“Komploti”, roman nga Ben Blushi, botoi “Dukagjini”, 2023
Sfidë për leximin final të historisë
Romani i parë i Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, pat nxitur shumë debate në opinionin tonë publik , për shembull komuniteti mysliman e ka parë si kërcënim për harmoninë dhe tolerancën fetare të shqiptarëve. Edhe pse Blushi nuk kishte shkruajtur as pamflet politik e as tekst historik, romanin e tij një pjesë e konsiderueshme e publikut e thjeshtëzoi si deklaratë faktike të autorit për një periudhë historike të shqiptarëve. Publiku shqiptar sikur shfaqi prirjen për të gjetur mesazhe të gatshme nga autori, sikur kërkonte me ngulm retorikë autoritare, dhe nuk u tregua i hapur ndaj këndvështrimeve dhe interpretimeve të shumëfishta të rrëfimit letrar. Në fakt autori e sfidoi leximin dogmatik të historisë dhe personazhet e tij historike nuk janë portretizuar bardh e zi por kanë ambiguitet moral, ashtu si ndodh edhe në jetë reale. Duke e ri-rrëfyer historinë, ky roman e sfidoi lexuesin që të mos e shoh rrëfimin historik si të vërtetë përfundimtare, finale, dhe të vetme.
Ironia, sarkazmi, absurdi si strategji për kritikë shoqërore
E përmenda romanin e parë për ta ndërlidhur me romanin e tij të fundit, ku Blushi sërish krijon hapësirë publike për dialog, edhe kësaj here duke hapur tema të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar dhe duke e nxitur ripërkufizimin e tyre.
Ngjarja është e vendosur në vitin 2044, në një Shqipëri ku shqiptarët janë larguar nga vendi dhe afganët janë grupi etnik i dytë për shkak të lindjeve, dhe ku po ashtu janë të pranishëm emigrantët sirianë dhe bangladeshas. Afganët dëshirojnë të pushtojnë vende të tjera që të hakmerren ndaj padrejtësive historike që u janë bërë shqiptarëve, synojnë ta çlirojnë Kosovën gjë që do t’u mundësonte amerikanëve ta shpërqëndronin Rusinë dhe ta detyronin të hiqte dorë nga lufta në Ukrainë, duke hapur një luftë tjetër. Ndërkaq tre çifutë, organizojnë fushatë për referendum për bashkim me Rusinë, që ta pengojnë pushtimin e Kosovës dhe Luftën e Tretë botërore.
Ngjarja u përfol shkurt për të ilustruar se në këtë roman shfrytëzohen satira dhe humori i zi për të trajtuar tema serioze si lufta apo vdekja, dhe kështu arrijnë ta tërheqin vëmendjen e lexuesve kah absurditeti, në një mënyrë duke e shokuar publikun. Për mendësinë e sotme pas-moderne satira mund të jetë më efikase, meqë publiku ndoshta nuk mund t’i perceptojë lehtë nuansat e argumentimit te ekspertëve e analistëve për gjendjen e shoqërisë sonë, kritika shoqërore pranohet më lehtë përmes satirës, ironisë dhe humorit. Po e marr një shembull nga konflikti Izrael-Palestinë, që rezonon edhe me ngjarjen në romanin e fundit të Blushit, pra një nga emisionet më të shikuara globalisht që e trajtoi gjenocidin e këtij konflikti ishte biseda me gazetarin egjiptian të satirës Bassem Youssef.
