Opinione / Kulturë

Recension i Librit “Komploti” të Ben Blushit


Shkodran Ramadani Politolog

Kur e pranova ftesën për të folur sot, përveç skepticizmit më se normal që përjeton secili që do të flasë për një fushë që s’e ka vokacion primar, ndjeva një nder për të cilin jam falenderues edhe sot. Kur e lexova librin, megjithatë, skepticizmi u zëvendësua nga një rrëmujë mendimesh politike e letrare, ndonëse këto të fundit i përjetoj me kujdesin e lexuesit të pasionuar por joprofesionist, e cila ishte mjaft tërheqëse për mua.

Libri është ‘’reader-friendly’’, pra miqësor ndaj lexuesit dhe në shtresa të ndryshme, lloji i ndryshëm i lexuesit, merr ‘’porcionin e vet’’. Natyra e tillë e librit ishte fakt lehtësues për mua, ngaqë koha e përgatitjes ishte e shkurtër dhe e vështirë dhe po të mos qe libri kaq i përtypshëm, zor se do të isha sot këtu.

Meqenëse një nga temat më dominante në libër është ajo e migrantëve, është e rëndësishme që të analizohet relacioni aktual i shteteve evropiane me figurën e migrantit.

Siç vëren Sam Kriss, shumica prej nesh tani janë të vetëdijshëm se shprehja “Valë e Refugjatëve” është një “metaforë degraduese hidraulike” për të përshkruar procesin e migrimit me terma të lëngshëm: si një përmbytje, një valë, një përrua, një baticë, një fluks, ujëra të zeza, një ortek i madh e në rritje i ujit me ngjyrë kafe që kërcënon me zhdukje çdo popullsi lokale.

Kjo gjuhë nuk është vetëm depersonalizuese, por edhe çnjerëzisht moskokëçarëse: kur qindra migrantë po mbyten në dallgët e detit, kjo metaforë ndihmon shmangien e një dileme etike para se ajo të trokasë në derën tonë. Uji le të mbetet tek uji, kurse toka jonë të mos laget nga ndytësia e tij.

Një numër i madh njerëzish – përfshirë fëmijët – mund të vdesin ngadalë nën valë pa ndier ne ndonjë nevojë që të bëjmë diç për këtë. Është e domosdoshme të veprohet vetëm kur trupat e tyre të lagur e të pajetë të përplasen në brigjet tona.

Shtetet evropiane shfrytëzojnë epërsinë e tyre financiare që të ndryshojnë kahjen e marshit të pandalshëm të atyre që në leksikun e ekstremit të djathtë janë përbindsha që dynden drejt komuniteteve tona të qeta e të pastra.

BE-ja financon shtetet në brendi të Afrikës që emigrantët të mos i afrohen as brigjeve të mesdheut në bregdetin verior afrikan.

Hungaria organizon referendume për të mos pranuar kuota të migrantëve dhe vendos mure të gjata me gjemba gjatë gjithë kufirit, në mënyrë që ata që tentojnë të futen, të përgjaken, të demoralizohen e të zbohen. Pasi rrëzuan Murin e Berlinit, duke i hapur rrugë lirisë së lëvizjes, shtetet evropiane, një nga një po ndërtojnë dhjetëra mure, për ta penguar atë liri.

Siç vërejnë Krastev dhe Holmes, kur mbaroi Lufta e Ftohtë, shpresat për përhapjen globale të demokracisë kapitaliste liberale ishin të mëdha. Skena gjeopolitike dukej e vendosur për një shfaqje jo shumë të ndryshme nga Pigmalioni i George Bernard Shaw, një shfaqje optimiste dhe didaktike në të cilën një profesor i fonetikës, për një periudhë të shkurtër kohore arrin të mësojë një vajzë të varfër lulesh të flasë si Mbretëresha dhe të ndihet si në shtëpinë e saj në shoqëritë e larta.

