Opinione / Politikë

Rasti i Çuditshëm i Veton Surroit


Lirim Mehmetaj

“Spin” përshkruan gjëra të ndryshme në terrene të ndryshme dhe në veprimtari të ndryshme. Për shembull në metalurgji “Spin” nënkupton ndryshimin e formës së metaleve me anë të presionit, i cili bëhet derisa sasia e caktuar e metalit rrotullohet në një torno. Në sport “Spin” do të thotë lëvizje rrotulluese e topit në ajër, e cila bëhet gjithashtu me presionin shkaktuar nga fuqia e goditësit të topit. Në politikë “Spin” shoqërohet me prapashtesën “doktor”. Pra Spin-doktorët janë ata që lëvizin narracione të caktuara në formën se si u konvenon partive politike ose politikanëve të ndryshëm. Edhe këtu për të bërë “spinin” duhet aplikuar presion i caktuar, i cili vjen nga fuqia që e ka spin-doktori në opinionin publik.

Pa pasur fuqinë (respektin, apo vëmendjen e opinionit publik) s’mund të bësh spin dhe po provove nga kjo rrethanë s’je as doktor, sepse ke dështuar ta kuptosh pafuqinë tënde.

Që të kuptohet më mirë e gjitha, thjesht duhet konkretizuar me një emër. Për shembull Veton Surroi.

Ai është një Benjamin Button shqiptar që me kalimin e viteve i ka humbur pjekuria dhe i është shtuar adoleshenca, prandaj tenton të bëjë lëvizje rrotulluese në ajër pa fuqinë e mjaftueshme që i duhet spinit dhe ka mbetur doktor me vetëm një pacient – veten.

Për ta ilustruar me një shembull duhet të merret vetëm tentimi i tij i fundit për të krijuar një spin para takimit të parë në Paris/Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç.

Siç janë publikuar tashmë edhe në media disa non-paperes, situata nuk duket fare premtuese për Kosovën. Besohet se një nga këto letra jo-zyrtare është shtyrë nga gjermanët dhe francezët dhe ajo kërkon autonomi për veriun e Kosovës, krijimin e një distrikti – Kosova Veriore.

Prandaj, Surroi si pjesë e këshilltarëve të rinj/të vjetër të Kurtit për dialogun po thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është në fakt Autonomi territoriale për Serbinë në Kosovë. Në mënyrë që kur nga Brukseli të sillet lajmi i hidhur për Autonominë, arsyetimi të jetë i gatshëm: Autonomia ishte vendosur kohë më parë, me nënshkrimin e Asociacionit.

Por, krijimi i këtij narracioni është i pamundur në secilin nivel, aq më tepër kur atë tenton ta farkëtojë pafuqia e dikujt që plakja po i vjen si ri-fëmijërim.

Nuk mund të dështosh në pothuajse secilën nismë dhe më pas të pretendosh se e ke recetën e duhur për çfarëdo situate.

Të vish nga fusha e medias, të ndërtosh një projekt televiziv, të dështosh në atë projekt medial deri në pikën e pashikueshmërisë nënkupton humbje të çdo të drejte ta mësosh apo këshillosh dikë – të paktën jo dikë që paguhet për shërbimet e veta nga taksat e qytetarëve.

Të krijosh koncept politik, të dështosh brutalisht dhe – fatkeqësisht – ta dështosh edhe një gjeneratë të tërë njerëzish të përkushtuar, e drejta për të këshilluar të merret pothuajse me dekret.

Dhe në fund, sikur të mos mjaftohesh me kaq, t’u marrësh hyxhym shkronjave për t’i detyruar ato të të bëjnë shkrimtar. Normalisht nuk bëhesh. Prandaj, shndërrohesh kështu në një “wanna be” të përhershëm.

Nëse një gjë duket inkurajuese, është forca e ripërsëritshme për t’u përfshirë – dhe nuk do të ishte fare problem nëse ajo do të kornizohej brenda ndonjë rrethi miqsh, por assesi në struktura shtetërore ku mund të komprometohet ndonjë proces tejet i rëndësishëm.


Lajmet kryesore