Opinione / Kolumnistët

SHBA-të, Irani dhe prania e muxhahedinëve në Shqipëri


Artikull i shkruar për revistën “Shenja”, në mars të vitit 2020

Marrëdhëniet amerikano-iraniane do të vazhdonin të ishin pozitive deri në vitin 1953, kur më 19 gusht nëpërmjet një grushti shteti CIA rrëzoi kryeministrin iranian, Mohammad Mossadeg.

Ky është një moment kyç në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të lërë gjurmë të rëndësishme në historinë e mëpasshme.

Vrasja e komandantit ushtarak të forcave Al-Quds, Kasem Sulejma- ni, në Irak me dron nga SHBA është një nga momentet kur sërish u hap debati i marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Iranit.

SHBA dhe Irani kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh mes tyre, edhe pse momenti i parë që kujtohet është ai i organizimit të grushtit të shtetit me ndihmën e CIA-s, që më 1953 e rrëzoi kryeministrin Iranian Mossadeg, dhe rrethimi i ambasadës amerikane nga studentët e Revolucionit Islamik në Teheran e marrja peng e punonjësve amerikanë më 1979.

Marrëdhëniet mes dy shteteve i paraprijnë vitit 1953 e do vazhdojnë edhe pas vitit 1979 me hope e me momente tensionesh dhe jo tensionesh, shpesh në kërkim të një dialogu, i cili pothuaj asnjëherë nuk do të jetë në momentin e duhur.

Amerikanët kanë qenë të pranishëm formalisht nga ana tregtare në Iran që në 1856.

Më 1911 bankieri amerikan Morgan Shuster u dërgua në Iran në bazë të një ftesë të qeverisë iraniane kundrejt  asaj amerikane për të riorganizuar financat e Iranit.

Persia ishte në gjendje të rëndë financiare për shkak të borxheve të rënda të grumbulluara nga dinastia e Kazharëve ndaj dy fuqive koloniale, të Britanisë së Madhe dhe Rusisë, në Iran.

Moment tjetër i rëndësishëm është viti 1919, kur administrata Wilson kun dërshtoi me forcë përpjekjet britanike për ta kthyer Iranin në një protektorat de facto.

Pas Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 qeveria e re sovjetike u tërhoq nga zonat e ndikimit rus në pesë provincat veriore të Iranit.

Britania ishte e vetmja fuqi e mbetur dhe, nëpërmjet një marrëveshje të re, u përqendrua në të drejtën e shpimit për naftë nga ana e kompanisë “Anglo-Persian Oil”.

Marrëveshja nuk u ratifikua nga Parlamenti Iranian dhe u denoncua në të gjithë botën si një përpjekje për hegjemoni nga ana e Britanisë, veçanërisht nga SHBA-të.

Marrëdhëniet amerikano-iraniane do të vazhdonin të ishin pozitive deri në vitin 1953, kur më 19 gusht, nëpërmjet një grushti shteti CIA rrëzoi kryeministrin iranian Mohammad Mossadeg.

Ky është një moment kyç në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të lërë gjurmë të rëndësishme në historinë e mëpasshme. Gjatë mandatit të tij, Mossadeg u futi një sërë politikash sociale dhe ekonomike.

Një nga më të rëndësishmet ishte nacionalizimi i industrisë iraniane të naftës.

Britania e Madhe kishte kontrolluar naftën e Iranit për dekada me radhë përmes Kompanisë “Anglo-Persian Oil”.

Pas disa muajsh bisedimesh kryeministri ndërpreu negociatat dhe u mohoi britanikëve çdo përfshirje të mëtejshme në industrinë e naftës në Iran.

Britania menjëherë u bëri thirrje SHBA-ve për ndihmë, të cilat përfundimisht e çuan CIA-n së bashku me MI6 të orkestronte përmbysjen e Mossadegut dhe të sillte në fuqi Mohammad Reza Pahlavin, Shahun e fundit të Iranit.

Shahu u bë një nga aleatët më të besueshëm të Luftës së Ftohtë dhe ndihma konsistente ekonomike dhe ushtarake amerikane iu dhanë Iranit gjatë viteve 1950, 1960 dhe 1970.

Në vitin 1968 britanikët deklaruan se deri në vitin 1971 do të largoheshin nga të gjitha pozicionet e tyre në Lindjen e Mesme në lindje të Suezit.

