegatët nga viset e Kosovës së sotme dhe pjesëve të Shqipërisë së sotme, në shumicë shqiptarë por jo vetëm, vendosën se shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria të luftojnë së bashku më popuj tjerë jugosllavë kundër okupatorit, atë kohë kundër gjermanëve ngase Italia tashmë kishte  kapitulluar, në mënyrë që pas fitores të kenë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

Kur pas luftës Shqipëria nuk u bë republika e shtatë jugosllave e as nuk u krijua federata e Ballkanit, pyetja e të drejtës së shqiptarëve kosovarë për vetëvendosje mbeti e hapur.

Sipas botëkuptimeve nacionaliste, duhej të hiqej edhe autonomia në mënyrë që të largohej edhe mundësia e shkëputjes; sipas bindjeve të shqiptarëve të Kosovës e drejta për republikë vinte mu nga ato vendime sepse atyre iu premtua që të jenë të barabartë me popujt tjerë.

Meqenëse në Shqipëri u vendos regjimi i ashpër stalinist nga Enver Hoxha, grupet e ndryshme opozitare të cilat ishin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, shpesh e bënin në emër të ideologjisë së po atij regjimi stalinist.

Andaj korniza e bisedës së statusit të Kosovës në të madhe përcaktohej nga titoizmi i atyre që kërkonin vetëm statusin e republikës përbrenda Jugosllavisë dhe enverizmit të të tjerëve që kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Maliqin, i cili e kreu shkollën në gjuhën serbe dhe studioi në Beograd, disa e quanin titist. Në librin e tij Maliqi jep shumë hapësirë shpjegimit se nuk ka qenë titist njëjtë si që nuk ka qenë as për një Kosovë brenda Shqipërisë së Hoxhës.

Maliqi kujton shokët e tij të ditëve shkollore në Prizren, me të cilët në gjuhën turke, gjuha e cila flitej nga banorët e qytetit, fliste për ekzistimin ose jo të Zotit, dhe të cilët së bashku me familjet e tyre dhe plotë njerëz tjerë që nuk i ka njohur, kanë ikur nga Kosova.

Atë kohë nuk e kishte ditur se shumica e këtyre njerëzve po migronin në Turqi me dhunë, dhe se vendimi i këtyre tregtarëve, zejtarëve, pronarëve të shtëpive dhe tokave u kushtëzua nga fakti se nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë as nga feja e tyre e as nga prona e tyre, nuk deshën të bëheshin as ateistë, as proletarë, e as sllavenë.

Për ata nuk kishte vend në Jugosllavi. Maliqi ka kujtuar edhe ngjarje të shëmtuara të cilat ndodhën kur një fqinje, serbe, lajmin për vdekjen e papritur të kryetarit të kuvendit të Jugosllavisë Moshe Pijadës e komentoi me fjalët : “Të gjithë ata, një nga një, do të vdesin”. (55) Të gjitha gratë e pranishme u shokuan dhe tmerruan, ndërsa njëra nga ato aq shumë sa që këtë vërshim frapant të mosbesimit ndaj jetës së përjetshme të udhëheqësve komunist e lajmëroi në shërbimet përgjegjëse.

Kot kjo grua e pakujdesshme trokiti ne dyert e fqinjëve, shqiptare dhe serbe, me të cilat deri dje çdo ditë pinte kafe. Lutjet e saja që të dëshmojnë për te, që të deklarojnë që ajo një fjali e vetme aspak nuk do të thotë se ajo ose i shoqi i saj ishin armiq të popullit dhe shtetit, mbetën të pa dëgjuara. Në këtë mënyrë në Kosovë atëherë humbej puna, ndoshta edhe liria.

Skenave të tilla nga kujtesa e djaloshit, Maliqi si njeri i rritur pastaj iu dha kuptim të duhur. Kjo ishte ana e errët e regjimit të Titos, e cila atij si fëmijës të anëtarit të nomenklaturës kosovare dhe jugosllave, ia tregoi anën tjetër të medaljes, duke ia mundësuar që të ketë biçikletën Pirelli kur shumica e moshatarëve të tij as që kanë mundur të ëndërrojnë një gjë të tillë. Fotografitë e ruajtura tregojnë babanë e tij në qejf, afër Titos dhe pjesëmarrësve tjerë të elitës ose në takime të meritorëve gjatë shënimit të jubilareve shtetërore ose partiake.

Mirëpo, vetë Shkëlzeni ishte larg nga këto gjëra. Ai njëherë e ka mbajtur stafetën, duke vrapuar pesëdhjetë metra në qendër të Prizrenit, por larg platformës kryesore.

Si shumë djelmosha tjerë, i ka pasur zili fatlumët të cilët janë zgjedhur për pjesëmarrje në vrapimin e fundit kryesor në stadiumin e JNA-së “sepse liroheshin disa javë nga shkolla, dhe shkonin në Beograd” (55).

Por Shkëlzenin asnjëherë nuk e ka kapluar admirimi me të cilin besimtarët e vërtete me anë të ritualeve dëshmonin përjetësinë e regjimit dhe madhështinë e udhëheqësve të saj.

Ai si djalosh po përpinte revistat jugosllavene për fëmijë, “Politikin Zabavnik” dhe “Plavi Vjesnik”.