A është i gatshëm lexuesi ynë për këtë liri interpretimi dhe mendim kritik që e nxit satira, apo do të këmbëngulë për mesazhe përfundimtare të përkufizuara saktë dhe me didakticizëm. Për shembull, mendimet që i shprehin personazhet, si këto në vijim, a do të vlerësohen me ngut si të autorit: : “Mohamed Durrani kishte dëgjuar shumë për shqiptarët, për natyrën e tyre të egër dhe mosmirënjohëse”, ai thotë: Shqiptarët nuk do të kthehen mëkurrë, pasi nuk durojnë dot njëri tjetrin. Shqipëria mund të bëhet, vetëm kur të mos e drejtojnë më shqiptarët. e shoqja Agetina: Shqiptarët i duan gjithmonë pushtuesit”, “Shqiptarët nuk kanë bërë kurrë asnjë luftë dhe prandaj nuk e meritojnë të drejtojnë ushtrinë e tyre”, thotë Serafin Pagjini, “Pse do të bëhesh rus dhe jo turk si shumica e shqiptarëve, thotë Simon Shuter, por po ky peronazh thotë “Nuk kishte asnjë krim që të krishterët nuk e kishin kryer në mënyrën më të pamërshirshme”. Mendimet e tij për të dy fetë janë kritike, duke mos e lënë kështu lexuesin të bjerë në grackën e stereotipizimit. Me gojën e Serafin Pagjinit thuhet, “2 milionë u larguan këta 40 vjet, sepse u torturuan nga ky kapitalizëm i pashpirt që i ka dhënë pakicës cdo gjë dhe i ka marrë shumicës gjithçka” , dhe më pastaj, për ta ndërlidhur përdhunimin e vajzësh shqiptare nga Trocki thuhet “Komunizmi me siguri do të rrëzohej një ditë, sepse ishte ndërtuar mbi përdhunimin e njerëzve, siç i kishte ndodhur asaj nga shpikësi i diktaturës së proletariatit”. Përsëri, dy ideologjitë përshkruhen në mënyrë kritike, për të mos e lënë lexuesin që me automatizëm ta kategorizojë autorin si pro apo kundër njërës ideologji.
Më tutje, në këtë frymë satire, si do të interpretohet skena groteske: mijëra afganë u mblodhën në sheshin e Shëngjinit duke kënduar himnin shqiptar dhe duke u betuar se ishin gati të luftonin për Kosovën. Apo: përhapja e modës të mbulimit me shami, ku vajzat me shami në kokë pozojnë më buzë të lyera dhe me bikini të zeza poshtë një fustani të tejdukshëm.
Portretimi i personazheve me shumë ngjyra, pra jashtë kundërshtive bardh e zi, po ashtu e pamundëson identifikimin e mendimeve apo bindjeve të autorit me ato të ndonjë personazhi, meqenëse nuk mund të gjindet ndonjë personazh që është vendosur si qendër morale e rrëfimit.
Besoj se lexuesi do ta interpretojë sarkazmën si rezistencë, si forcë morale, ashtu si dhe mund të lexohet në fillim të librit përkushtimi: “Atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij romani të ndodhin vërtet.”
Lexuesit në hapësirat shqiptare historikisht i kanë identifikuar shkrimtarët me misionin e çlirimit kombëtar dhe libri ka qenë mjeti më efikas i shqiptarëve për t’i rezistuar censurës dhe totalitarizmit. Sot, perceptimet për rolin e letërsisë dhe misionin e saj për shoqërinë normalisht që kanë ndryshuar, meqenëse botimi që dikur ishte veprimtari e planifikuar, tani ka hyrë në garë brenda tregut të lirë si ndërmarrësi industriale. Po ashtu, ёshtё rritur pushteti i televizionit, kinemasё dhe mediave tё reja, i gjuhёs sё pёrditshme nё blogje, rrjete sociale, debate publike, që krijojnë një treg të pafundmë idesh dhe e lëkundin autoritetin e shkrimtarit si intelektual publik nё mileniumin e ri.
Në këtë kontekst të vërshimit të gjithandejmë të mesazheve , besoj se ky roman e nxit lirinë e të menduarit te lexuesi, dhe përmes zhanrit satirik e shndërron leximin e letërsisë në një version të pyetjeve dhe përgjigjeve sokratike.