Kjo ndodhte 150 vjet pas kontrollit të Gjirit Persik nga Britania e Madhe.

SHBA-të ndodheshin në një moment të vështirë të angazhuar në Vietnam dhe qasja e përgjithshme e dy administratave Johnson dhe Nixon ishte identifikimi i aleatëve rajonalë.

Ata e identifikuan Arabinë Saudite dhe shahun e Iranit.

Aleanca e Iranit me SHBA-të në vitet 1970-të u forcua akoma më shumë, por ndërkohë përkoi edhe me periudhën kur sundimi i Shahut ishte bërë gjithnjë e më diktatorial.

Shuma të mëdha parash derdheshin në arkat iraniane pas embargos arabe të naftës në 1973 (pasojë e luftës së Yom Kippurit mes vendeve arabe dhe Izraelit), të cilën Irani si një nga anëtarët kryesorë të OPEC nuk e respektoi plotësisht duke përfituar kështu akoma më shumë nga ana financiare.

Në vitin 1974 SHBA-të dhe Irani firmosën një akord 10-vjeçar për furnizimin e Iranit me uran të pasuruar dhe po atë vit Irani deklaroi objektivin e tij për të porositur 5 termocentrale bërthamore nga Franca.

Ndërkohë, Irani kishte marrë furnizime me armë për rreth 10,4 miliardë dollarë gjatë viteve 1972-76 nga SHBA-të, duke u bërë kështu blerësi më i madh i armatimeve ushtarake amerikane.

Lidhjet e elitës së Pahlavit dhe establishmentit amerikan u rritën fuqishëm duke çuar në lidhje të forta mes dy vendeve.

Më shumë se 40 mijë amerikanë jetonin në Iran në vitin 1978 dhe më shumë se 60 mijë studentë iranianë ishin duke studiuar ne universitetet amerikane.

Këtë vit Irani do të ishte prodhuesi i katërt më i madh i të ardhurave në botë për kompaninë telefonike amerikane AT&T.

Pasojat e këtij shkëmbimi dhe pranie nuk do të kalonin pa pasoja sociale.

Ndryshime dramatike në shoqërinë iraniane, veçanërisht ngritja e vetëdijes politike dhe gjallërimi intelektual, krijuan një ndjenjë të fortë nacionaliste.

Gjithashtu në vitet e ‘70-ta ndjenja e religjionit ishte në rritje, si pjesë e një tendence më të gjerë rajonale drejt ideologjive politike islamike.

Situata ekonomike me luhatje të forta, ku pjesa më e madhe e financave u përdorën për forcimin e ushtrisë, një elitë gjithnjë e më e korruptuar, një sundimtar gjithnjë e më diktatorial dhe një marrëdhënie gjithnjë e më e ngushtë mes elitës iraniane dhe SHBA nuk ishin kombinime ideale në situatën historike të atyre viteve.

Këto përzierje situatash politike dhe sociale, të ndërthurura, çuan në reagime të fuqishme dhe në Revolucionin Islamik të 1979-tës.

Në janar të vitit 1979 Reza Pahlavi u largua nga Irani për motive shëndetësore.

Dy javë më vonë, Ayatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe e drejtoi lëvizjen për ta rrëzuar monarkinë dhe për ta shpallur një qeveri islamike.

Revolucioni nuk filloi si një revolucion antiamerikan.

Mbi të gjitha, ai ishte një revolucion iranian kundër Shahut. Por, aleanca e Shahut me SHBA-të dhe ardhja e tij në fuqi pas grushtit të 1953 e lidhën revoltën ndaj Reza Pahlavit me marrëdhëniet ndaj SHBA.

Administrata e Carter-it, duke mos kritikuar regjimin në asnjë moment, e ndërthuri akoma më tepër fatin e kësaj marrëdhënieje me figurën e tij.

Dinamika e situatës ndryshoi akoma më negativisht me dërgimin e Shahut në SHBA për trajtimin e kancerit.

Do jetë ky hapi që do të sjell në krizën e pengjeve.

Disa ishin të indinjuar e të frikësuar se mund të përsëritej vitit 1953, ndërsa të tjerë menduan që një akt simbolik do të ndihmonte unitetin kombëtar, fundin e sundimit të huaj kolonial dhe forcimin e Revolucionit Islamik.