“Përmbajtja e tyre mund të thuhet se ishte në tërësi perëndimore, tekste të përkthyera. Stripat më të njohur ishin Princi Valiant dhe Flash Gordoni, por edhe klasikët e Disneyt.” (71) Më vonë e gjeti veten në literaturën ekzistencialiste të Kafkas, Kamusit dhe Sartrit. “Ideja e absurdit për mua nuk ka qenë vetëm një konstruksion letrar i Kamisë, por e kam konsideruar si diçka të prekshme, diçka që e përjetoja vetë, nëse jo edhe e mishëroja, diçka që më frikësonte, madje më paralizonte.” (65-66)

Gjatë vetë fillimit të shkollimit të tij në gjuhën serbe Shkëlzeni nuk u përshtat menjëherë në rrethin e ri, ndërsa nga miqtë e deriatëhershëm me të cilët shkonte në shkollën shqipe u largua.

Pasiguria, të qenit i humbur, vetmia dhe ndjenja e mospërshtatjes të cilat e kaplonin Shkëlzenin thuaja se më së miri e gjenin shprehjen në filmin e Felinit “Tetë e Gjysmë”, të cilit i kthehej shumë shpesh.

Para se të shkonte në studime të filozofisë në Beograd në vitin 1966, Shkëlzenin babai i tij Mehmeti e këshilloi që të ketë kujdes nga anëtarët e UDB-së të cilët mund t’ia rrezikonin jetën.

Atë kohë, shpejtë pas rënies së Rankoviqit në plenumin e udhëheqësisë partiake jugosllave në Brijuni, në Kosovë u bë hetimi i krimeve të UDB-së të kryera gjatë pushtetit të Rankoviqit. Mehmeti ishte njeriu kryesor i cili drejtonte hetimet, e ku përfshiheshin krimet e “aksionit të mbledhjes së armëve, presionit ndaj shqiptarëve që të ikin në Turqi, proceset e montuara dhe rastet tjera të dhunës policore”. (80). U hetuan 70 vrasje.

Këto krime të shumta janë trajtuar si “veprime të maskuara të nacionalizmit serb”. Problemi ka qenë se kryesit e këtyre krimeve shpesh pa u ndëshkuar iknin në Serbi ku vazhdonin të jetonin normal, shpesh duke vazhduar të bënin atë që kishin bërë në Kosovë.

Supozoj se Mehmeti e ka ditur mire që kjo kampanjë shpagimi për padrejtësitë e së kaluarës kryesisht ishte e përbërë nga inate të ulëta që dalin në pah secilën herë kur njerëzit e frustruar i shqepen pushtetit të pakontrolluar. Mehmeti ka  pasur frikë se ndonjëri nga udbashët që u është marrë pushteti apo ligjshmëria do të hakmerret duke ia rrezikuar fëmijët.

Për ta bindur se sa i madh ishte rreziku nga hakmarrja, Mehmeti ia kishte treguar Shkëlzenit edhe një pjesë të dokumenteve të fshehta ku përshkruheshin krimet të cilat UDBA i kishte kryer në Kosovë në vitet e pesëdhjeta.

Mirëpo Shkëlzeni edhe këto paralajmërime i pa si pjesë të qëndrimeve të prindërve të tij të cilët tashmë ndienin faj që e kishin regjistruar në shkollën Serbe, për ta parandaluar shkuarjen e tij në Beograd, dhe largimin e mëtutjeshëm të tij nga familja dhe shoqëria shqiptare.

Rrahja e studentëve në Beograd më 1966.

Mbresat e para në Beograd përnjëmend nuk po përputheshin me frikët e babait të Shkëlzenit. “Nuk kishte shenja të rrezikut, përkundrazi, Beogradi atëherë ishte qytet i cili po hapej drejtë botës dhe jeta ishte e sigurt dhe interesante për një njeri të ri dhe kureshtar, si isha unë atëherë.

Ndryshe nga vitet e pesëdhjeta, të cilat për një pjesë të studentëve shqiptarë kanë qenë të vështira sepse po përndjekeshin nga shërbimet sekrete, nuk mund të thuhej që pas Rankoviqit kishte ndjesi të tilla, nuk ishte me rëndësi nëse ishe shqiptar.” (82) Në një pjesë tjetër thekson se “Beogradin e ka gjetur në një atmosferë e cila aspak nuk ka qenë serbe, por kozmopolite”. (107).

Gjatë një periudhe, as vet duke mos ditur përse, ecte nëpër rrugët e Beogradit me çizme të lira gome dhe me plis në kokë. Për këtë gjë nuk ka hasur në kurrfarë telashe, njëjtë si kur është dukur si shumica e studentëve të cilët me dukje dhe sjellje kane imituar ikonat e kundër-kulturave perëndimore.

Por atmosfera e lirisë në kryeqytet vazhdimisht e më shumë po bëhej e padurueshme për regjimin i cili vështirë po adaptohej me ndryshimet në botë dhe vend. Në dhjetor të vitit 1966 në fakultetin Filologjik u mbajt një tubim i madh kundër luftës në Vietnam dhe kundër imperializmit amerikan.

