Opinione / Politikë

Realiteti i ri i politikës turke – Mes opozitës së ringjallur dhe erdoganizmit të pashuar


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Të hënën, Turqia u zgjua me një realitet politik të ndryshëm nga ai i një viti më parë, kur Erdogan fitoi zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet lokale të së dielës në Turqi duket se qenë një goditje e papritur për presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe partinë e tij  për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që përveç Stambollit humbi edhe katër qytetet e tjera kryesore turke (Ankara, Izmir, Antalia dhe Bursa). Erdogan gjatë fushatës elektorale premtoi se do të arrinte të merrte Stambollin dhe Ankaranë, të humbura në 2019. Por nuk ia doli.

Zhgënjimi i tij për mos marrjen e kontrollit të Stambollit ishte i dukshëm sepse është pikërisht aty ku filloi rrugëtimi i tij i ngjitjes në politikë dhe ku ai ka qenë kryetar bashkie nga viti 1994 deri në 1998. Me 16 milionë banorë, një buxhet që llogaritet në 16.90 miliardë dollarë, bashkia në breg të Bosforit është joshëse.

Është hera e tretë që Ekrem İmamoglu fiton kundër kandidatit të mbështetur nga Erdogan – në vitin 2019, pas ankesës së AKP-së, Komisioni Zgjedhor përsëriti zgjedhjet. Çdo herë fitorja ka qenë me një diferencë më të madhe.

Kjo edhe arsyeja pse Erdogan kishte nxjerrë si kandidat një nga njerëzit e tij besnik më besnik, Murat Kurum, Ministër i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, duke u përfshirë personalisht në fushatë deri në prag të votimit.

Opozita dhe sidomos Partia Republikane (CHP), papritur duket se ka gjetur liderin karizmatik te kryetari i rizgjedhur i Stambollit, Ekrem İmamoglu, edhe pse aktualisht CHP drejtohet nga Özgür Özel, i cili pasoi Kemal Kılıçdaroğlu-n, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të qershorit 2023.

Përparimi i partisë kryesore opozitare me 37.7%, duke mposhtur për herë të parë formacionin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, e cila mori 35.4%, një nga rezultatet më të ulëta në historinë e saj politike, shënon një pikë kthese të paprecedentë që kur Erdogan ka hypur në pushtet 22 vite më parë dhe jep indikacione të rëndësishme për të ardhmen.

Këtë herë, njerëzit nuk votuan për figurën politike dhe karizamtike të Presidentit, por për partinë e tij, e cila qartësisht rezulton më pak tërheqëse se vetë lideri i saj.

MHP-ja, partia ultra nacionaliste e ekstremit të djathtë, fitoi në dy komuna të reja, ndërsa qytetet Şanlıurfa dhe Yozgat ranë nën kontrollin e Refah, parti islamike e udhëhequr nga Fatih Erbakan, djali i mentorit të Erdoganit, Nexhmettin Erbakan, kryeministrit islamist i rrëzuar nga ushtria në vitin 1997.

Refah kishte mbështetur kreun e shtetit në garën e tij të fundit presidenciale, por vendosi të paraqesë kandidatët e tij gjatë zgjedhjeve komunale, duke u fokusuar në votat e votuesve të pakënaqur me “dekadencën morale” të AKP-së. Erbakan junior akuzon Erdoganin se nuk është mjaft i ashpër ndaj Izraelit.

Transferimi i votave nga AKP-ja qe i konsiderueshëm pasi Refah arriti rezultatin e një fitoreje prej 6.2% në bazë kombëtare, vota vendimtare për parakalimin e AKP-së nga CHP-ja.

Juglindja e vendit në kufi me Sirinë mbeti në duart e forcave pro-kurde, të cilat u rikonstruktuan nën akronimin e partisë Dem, pasi partia HDP u mbyll përmes procedurash ligjore me akuza për terrorizëm dhe lidhje me PKK-në, partinë e punëtorëve kurdë.

Ajo që bën më interesante panoramën e zgjedhjeve në Turqi, është që ato ishin zgjedhje të lira, edhe pse jo shumë të drejta, duke pasur parasysh kontrollin e madh të Erdogan-it dhe AKP-së mbi makinerinë e shtetit dhe ndikimin mbi mediat.

Edhe në këtë konteks joliberal, ato treguan stabilitetin e demokracisë dhe lidhjen e vazhdueshme turke me rrjedhën kryesore evropiane dhe perëndimore.

Lidershipi i presidentit që sapo u rizgjodh majin e kaluar me 52% të votave nuk vihet në diskutim. Nëse kemi të bëjmë me një kthesë të fortë në panoramën e politikës në Turqi, nuk kemi të bëjmë me fundin e erdoganizmit.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në vitin 2028. Vetë Erdogan ka bërë të ditur më parë se ato do të jenë të fundit. Dhe nëse ai kishte imagjinuar një reformë në Kushtetutë për t’i lejuar vetes një mandat tjetër, pas rezultatit të së dielës, ai do të duhet të rishikojë planet e tij. Qartësisht hapet një problem vazhdimësie dhe identifikimi i një pasardhësi që deri tashmë nuk është parë.

Abstenimi i votuesve duket se ka penalizuar AKP-në.  Sipas asaj që u deklarua nga Këshilli Zgjedhor i Turqisë, pjesëmarrja ishte 78.7%, më pak në krahasim me zgjedhjet lokale të pesë viteve më parë, ku kishin votuar 84.6% e atyre që kishin të drejtë vote, si dhe krahasuar me zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, kur pjesëmarrja kishte arritur në 90%.