Studentët e indinjuar iranianë e sulmuan Ambasadën e SHBA-ve në Teheran më 4 nëntor, duke marrë peng 52 amerikanë.

Kjo bëri që Carter t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike amerikane me Iranin më 7 prill 1980, që edhe sot e kësaj dite ende nuk janë rikthyer.

Shahu vdiq në Egjipt në korrik të vitit 1980, por pengjet nuk u lanë të lirë deri më 20 janar 1981, pas 444 ditësh në robëri dhe vetëm pak ditë pasi Reagan-i u bë president i SHBA-ve.

Burime iraniane kanë deklaruar që një lobim i fuqishëm është bërë nga ana e republikanëve, të cilët u kanë paguar rreth 20 milionë dollarë agjentëve kryesorë iranianë për ta parandaluar lirimin e pengjeve gjatë presidencës Carter.

Nga ai moment marrëdhëniet mes dy shteteve kanë qenë ato mes dy kundërshtarësh të fortë ideologjikë e politikë.

Por, kanë qenë të shpeshta rastet kur një vend ishte më shumë i interesuar për afrim dhe tjetri dukej i painteresuar për këtë.

Në vitin 1981 administrata e Reagan-it kërkoi të gjente kanale për hapjen e një dialogu me Iranin.

Kështu më 1981, me akordin e Algjerit, SHBA-të u angazhuan që nuk do të ndërhynin në çështjet e brendshme të Iranit dhe i dhanë mundësi të merrte 10 miliardë dollarë të tij, të cilët SHBA-të i kishin bllokuar.

U ngrit gjithashtu një Gjykatë në Hagë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.

Këto hapa nuk do të çonin shumë larg. Në shtator të vitit 1980 Iraku e pushtoi Iranin.

SHBA-të e mbështetën Sadam Husseinin, të shqetësuar se konflikti do të ndikonte në prodhimin e naftës në Lindjen e Mesme dhe në mbrojtje të interesave e aleatit të ngushtë, Arabisë Saudite.

Më 1984 SHBA-të vendosën një embargo armësh, pasi Irani u fut në listën e shteteve si sponsorizues i terrorizmit.

Ky vendim la ushtrinë iraniane në mes të luftës së saj me Irakun në mungesë burimesh furnizimi me armë dhe avionë për ta vazhduar luftën.

Ndërkohë, administrata Reagan, duke menduar që embargoja do ta shtynte Iranin të kërkonte mbështetje nga Bashkimi Sovjetik, mori vendim të shesë fshehurazi armë në Iran.

Marrëveshja Iran-Kontras ishte një marrëveshje sekrete për shitje të armëve amerikane Iranit në shkëmbim të lirimit të qytetarëve amerikanë, të mbajtur peng nga Hezbollah, një grup militant shiit në Liban nën kontrollin e Khomeinit.

Fondet e kësaj shitjeje do të përdoreshin për të mbështetur guerilien Contras në konfliktin e armatosur në Nikaragua.

Është një gazetë libaneze që do nxirrte sekretin e kësaj marrëveshjeje.

Kjo do të çonte vetëm në ashpërsimin e mëtejshme të marrëdhënieve dhe argumenti Iran do të bëhej tabu në politikën amerikane.

Në korrik të vitit 1988, gjatë luftës Iran-Irak, SHBA-të ishin ndër vendet që kishin anije luftarake në zonë për të mbrojtur transportin e naftës në ujërat e Shattal-Arabit.

Më 3 korrik 1988, USS Vincenne një nga kryqëzorët e raketave amerikane, u përfshi në disa përleshje me anijet iraniane.

Gjatë një operacioni kryqëzori e goditi avionin iranian Air 655 mbi Gjirin Persik, duke vrarë 290 pasagjerë dhe duke shkaktuar një incident ndërkombëtar midis Iranit dhe SHBA-ve.

Në vitin 1996 SHBA-të pranuan të paguanin 131.8 milionë dollarë si kompensim për Iranin.

Më 25 qershor 1996 një kamion-bombë shpërtheu në objektin e Forcave Ajrore të SHBA-ve në Khobar, në Arabinë Saudite, duke vrarë 19 amerikanë dhe duke plagosur mbi 350 të tjerë.

