Opinione / Politikë

Sfida e Lituanisë ndaj Kinës e rrezikshme, por e zgjuar


Konstantin Eggert Opinionist

Formati “17 + 1”, i cili u themelua në vitin 2012, ka qendër bashkëpunimin e Kinës me 17 shtete të Evropës Qendrore, Ballkanit dhe Baltikut.

Kjo marrëveshje synon zhvillimin e investimeve të ndërsjella dhe të tregtisë.

Por, nga ana tjetër, iniciativa globale “Belt and Road” e Kinës shihet nga kritikët si një mjet promovimi për shtetin aziatik, në sektorin e  infrastrukturës.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Kina kanë lidhur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për investimet.

Por, Lituania ka refuzuar të bashkëpunojë me Pekinin, sepse synon të krijojë marrëdhënie tregtare me Tajvanin.

Lituania u përgatit për të bërë sakrifica

Lituania krenohet me politikën e saj të jashtme, ndërpartiake, e cila ka në qendër rëndësinë e NATO-s dhe anti-autoritarizmin parimor.

Lituanezët parapëlqejnë ta quajnë vendin e tyre “shtet i vijës së parë të frontit”.

Pavarësisht se është një vend me më pak se 3 milionë banorë, Lituania është një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, në konfliktin e saj me Rusinë.

Shteti lituanez ka siguruar trajnim dhe trajtim mjekësor për personelin ushtarak ukrainas, si dhe mbështetje të fortë politike dhe diplomatike.

Po ashtu, është një nga destinacionet kryesore për emigrantët rusë të opozitës.

Një qëndrim i tillë shpesh ndez gjakrat, veçanërisht në BE.

Pse një vend i vogël i BE-së me të ardhura të mesme është aq i etur për të sfiduar shtete të forta si Rusia dhe Kina?

Është një pyetje me të cilën po përballen shumë politologë.

Përgjigjja qëndron në histori

Lituanezët nxorën mësime nga Ukraina, veçanërisht në shekullin XX, kur ashtu si Letonia dhe Estonia fqinje humbën pavarësinë e tyre ndaj Stalinit.

Mësimi qe i thjeshtë: Respekti është monedha kryesore politike në trajtimin e regjimeve autoritare. Nëse doni të respektoheni, qëndroni në këmbë dhe jini të përgatitur për çdo sfidë.

Kjo qasje sjell vlerësim reciprok nga njerëz të tillë si Putini dhe Xi Jinping.

Tani, lëvizja e Lituanisë është llogaritur për të kundërshtuar Pekinin dhe për ta shtyrë atë të hakmerret. Nëse Pekini vendos të “ndëshkojë” Lituaninë në fushën e tregtisë, atëherë eksportuesit vendas mund të përfitojnë nga përvojat e tyre të mëparshme në tregje të reja.

Kjo ndodhi pasi Putini ndaloi importin e shumë produkteve ushqimore të prodhuara në BE si hakmarrje për vendimin e BE-së për të ndëshkuar Kremlinin me sanksione.

Përshtatur nga Deutsche Welle, për Albanian Post.


Lajmet kryesore