Duke festuar para kohe integrimin e Lindjes në Perëndim, vëzhguesit e interesuar përfundimisht kuptuan se spektakli përpara tyre nuk po luhej siç pritej. Ishte sikur, në vend që të shikonin një shfaqje të Pigmalionit, bota përfundoi me një përshtatje teatrale të “Drakullës” së Bram Stoker, një botë e populluar me vampirë.

Kur Muri i Berlinit u rrëzua, kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë gardhe kufitare në botë. Tani ka gjashtëdhjetë e pesë perimetra të fortifikuar ose të përfunduar ose në ndërtim. Sipas ekspertes së Universitetit të Quebec, Elisabeth Vallet, pothuajse një e treta e vendeve të botës po ngrenë barriera përgjatë kufijve të tyre.

Evropa që vibronte nga një fantazi emocionuese utopike për një botë pa kufij sot është bërë epiqendër e manisë globale e ndërtimit të mureve, e barriera me çimento dhe tela me gjemba që mishërojnë frikën ekzistenciale nga Tjetri.

Ilustrim i prekshëm i këtij trasnformimi është një pjesë e fjalimit nga Orban, ku thotë: “Për të shpëtuar nga komunizmi, më 1989, Evropa Lindore duhej ta imitonte Evropën Liberale Perëndimore. Sot, për të shpëtuar nga Liberalizmi i Shfrenuar, Evropa Perëndimore duhet ta imitojë Evropën Lindore”.

Krastev e Holmes potencojnë se populistët e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë orkestruar një hakmarrje dramatike kundër kampionëve të liberalizmit perëndimor. Veprimi i tyre nuk është thjesht një refuzim i Imperativit të Imitimit të përqafuar dikur; është vetëm një përmbysje e guximshme e tij. Me një qëndrim sfidues, Orbán dhe Kaczyński shpallin: “Ne jemi evropianët e vërtetë”. Sipas skenarit të tyre, shpëtimi për Perëndimin qëndron në një imitim paradoksal të Evropës Lindore.

Orbán, maestro i kësaj ngrehine ideologjike, e artikuloi vizionin e tij në një fjalim të korrikut 2017: “Njëzet e shtatë vjet më parë këtu në Evropën Qendrore, ne besuam se Evropa ishte e ardhmja jonë; sot ndjejmë se ne jemi e ardhmja e Evropës”. Kështu, ai pretendon se lavjerrësi i Historisë tashmë është përkulur me vendosmëri drejt fraksionit iliberal.

Në këtë histori të kryengritjes politike, populistët e Evropës Qendrore dhe Lindore, dikur dishepuj të idealeve perëndimore, tani qëndrojnë si arbitra të vetëshpallur të fatit të Evropës, duke sfiduar vetë narrativën që dikur formësonte aspiratat e tyre.

Polakët krekosen që janë vendi i vetëm në të cilin nuk ka ndodhur një sulm terrorist, saktësisht për shkak që nuk kanë pranuar refugjatë, duke e lidhur figurën qenësisht figurën e migrantit me atë të terrorizmit. Austria ka fiksuar në mënyrë të njëanshme kuota për numrin e azilkërkuesve që do të pranohen në kufirin e saj çdo ditë. Turqia kërcënon që do të lejojë marshin e tyre drejt Evropës.

Ata konkurrojnë në imagjinatë për të hartuar politika duke u siguruar që refugjatët të mos mbërrijnë dhe të dërgojnë sinjale parandaluese gjithnjë e më të qarta.

Në Danimarkë, policia tani lejohet të sekuestrojë sende me vlerë nga refugjatët, duke i privuar pothuajse nga gjithçka që kanë sjellë nga vendet e tyre. Sllovakia dëshiron të pranojë vetëm refugjatë të krishterë sirianë, dhe jo më shumë se 200 prej tyre, duke argumentuar se muslimanët nuk do të “ndihen kurrë si në shtëpinë e tyre” dhe se nuk do të pranohen nga popullata vendase gjithsesi.

Ndërkohë, Britania e Madhe e preokupuar me “rifitimin e sovranitetit të kufijve të saj” (edhe pse nuk është në zonën Shengen) realizoi BREXIT-in.