Shërbimet sekrete thanë se bombardimi ishte punë e Hezbollah al-Hijaz, një grup shiit saudit me lidhje të ngushta me Rojet Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun e Libanit.

Administrata Clinton u përgatit për t’iu përgjigjur ushtarakisht Iranit, por shpejt e kuptoi se çdo operacion mund të përshkallëzohej dhe, madje, të shkaktonte luftë në shkallë të plotë.

Në gusht 1997 një reformator i moderuar, Mohammad Khatami, i fitoi zgjedhjet presidenciale të Iranit.

Ai qe një nga presidentët që perëndimorët deshën m shumë për qasjen e tij intelektuale, të hapur dhe me admirimin ndaj traditës filozofike perëndimore.

Khatami është presidenti i parë që do të bënte vizita shtetërore në vendet perëndimore, si Francë, Gjermani e Itali, duke përfshirë edhe vizitën tek Papa në Vatikan.

Në fillim të janarit 1998 Khatami bëri një intervistë të famshme në CNN, në të cilën e lavdëroi kulturën amerikane, historinë amerikane dhe kushtetutën e saj.

Jo vetëm që refuzoi në mënyrë kategorike terrorizmin, por edhe shprehu keqardhje për krizën e pengjeve të 1979.

Ai e kritikoi djegien e flamujve amerikanë, edhe pse u mundua ta justifikonte si rrjedhojë e poshtërimit që iranianët në vite kishin pësuar.

Por, ndërsa mandati i parë presidencial i Klintonit ishte dominuar nga prioriteti i politikës izraelite dhe problemet e brendshme, gjatë mandatit të tij të dytë dukej qartë që do të deshte një përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Përpjekjet e administratës amerikane, qoftë nëpërmjet ambasadës zvicerane (përfaqësuese e interesave amerikane në Iran), qoftë nëpërmjet Arabisë Saudite, u kryen në momente kur nga pala iraniane nuk do arrinte asnjë përgjigje për afrim.

Në vitin 2000 Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright foli në Këshillin Amerikan-Iran me qendër në SHBA dhe e pranoi për herë të parë rolin e qeverisë amerikane në grushtin e 1953-tës, duke kërkuar falje për rolin e CIA-s.

Ajo gjithashtu njoftoi heqjen e sanksioneve për importet e ushqimeve dhe tapeteve iraniane dhe miratimin për eksportin e pjesëve rezervë për aeroplanët Boeing.

Albright-i ofroi të shlyejë pretendimet ligjore të pazgjidhura mbi pasuritë iraniane të ngrira në llogaritë bankare të SHBA-vë që nga konfiskimi i Ambasadës së SHBA-ve më 1979.

Disa ditë më vonë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei hodhi poshtë fjalët e Albright si të pavlefshme.

Ai gjithashtu akuzoi SHBA-të për mbështetjen e Irakut në Luftën Iran-Irak dhe refuzoi çdo dialog zyrtar me Amerikën.

Me gjithë kundërshtimet, Khatami dhe Clinton vazhduan të bënin deklarata publike për nevojën e pajtimit të Iranit dhe SHBA-ve.

Në fund të mandatit të dytë të Clintonit, SHBA-të dhe Irani ishin larguar nga gjendja e konfliktit të armatosur pas sulmit të kullave Khobar më 1996 drejt një dialogu indirekt.

Klima ishte përmirësuar, por tensionet mbi rolin e Iranit në terrorizëm, lidhjet e tij me Hezbollahun dhe përndjekja e Iranit drejt zhvillimit të teknologjisë bërthamore ishin çështje serioze në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Në këtë situatë mbyllet presidenca Clinton për t’u gjendur pas 11 shtatorit me krijimin e një situate të jashtëzakonshme

Irani do të përpiqej ta kalonte këtë situatë në favor të tij.

Në mënyrë të dukshme problemi përqendrohej tek terrorizmi sunit i aleateve të Amerikës dhe jo tek ai shiit.

Por, në janar të vitit 2002 izraelitët kapën Karin A, një anije me armë e raketa destinuar Autoritetit Palestinez dhe dërguar nga Irani.

