Opinione / Politikë

Putin pre apo princ? Dilema e presidentit rus që kthehet në Moskë pa zgjidhje


Paolo Valentino Gazetar i "Corriere della Sera"

“As Kësulëkuqe, as Hirushe”, shkruan një politolog i afërt me Kremlin-in në gazetën kineze “Global Times” për të përshkruar gjendjen e Rusisë përballë Kinës. Sipas Andrey Kfortov, i cili kryeson Këshillin e Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, Perëndimi është i bindur se herët a vonë ujku kinez do ta kafshojë Moskën, duke e shndërruar Federatën Ruse “në shtetin e saj vasal të nënshtruar dhe të bindur”.

Nga ana tjetër, shumë analistë rusë janë të bindur se Kina në fakt është gati të hyjë në rolin e Zanës, e cila do ta bëjë Rusinë princeshë, duke fshirë të gjitha gabimet dhe ngacmimet që i imponohen nga “kushërinjtë” e këqij perëndimorë.

“Por jo”, paralajmëron Kfortov, “marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë si përralla”. Dhe Vladimir Putin, në fakt, “nuk duket si një Kësulëkuqe e pambrojtur dhe naive, as si një Hirushe e shtypur dhe e butë”. Sa i përket Kinës, ajo nuk është “as një ujk i uritur, as një zanë”. Në realitet, të dy vendet kanë interesat, aspiratat dhe prioritetet e tyre kombëtare të cilat kryesisht, por jo gjithmonë, përkojnë.

Është një analizë të cilën shumë e bashkëndajnë. Por fakti që publikohet në ditën kur lideri i Kremlin-it takohet me presidentin kinez në Samarkand flet shumë për frikën e Vladimir Putin-it, i sëkëlldisur për të përgënjeshtruar imazhin e një “partneri të vogël” përballë Xi Jinping.

Në qytetin e Tamerlane, një kryqëzim vendimtar në Rrugën e Mëndafshit, presidenti rus u përpoq menjëherë të largonte “shokun e tij të dashur” nga çdo siklet në lidhje me krizën në Ukrainë, duke thënë se “i kuptoj pikëpyetjet dhe shqetësimet”, por lavdëroi “qëndrimin e balancuar” të marrë nga Pekini për konfliktin.

Ajo që Putin priste nga samiti në Uzbekistan nuk ishte vetëm ose aq shumë mbështetje në terma konkretë, tashmë e dukshme në rritjen e blerjeve kineze nga Rusia, sesa një “përfshirje më të madhe të Kinës në diskursin për përplasjen me Perëndimin, domethënë një mbështetje më të sinqertë prej retorikës së Pekinit kundër hegjemonisë globale të SHBA-së”, thotë Temur Umarov, një specialist i marrëdhënieve ruso-kineze në Fondacionin Carnegie në Moskë.

Dhe në këtë front, diçka, por jo shumë, lideri rus ka arritur të fus në xhep. Në fakt, qëllimi i Pekinit është të kujdeset për aleancën strategjike me Moskën, për të kundërshtuar fuqinë ekonomike amerikane dhe presionin ekonomik perëndimor mbi Kinën, pa u ekspozuar shumë në mbështetjen e Rusisë në nivel taktik. Kështu, shpjegon Umarov, vështirë se do të ketë mungesë të teknologjisë kineze për përdorim ushtarak, “por për të ardhmen mendoj se kinezët do të ngrenë mekanizma të veçantë, sipas modelit të asaj që bënë me Iranin dhe Korenë e Veriut, për të eksportuar know-how, dijeni, ushtarake drejt Rusisë pa pasur sanksione”.

Udhëtimi i Putin-it në Samarkand, i dobishëm për të dalë nga qoshja dhe për të treguar se ka ende “miq” në botë, nuk mund të fshehë vështirësitë dhe grackat me të cilat përballet Cari.

Përmbysja ushtarake në frontin ukrainas dhe alarmi i ngritur nga këshilltarët e tij për gjendjen reale të ekonomisë ruse, e vendos Carin përpara zgjedhjeve që ai nuk mund t’i shtyjë për shumë më gjatë.

Gjëja më problematike dhe e menjëhershme është nëse duhet reaguar me një përshkallëzim ushtarak, i cili do të kërkonte një mobilizim të pjesshëm dhe rrjedhimisht fundin e qetësisë së dukshme të brendshme. Nëse do të ndodhte, pakënaqësia e popullsisë mund të ishte e shfrenuar. Nëse nuk do ta bënte, ai do të rrezikonte të inkurajonte forcat ukrainase që të jenë më të guximshme, për shembull duke filluar të godasin objektiva direkt në territorin rus.

As Kësulëkuqe dhe as Hirushe. Por sigurisht në një situatë problematike.


Lajmet kryesore