Opinione / Politikë

Serbia, hipoteka e përhershme për patriotizëm të përkohshëm


Azdren Shala Historian

Në historinë e shqiptarëve nuk janë të pakta rastet kur politikanëve tanë u mbyllen shtigjet e veprimit, ato u hapen përmes armiqve, herë duke bashkëpunuar, e herë duke përdorur fantazmën e tyre.

Në këto njëqind vitet e fundit, ka ndodhur haptazi me mbretin Zogu I, i cili, në përpjekje për të rikthyer pushtetin e tij, bashkëpunoi me Serbinë, shfronësoi Fan Nolin, ia hoqi Shqipërisë mundësinë për t’u bërë demokratike duke fituar pushtet absolut për vete. Kështu, ai ngadhënjeu në politikë, por dështoi të merrte lavdinë.

Një akuzë e tillë rëndon edhe mbi liderin komunist, Enver Hoxha, së paku në fillimet e ngritjes së pushtetit të tij.

Hoxha, në ndryshim nga Zogu, kurdo që kishte nevojë, përdori fantazmën e Serbisë për konsum të brendshëm, më shumë se për bashkëpunim klasik, duke i eliminuar kundërshtarët e tij politikë dhe duke u hedhur hi syve shqiptarëve për dështimet e tij.

Kështu, epitetin e një “Serbie armik i përhershëm”, Hoxha e shndërroi edhe në çelës të “zgjidhjeve” për problemet e përditshme që impononte qeverisja e shqiptarëve. Këtë çelës, që zgjidh probleme politike, ai e la trashëgimi në formë stafete edhe për ata që e trashëguan në demokraci.

Më së shumti, atë çelës stafetë e mban fuqishëm sot Sali Berisha. Përgjatë një shekull hallesh personale, Serbia për disa politikanë u shndërrua në armikun e domosdoshëm që na duhet për justifikim moral.

Sot, sikurse paraardhësit e tij në politikë, Sali Berisha ka një hall të madh personal, të cilin duhet ta zgjidhë medoemos.

Qeverisja e tij kriminale, me vjedhje, me korrupsion, me shantazhe, me 1997-n, me Gërdecin 2008 dhe 21 janarin 2011, e kanë bërë atë persona non grata. Shtigjet e mirëfillta politike për të janë të mbyllura, por jo edhe ato për banditizëm e hipokrizi.

Ka ardhur koha për ta përdorur edhe një herë çelësin e lënë trashëgim nga lideri i tij shpirtëror, Enver Hoxha.

Serbia, edhe një herë, për Berishën është mundësia që ai të provojë të pastrohet nga llumi, i cili i rëndon mbi shpatulla.

Manifesti i tij rrugëve të Tiranës, duke protestuar kundër ardhjes së Vuçiçit dhe projektit politik “Open Balkan”, e bën atë të njëjtë si paraardhësit.

Është ironik fakti se ardhjet e Vuçiçit në Tiranë dhe ideja e “Open Balkan” janë më të hershme, sesa koha kur Berisha u shpall non grata, rrjedhimisht, para këtij halli të madh nuk protestonte ndaj këtij “rreziku” për kombin.

Sot, po, proteston, duke e përmbysur formulën e sinqertë “unë jam mirë kur Shqipëria është mirë” dhe duke e shndërruar në formulë cinike “Shqipëria dhe partia është mirë, kur unë jam mirë”.

Serbia, edhe për të, është hipoteka e sigurt për ta përdorur privilegjin e të qenit patriot.

Pa armikun e jashtëm, Serbinë, zor se do të luhej me këtë pompozitet tetari i brendshëm i patriotëve shqiptarë sot.

E thënë troç, Saliu nuk mund të hiqet patriot, pa e përdorur Serbinë. Djegia e flamujve serbë dhe thirrjet për nacionalizëm primitiv janë përpjekja e dëshpëruar dhe e vetme që atij i mundëson akoma të moralizojë, meqë moralin e tij të vërtetë e kemi parë që tri dekada.

Kështu, edhe në garën e tij të brendshme me Lulzim Bashën, ai e përdori armikun e jashtëm Serbinë.

Këto kamuflime, në emër të një gardiani që e mbron kombin nga rreziku, nuk janë gjë tjetër përveçse një përpjekje meskine për të provuar fuqinë e tij karshi një figure pa fuqi si Lulzim Basha.

Në funksion të këtij qëllimi, Berisha nuk ngurron ta quajë shtetin atdhe, sa herë dëshiron që ta bëjë një marrëzi.

Krejt kjo maskaradë e tij, s’ka si mos të na kujtoj shkrimtarin e madh çek, Milan Kundera, i cili shkruan: “Ndiej të njëjtën neveri sikur për ata që e vendosin flamurin në dritare, sikur për ata që i djegin flamujt nëpër sheshe.”

Berisha është i neveritshëm, edhe kur e valëvit flamurin e kombit, edhe kur e djeg atë të armikut.

Pra, ai edhe në të dy veprimet e kundërta me njërin-tjetrin është gabim, sepse nuk është i sinqertë.

Në rastin më të mirë të tij, Berisha edhe mund të jetë armiku i njëmend i Serbisë, por kjo asnjëherë nuk e bën mik të Shqipërisë.


Lajmet kryesore