Opinione / Teknologji

Rreziqet e varësisë digjitale të dala nga problemet e Starlink-ut në Ukrainë


Gillian Tett

Politikani britanik Chris Bryant ka hedhur këtë javë në parlament një ide dikur të paimagjinueshme.

“A ka ndonjë moment në të cilin mund të na duhet të shqyrtojmë sanksionimin e Elon Musk? Arsyeja? Ai duket se po luan një lojë të dyfishtë në luftën në Ukrainë”.

Edhe pse ministri i Mbrojtjes e hodhi poshtë këtë, Bryant e ngriti këtë çështje për dy arsye.

Së pari, Musk ka hedhur postime në Twitter që duket se i bëjnë jehonë disa elementeve të ideve të Vladimir Putin për Ukrainën.

Së dyti, një ngatërresë e çuditshme ka shpërthyer rreth Starlink-ut, sistemi celular satelitor i internetit i krijuar nga kompania SpaceX e Musk.

Teksa kjo është ende pjesërisht e përfshirë në mjegullën e luftës, investitorët dhe politikëbërësit duhet t’i kushtojnë vëmendje, pasi ka implikime që shtrihen përtej Ukrainës.

Për të kuptuar pse-në, duhet pak histori.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Musk ra dakord të transferonte pajisjet Starlink në vend, për të ofruar internet për civilët dhe ushtrinë. Këto pajisje të vogla, të cilat fillimisht ishin të destinuara për një treg konsumi, funksionojnë nëpërmjet një lidhjeje me satelitët e SpaceX.

Musk meriton lëvdata për këtë. Siç kam shkruar edhe më parë, një tërheqje thelbësore e Starlink është se ai krijon një sistem “të shpërndarë”.

Kjo është shumë më e vështirë të shkatërrohet me raketa sesa diçka e përqendruar në një kullë celulare.

Me rreth 25 mijë Starlinks që tani janë ulur në Ukrainë, sipas Musk, ky rrjet ka mbajtur funksionet jetësore qytetare dhe humanitare duke filluar nga spitalet te bankat.

Po ashtu ato janë përdorur gjerësisht nga ushtria ukrainase për të luftuar fushatën e zgjuar, të financuar nga burime të shumta.

Por kohët e fundit ngjarjet u bënë të çuditshme.

Muajin e kaluar Musk papritmas postoi në Twitter se “Starlink është menduar vetëm për përdorim paqësor” (edhe pse zyrtarët amerikanë thonë se SpaceX po u shet mijëra grupeve të NATO-s me çmime gjithnjë në rritje).

Ian Bremmer, kreu i konsulencës Eurasia Group, ka pretenduar se Musk i kishte thënë se kishte refuzuar kërkesat e Ukrainës për të aktivizuar mbulimin në Krime, nga frika e hakmarrjes ruse.

Musk u kundërpërgjigj ndaj tij se “askush nuk duhet t’i besojë”. Por edhe zyrtarë të tjerë e kanë konfirmuar çka ka thënë Bremmer.

Në fund të shtatorit, pajisjet Starlink ndaluan së punuari në pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore që Putin-i pretendon se i ka aneksuar, por që janë rimarrë nga ushtria ukrainase.

Zyrtarët e Kievit kanë thënë se kjo ka krijuar disa situata “katastrofike”.

Rastësi? Ndoshta. Ose ndoshta një defekt teknik ose bllokim rus.

Por vëzhguesit ukrainas të vendosur pyesin nëse zyrtarët e SpaceX po përpiqeshin të ngadalësonin përparimin e Ukrainës.

Për të shtuar thashethemet, Vladimir Solovyov, personazhi televiziv rus, ka thënë këtë javë se Musk po mbante një qëndrim pro-rus për të shmangur ndezjen e sulmeve ndaj satelitëve.

Musk është pyetur për këtë, por nuk është marrë asnjë përgjigje.

Që kur keqfunksionimet u raportuan për herë të parë javën e kaluar, mbulimi me sa duket është rikthyer kryesisht.

Dhe kur Mykhailo Fedorov, ministri i transformimit digjital të Ukrainës, postoi lavdërime për Starlinks këtë javë, Musk shkroi në Twitter si përgjigje se ishte “i lumtur që mbështeste Ukrainën”.

Teksa mbetet e paqartë saktësisht se [farë ka ndodhur në të vërtetë, saga ngre pyetje shqetësuese për politikëbërësit dhe investitorët perëndimorë.

Deri në çfarë shkalle do të lejojnë politikanët amerikanë një miliarder kapriçioz të ushtrojë ndikim në fusha që variojnë nga mediat sociale deri te një luftë e huaj?

Si duhet t’i vlerësojnë investitorët rreziqet e politikave kur kompanitë private furnizojnë agjencitë ushtarake, ose sipërmarrjet në hapësirë?

A mundet qeveria amerikane të thërrasë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes mbi SpaceX-in?

A është e pranueshme që Musk të bisedojë me qeverinë ruse, siç sugjeron Eurasia?

Ka një mësim të gjerë rreth varësisë së shërbimeve dhe diversifikimit.

Ukraina u bë e varur nga përdorimi i Starlink për të marrë mbulim interneti këtë vit pasi duhej të vepronte shpejt dhe sistemi ishte shumë më i mirë se alternativat, po ashtu mjaft i lirë në fillim.

Siç vëren edhe Fedorov, ai ka sjellë përfitime të mëdha.

Por kjo mbështetje krijon gjithashtu një dobësi të mundshme jo e ndryshme nga përdorimi i mëparshëm i gazit rus nga Gjermania, ose varësia e SHBA-ve nga çipat kompjuterik tajvanez.

Kam pak dyshim se nëse Ukraina duhet të zvogëlojë ekspozimin e saj ndaj një miliarderi në të ardhmen, përfundimisht do të gjente një mënyrë.

Por ndërkohë, ngjarjet do të studiohen me kujdes nga vende të tjera të vogla – qoftë Tajvani apo Estonia – të cilat kanë frikë se mund të kenë nevojë të mbrohen një ditë dhe kanë nevojë për sisteme të shpërndara interneti.

Më gjerësisht, duhet të jetë një thirrje e madhe zgjimi për çdo udhëheqës biznesi, investitor dhe politikëbërësi.

Lufta në Ukrainë ravijëzon një formë tejet ekstreme të shkallës në të cilën jetojmë në një botë digjitale, ku platformat janë gjaku i ekonomisë dhe shumë gjërave të tjera.

Pyetja se kush i kontrollon ata dhe nëse i besojmë besueshmërisë së tyre, ka rëndësi thellësisht në këto kohë të paqëndrueshme. Besimi kur thyhet është i vështirë për t’u rikthyer. Diversifikimi ka rëndësi.

Shpresojmë që Musk të tregojë se është i besueshëm dhe Starlink do të vazhdojë të bëjë mrekulli për Ukrainën.

Por nëse ndodhin kthesa më të çuditshme, pyetja e Bryant mund të mos duket aq e çmendur.

Ndërkohë, të gjithë duhet të marrim parasysh varësitë tona digjitale.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.


Lajmet kryesore