Turmën e studentëve që po dilnin nga fakulteti pas tubimit i priti policia dhe filloi ti rrihte pa arsye. Skenat e studentëve të rrëzuar për toke, që po rriheshin pa kontroll nga policët, dhe policët mbi kuaj që po ua zënin pritën studentëve dhe studenteve që nuk ranë menjëherë por po përpiqeshin të iknin, mbetën në kujtimin e Shkëlzenit përgjithmonë, njëjtë si gunga në kokë të cilën e mbajti po thuajse një muaj, si pasojë e goditjes me shkop gome.

Maliqi kujton se si në atë tubim nuk u tha ose u bë asgjë që do të mund të shihej si kritikë ndaj pushtetit jugosllav. Kur studentët nisën të shpërndahen qetë, aksioni policor u duk si një spektakël tejet i pakuptimtë i shfryerjes së pushtetit arbitrar, të pakontrolluar. Megjithatë, kur shikohet nga këndvështrimi i fakteve që sot dihen shumë mirë, reagimet e milicisë beogradase, edhe pse të papranueshme, nuk janë edhe aq të pamotivuara.

Tubimi në Beograd ndodhi më 23 dhjetor të vitit 1966, ndërsa tubimi marshues i studentëve në Zagreb kundër luftës në Vietnam u mbajt më 20 dhjetor. Që të dy tubimet, si edhe shumë tjera, janë organizuar me vendim të udhëheqësisë së Federatës së Studentëve të Jugosllavisë.

Protesta në Zagreb, e cila nisi para ndërtesës së Qendrës Studentore, përfundoi përballë ndërtesës së Konsullatës së SHBA-së në qendër të qytetit. U thyen xhamat e kësaj ndërtese, ndërsa gjatë ditës studentëve iu bashkuan edhe shumë qytetarë tjerë, kështu që në fund u mblodhën afro njëzet mijë persona. Tubimi i cili nisi në orën 11 u shpartallua nga një numër i madh i fuqisë policore rreth orës 21 të së njëjtës ditë.

Pasi që tubimi protestues në Beograd mbaroi,  disa grupe të studentëve sipas planit paraprakisht të menduar u përpoqën të arrijnë deri tek Qendra Kulturore Amerikane dhe atje të vazhdojnë me protesta në rrugë, ashtu si kishin bërë kolegët e tyre në Zagrebi tri ditë më parë.

Milicia kishte ditur atë që Shkëlzeni si student i vitit të parë me të vërtetë nuk ka pasur si ta dinte. Sulmi i egër i milicisë aq më shumë ishte i pakuptimtë  ngase pushteti jugosllav publikisht kritikonte intervenimin amerikan në Vietnam.

Ai takim i shëmtuar me fytyrën e dhunshme të regjimit, Maliqit ia la një mbresë të përhershme. “Atë ditë, pasi që i pash fytyrat fashiste të policisë, i bindur se nuk i provokuam aspak, u shndërrova në kundërshtar të atij regjimi. Deri në atë moment kisha dyshime, por atë ditë përjetova një kthesë”. (89). Menjëherë ditën tjetër u thirr që të merr pjesë në Bordin për rishqyrtim ndaj represionit policor.

Në atë takim, i cili në vitin 1968 do të bëhej qendër e revoltit studentor, me konstatimin se ëazetar i njohur dhe i guximshëm në javoren Vreme” (91).

Fakti që Shkëlzeni ishte shqiptar me të vërtetë nuk ishte arsyeja pse kishte ngrënë të rrahura nga milicia e cila në te dhe studentët tjerë shihte njerëz me liri të rrezikshme, dhe si të tillë, armiq të regjimit. As ai ndaj milicëve nuk iu qas si shqiptar ndaj serbëve, por si një njeri i përulur, i ofenduar, dhe të cilit i ishin hequr të drejtat nga një pushtet i paparashikueshëm dhe i egërsuar. Njëjtë, përkatësia e tij etnike nuk ishte as në dobi e as në dëm të të qenit pjesë e aktivistëve studentorë.

Delli i tij konspirativ, flokët e gjata dhe syzet e rrumbullakëta, nevoja për liri dhe revolti kundër padrejtësisë, ishin boll legjitime. Veprimet e aktivistëve studentorë të Beogradit u bënë në atmosferën e njëjtë e cila kaploi një pjesë të madhe të të rinjve që refuzonin të rriteshin por që ishin të alarmuar politikisht në Gjermani dhe Francë, me parullat e njëjta anti imperialiste, ikonografinë e së majtës së re dhe me një pasion të madh ndaj besimit se më mirë është të bëhet dashuri se sa luftë.

Tërheqja ndaj një stili të tillë të jetës ishte më e fuqishme se sa vetë ndikimet e përpjekjeve organizative të një grupi konspirativ. Pas trazirave të para të vitit 1966 studentët nisën përgatitjet sistemore për krijimin e demonstratave edhe më të mëdha, të ngjashme me lëvizjet studentore në Amerikë dhe Evropë.

Protestohej kundër luftës në Vietnam, kundër vrasjes së Che Guevaras, për lirimin nga burgu te kompozitorit grek Mikis Teodorakis dhe për të përkrahur studentët e kryengritur polakë.

Edhe pse disa javë para shpërthimit të trazirave studentore të qershorit në Beograd u mbajt takimi i disa ligjëruesve të fakultetit Filozofik me pjesëmarrësit e grupit tashmë të themeluar studentor për organizimin e demonstratave publike, eksplodimi i pakënaqësive të studentëve në qytetin Studentor në Beogradin e Ri megjithatë ndodhi pavarësisht nga ta.

