Opinione / Sport

Real Madrid-i dhe besimi në numrin ‘14’


Andy West

Skuadra e Zidane-it rrallë ka prodhuar futboll “elektrik”, nuk ka pasur golashënuesin e duhur, përveç Benzema-së dhe, mbi të gjitha, kanë pasur një listë të pafundme lëndimesh.

Të gjitha këto i kanë penguar madrilenët për të prodhuar futbollin që jemi mësuar të shohim prej tyre.

Ky nuk ka qenë një sezon mbresëlënës për Real Madrid-in.

Përkundër të gjithave, një muaj para përfundimit të sezonit, ata janë seriozisht në garë për titull dhe trofeun në Champions League.

Pak para gjysmëfinales së Champions-it përballë Chelsea-s, do të analizojmë gjithë rrugëtimin e tyre deri këtu.

Mjeshtrit e mesfushës, ende të jashtëzakonshëm

Forca më e madhe e këtij Real Madrid-i është treshja e mesfushës “Kroos-Casemiro-Modric”. Ky repart dallon në cilësi nga të tjerët.

Çdo njëri prej lojtarëve, nga kjo treshe, është duke zhvilluar një sezon fantastik.

Ndoshta çështje fati apo jo, por ata puqen në një pikë: kanë shmangur pothuajse gjatë gjithë sezonit lëndimet, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës.

Casemiro (279 paraqitje për klubin), Kroos (317) dhe Modric (385), po i afrohen shifrës së 1,000 ndeshjeve në total për Real Madrid-in, shumicën prej të cilave i kanë luajtur së bashku në fushë.

Ata kanë mbijetuar po bashkë në një nivel kaq të lartë për kaq shumë vite, jo vetëm falë talentit që zotërojnë, por edhe në sajë të bashkimit të aftësive të tyre në një, duke krijuar një mesfushë të padepërtueshme.

Atletika agresive e Casemiro-s, pasimet super të sakta të Kroos-it, kreativiteti dhe mençuria e Modric-it, të kombinuara në një, krijojnë një grup të pathyeshëm.

Përveç kësaj, ata edhe shënojnë në një ritëm relativisht të mirë, duke qenë në ndihmë të sulmit.

Forca e Casemiro-s në ajër dhe goditjet e forta nga jashtë zonës të Kroos-it dhe Modric-it, shpeshherë u krijojnë probleme të mëdha kundërshtarëve.

Tash e shtatë vite bashkë, ende në botë nuk ka treshe të mesfushës më të mirë se sa ajo e Real Madrid-it.

Dominimi në mbrojtje përkundër lëndimeve

Ndikimi në rritje i “tredhëmbëshit të mesfushës” është një faktor kyç, që i siguron kualitet të mjaftueshëm Real Madrid-it, duke pasur stabilitet edhe në mbrojtje.

Duke ofruar kontroll, ky Real Madrid është ndryshe nga skuadra që hidhte në fushë Zidane në fillimet e tij si trajner.

Zakonisht shihnim një Real Madrid që shënonte shumë, por edhe pësonte një numër relativisht të madh golash.

Tanimë, edhe pse nuk shënon shumë, Real Madrid-i është një ekip që rrallë pëson, duke pasur një mbrojtje çelik.

Që nga fundi i janarit, Real Madrid-i nuk ka pësuar më shumë se një gol në ndeshje.

Los Blancos, po ashtu, e kanë mbajtur portën të paprekur në katër ndeshjet e fundit.

Në 17 përballjet e fundit, në të cilat Real Madrid-i nuk ka pësuar asnjë humbje, ata e kanë mbajtur portën të paprekur plot nëntë herë.

Çka është mbresëlënëse, është që në gjithë këtë periudhë, Real Madrid-i ka qenë pa Carvajal-in, Ramos-in, Mendy-in dhe Varane-n për pjesën më të mirë të kohës.

Megjithatë, këto mungesa nuk janë vënë re, si rezultat i paraqitjeve të jashtëzakonshme të dyshes Nacho Fernandez-Eder Militao.

Nacho, çuditërisht një figurë jo shumë e lakuar te madrilenët, përkundër se ka shpenzuar gjithë jetën te ai klub, pritet ta zëvendësojë Mendy-n përballë Chelsea-s.

Kurse, Militao pritet të zëvendësojë Ramos-in në qendër, me Varane-n që është rikthyer pas lëndimit.

I fundit, por jo më pak i rëndësishmi: belgu Thibaut Courtois. Tash e dy vite, ai po shfaq  performanca të jashtëzakonshme, duke arritur disa nga pritjet më të jashtëzakonshme që as nuk i kishit menduar.

Vetëbesimi pa fund

Një tjetër element që i ka shërbyer Real-it të vazhdojë konkurrencën në majë të këtij sporti, është vetëbesimi i pafund që ata zotërojnë. Kjo i motivon ata të kthehen të fuqishëm pas çdo të keqje, sidomos në Evropë.

Kjo është vënë re te madrilenët që nga koha e Ancelotti-t. Në 2014-ën, Real-i fitoi Champions-in e dhjetë pas një barazimi nga Ramos, vetëm një minutë para fundit të kohës së rregullt, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë.

Edhe tre Champions-at radhazi erdhën pas rikthimeve të mrekullueshme që bëri klubi madrilen në faza të ndryshme të këtij kompeticioni, tregues ky i mentalitetit të fortë që ky grup ka.

Ky sezon dhe ato të kaluarat, kanë vërtetuar që futbollistët mbretërorë kanë aftësinë e jashtëzakonshme për ta kthyer fatin në anën e tyre në çdo moment.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Real Madrid-i jo vetëm shpreson te një sukses në Champions, por edhe beson në atë sukses…


Lajmet kryesore