Ekstremi i djathtë është i kapërthyer në një vorbull dialektike të ankthit – Ankthi i migrantëve në një anë dhe ankthi i zbrazjes në anën tjetër. Siç shkruan Ivan Krastev, në librin e tij “Drita që dështoi”, – kritikë ndaj rendit neoliberal pas përfundimit të Luftës së Ftohtë – ekstremizmi politik është më i pranishëm në shoqëritë të cilës i ikë rinia – pjesa më vitale e saj –  sesa në shoqëritë që përballen me migracion.

Kohë më parë, kryeministri francez Manuel Valls njoftoi se Franca dhe Evropa “nuk mund të pranojnë më shumë refugjatë”. Vendi i tij fillimisht ra dakord të pranonte 30,000 refugjatë gjatë dy viteve.

Për ta vënë këtë në perspektivë për sa i përket madhësisë së popullsisë, nëse Franca do të ishte një fshat me 2200 banorë, nuk do të pranonte më shumë se një person të vetëm gjatë asaj kohe. E megjithatë, në Francë, autoritetet po shkatërrojnë pjesë të vendbanimeve pranë Calais ku emigrantët (shumë prej tyre fëmijë) jetojnë në kushte të tmerrshme.

Shtetet perëndimore po ndërtojnë një politikë gjithnjë e më vdekjeprurëse të kontrollit kufitar dhe po importojnë teknologji ushtarake për të projektuar sisteme të sofistikuara kontrolli dhe gardhe të pakalueshme në Greqi, Itali, Turqi e Bullgari apo enklavat spanjolle në Marok. Kjo me të vërtetë krijon kushtet e mundësisë që të tjerët të vdesin, pa u trazuar ndërgjegja e jonë.

Libri:

E para, në përgjithësi, libri arrin në mënyrë shumë finoke të analizojë, dekonstruktojë dhe zbërthejë imagjinatën perëndimore dhe rolin e “Tjetrit” me T të madhe në ndërtimin dhe formimin e identitetit.

Në imagjinatën perëndimore, që nga mesjeta e këndej, “Tjetri me fytyrë orientale” dhe “Tjetri me fytyrë hebreje” kanë qenë të portretizuar si përbindësha gjithmonë.

Blushi shpalos një prizëm që zbërthen në thellësi mënyrat në të cilat oksidentalizmi – si supremaci perëndimore – është projektuar në mënyrë epistemike mbi hebrenjtë dhe muslimanët (dhe të tjerët) për t’i konsideruar ata si “përbindësha”.

Në lidhje me këtë, “Komploti”, mes tjerash është edhe një “teratologji e Hebraizmit dhe Islamit”, ose studim i përbindëshave hebre dhe myslimanë. Siç e shpalos Blushi me zgjuarsi procesin, krijimi i monstrave është një akt politik dhe përbindëshat janë krijesa politike.

Përbindëshat dalin nga një mjedis i veçantë shoqëror në të cilin ata portretizohen si të frikshëm, të gërrditshëm dhe, në disa raste ekstreme, si sub-krijesa që duhet të shfarosen – si në aspektin imagjinativ ashtu edhe në botën reale.

Krijimi i këtyre përbindëshave ishte një mënyrë për t’u përballur me komunitetet e padëshiruara, duke ilustruar nocionin e Girard-it për Kokën e Turkut (Scapegoat), në të cilin “viktimat ose dëbohen ose shkatërrohen…”

Pjesa e dytë, Komunizmi

Përmes figurës së Leonid Trockit, Blushi arrin mjeshtërisht të shpjegojë dinamikën e rigjenerimit të komunizmit.

Si mundet një ide që ka dështuar kaq shumë herë, në kaq shumë variante të ndryshme dhe në kaq shumë mjedise rrënjësisht të ndryshme, të jetë ende kaq popullore?

