Opinione / Editoriale

Rama a-SPAK i kënaqur me drejtësinë, kërkesë legjitime


Në një konferencë për shtyp me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, kryeministri Edi Rama, edhe një herë brenda të njëjtës javë, shpalosi kritikat e tij ndaj sistemit gjyqësor. Në shënjestër qe sërish SPAK-u dhe trupi i gjyqtarëve e prokurorëve.

Kur kreu i një qeverie kritikon gjyqtarët, kjo gjithmonë ngjall alarm: ekziston frika e një censure, kontrolli apo ndërhyrjeje kërcënuese që synon një nga fuqitë e pavarura të një demokracie.

Aq më tepër në rastin e SPAK-ut, kur ky i fundit u krijua më pak se tri vite më parë me qëllimin e posaçëm të hetimit mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele të larta të qeverisjes.

Por, edhe pse në Shqipëri ndërhyrjet e politikës kanë qenë standardi, çka ishte edhe një nga arsyet e krijimit të SPAK-ut, duhet thënë gjithashtu se një presion i tillë i panevojshëm, në të shumtën e rasteve, bëhet në fshehtësi duke mos iu nënshtruar gjykimit të shtypit dhe opinionit publik.

Në rastin e kritikave të Edi Ramës, duhet theksuar se janë të njëjta me ato të një raporti të fundit evropian: “Dënimet në çështjet që përfshijnë zyrtarë të lartë mbeten ende të kufizuara, duke favorizuar një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të shtetit. Struktura e specializuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) duhet të forcojë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm të vendit për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë sektorë të jetës publike dhe të sipërmarrjes dhe vazhdon të shkaktojë shqetësim serioz”, thuhet në raportin “Gjetjet kryesore të Raportit të 2021 për Shqipërinë” të Komisionit Evropian.

Reforma në sistemin e drejtësisë dhe veprimet konkrete për të luftuar korrupsionin, krijimi i mekanizmit të vetting-ut dhe SPAK-u janë të gjitha brenda kuadrit të parametrave të monitoruar nga Brukseli në funksion të hapjes së procedurës së pranimit të Shqipërisë në BE.

Dritëhijet, dyshimet, pyetjet, supozimet dhe hipotezat pas kritikave të forta të Ramës ndaj SPAK-ut, gjykatësve dhe prokurorëve janë të ndryshme dhe jo të pakta. Përgjigjet se, pse ky sulm arrin pikërisht tani, dhe pse kundër SPAK-ut, strukturë për të cilën qeveria ka qenë mbështetësja më e madhe, mbeten gjithnjë në rrafshin e hipotezës.

Dalja e kryeministrit ndoshta tregon më shumë se çdo gjë tjetër një shqetësim për sjelljen disi të anshme të SPAK-ut dhe, në veçanti, për zhvillimet e mundshme të hetimeve në vazhdim ku përfshihen anëtarë të partisë së tij? Ndoshta!

Por pyetja kryesore që duhet bërë, është vetëm një: A ka të drejtë Edi Rama në shpalosjen e kritikave të tij?

Përgjigjja objektive do të ishte vetëm një: Po! Duhet thënë që kërkesa e qeverisë për të vepruar më konkretisht është plotësisht legjitime.

Pa dyshim që është sigurisht më shumë politike dhe e lidhur me rolin e kreut të PS-së, vëzhgimi i Ramës mbi faktin se në shënjestër të gjyqtarëve të SPAK-ut janë vetëm ish-ministra dhe anëtarë të lartë të partisë së tij, ndërsa dyshimet e rënda për ngjarje të tjera janë anashkaluar plotësisht. Hetime lidhur me afera korruptive rreth presidentit Ilir Meta, apo lidhur me akuzat e qarta të të njëjtit lloj, të cilat Departamentit i Shtetit Amerikan ka përdorur për përcaktimin e Sali Berishës dhe anëtarëve të familjes së tij si persona non grata.

Dhe, po, Rama ka të drejtë kur akuzon për transparencë të vakët veprimtarinë e SPAK-ut lidhur me mungesën e hetimeve ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që nuk kanë arritur të kalojnë procesin e vetting-ut, apo ndaj atyre që janë tërhequr.

Jo vetëm ky indiferentizëm i ka lënë të qetë, por shumë prej gjykatësve apo prokurorëve i janë kthyer profesionit të avokatit, ku riciklimi i pasurive, të cilat nuk kanë qenë në gjendje t’i arsyetojnë, është bërë më se i mundur.

Në kontekstin institucional shqiptar, ku sigurisht nuk mund të thuhet se etiketa kushtetuese respektohet çdo ditë, asgjë nga ato që tha Rama nuk është thelbësisht e pasaktë. Por ka një problem.

Për të mos u lënë hapësirë dhe shtigje supozimeve e hipotezave, sipas të cilave Rama po kërkon të devijojë vëmendjen nga situata të tjera korruptive, ku janë të përfshirë anëtarë të PS-së apo të qeverisë, ai akoma më me forcë duhet të theksojë që kërkon të njëjtën transparence të SPAK-ut ndaj çdo pjesëtari të çdo niveli brenda administratës së tij.


Lajmet kryesore