Opinione / Editoriale

Sfida e re mes fuqive të mëdha ushtarake është në hapësirë


Maurizio Molinari Kryeredaktor i "La Repubblica"

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë protagonistë të një sfide ushtarake në kozmos që krijon rreziqe të reja për sigurinë kolektive, duke nxjerrë në pah dobësinë e traktateve ekzistuese ndërkombëtare në parandalimin e skenarit të një gare të re të armëve hapësinore.

Zbulimet e fundit amerikane mbi zhvillimin e një arme bërthamore nga Rusia të aftë për të shkatërruar satelitët kundërshtarë komercialë dhe ushtarakë nga hapësira, kanë hequr velin e një lloji “lufte hapësinore” shumë të ndryshme nga Iniciativa e Mbrojtjes Hapësinore (SDI) që administrata Reagan planifikoi në fillimi i viteve 1980 për të demonstruar epërsi teknologjike ndaj BRSS-së.

Synimi i SDI ishte në fakt krijimi i një mburoje hapësinore të aftë për të kapur dhe shkatërruar çdo raketë bërthamore të lëshuar nga toka, ndërkohë që tani po afrohet pozicionimi në kozmos i armatimeve të afta për të nisur sulme kundër satelitëve kundërshtarë.

Rusia ka testuar me sukses mjetin sekret “Cosmos 2570”, Kina “Dragoin Hyjnor” dhe Shtetet e Bashkuara kanë fluturuar në mënyrë të përsëritur me “X37-B” të super-klasifikuar: këto janë anije kozmike të afta të stacionohen në hapësirë duke u bërë platforma të mundshme nga të cilat mund të lëshohen sulme ose satelitë vrasës.

Siç shpjegoi për The Economist John Shawn, ish-zëvendësdrejtori i Komandës Hapësinore të Pentagonit, kjo do të thotë të hysh në “epokën e tretë hapësinore”, sepse në epokën e parë, gjatë Luftës së Ftohtë, satelitët u përdorën për komunikim dhe operacione të inteligjencës, dhe në atë të dytë, pas vitit 1991, ato u përdorën gjithashtu për të drejtuar raketa drejt objektivave specifike në konflikte si Afganistani dhe Iraku, ndërsa tani po i afrohemi me shpejtësi mundësisë së armëve të afta për të goditur dhe shkatërruar satelitët e të tjerëve të pozicionuar në hapësirë.

Drejtoria Kombëtare e Inteligjencës Amerikane, në dokumentet publike, thekson se Rusia dhe Kina janë tashmë të afta të kryejnë, teorikisht, këto lloj sulmesh falë sukseseve të tyre në zhvillimin e lazerëve me energji të lartë me bazë tokësore dhe raketave të pozicionuara kundër satelitit në hapësirë dhe “satelitëve sulmues” të mirëfilltë.

Për të mos përmendur faktin që Kina testoi tashmë një raketë të lëshuar nga toka të aftë për të goditur një satelit në vitin 2007, siç janë të afta të bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe India sot.

Duke konfirmuar se ky është një horizont kërkimor ushtarak në zhvillim të plotë, ka një rol për Francën e cila po punon drejt krijimit në vitin 2030 të një sateliti të pajisur me lazer të aftë për të goditur objektivat e mundshëm që do të rrëzohen.

Moska mohon që raketat bërthamore po zhvillohen për në hapësirë, por për të shpjeguar se çfarë po ndodh, duhet të dëgjojmë fjalët e Chance Saltzman, komandant aktual i Forcës Hapësinore Amerikane të krijuar në vitin 2019, kur i referohet sfidës së vazhdueshme që ai shprehet “Të mos kihet potencial i tillë do të thotë humbje”.

Shqetësimi i Uashingtonit përqendrohet mbi të gjitha në Pekin, sepse, siç shpjegon sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Frank Kendall për New York Times, “Kina tashmë disponon disa aftësi hapësinore që synojnë të godasin forcat tona dhe pa qenë në gjendje t’i mposhtim ato, ne nuk do të jemi më në gjendje të operojmë lirisht në Paqësorin Perëndimor”.

Prandaj, nëse sot, zonat e konflikteve të vazhdueshme nga Ukraina në Lindjen e Mesme deri në Korenë e Veriut po regjistrojnë lëshimin e rreth tridhjetë raketave çdo ditë, rreziku më i madh vjen nga sfida e armëve hapësinore të gjeneratës së re që përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën, duke krijuar kushtet për një transferim jashtë atmosferës së tensioneve strategjike në rritje që ekzistojnë në Tokë midis fuqive të mëdha ushtarake të momentit.

Nëse ky rrezik ekziston, është edhe për shkak të mungesës së marrëveshjeve ndërkombëtare të afta për ta parandaluar ose penguar atë. Në veçanti, Traktati i Hapësirës së Jashtme, që daton në vitin 1967, parandalon vendosjen e armëve bërthamore në kozmos, por nuk i referohet armatimeve të ndryshme, duke filluar nga ato konvencionale, duke krijuar kështu një zonë ligjërisht gri që lejon hapësirë të mjaftueshme për manovrim.

Për të pasur një ide mbi rreziqet e përshkallëzimit në hapësirë me të cilat përballemi, mjafton të kujtojmë atë që ndodhi në fillim të vitit 2022, pak para agresionit rus kundër Ukrainës, kur një virus i teknologjisë së lartë sulmoi rrjetin satelitor Viasat – një kompani amerikane – duke arritur errësimin plotësisht të rreth 50 mijë përdoruesve në Evropë, duke përfshirë shumë njësi ushtarake të Kievit.

Kur Ukraina arriti të rikuperohej nga goditja që pësoi, ajo u mbështet në sistemin Starlink, i bazuar në satelitët në pronësi të kompanisë SpaceX të Elon Musk, dhe që atëherë Moska ka tentuar vazhdimisht ta sabotojë atë duke deklaruar se komunikimet satelitore komerciale tani janë bërë një «objektivi legjitim i hakmarrjes”.

Pothuajse një parandjenjë e rreziqeve shumë më të mëdha që armët hapësinore të gjeneratës së fundit paraqesin për sigurinë ndërkombëtare.


Lajmet kryesore