Kështu në fjalimin e tij për shtetin në vitin 2002, Presidenti GeorgeW. Bush e karakterizoi Iranin, Irakun dhe Korenë e Veriut si vende të “Boshtit të së Keqes”, që “e mbështesin terrorizmin”

Në gusht të vitit 2002 një grup opozitar në mërgim (Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit – i cili është krahu politik i Mojahedin e-Khalq) njoftoi se Irani kishte punuar fshehurazi në armët bërthamore në dy instalime që nuk ishin zbuluar më parë publikisht.

Agjentë izraelitë kanë pohuar që dhënia e informacionit këtij grupi i është dhënë nga Mossadi.

Kjo ishte një shkelje e kushteve të Traktatit të Shpërndarjes Bërthamore, të cilën Irani e kishte nënshkruar.

Në maj të vitit 2003 zyrtarë të lartë iranianë kontaktuan me Departamentin e Shtetit përmes Ambasadës zvicerane në Iran, duke kërkuar “dialog” dhe “respekt të ndërsjellë” në adresimin e katër çështjeve më të mëdha: armët bërthamore, terrorizmin, rezistencën palestineze dhe stabilitetin në Irak.

Por administrata e G.W.Bushit nuk ishte e interesuar për asnjë lloj afrimi. Në këtë klimë ashpërsimi në Iran më 2005 u zgjodh president Mahmoud Ahmadinejad.

Nga ky moment çdo lloj mundësie për dialog zhduket tërësisht. Këto janë vite kur Irani futet gjerësisht në Irak nga ana ekonomike dhe ushtarake nëpërmjet militantëve proxy (që veprojnë për llogari të tij) dhe i mbështetur nga qeveria irakiane filo-iraniane.

Duke filluar gjithashtu nga viti 2005 sulmuesit kibernetikë të SHBA-ve dhe qeveria izraelite së bashku raportuan se shënjestruan centrifugat në Natanz.

Kjo përpjekje, e cila e ngadalësoi programin bërthamor të Iranit, ishte një nga shumë përpjekjet amerikane dhe ndërkombëtare – kryesisht të pasuksesshme për një kohë të gjatë – për të frenuar përparimin e Iranit drejt ndërtimit të një bombe bërthamore.

Pas një dekade përpjekjesh të pasuksesshme në lidhje me programin bërthamor të Iranit, administrata Obama ndërmori një qasje të drejtpërdrejtë diplomatike, duke filluar në vitin 2013.

Dy vjet negociata sekrete e drejtpërdrejta, fillimisht bilaterale midis SHBA-ve dhe Iranit, dhe, më vonë, me fuqitë e tjera bërthamore, arritën ta çojnë në Planin e Aksionit të Përbashkët, që zakonisht përmendet si marrëveshja bërthamore e Iranit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Irani, SHBA-të, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar në vitin 2015.

Ajo e kufizoi aftësinë e Iranit për ta pasuruar uranin.

Në kthim, Iranit iu dha një lehtësim nga sanksionet ekonomike ndërkombëtare dhe amerikane. Megjithëse inspektorët vërtetonin rregullisht që Irani po respektonte kushtet e marrëveshjes, në maj të vitit 2018 Presidenti Donald Trump i tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja.

Politika e Trumpit është politika e presionit, në mënyrë që të mund ta çojë Iranin në një pikë në të cilën iranianët do të tërhiqen nga aktivitetet e tyre për hegjemoni në rajon, ndoshta edhe në ndalimin e përdorimit të raketave me rreze të gjatë goditjeje e do të ulen në tryezë për të rinegociuar një marrëveshje krejt të ndryshme edhe më të favorshme për SHBA-të.

Në këtë kuadër më 3 janar 2020, me urdhër të Presidentit Trump, një aeroplan amerikan goditi me dron gjeneralin Kassem Sulejmani, udhëheqës i Forcave Quds të Iranit (forca speciale, pjesë përbërëse e Rojeve të Revolucionit Islamik një nga 3 forcat e armatosura të Iranit, të cilat janë përgjegjëse për mbledhje të informacioneve ushtarake dhe veprimtarisë ushtarake jashtë vendit), ndërsa largohej nga aeroporti i Bagdadit.

Irani u përgjigj duke lëshuar raketa balistike që goditën dy baza amerikane në Irak. Ndërsa Irani ishte në gjendje gatishmërie për një hakmarrje të mundshme ndaj SHBA-ve, aksidentalisht rrëzoi një aeroplan tregtar ukrainas që dilte nga Teherani për në Kiev, duke vrarë 176 personat në bord.

