Opinione / Editoriale

Rrëfime nga bota e rrethit katror (2)- Bomba e Ben Ahmetaj, një stuhi në filxhan të kafes


Albatros Rexhaj Shkrimtar, Doktor shkencash në fushën e studimeve të sigurisë kombëtare, si dhe studiues i funksionimit të institucioneve publike

Në botën e rrethit katror, Piktori i Madh, artisti Edi Rama që si punë të dytë e bën edhe kryeministrin e vendit, e ka epitetin e David Koperfilldit.

Fred Cako, si pagëzues i këtij cilësimi, me zell pohon që Piktori, me formulat dhe marifetet e veta, si David Koperfildi i bën lëmsh të gjithë, duke e çuar publikun e tij, si tërësi por edhe si individë të veçantë, vetëm aty ku ai do vetë. Në fund të intervistës së shumë pritur të Ben Ahmetajt, mu kujtua Cako dhe pikërisht ngulmimi i tij që Piktori i Madh është një David Koperfild i llojit të vet.

Bombat e paralajmëruara, të drejtuara me cak Piktorin, shpërthyen si stuhi në filxhan të kafes. Për më tepër, nëse ndalesh dhe e mendon hollë e hollë, Piktori nuk ishte fare cak i këtyre bombave. Në atë që u shpërfaq si një konspiracion kundër Piktorit, në të vërtetë fshihej një konspiracion tjetër prapa konspiracionit që prisnim. Cak i vërtetë i bombave ishte sistemi i ri i drejtësisë.

Bombat e Ben Ahmetajt, së paku ato që dëgjuam, kur filtrohet çdo fjalë, pikë e presje, janë thjesht shumë zhurmë për asgjë.

A ka autokraci në Shqipëri?

A vendos një njeri për pothuajse gjithçka?

A ka ndikim të politikës mbi mediat dhe anasjelltas?

A ka gangsterë që koketojnë me politikën?

Që nga rënia e komunizmit, për tre dekada rresht, nën qeveri të majta e të djathta, përgjigja në këto pyetje është PO. Janë gjëra që i dimë të gjithë, dhe, duke na i përkujtuar këto gjëra, Ben Ahmetaj nuk tha ndonjë gjë të re.

Për të gjithë ata që prisnin që Ben Ahmetaj do të lëshonte ndonjë bombë që do të mund ta çonte SPAK-un direkt e në Qeveri, intervista ishte një zhgënjim. Nga kjo intervistë, një vëzhgues i jashtëm, i ftohtë dhe pa interes në çështje, (p.sh, një hetues apo prokuror i pavarur) mund të konkludojë vetëm tre gjëra:

Beni ishte shumë i kujdesshëm që të mos thoshte asnjë gjë konkrete inkriminuese, që do të mund të përdorej si provë në një proces penal. Madje as nuk dha ndonjë indicie gatishmërie që mund të bashkëpunojë me prokurorinë për procese ndaj peshqve më të mëdhenj se ai vetë. Na tregoi që ka folur dhe flet me shërbime të huaja, por nuk tregoi pse e bën këtë. Nëse paska diçka monumentale për të thënë, diçka që ka vlerë dhe peshë për Shqipërinë, atëherë shërbimet e huaja janë adresa e fundit ku ai do të duhej të shkonte. Për më tepër mund t’ia rrëfente të gjitha Çim Pekës që kishte bërë gjithë atë rrugë dhe që përpiqej t’i nxirrte fjalët si me darë.

Sulmet ndaj Piktorit, ish eprorit të tij në qeveri, ishin të strukturuara mirë që të qëndronin tërë kohën brenda terrenit politik, përfshirë edhe ajo akuza e madhe për kërcënim. Pa detaje konkrete, të zbërthyera në personazhe, shkak, pasojë, kohë dhe hapësirë, bombat e paralajmëruara ngjanin si rënkime të dikujt që ankohej për rënien nga Olimpi, të dikujt që dëshiron të gjejë jo vetëm fajtorët për këtë rënie, por edhe rrugën për t’u kthyer në Olimp.

Dhe e treta, dhe më e rëndësishmja: cak i vërtetë i intervistës ishte sistemi i ri i drejtësisë, SPAK-u. Prapë, nëse Beni, apo kushdo në rrethin e tij të tanishëm apo të dikurshëm, di diçka komprometuese për drejtuesin e SPAK-ut, siç sugjeronte indirekt gjatë intervistës, atëherë këtë gjë do të duhej ta nxirrte aty për aty. Përndryshe, e gjitha duket si monedhë për kusuritje e pazare.

Në botën e rrethit katror, dikush fare lehtë mund të thotë që, me këtë intervistë, Ben Ahmetaj ishte instrument i David Koperfilldit për ta trembur SPAK-un. Ose, dhe drejt kësaj teorie paksa anoj vetë, përtej gjuhës së akuzave dhe kërcënimeve indirekte, intervista mbase ishte thjesht tentim për të siguruar një marrëveshje në këmbim për heshtjen.

Zhgënjyese!


Lajmet kryesore