Zhanri i ndërmjetëm dhe tiparet e rrëfimit modern
Zhanrin e ndërmjetëm desha ta përmend për shkak të librit të parafundit, 41 sekrete, që e përdor dialogun dhe fotografinë për t’i konstruktuar si personazhe, 41 njerëz më shumë e më pak të njohur në realitetin shqiptar, duke e ndërlidhur rrëfimin faktik me rrëfimin fiktiv, dhe duke vendosur korniza letërarësie përmes tekstit dhe fotografisë.
Edhe në romanin e fundit, rrëfimi njëjtësohet me jetën, për shembull ka personazhe historike si Trocki, Rauf Fico, Leo Elton, të ndërlidhur me pasardhësit e tyre në fiksion. Po ashtu, ka ndëreferenca nga romanet e tjera si për shembull nga “Kandidati”. Përmes ndërthurjes satirike të faktikes dhe imagjinares sfidohet e vërteta me gjithë potencialin e saj .
Sot në letërsi parapëlqehet të përdoren më pak komente, sidomos më pak vlerësime morale me pretendime gjeneralizuese dhe në përputhje me këtë, më shumë dialogë dhe prezantim të drejtpërdrejtë të botës së brendshme të personazheve, gjë që përdoret si strategji rrëfimi në këtë roman. Po ashtu, shfaqet rrëfimi përmes këndvështrimeve të shumëfishta , intertekstualiteti, simbolizmi, ironia, vetmia shpirtërore , frustrimi, zhgënjimi, sfida e historisë dhe i miteve, sfida e moralit tradicional, zëvendësimi i besimit në të vërtetën absolute me ndjenjën për të vërteta të relativizuara, vetëdijesimi për realitetin si konstrukt fiktiv.
Po i përmend këtu tiparet e rrëfimit bashkëkohor në këtë roman të Blushit, meqenëse në mjedisin tonë por edhe më gjërë është shfaqur diskutimi për dallimet mes letërsisë së popullarizuar, apo të shitur, dhe asaj kanonike, që mësohet nëpër universitete. Për mendimin tim ndasia mes kulturës së lartë dhe asaj të popullarizuar dhe paralelisht, kundërvënia mes letërsisë artistike dhe asaj të popullarizuar, shfaqet sepse të dy llojet e letërsisë kanë nevojë për njëra tjetrën që të vetë-përkufizohen, kanë nevojë të kundërshtohen që të ekzistojnë. Për më shumë, shitja nuk e përkufizon vetëm librin e ashtuquajtur të “popullarizuar”, por edhe shkrimtarët e mëdhenj si Kadare, Orhan Pamuk e të tjerë.
Rëndom, kur përkufizohen këto dy lloje krijimtarish, veprat letrare nga ato të popullarizuarat dallohen përmes nocioneve të kreativitetit dhe individualitetit. Letërsia artistike shihet si elitare, si narracion kompleks, të cilin është në gjendje ta shijojë një kategori e përgatitur lexuesish, ndërsa libri i popullarizuar konsiderohet si shkrim skematik, mekanik, i painteresuar për kreativitet dhe origjinalitet, por thjesht i orientuar për prodhim. Letërsia artistike mund të mos ketë nevojë për fabul dhe mund të jetë ‘e mërzitshme’ si ngjarje, ndërsa libri i popullarizuar ka nevojë për intrigë dhe është interesant. Vetë akti i leximit të letërsisë artistike vlerësohet si studim dhe studentët seriozë të letërsisë janë mësuar të lexojnë me kujdes dhe vëmendje, ndërkaq letërsia e popullarizuar lexohet shpejt, nga kushdo dhe kudo Sipas kësaj pikëpamjeje kryesisht dominuese në qarqet universitare, letërsia e popullarizuar është industri kulturore, pra nuk është gjuhë e artit, por gjuhë e industrisë. Kjo përqasje gjithnjë e më shumë po tejkalohet, dhe kritika letrare nuk është shkencë normative, që jep receta se si të shkruhet.
Për mua, ky lloj rrëfimi, përkon me prirjen e audiencave të sotme që nuk presin nga letërsia të jetë glorifikim i së vërtetës por që ajo të shndërrohet në energji të të menduarit.