Më 3 qershor të vitit 1968 Shkëlzenin e zgjoi bashkatdhetari i tij me të cilin po ndante dhomën dhe në gjuhën turke të kasabalive prizrenas i tregoi se çfarë kishte ndodhur një natë më parë tek konviktet e  studentëve.

Atje studentët, të mllefosur me vendimin e organizatorit që të mos u lejohet pjesëmarrja në xhirimin e programit televiziv “Karvani i Miqësisë”, u përleshën me rreshterët dhe policinë, rrëmbyen kamionin e zjarrfikësve, mbajtën tubim spontan protestues tek konviktet e studentëve e pastaj u nisën për në qendër të Beogradit.

Rrugës i ndali milicia dhe ndaloi marshin e tyre duke përdorur dhunë të skajshme. U ndalën si një grup tashmë me përvojë në organizim të tubimeve, e cila udhëhiqte komunikimin konspirativ dhe artikulonte porosi politike.

Maliqi me shoke iu bashkua masës së studentëve dhe murrën nismë. Është interesante se atij nuk i kujtohen kërkesat politike të studentëve, të cilët Universitetin e Beogradit e ri quajtën, ashtu si thotë ai gabueshëm, Universiteti i Lirë Karl Marx. Ai universitet alternativ nuk u quajt i lirë por i kuq.

Pavarësisht që elementet e kryengritjes ishin të qarta, provokohej pushteti në mënyrë të vazhdueshme dhe mosbindja shprehej fuqishëm, këto trazira studentore Maliqi nuk i vlerëson si shfaqje të kundërshtimit  ndaj regjimit Jugosllav. Ai thotë se ideja e grupit studentor të cilës i përkiste “ka qenë vetëm korrigjimi i revolucionit jugosllav”. (91) “Me siguri që ngjarja ishte politike, por jo edhe opozitare në kuptimin e sotëm të asaj fjale. Aty nuk u fliste kundër komunizmit. Janë përmendur gabimet dhe devijimet, por nuk është sulmuar vetë sistemi”.(93)

Duke shpjeguar kontekstin në të cilin kanë shpërthyer trazirat e studentëve, pos si një revolt i të të rinjve që po ndodhte në tërë botën , Maliqi tregon se në fakt studentët e Beogradit po reagonin ndaj rezultateve të para të zbatimit të reformave ekonomike në Jugosllavi që nisën në mes te viteve gjashtëdhjetë.

“Neve na dukej se e tëra po shkonte drejtë krijimit të dallimeve të mëdha shoqërore, ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit. Mendonim se Jugosllavia me reformën ekonomike e cila merrte elemente të ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës, po rrëshqiste drejtë kapitalizmit. Kam përmendur edhe më herët që ne titoistët i thërrisnim burzhoazë të kuq.” (91 – 91) Por Maliqi menjëherë shton se “nuk e kanë dashur as stalinizmin”, me të cilën hoqi çdo mundësi që në kontekst të dilemës tipike të shqiptarëve të Kosovës t’i mvishet enverizmi si pozitë e kundërt me titoizmin.

Për dallim nga kujtesa e zbehur kur ishin në fjalë qëllimet politike, Maliqit i kujtohet diçka tjetër. E ajo është jeta në qendër të kryengritjes, në fakultetin Filozofik, ku studentët më të zgjuar, në mesin e të cilëve ishte edhe ai, kalonin ditë e natë, hanin e flinin, mbanin takime, shkruanin dhe shumonin afishe, dhe mirëpritnin shumë aktorë, intelektualë dhe fytyra të tjera publike të cilët përkrahnin studentët e kryengritur.

“E pastaj, pasi që përcillnim mysafirët e çmuar, një pjesë e studentëve rinim në fakultet tërë natën, mbyllnim dyert e ndërtesës, dyer klasike, shumë të mëdha, dhe në oborrin e bukur të Rektoratit bënim festa të gjata.” (93).

Pasi që qytetarët dërgonin ushqim dhe pije, ndërsa disa individë nga institucionet jepnin donacion me para për studentët e kryengritur, nuk është as çudi që ata “kanë kaluar shumë mirë, si në ndonjë ngjarje shumë gazmore, e që ishte një përjetim i fuqishëm”. (95).

Nën mbikëqyrjen e posaçme të regjimit

Në vendin e njëjtë ku para dy viteve, pa e merituar aspak, u rrah me shkop gome në kokë, Maliqi përjetoi ndeshjen e dytë dramatike me milicinë. Milicët e kapën një mëngjes, kur njerëzit po shkonin në punë në sheshin e Studentëve, duke shpërndarë afishet studentore ku thirreshin qytetarët që të bashkohen me studentët. Pasi që refuzoi të përkulej dhe të mblidhte afishet që i kishin rënë në tokë kur e kapi milici, po ai i njëjti nisi ta rrihte.

Maliqi u përpoq të ikë duke kapërcyer një mur që e rrethonte parkun aty afër. Kur kishte hipur mbi mur, në park kishte parë me qindra milicë tashmë të përgatitur për aksion në rast se studentët përpiqen të mblidhen masovikisht në rrugë. Iu ra në gojë atyre nga të cilët po ikte. Aj i pari e rrahu vazhdimisht në ulësen e prapme të veturës deri sa nuk arritën në stacion të policisë.