Kjo për shkak që me kalimin e kohës, me ardhjen e brezave të rinj, tmerret dhe horroret e komunizmit, i mbulon pluhuri i harresës. Në vrullin e blertë rinor, ngjyra e kuqe e komunizmit shkëlqen me gjithë fuqinë e saj dhe në një shoqëri të çmagjepsur me premtimet e kapitalizmit, kjo dritë mund të bëhet gjithnjë e më shumë flakadan i të pakënaqurve.

Në këtë kuptim, Blushi portretizon Shqipërinë, si një ekzemplar konkret i asaj që Kristian Niemietz, thotë në librin e tij: “Socializmi: Ideja e dështuar që nuk vdes kurrë”.

Komunistët e rinj kanë arritur me sukses të distancohen nga të gjithë shembujt e botës reale të eksperimenteve të dështuara socialiste.

Sipas Niemietz, çdo eksperiment socialist deri më sot ka kaluar në tre faza.

Gjatë fazës së parë, periudhës së muajit të mjaltit, intelektualët janë entuziastë për sistemin dhe e lavdërojnë atë deri në qiell.

Ky entuziazëm ndiqet gjithmonë nga një fazë e dytë, “periudha e justifikimeve”, e cila fillon kur dështimet e sistemit bëhen më të qarta. Gjatë kësaj faze, intelektualët ende e mbështesin sistemin, por toni i tyre bëhet i zemëruar dhe mbrojtës. Ata pranojnë disa nga mangësitë e sistemit, por përpiqen t’i fajësojnë diversantët kapitalistë, forct e huaja ose luftën nga imperialistët amerikanë. Ose përpiqen t’i relativizojnë ato dështime duke folur për gjëra të këqija të palidhura që ndodhin diku tjetër.

Së fundi, faza e tretë i sheh intelektualët të mohojnë se ka qenë ndonjëherë me të vërtetë një formë e socializmit, faza e “socializmit jo-real”. Kjo është faza në të cilën intelektualët pretendojnë se vendi në fjalë – për shembull Bashkimi Sovjetik, Kina Maoiste, apo tani edhe Venezuela – nuk ka qenë kurrë “me të vërtetë” një vend komunist e socialist. Për ta konkretizuar, personi për të cilin e kemi fjalën është tipi i karakterit që Jordan Peterson e përshkruan si dikush që është i sigurt në kapacitetet e tij morale e intelektuale për ta jetësuar utopinë.

Pra, atë që miliona njerëz, dhjetëra shtete dhe qindra lëvizje s’e bënë dot në katër anët e botës gjatë gjithë historisë, filizi komunist pretendon që mund ta bëjë i vetëm thjesht duke u bazuar në rrezatimin lulëzues të revoltës së tij.

Blushi shakthtësisht elaboron mungesën e afeksioneve të projekteve totalitare në raport me jetët e njerëzve. Në faqe 95 të librit, Blushi shkruan:

Në atë qytet, ai nuk kishte dashur asnjeri dhe asnjeri nuk e kishte dashur atë. Prandaj, Pogradeci ishte qyteti ideal për të eksperimentuar një grusht-shteti…

Kjo më kujton njërën nga barcoletat e bukura të Ronald Reaganit:

Një zonjë e moshuar nga kureshtja pyet një aparatçik komunist: “E kush e shpiku komunizmin – komunistët apo shkencëtarët?” Aparatçiku i përgjigjet me krenari: “Komunistët, sigurisht!” “Ma mori mendja edhe mua”, thotë babushka. “Nëse shkencëtarët do ta kishin shpikur, ata do ta kishin testuar fillimisht te minjtë!”

Mjeshtëria e Blushit me precizitet dhe finesë arrin që në mënyrë bindëse të portretizojë “bodrumin” e imagjinatës së bujshme të shoqërisë shqiptare. Ky “bodrum” është i mbipopulluar me përbindësha të të gjitha llojeve. Përbindësha të cilët mezi presin të nxjerrin kokën, veçanërisht në kohë krizash, atëherë kur një shoqëri kalon në një proces të ripërkufizimit të vetes, atëherë kur ripërcaktimi i identitetit është në fluksin e tij më të madh, aq sa e tërbon rehatinë.

