Opinione / Kolumnistët

Qeveria duhet të përcaktohet, A është për Kosovën e Pavarur


Baton Haxhiu Gazetar

Zhvillimet nëpër të cilin po kalon e gjithë bota janë më të rrezikshmet në 50 vitet e fundit.

Ky është një moment i testimit më vendimtar të unitetit dhe vlerave të botës perëndimore.

Ky është po ashtu një moment kur Qeveria e Kosovës (dhe këtu duhet bërë dallimin në mes të Qeverisë dhe popullit të Kosovës) duhet të pozicionohet përfundimisht.

Dhe kjo nuk nënkupton rreshtim të kësaj qeverie dhe kryeministrit të saj, që rreshtimi të jetë deklarativ dhe formal me Perëndimin, por gjatë këtij procesi duhet qartë që vendimet që merr për dialogun duhet të jenë edhe harmonizim i plotë me vizionin strategjik të Perëndimit.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme për peshën e vërtetë dhe seriozitetin e momentin historik në të cilin po kalon Kosova, jo vetëm në raport me procesin e normalizimit dhe dialogun me Serbinë, por duhet të jetë e kujdesshme maksimalisht edhe mbi rrjedhën e mëtejme të raporteve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shteteve kryesore perëndimore, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës në qëndrimin e tij të fundit në Parlamentin e Kosovës, kishte një deklratë ku bënte të qartë se nuk është ndërkombëtar në këtë proces dhe përfaqëson interesat e popullit të Kosovës. Kjo është e vërtetë në atë që thoshte Kryeministri Kurti, por duhet të qartësoi më vete qëndrimin e tij politik se si përfaqëson Kosovën dhe popullin e saj. Kanë mbetu shumë pak ditë dhe çdo lëvizje dhe qëndrim i pakujdesshëm mund të ketë pasoja për pavarësinë e këtij vendi.

Për ata që nuk janë mirë të informuar dhe kanë vizatuar dëshira të tyre në farsoletë, duke shpjeguar procese dhe vendime, një gjë e rëndësishme po ndodh paralelisht me gjeopolitikën dhe ky është momenti i fundit për ta lexuar drejtë rreshtimin dhe harmonizimin më ndërkombëtarët.

Pas luftës në Ukrainë, Ambasadori Hill ka aterruar në Beograd pas një përvoje të gjatë diplomatike dhe pas një historie të gjatë në marrëdhëniet e tij me shtetin e Serbisë dhe të Kosovës.

Këtë herë ai ka dy qëllime të qarta të cilat janë pjesë e një strategjie amerikane për shtetet që kanë qenë me miqësi me Rusinë.

Ambasadori është shumë afër me procesin dhe është shumë afër me Serbinë dhe politikën e saj sepse kjo marrëveshje shënon fillimin e partneritetit strategjik ndërmjet Amerikës dhe Serbisë. Largimin e saj nga influenca ruse dhe futjen e saj në procesin euro-atlantik.

Dhe për këtë arsye Kosova nuk merr asgjë nga ky proces nëse nuk e definon qartë dhe nuk harmonizohet çdo pikë dhe presje me Bashkësinë ndërkombëtare në themelimin e asociacionit.

Tani, para takimit të Ohrit, është një rast i mirë për të rikthyer vëmendjen te paragrafi i fundit i deklaratës së Departamentit të Shtetit, pas dakordësimit mbi tekstin e marrëveshjes me 27 Shkurt në Bruksel.

Rikthejeni këtë pikë në rilexim edhe disa herë që ta kuptoni seriozitetin e situatës, sepse po dëgjohen zërat se edhe më herët është thënë jo në të kaluarën. Në të kaluarën Kosova nuk ka qenë shtet dhe presioni është bartur diku tjetër, domethënë në shumë adresa dhe tek shumë individë, të cilët nuk kanë pas peshë institucionale dhe shtetërore. Prandaj, duhet qëndrim shtetëror dhe lexim të kujdesshëm politik dhe gjeopolitik.

Jo rastësisht Departamenti i shtetit ka bërë një deklaratë që i dedikohet të gjitha palëve e sidomos Qeverisë Kurti, e cila, në mungesë të përvojës dhe dijes politike ka befasuar amerikanët.

Meqë jemi shumë pak ditë para një vendimi, vëmendja e spektrit politik në Kosovë, por edhe e publikut të gjerë, duhet të vendoset te fjalia e fundit e deklaratës së Departamentit të shtetit: “Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet vendimtar për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”.

Fjala kyçe këtu është “vendimtar për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran…”.