Atje Shkëlzeni e kaloi tërë ditën në mbajtje. U dënua me dhjetë ditë burg, por atë dënim nuk e mbajti asnjëherë. Kuptohet se bindjet e tija anti titoiste u përforcuan edhe më shumë me këtë rast.

Sidoqoftë, duket se shumë studentë, në fakt shumica, veprimet e milicisë dhe ekzistencën e problemit shoqëror, politik dhe ekonomik, ndaj së cilës edhe po bëhej revolti, nuk po e lidhnin me njeriun kryesor të shtetit, partisë, ushtrisë dhe tërë regjimit, në emër të së cilit po hanin dajak nga milicia.

Ata po i dërgonin Titos letra, duke kërkuar që të pranojë delegacionin e tyre, lartësonin imazhin e tij dhe i këndonin këngë nderi. Zhvillimi i mëtutjeshëm i ngjarjeve tregoi se Tito shumë mirë ka ditur të dallojë grurin titoist nga djerrina antitioiste. Ai, në momentin kur studentët u ngadalësuan për shkak takimeve dhe festave ditë e natë, si dhe për shkak mungesës së përkrahjes së gjerë të punëtorëve, doli në televizion dhe i dha përkrahje kërkesave të arsyetueshme të studentëve, por njëkohësisht theksoi se në mesin e studentëve, dhjetë për qind janë armiq të socializmit.

Gjersa për shumicën e studentëve kryengritja po shuhej, të magjepsur me mesazhin nga pozita më e lartë se kanë pasur të drejtë dhe tani më në fund duhet t’i përkushtohen kryerjes së detyrave të tyre, Shkëlzeni e ka ditur se ai dhe shokët e tij janë në atë dhjetë përqindëshin të cilët në të ardhmen do të jenë nën përkujdesjen e posaçme të regjimit, dhe me të vërtetë me anë të padive të ndryshme në vitet që pasuan, pjesëmarrësit më të spikatur të kryengritjes studentore u dënuan shpesh edhe me burg shumëvjecar.  Në burg përfunduan shoku i Shkëlzenit Vladimir Mijanoviqi (me të cilin dy vite e ndau dhomën në konvikt të studentëve), Lazar Stojanoviqi, Pavlushko Imshiroviqi, Bozhidar Borjani…

Kuptohet që ky angazhim politik i Shkëlzenit shkaktoi mospajtime me të atin. Me përfundimin e trazirave, përfaqësuesit e pushtetit vazhdimisht e më shpesh nisën të përmendnin elementet shkatërruese anarkoliberale duke dalluar individë në mesin e të cilëve u përmend edhe emri i Shkëlzenit. Mehmedi i tronditur madje edhe ofroi dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit të Federatës për shkak telasheve të të birit me pushtetin.

Një periudhë nuk foli me të birin. Babë dhe bir u ndanë në tërësi, sa i përket bindjeve se çka po ndodhte në Jugosllavi. Për Mehmedin, pas heqjes së Rankoviqit gjërat po shkonin në kah pozitiv, ndërsa për Shkëlzenin kjo ishte rrugë drejtë krizës ekonomike dhe shoqërore. “Ne studentët atë kohë kishim probleme tjera me regjimin dhe ndanim pakënaqësinë e përgjithshme të rinisë, nga SHBA e deri te Polonia, ai ishte virusi i vërtetë i kohës sonë, e jo shovinizmat dhe revanshizmat lokalë.” (107) Pas përpjekjes së pasuksesshme që ta bindë të birin që të heqë dorë nga radikalizmi destruktiv, Mehmedi prapë se prapë i premtoi se do të financojë shkollimin e tij në Beograd me kusht që t’i lajmërohet rregullisht nënës dhe mos ta mërzisë më. Por fakti se përmendja e emrit të tij në kontekst të një grupi ekstremist, ashtu si i kanë quajtur mediat e regjimit këta gjashtëdhjetë e tetëshat, drejtë për drejtë po rrezikonte edhe ekzistencën e familjes së tij, Shkëlzenit i shkaktoi barrë të madhe. Aq shumë sa në vitin 1970 u largua nga ky grup.

Lëvizja studentore në Amerikë dhe Evropë, me përfundimin e 60-tave, po shkonte from protest to resistance. Ajo rezistencë në shtetet perëndimore po arrinte kulmin e kundërshtimit afatgjatë dhe të organizuar ndaj diskriminimit racor dhe politikës imperialiste,  duke shkatërruar automobila që ishin simbol i konformizmit qytetar, duke shkatërruar prona shtetërore si simbol të uzurpimit nga pushteti, me përleshje të shpeshta me policinë, ndonjëherë edhe të armatosur. Dhe në fund, disa skaje të mëngës së kësaj rezistence çonin edhe në ekstremizëm. Oligarkitë e pushtetit në Serbi, Kroaci dhe Slloveni relativisht lehtë i kanë ndalur këto protesta pa ndonjë rezistencë të vërtetë, protesta të cilat u organizuan duke u thirrur në të njëjtat qëllime mbi të cilat përbetohej edhe vetë pushteti. Duket se Shkëlzen Maliqi ka qenë në mesin e 68-shave të parë të cilët situatën e protest without resistance e kanë parë si heqje dore dhe dorëzim.