Imagjinata e bujshme e bunkerit presupozon se sfida kryesore ndaj atij rendi do të vinte nga faktorë të jashtëm. Mirëpo siç ilustron Blushi, shoqëritë më shumë shemben së brendshmi e më rrallë rrënohen nga jashtë. Ato implodojnë më shpesh, e eksplodojnë më rrallë.

Përbindëshat e bodrumit të të pavetëdijshmes shqiptare janë disa: Migranti, Hebreu, Komunizmi e Imperializmi Amerikan.

Normalisht, disa janë më realë se të tjerët. Njëri nga ta, Komunizmi, edhe është njëmend gjenerator i përbindshave. Jo rastësisht Blushi përmes analizimit të tij arrin t’i bëjë një terapi psikanalitike një shoqërie-pacient, koka e së cilës zien nga fantazmat.

Por për të ilustruar se asnjëri ekstrem në të vërtetë nuk përbën ndonjëfarë zgjidhjeje të qëndrueshme shoqërore, na shërben edhe romani “Në pritje të barbarëve” i nobelistit Kotze. Këtu e kemi të hedhur fytyrës pamëshirshëm faktin se një shoqëri që mbyllet në pritje të armikut të jashtëm, në fakt degjeneron nga brenda.

Dhe Blushi, kujdesshëm, në librin e tij nuk rrëshqet në qëndrimet që derivojnë nga frustrime e mllefe iracionale, e që do ta stërkeqnin këtë libër të shkruar bukur e me stil. Kështu, libri i Blushit nuk bëhet as doracak i së majtës ekstreme kur kritikon të djathtën ekstreme, e as fletushkë e së djathtës ekstreme kur dekonstrukton komunizmin.

Libri si letërsi

Përkundër rëndësisë së pamohueshme politike, libri është kryekreje letrar prandaj do parë edhe si i tillë. Kadare kishte përshkruar në një roman skenën e vrasjes (vetëvrasjes) së një udhëheqësi të lartë. Helena Kadare, e shoqja, në librin e saj të kujtimeve, na shpjegon që vdekja e Mehmet Shehut ndodhi pasi libri ishte i dërguar për botim dhe aluzioni nuk ishte i qëllimtë, por ishte e vështirë të argumentohej se s’ishte i tillë. Këtë vetë autori e shpjegon në disa prej prononcimeve të mëpastajme.

Ngjashëm, do të jetë e vështirë të argumentohet se libri i Ben Blushit nuk i referohet marrëveshjes së Ramës me Geogria Melonin. Kjo marrëveshje u kritikua rëndë nga Amnesty International, kritikoi marrëveshjen e kryeministrit Edi Rama me homologen e tij italiane Giorgia Meloni si “të paligjshme dhe jofunksionale”. Letërsia e Blushit vjen saktësisht si antidot i kësaj qasjeje.

Një plato të ngjashme, por me dallime thelbësore, na jep edhe autori i njohur francez Michel Houllebecq në librin e tij “Nënshtrimi”, që përshkruan marrjen e Francës nga myslimanët. Për dallim prej tij, Blushi nuk bie as në kurthën e islamofobisë e as të antisemitizmit, duke e ironizuar këtë të fundit përmes figurës së Simon Shuterin në rastin e antisemitizmit, te i cili qartazi jehon figura e George Sorosit, si një Zot i prapaskenave politike në të cilat vendosen e fatet e kombeve, kurse përmes Babarametos e ironizon islamofobinë dhe frikën nga tjetri ndryshe prej vetes në kontekstin e migrimit të muslimanëve.

Blushi nuk merr qëndrimin e personit që hedh zjarr mbi Scapegoat-in popullor, por tregohet i kujdesshëm që me finesë artistike të na e nxjerrë para syve një skenar hipotetik në të cilin mllefi i pjesës së frustruar të shoqërisë do të vinte në jetë.

E thënë shkurt, romani na ngjan me një karikaturë të përqeshjes sublime politike.


Lajmet kryesore