I dashur Burim R. Ramadani,
E lexova me shumë kureshtje shkrimin dhe parashikimin tuaj. Besoj që ka nevojë për disa plotësime dhe sqarime të karakterit kushtetues. Rregullat kushtetuese, përkatësisht neni 86, pika 2, e përcaktojnë që Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Ndërkaq neni 82, pika 2, përcakton që Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
Neni 86.6 e përcakton më në detaje një moment tjetër specifik kur shpallen zgjedhjet. Ky nen thotë: Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Por nenin 86.6 duhet lexuar brenda kornizës së nenit 82.2. Neni 82.2 e përcakton afatin e tërësishëm për konsulta, taktizime politike, tentime për të votuar, votime, e vonesa në të tentuar. Pra, dita e 60-të me automatizëm i shpall zgjedhjet, pavarësisht sa tentime janë bërë, një, dy apo edhe asnjë. Ndërkaq neni 86.6 e krijon mundësinë që në zgjedhje të shkohet edhe më herët nëse, në ndërkohë, konsumohen tre procese votimi për ta zgjedhur Presidentin e Republikës.
Presidentes Osmani i skadon mandati me 4 Prill 2026. Kjo dikton që, sipas nenit 86.2, Presidenti i ri i Republikës duhet të zgjidhet më së voni me 4 Mars 2026.
Tani, duke ndjekur logjikën e rregullave kushtetuese të prezantuara më sipër, për ta lejuar hapësirën e nevojshme për të konsumuar të gjithë afatin kushtetues 60 ditor, procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, më së voni, duhet të nisë me 4 Janar 2026. Ky proces mund edhe të mos nis fare, sepse jemi dëshmitarë të çudive nga më të ndryshmet, por me 4 Mars 2026 konstatohet dështimi për ta zgjedhur Presidentin. Çfarëdo zgjedhje pas kësaj date është e pavlefshme sepse është jo kushtetuese. Me fjalë të tjera, me 4 Mars 2026, nëse nuk zgjidhet Presidenti i Republikës me automatizëm shkohet në zgjedhje.
I dashur Burim,
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale i kemi këto situata, që në aspektin teorik janë të mundshme.
1. Deputetët aktual dështojnë të zgjedhin Kryetarin dhe Nënkryetarët e Kuvendit para 26 Korrikut. Në këtë skenar, pritet që Gjykata Kushtetuese do t’i japë diskrecion Presidentes për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet mbahen me 7 Shtator 2025. Pas certifikimit të rezultateve, deputetët e rinj duhet të nguten që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin, pastaj ta zgjedhin Qeverinë e re dhe menjëherë t’i përvishen punës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
2. Deputetët aktualë ia dalin që ta konstituojnë Kuvendin para datës 26 Korrik. Në këtë skenar, pritet që të formohet një koalicion që nuk e ka mbështetjen e 80 deputetëve. Kjo shumicë e re qeverisëse menjëherë duhet të nisë konsultat me grupet tjera parlamentare në përpjekje për të gjetur një kandidat konsensual për President të Republikës.
Pra, në të dy skenarët e zhvillimeve politike vijmë te nevoja e domosdoshme për ta zgjedhur Presidentin e Republikës.
Në Kosovë ekziston një teori e gabuar, të cilën e keni promovuar edhe ju në shkrimin tuaj, që kur Presidentit i skadon mandati, apo jep dorëheqje, shkarkohet, apo vdes, kompetencat e Presidentit me automatizëm kalojnë te Kryetari i Kuvendit.
Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit] flet vetëm për situatën kur Presidenti vullnetarisht ia delegon përgjegjësitë Kuvendit (p.sh është i sëmurë, nuk ndihet përkohësisht i aftë për ta kryer detyrën etj). Situata tjetër e përshkruar në këtë nen është kur, vetëm pas vendimit përfundimtar të konsiliumit të mjekëve, Kuvendi me dy të tretat e votave PRO voton për delegimin e përkohshëm të kompetencave të Presidentit te Kryetari i Kuvendit.
Sa i përket çështjes se kush i ushtron detyrat dhe përgjegjësitë e Presidentit në rastet kur Presidentit vdes, jep dorëheqje, shkarkohet, apo edhe i skadon mandati përderisa në ndërkohë Kuvendi nuk e ka zgjedhur pasuesin, Kushtetuta jonë është tërësisht e heshtur.
Pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e lejon kalimin e detyrave dhe përgjegjësive të Presidentit te Kryetari i Kuvendit, ushtrimi i këtyre detyrave dhe i përgjegjësive është jokushtetues. E them këtë, edhe pse në të kaluarën ka ndodhur kjo. Edhe atëherë është shkelur Kushtetuta, por kjo gjë është kaluar në heshtje.
Në kontekstin e situatës aktuale, situata është edhe më problematike. Më lart e konstatuam që dështimi për të zgjedhur Presidentin e Republikës, më së voni deri më 4 Mars 2026, me automatizëm e çon vendin në zgjedhje. Pra, do të kemi një Kuvend të cilit i ka skaduar mandati, pra edhe Kryetari i Kuvendit do të jetë pa mandat.
Edhe sikur në ndërkohë Gjykata Kushtetuese ta lejojë delegimin e detyrave dhe përgjegjësive nga Presidenti te Kryetari i Kuvendit, nuk ka logjikë që një person të cilit mandati i ka pushuar me 4 Mars 2026 të marrë detyrat dhe përgjegjësit e një personi tjetër të cilit mandati i pushon një muaj më vonë, pra me 4 Prill 2026. Është nonsens.
Thënë të gjitha këto, posa të tejkalohet bllokada aktuale dhe situata merr drejtim, qoftë me konstituim të suksesshëm të Kuvendit apo me shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Presidentja Osmani duhet t’i drejtohet urgjent Gjykatës Kushtetuese për sqarime, gjegjësisht për plotësim të kuadrit ekzistues për të përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëhet kur Presidenti vdes, shkarkohet, jep dorëheqje apo edhe i skadon mandati përderisa në ndërkohë nuk është zgjedhur Presidenti i ri. Të gjitha këto janë situata të ngjashme, por të ndryshme, dhe secila duhet sqaruar veç e veç.
Personalisht mendoj që në situatën kur Presidentit të Republikës i skadon mandati, ndërkaq Kuvendi në ndërkohë është shpërndarë sepse ka dështuar ta zgjedhë Presidentin, Presidenti duhet të vazhdojë të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë si President në detyrë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Kjo është zgjidhja më e shëndetshme.
Është shumë e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë më një sqarim sidomos rreth kësaj situate specifike. Dhe këtë ta bëjë sa më herët, në mënyrë që ta kursejmë vendin tonë nga dramat e panevojshme që mund të lindin.
Pra, i dashur Burim, edhe nëse Fatmir Limaj zgjidhet Kryetar Kuvendi, apo kushdo tjetër, nëse, deri me 4 Mars 2026, Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin e Republikës, ky person nuk mund të bëhet u.d i Presidentit të Republikës. Me shumë gjasë zonja Vjosa Osmani do të duhet të vazhdojë si President në detyrë, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.