Një përshkrim i marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Iranit nuk mund të lërë mënjanë një përshkrim mbi Mojahedin e Khalq (MEK).

MEK-u u themelua në vitin 1965 si një grup studentor islamist-marksist, nga studentë të majtë iranianë, përkrahës të Mohammad Mossadegut, kundërshtarë të monarkisë së Shahut dhe përkrahësve të saj në Perëndim, përfshirë SHBA-të.

Shumë prej anëtarëve më të rëndësishëm të themelimit të MEK-ut, përfshirë udhë- heqësin Massoud Rajavi, u burgosën nga Shahu në vitet 1970-të dhe disa u ekzekutuan.

Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, për një dekadë grupi organizoi sulme terroriste kundër shtetit dhe kishte në shënjestër hotele, kompani ajrore dhe kompani nafte në pronësi të SHBA-ve.

Edhe pse grupi e mohon, MEK-u ishte përgjegjës për vdekjen e gjashtë amerikanëve në Iran. Grupi do të ketë një rol vendimtar në rrëzimin e Shahut gjatë Revolucionit iranian të 1979.

Një raport i Departamentit të Shtetit të vitit 2011 për terrorizmin tregon se anëtarët e MEK-ut morën pjesë dhe e mbështetën marrjen e Ambasadës Amerikane në Teheran të vitit 1979.

Pak më pas Revolucionit, Khomeini e pa MEK-un si kërcënim, e ndaloi Rajavin të kandidojë si president dhe e deklaroi organizatën e tij si armike të Islamit.

Deri në dhjetor regjimi kishte ekzekutuar 2 mijë e 500 anëtarë të MEK-ut.

Grupi u kundërpërgjigj me atentate dhe bomba vetëvrasëse kundër gjyqtarëve të Gjykatave Revolucionare dhe anëtarëve të Rojeve të Revolucionit (IRGC) të sapoformuar.

Nga mesi i viteve 1980-të mijëra njerëz, të etiketuar si MEK, ishin ekzekutuar ose vrarë nga Republika Islamike e Iranit.

Në gusht 1981, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Rajavi e themeloi në Teheran Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i njohur gjithashtu si “parlamenti i MEK në mërgim”.

Kjo ishte koha kur Masoud Rajavi e pranoi ofertën e Sadamit për ta luftuar Iranin nga territori i Irakut.

Në vitin 1986 S.Husseini i ofroi grupit armë, para dhe një bazë ushtarake (Kamp Ashraf, pranë kufirit me Iranin). Për gati dy dekada, MEK-u organizoi sulme përtej kufirit në Iran dhe e ndihmoi Sadamin t’i shtypte armiqtë e tij të brendshëm.

Pas përfundimit të luftës Irak-Iran, MEK-u do të organizonte një operacion brenda Iranit për ta rrëzuar Revolucionin.

Misioni do të përfundonte në një masakër për MEK-un, të cilët deklaruan se 1 mijë e 300 anëtarë të saj ishin martirizuar dhe një mijë e 100 të tjerë u kthyen në Irak të plagosur.

Të izoluar brenda bazës së në Irak, nën kontrollin e Rajavit, MEK-u u kthye në një kult me karakteristikat tipike të një kulti jodemokratik, si kontrolli autoritar, konfiskimi i pasurive, kontrolli seksual, izolimi, puna e detyruar etj.

Rajavi e ndaloi martesën dhe e detyroi divorcin për të gjithë anëtarët.

Ai vetë u martua me një nga të divorcuarat, Maryam Azodanlu, e cila do ta marrë mbiemrin e tij.

Në prill 1992 grupi organizoi bastisje të koordinuara në misione diplomatike në dhjetë vende të ndryshme, përfshirë misionin iranian në Kombet e Bashkuara në New York.

Më 2003 policia franceze i arrestoi më shumë se 150 anëtarë të MEK-ut për komplot dhe financim të sulmeve terroriste.

Qeveria iraniane e fajëson MEK-un për vdekjen e më shumë se 12 mijë iranianëve gjatë tre dekadave të fundit.

Më 1997 SHBA-të e vendosën MEK-un dhe 29 grupe të tjera në listën e Organizatave Terroriste të Huaja.

Britania dhe Bashkimi Evropian gjithashtu e vendosën MEK-un në listat terroriste.