Pas vitit shtatëdhjetë shoqërimi me Bozhidar Borjanin, Natasha Kandiqin, Lazar dhe Voja Stojanoviqin, Velimir Curguz – Kazimirin, Dragan dhe Zoran Minderoviqin, Milan Cirkoviqin dhe Svetlana Kojiq Slapshakun ishte themeluar mbi afinitetin e përbashkët që të “kritikojnë dhe qeshin me çka do dhe gjithçka”. (104) Claus Leggeëie ka shkruar se për 68-shin shkruhet si për ndonjë ndodhi, si për një përvojë dhe një mitologji. Si ngjarje, 68-shi shënoi fundin e periudhës së mbas luftës dhe hapi rrugën drejtë 1989-shit, drejtë përfundimit të Luftës së Ftohtë. Si përvojë historike dhe personale ka përcaktuar përgjithmonë botëkuptimet e një gjenerate të tërë dhe u bë vend qendror ku pjesëmarrësit e atyre ngjarjeve bënin rivlerësime autobiografike. Si mitologji përfshiu një spektër të gjerë të mosmarrëveshjeve shoqërorë të periudhës 1963-1974 deri në një pikë të ndezjes, e cila në kulmin e saj dramatik me një shkëndijë përfshiu trazirat në Amerikë, Francë, Gjermani dhe Çeki. (Leggewie dhe Junker (ed) 2004: 421-422).

Nëse përpiqemi të zbatojmë këtë klasifikim mbi librin e Maliqit, mendoj se vitit 68 i qaset si një ngjarjeje historike dhe përvoje të rëndësishme personale, me një nevojë të fuqishme që të demistifikon së pari vetë rolin e tij në ato ngjarje, e pastaj edhe vetë rëndësinë e këtyre ngjarjeve.

Tanket në Kosovë 1968.

Maliqi përkujton edhe atë se si miqtë dhe të njohurit e tij në Prishtinë kishin komentuar protestat e studentëve në Beograd. Ata thoshin se trazirat e studentëve i kishte organizuar Dobrica Qosiqi, i cili pak ditë para shpërthimit të këtyre trazirave, gjatë takimit të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, u sulmua keq për kritikën e tij të ashpër ndaj autonomisë së Kosovës dhe për shkak parashikimit të tij që, nëse nuk merren masa energjike kundër nacionalizmit shqiptar, Serbia do të mbetet pa Kosovën. Përpjekjet e Shkëlzenit që t’i bindë që ishte krejtësisht ndryshe dhe se atë që studentët kërkonin nuk kishte lidhje me Dobrica Qosiqin mbetën të pasuksesshme.

Bashkëbiseduesit e tij nga Prishtina, si duket në ndonjë mënyrë kanë marrë vesh se profesorët e fakultetit Filozofik të Beogradit, të cilët ditën tjetër iu bashkuan studentëve, ishin takuar me Qosiqin disa orë para se të shpërthenin trazirat (Klasiq 2012:143). Është interesante që edhe një pjesë e establishmentit të atëhershëm partiak kroat shpalljen e universitetit si Socialist nga 7 sekretarët e Bashkimit Komunist të Rinisë Jugosllave (SKOJ-it), me qëllimin që t’i jepet përkrahje e organizuar studentëve beogradas, e kanë kuptuar ose vetëm e kanë shfaqur në publik si përpjekje të kthimit të fuqive rankoviqe, unitare, qëllimi i të cilave ishte rrezikimi i udhëheqësisë se vetë republikave në parti, dhe pamundësimin e zhvillimit të mëtutjeshëm të vetëqeverisjes.

Me vetëqeverisje kryesisht mendohej për autonominë e vendimmarrjes politike në republikë, e më pak si vetëqeverisje të punëtorëve në fabrika. Me akuzat se kanë organizuar dhe përkrahur trazirat e studentëve në mënyra të ndryshme u sanksionuan dy profesorë të fakultetit Filozofik ne Zagreb, Gajo Petroviq dhe Milan Kangrga, si dhe profesori nga Fakutleti i shkencave politike Mladen Candaroviq dhe studentët Shime Vraniq, Inoslav Beshker dhe Ante Rumora.

Në pyetjen se çka ka ndodhur në Kosovë më 1968, Maliqi përgjigjet se nuk mund të flet për atë gjë ngase nuk kishte marrë pjesë në ato ngjarje. Vetëm përmendja e këtyre gjërave më përkujtoi se si në mënyrë tejet bizare i ndjeva shenjat e para të asaj që kishte ndodhur atje në vitin 1968. Ushtrinë e shërbeva në kazermat ushtarake të Shkupit Mareshal Tito në njësinë e tankeve si pjesëmarrës në, ashtu si quhej atëherë në ushtri, këmbësorinë e mekanizuar. Isha klasa e prillit të vitit 1979.

Dikur në vjeshtë të vitit 1979, kur tashmë po mbanim uniformën dimërore, por jo edhe shinjelin, pallton e gjatë ushtarake, ndëpremë ushtrimet e zakonshme, një lloj mësimi praktik që mbahej në poligonin e madh brenda kazermave. I tërë batalioni prej rreth 300 ushtarëve u rrëndit afër njërit nga hangarët ku ishin tanket. Udhëheqësi i batalionit, një kapedan i klasës së parë dhe me shtat thatanik, foli me pasion për armiqtë të cilët kishin hyrë në radhët tona. Pos tjerash shtoi se ata armiq duheshin trajtuar njëjtë ashtu si kishte bërë kjo brigadë, pjesë e së cilës ishim ne, gjatë intervenimit në Prishtinë më 1968. Ky kapedan pra, tha se ushtria e Jugosllavisë, madje pikërisht kjo njësi në të cilën po shërbeja ushtrinë, kishte intervenuar në Prishtinë.