Ndërsa AKP-ja e Erdoganit pagoi lodhjen nga një pushtet i stërzgjatur, inflacionin në gati 70% me një humbje të ndjeshme të lirës karshi dollarit, investimet e qeverisë në politikën e jashtme kur vendi po kalon vështirësi të mëdha ekonomike, opozita e galvanizuar nga fitorja dhe figura e Imamoglu-t në ballë do ndeshet edhe ajo me vështirësitë për gjetjen e një koezioni dhe lidershipi drejt zgjedhjeve Presidenciale të 2028.

Edhe pse Imamoglu fitoi votën e shumë prej kurdëve të Stambollit, po ashtu si në vitin 2019, ai nuk duket se ka një predikim për pakicën më të madhe të Turqisë dhe shmang emërtimin e tyre në mënyrë eksplicite.

Një gabim të cilin partia e tij e pagoi shtrenjtë në të kaluarën. Partia pro-kurde Dem, e cila iu bashkua atij në vitin 2019, e kritikoi hapur atë për heshtjen kur dhjetëra zyrtarë kurdë u hoqën nga detyra dhe u burgosën. Në të njëjtën kohë, nuk kanë munguar akuzat për ksenofobi kur, veçanërisht në vitin 2019, fushata e Imamoglu-t u fokusua në “pushtimin e refugjatëve sirianë”, i cili po vinte në rrezik laicitetin e Turqisë.

Ajo çka del nga rezultatet e këtij votimi është sërish polarizimi i Turqisë. Nga njëra anë Turqia e thellë, jo urbane, me një ton islamist, pra e lidhur kryesisht me Erdoganin dhe partinë e tij apo gjithsesi me partinë Refah dhe me ultranacionalistët e MHP-së, dhe Turqia perëndimore dhe bregdetare, më laike dhe liberale, mbi të gjitha e interesuar për një mënyrë jetese të hapur, me kërkesa për të drejtat civile dhe të grave dhe e gatshme për të dialoguar ndaj arsyeve të pakicës më të madhe etnike, asaj kurde.

Drejt 2028 peshë të caktuar nuk do të ketë vetëm administrimi i qyteteve, apo karizma dhe ecuria e kandidateve, por edhe politika ndërkombëtare dhe konteksti gjeopolitik.

Humbja e qartë e partisë së Erdoganit në votimin administrativ turk, ku përfshiheshin votues nga të 81 provincat e Republikës, hap një fazë pasigurie në këtë komb kyç në kërkim të lavdive të reja perandorake.

Nën drejtimin e Erdoganit, Turqia ka ndjekur, në rryma alternative, idetë rajonale neo-otomane, simpatitë islame për Vëllazërinë Myslimane duke përfshirë Hamasin dhe aktin balancues ndaj Rusisë. Turqia nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së, por i ka dhënë Ukrainës furnizime të vlefshme ushtarake si dronët bajraktarë dhe në 2025 do të hapë dhe një fabrikë te dronëve në Ukrainë.

Kjo i lejoi Presidentit turk të ndërmjetësonte me sukses marrëveshjen për eksportin e grurit midis Moskës dhe Kievit, e cila mbeti në fuqi për një vit.

Turqia mbetet anëtare kyçe në NATO-s, edhe pse ndonjëherë ka vënë në provë durimin e aleatëve të saj, duke filluar nga SHBA-të. Mbajti në pritje hyrjen e Finlandës dhe, mbi të gjitha, të Suedisë dhe i dha dritën jeshile vetëm pas negociatave të ndryshme, me Stokholmin për pritjen e elementëve kurdë të lidhur me PKK-në dhe me Uashingtonin për avionët F-16, të cilët arriti t’i marrë.

Ajo mbetet një nga aktorët e rëndësishëm në shumë skenarë të politikave ndërkombëtare. Ankaraja ka krijuar hapësirën e saj shumë të gjerë të ndikimit, e cila shkon nga Azia Qendrore në Adriatik, nga Mesdheu lindor në Afrikë nëpërmjet Lindjes së Mesme.

Edhe pse i dobësuar shumë nga brenda, Erdogan mbetet mjeshtër i qeverisë dhe me një shumicë solide në Parlament. Imamoglu dhe partia e tij CHP, nuk kanë një profil të qartë gjeopolitik.

Është një gjë të kërkosh më shumë liri, demokraci dhe të drejta civile, është tjetër të shprehësh një vizion të rolit turk në botë.

Një nga detyrat që e pret Imamoglu-n në periudhën katërvjeçare është të propozojë politikën e tij të jashtme. Si kryebashkiak i Stambollit, ajo nuk përbën prioritet. Por si aspirant për drejtësinë më të lartë shtetërore, është e domosdoshme.

Pyetja është nëse dhe si do apo nuk do të ndryshojë qëndrimin e Turqisë ndaj luftërave që e prekin atë në Veri dhe në Jug. Dhe në përgjithësi çfarë qëndrimi gjeopolitik do të propozojë për presidencën e tij të mundshme, për skenarët e largët, por edhe për çështjet kryesore si mosmarrëveshjet me Greqinë, mbështetja për palestinezët, depërtimi në Siri dhe Irak, rizbulimi i rrënjëve turke dhe myslimane të ish-Azisë Sovjetike, deri në Turkestanin Lindor.

Katër vjet janë një kohë e gjatë për atë çka mund të ndodhë në politikë. Për Erdoganin është çështja e menaxhimit të kësaj faze të fundit të shëmbëlltyrës së tij më shumë se njëzetvjeçare në atë mënyrë që të hyjë në histori si një sulltan i suksesshëm, i krahasueshëm me të mëdhenjtë e historisë perandorake. Për opozitën është çështja e konsolidimit drejt një fitoreje të mundshme (ndoshta) në 2028.


Lajmet kryesore