Për të thjeshtëzuar çështjen, këtë deklaratë duhet parë në kontekstin e deklaratës së zëvendës ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, të bërë në Prishtinë, në fund të Tetorit 2022, kur ai gjatë një TV interviste për “Kanal 10”, duke insistuar që Qeveria e Kosovës të shtynte afatin për targat, me doza të pranishme zhgënjimi pati deklaruar: “Ne e kemi krijuar këtë shtet dhe mendimi ynë duhet të ketë një lloj vlere”!

Ky është një rast i mirë për të konfirmuar disa nga pëshpërimat dhe thashethemet që qarkullojnë për Qeverinë tonë dhe opozitën gjithashtu:

“Po, disa qeveri perëndimore, dhe sidomos ajo amerikane, janë thellësisht të zhgënjyera, deri në pikën e mllefit, me mënyrën si Qeveria në Prishtinë i është qasur dhe u është përgjigjur përpjekjeve perëndimore këto muajt e fundit”, thotë një burim shumë i lartë në Departamentin e shtetit.

“Spektri i gjerë politik, por edhe i gjithë publiku në Kosovë, duhet ta dijë që përkundër zhgënjimit me vendimet dhe veprimet e Qeverisë në Prishtinë, SHBA dhe aleatët e tjerë i kanë qëndruar besnik parimeve të partneritetit dhe lidhjeve të fuqishme në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Ky qëndrim i yni, vazhdon ai, ishte vendimtar që tensionet gjatë nëntorit dhe dhjetorit të mos përfundonin në një mënyrë poshtëruese për qeverinë në Prishtinë”.

Ashtu siç e ka theksuar Kris Hill në Beograd: përkushtimi për të themeluar Asociacionin, si obligim i qartë ndërkombëtar, nuk është vetëm tregues i seriozitetit të Kosovës, por tashmë është kthyer në një tregues të seriozitetit të bashkësisë ndërkombëtare, është i bindur ai për këtë çështje.

Dhe vazhdon pa ekuivokë me qëndrimin duke qenë krejt i qartë.

“Ta thjeshtëzojmë këtë punë”, thotë ai, dhe vazhdon: “Perëndimi nuk mund të jetë një faktor serioz gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, me fuqi që të detyrojë palët të angazhohen për zgjidhje të vështira, nëse nuk është në gjendje të garantojë implementimin e asaj që tashmë është dakordësuar”.

Nuk mjafton deklarimi taktik i gatishmërisë për të nënshkruar marrëveshjen. Në bisedime nuk duhet të shkohet me supozimin që pala tjetër do të refuzojë marrëveshjen. Një qasje e tillë nuk është konstruktive, përkundrazi është hipokrizi e rrezikshme, përfundon ai.

Por, ai shton edhe pikat që duhet të ketë spektri politik kosovar para datës 18 mars.

Në këtë udhëkryq vendimtar, spektri politik në Kosovë duhet të udhëhiqet vetëm me këto parime të qarta:

– T’ia rikujtojë vetes që komuniteti perëndimor është bashkëthemelues i shtetit të Kosovës, që do të thotë që, në momentet vendimtare të procesit, mendimi i komunitetit perëndimor vërtet duhet të ketë një lloj vlere thelbësore.

– Konstruktivitet dhe gatishmëri të sinqertë për kompromise dhe jo shpresa që pala tjetër do të refuzojë marrëveshjen.

– Të përmbahet nga taktizimet dhe deklarimet e panevojshme publike(si i Glauk Konjufcës dhe Kurtit në Euronews) dhe të angazhohet seriozisht në përmbushjen e pritshmërive konkrete, tashmë të detajuara, të komunitetit ndërkombëtar rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të gjithë akterët politik në Kosovë e dinë shumë mirë cilat janë pritshmëritë tona.

– Opozita në Prishtinë e ka të gjithë të drejtën e botës të kritikojë Qeverinë, por fryma e përgjithshme e veprimit opozitar nuk duhet të rrezikojë interesat strategjike të Kosovës. Çfarëdo që komuniteti perëndimor pret nga Qeveria e z. Kurti, po e njëjta vlen edhe për opozitën aktuale.

Ky është një konkludim i fortë që vjen nga një figurë e lartë e Departamentit të shtetit. E jona është të mendojmë pasojat.

Siç po shihet këtu kërcënimi vjen edhe për pavarësinë e fituar me mund. Të gjitha mund të tolerohen përveç pavarësisë dhe sakrificës së kësaj popullate.


Lajmet kryesore