Dikur shumë më vonë, kur si redaktor në entin botues Globus në fund të viteve të tetëdhjeta po punoja në përgatitjet e botimit të librit “Çështja e Kosovës” të Branko Horvat, kuptova se ai operacion i tankeve kishte qenë përgjigje e pushtetit Jugosllav ndaj demonstratave të mbajtura në disa qytetet të Kosovës në ditën e festës kombëtare të Flamurit i cili festohet më 28 nëntor, gjatë se cilës u shtruan kërkesat që Kosova të jetë republikë.

Nëse është zbatuar urdhri i Titos që në Kosovë të dërgohet i tërë divizioni i tankeve (Klasiq 2012:331), atëherë në atë aksion kanë marrë pjesë edhe tanket nga kazermat tjera pos asaj ku po shërbeja ushtrinë. Duket se ajo shfaqje e fuqisë edhe dha rezultatin e pritur. Pos vdekjes së një protestuesi, i cili vdiq në përleshjet me policinë para se të angazhohej ushtria, viktima tjera nuk pat.

Është interesante që Noel Malcolm vlerëson që “reagimi zyrtar kishte më shumë lëshime se sa që do të mund të paramendohej në çfarëdo periudhe në 20 vjetët e ardshme”. (Malcolm 1998;325) Këtë vlerësim ai e argumenton me faktin se në dhjetor të vitit 1968 u pranuan amendamentet kushtetuese përfshirë edhe ai për ndërrimin e emrit të deri atëhershëm Kosova dhe Metohija si dhe për avancimin e statusit të dy krahinave. Andaj, kërcënimi i atij kapedani për pasojat e mundshme ndaj armiqve si duket themelohej në masë të madhe në vetë opinionin e tij personal se çka ishte dashur të bënte ushtria në Kosovë në vitin 1968, e jo në bazë të asaj që përnjëmend ka ndodhur.

Lexuesin ndoshta e intereson arsyeja pse ky kapedan kërcënoi me intervenim të mundshëm ushtarak. Pasi që e mbajti fjalimin, na u urdhërua që të rreshtohemi në kolonë një nga një. Pasi që isha në njësinë e tretë të grupit të tretë të atij batalioni të tankeve, qëllova pothuajse në krye të rreshtit. Kapedani po qëndronte drejtë duke mbajtur gishtin tregues kah toka gjersa ushtarët po kalonin ngadalë afër tij. Me helmetë në kokë dhe armën në krah (shumica prej nesh mbanim pushkët automatike Kallashnikov), pa durim shikoja drejtë atij vendi që po tregonte gishti kërcënues i oficerit. Kur u afrova, kisha çka të shihja.

Në beton, si një gjarpër i trashë dhe i paralizuar nga frika e që nuk ishte as i shtrirë e as i mbledhur gjendej një mut i  madh i njeriut, si përkujtim i qëllimeve armiqësore të vepruesit të panjohur, dhe si shenjë e pazgjuarsisë së rojeve të cilët duhej të ruanin tanket nga çfarëdo sabotimi të paramendueshëm.

Restaurimi i freskave mesjetare

Largimi nga grupi konspirativ anarko liberal për Shkëlzenin aspak nuk nënkuptoi edhe ndryshim të botëkuptimeve. Një pjesë e atij botëkuptimi ishte edhe shpërfillja e problemit të marrëdhënieve kombëtare. Në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet hyri duke shikuar botën dhe duke e regjistruar atë “nga aspekti i ndjeshmërisë personale, vetëm asaj që kishte të bënte me vetë identitetin tim, dhe këtë e rregulloja duke shpërfillur që të dy kulturat fisnore, kryesisht duke u marrë me ‘vlera’ të cilat vinin nga bota”. (117) Diskursin zyrtar dhe të lejuar publikisht në të cilin diskutoheshin marrëdhëniet ndëretnike në Jugosllavi, Maliqi e përshkruan kështu: “Ajo që flitej zyrtarisht dhe që lejohej të flitej publikisht rreth pyetjeve kombëtare dukej si një maje e topitur e zbukuruar me fraza të barazisë, vëllazërisë dhe bashkimit, ndërsa vëllimi dhe pesha e marrëdhënieve reale të cilat ishin të frikshme dhe më vonë do të eksplodonin, mbaheshin nën sipërfaqe”. (117)

Ai pranon se në atë kohë nuk ka qenë i vetëdijshëm për seriozitetin e atyre problemeve e as për arsyen pse Tito vazhdimisht po përsëriste frazat e nevojës për ruajtjen e vëllazërim bashkimit. Këto deklarata, njëjtë si thëniet dhe frazat tjera të gjuhës së atëhershme politike, për Maliqin dhe shokët e tij ishin vetëm pjesë të figurave retorike dhe ritualeve manipuluese me anë të cilave ruhej pushteti komunist. “Në qarqet ku po endesha kishim botëkuptime të përziera anarko liberale edhe marksiste, në atë kohë nuk e kuptonim mirë as Titon, e as fuqinë tektonike të nacionalizmit. Personalisht mendoja se këto ishin anakronizma, ashtu e konsideroja edhe çështjen shqiptare dhe kosovare.”(117)