Më 2002 grupi deklaroi se kishte zbuluar objektet bërthamore iraniane në Natanz.

Pas pushtimit amerikan në Irak, MEK-u filloi një fushatë lobuese të fuqishme, sidomos në SHBA, për të bërë të mundur heqjen si organizatë terroriste nga listat e vendeve të ndryshme. Massoud Rajavi u zhduk pas 2003 dhe vendndodhja e tij nuk dihet.

Platforma politike e NCRI-së ka ndryshuar duke kërkuar krijimin e një imazhi të ri dhe është në mbështetje të të drejtave të njeriut, të grave, lirive fetare, pakicave, kapitalizmit.

Nga 2007 deri më 2012 shtatë shkencëtarë bërthamorë iranianë u sulmuan me helm ose me bomba në makina duke vrarë pesë prej tyre.

Në vitin 2012, lajmet NBC, duke përmendur dy zyrtarë amerikanë pa emër, raportuan se sulmet ishin planifikuar nga Mossad-i dhe u ekzekutuan nga agjentët e MEK-ut brenda Iranit.

Derisa forcat amerikane u tërhoqën nga Ashrafi në prill të vitit 2011, dhuna shpërtheu midis ushtrisë irakiane dhe banorëve të kampit.

35 anëtarë të MEK-ut u vranë dhe qeveria e Irakut u angazhua për mbylljen e kampit Ashraf.

Në këtë situatë Iraku dhe KB arritën një marrëveshje me MEK-un në dhjetor të atij viti për zhvendosjen e banorëve të Ashrafit në kampin Liberty jashtë Bagdadit, përkohësisht, deri në gjetje të vendeve të treta për strehim.

Në vitin 2009 Mbretëria e Bashkuar e hoqi MEK-un si grup terrorist nga lista e terrorit dhe Obama bëri të njëjtin veprim më 2012.

Kjo bëri të mundur zhbllokimin e pasurive dhe pronave të anëtarëve të MEK-ut në SHBA, mundësinë e tyre për të vepruar në territor ame- rikan dhe rritjen e intensitetit të lobimit.

Hillary Clinton, pasi shumë nga vendet evropiane nuk pranuan të merrnin anëtarët e MEK-ut nga Kampi Liberty, nëpërmjet OKB-së bëri marrëveshje me Shqipërinë për mbrojtjen e tyre.

Transferimi i anëtarëve të MEK-ut do të bëhej në grupe të vogla nën kuadrin e një marrëveshjeje humanitare.

Sot në Shqipëri ndodhen rreth 3 mijë anëtarë të MEK-ut.

Grupi bleu tokë në Shqipëri dhe ndërtoi një bazë të re, e cila praktikisht është jashtë çdo kontrolli nga institucionet shqiptare, (Ashraf 3 në Manëz).

Edhe pse pas lëvizjes në Shqipëri, grupi ka pasur defeksione, kontrolli mbi anëtarët është i rreptë.

Human Rights Watch raporton se ish-anëtarë të grupit dëshmojnë për rrahje, abuzim verbal dhe psikologjik, kërcënime për ekzekutim dhe tortura.

Gjatë qëndrimit në Irak, MEK-u u financua nga S. Husseini, ndërsa pas rënies së tij grupi pohon se financat mbahen nga diaspora dhe donatorë individualë.

Por, studiues të grupit thonë që fondet vijnë edhe nga Arabia Saudite.

Për administratën Trump, ashtu si edhe për administratat e mëparshme, MEK-u është një pasuri e vlefshme për t’i krijuar probleme dhe bezdisje regjimit iranian.

Të gjithë janë më se koshientë që grupi nuk ka simpati brenda popullit të Iranit dhe nuk ka asnjë mbështetje për një të ardhme kur regjimi eventualisht mund të rrëzohet.

Puna kryesore e grupit në Shqipëri ka të bëjë me një luftë informacioni në internet kundër Republikës Islamike të Iranit.

Në këtë konflikt, ku MEK-u është një mjet që përdoret, Shqipëria është më e zbuluara.

Pa dyshim prezenca e tyre është minimumi një arsye për një rritje të pranisë së agjentëve iranianë në Shqipëri dhe Ballkan dhe, eventualisht, një terren ku një ditë konflikti mund të çojë drejt akteve terroriste.


Lajmet kryesore