Ai sot thekson se këtë mënyrë të të menduarit nuk duhet kuptuar si kundërshtim të qëllimit të shqiptarëve për arritje të barazisë. Thjeshtë ky problem në atë kohë për atë dhe miqtë e tij nuk ka ekzistuar. Sidoqoftë, kujton se si miqtë e tij anarkoliberalë pas kthimit nga mbajtja e dënimeve në burg kanë folur me respekt për Adem Demaqin, luftuesin më të njohur për të drejtat e shqiptarëve dhe njërin nga personat që mbajti më së gjati burg politik në Jugosllavi. Duke kryer universitetin brenda nga burgu, Vladimir Miljanoviq, Pavlushko Imshiroviq dhe Lazar Stojanoviq, nën ndikimin e bisedave me Demaqin, i kishin thënë Shkëlzenit se Kosova duhej të ishte e bashkuar me Shqipërinë.

Duke u përpjekur që nga perspektiva e sotme të vlerësojë shtrirjet e angazhimit të vet të hershëm politik, Maliqi konstaton se grupi i tij nuk ka pasur program të artikuluar politik me të cilin do të ndahej qartë nga pushteti i atëhershëm dhe me të cilin do të përcaktohej për çfarë është duke luftuar dhe se cilën fuqi shoqërore e llogariste si bazë të saj politike. Kishin kuptuar se nuk mund të mbështeteshin në klasën punëtore e cila në Jugosllavinë e viteve të gjashtëdhjeta u hap ndaj perspektivës së udhëtimeve për shoping në Trieste, mundësisë së blerjes së automobilave, televizorëve dhe frigoriferëve, me këtë edhe duke zbehur vendosmërinë e saj për revolucion.

Vitet e shtatëdhjeta Shkëlzenit i sollën përvojë të re. Në vitin 1971 vizitoi disa miq të cilët në provincën serbijane po punonin në restaurimin e freskave në një manastir ortodoks serb. Iu bashkua nga kureshtja. U tregua se ishte restaurues i aftë, ndërsa vetë puna ishte tërheqëse për te. Kur me kalimin e kohës edhe më shumë u kaplua nga bukuria e pikturave të cilave, më heqjen e shtresave të mbledhura me shekuj të pluhurit dhe blozës, po i jepte një jetë të re, nisi të intrigohej edhe nga bota në të cilën ato ishin krijuar.

Aftësitë e tij restauruese, por edhe observimi i veprave me të cilat po përballej, ia siguruan angazhimin e përhershëm në atë punë për tetë vitet e ardhshme. Talenti i cili deri atëherë nuk arriti të shprehej në tërësi në poezi, e as dramë apo roman, u ndez kur u takua me dëshmitë e pazëshme të periudhës së shkuar të kulturës bizantine. Maliqi menjëherë spikati pikëpamjet kryesore të diskutimeve rreth artit sakral serb nga mesjeta. Në një anë gjendet kryesia e historianëve serb të artit të cilët mendojnë se freskat mesjetare janë vepra të shkollës autoktone serbe të pikturës. Në anën tjetër, një numër më i vogël i ekspertëve, të cilëve iu bashkua Maliqi, mendojnë se pushtetasit serb ftonin mjeshtër të shkolluar nga Kostandinopoja dhe Selaniku në mënyrë që me anë të pikturave në manastire dhe kisha t’i thurrin lavdi Zotit si dhe vetë atyre. Rezultat i kësaj pune është edhe libri tij Estetika e Artit Bizantin e cila në gjuhën shqipe paraqet një vepër të rëndësishme të kësaj problematike.

Puna shumëvjeçare në restaurimin e freskave mesjetare në teren Maliqit ia mundësoi edhe njohjen me shumë njerëz në brendësinë e Serbisë si dhe me zakonet e tyre. Andaj, as duke mos e ditur që këto njohuri do të jenë të dobishme  për çka do tjetër pos kënaqjes së kërshërisë së tij të lindur, mblodhi argumente me të cilat në dekadat e ardhshme do të përmbyste disa nga argumentet e zakonshme serbomadhe se shqiptarët e Kosovës ishin vandalizues të paskrupullt. Atyre iu mvesh faji i ç ‘shenjtërimit të freskave në kisha dhe manastire ortodokse serbe. Disa persona historikë apo të shenjtë të paraqitur në freska kishin sytë e gërryer, tjerët veshët, hundët, duart, këmbët, pjesët tjera të trupit.

Maliqi, duke biseduar me fshatarët serbë, ka mësuar për besimin e tyre se ngjyra e gërryer nga imazhi i shenjtë në mur të ndonjë organi, mund të shërojë po atë organ të ndonjë të sëmuri. Andaj, me shekuj fshatarët besëtytë serbë kishin gërryer ngjyrën nga freskat duke besuar në aftësinë mrekullibërëse të tyre. Kur u publikua kjo e dhënë, në mënyrë të dukshme u zvogëlua edhe hapësira për manipulimin e opinionit publik dhe u ngushtua repertori i mjeteve për demonizimin e shqiptarëve.

 

Vazhdon në pjesën e dytë…


Lajmet kryesore