Kanë kaluar 17 vjet nga 10 shkurti i vitit 2007. Në konferencën e Mynihut, pakkush e kishte kuptuar realisht se çfarë kishte bërë Vladimir Putin me një fjalim agresiv, i cili rezultoi të ishte edhe përcaktimi i të asaj çfarë është sot politika ruse – me një luftë aktive në zemër të Evropës.
Konferenca e Mynihut e shkurtit 2024, flet tashmë për një të tashme më shumë se të zymtë.
Është për t’u theksuar se mbetet ndër konferencat vjetore me rëndësinë më të lartë sa i përket gjeostrategjisë botërore dhe shqetësimi më i madh përpos luftës në Ukrainë, është një dhe i vetëm: Ballkani Perëndimor.
Gjërat nuk ngjanin as më shumë e as më pak të rrezikshme në vitin 2007, me sa ngjajnë tani në vitin 2024 në Ballkan. Nuk duhet më as një shkrepëse për ta ndezur këtë fuçi baruti, por një shkëndijë e vetme.
Në Myhin, kështu, tre gjëra madhore ndodhën për Ballkanin:
-Liderët problematikë ballkanas
Pati një panel me rëndësi për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian pasditen e 17 shkurtit në Myhin.
Në të po flisnin liderë të Ballkanit Perëndimor. Por në sy ra fakti se veç tre prej tyre ishin të ftuar.
Në panel ishin kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, si edhe ai malazez, Jakov Milatoviç.
Nuk është rastësi që të tre këta liderë, përfaqësojnë vendet Ballkanit Perëndimor, të cilat janë anëtare të NATO-s.
Serbia, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina u lanë jashtë panelit.
Qartësisht këto janë tre vendet me problemet më të mëdha në Ballkan dhe përpos kësaj, janë tre vende me liderë tejet problematikë, për atë çfarë Evropa dhe SHBA-të kërkojnë.
Flirti i Aleksandar Vuçiç me Putinin nuk kërkohet më as të fshihet nga e dukshmja. Albin Kurti gjendet me një përvojë në krye të Kosovës, që ka siguruar veç sanksione dhe deklarata të qarta se qeveria e drejtuar nga ai, nuk quhet më partnere e amerikanëve, nëse këta të fundit nuk vlerësohen si të tillë.
Në Bosnjë, Milorad Dodik është problemi më i madh, por jo edhe i vetmi, me kaosin brenda tre presidencave.
Probleme reale ka edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, por qenia e këtyre vendeve në NATO i zbut perceptimet dhe i lejon të trajtohen brenda vetes me seriozitet dhe me ndërkombëtarët më nën kontroll të situatave.
Shqipëria aktualisht është i vetmi partner jo vetëm i palëkundur i Perëndimit, por edhe më i qëndrueshmi, me “konfliktin” më të madh, atë sporadik me Greqinë për çështjen Fredi Belerit.
Kështu, sytë e të jashtmëve janë për nga liderët problematikë dhe veçanërisht dy prej tyre: Kurti dhe Vuçiç.
-Primitivizmi i Vuçiç
Jo gjithçka është e dukshme gjithnjë në konferenca të përmasave të tilla.
Kjo e Mynihut 2024 megjithatë, u shënjua edhe më thellë, pasi paralelisht nga Siberia, erdhi lajmi se kryeopozitari i burgosur rus, Alexei Navalny, kishte vdekur në burg.
Yulia Navalany, bashkëshortja e tij, së bashku me fëmijët, duhet ta mësonin nga larg, pikërisht nga Mynihu ku ishin të pranishëm, lajmin e kobshëm.
E veja Navalny tashmë ishte vënë përpara një zgjedhjeje: Të vajtonte bashkëshortin e saj martir, ose të mbante fjalën e parashikuar në Konferencë.
Bëri këtë të dytën, me vetëpërmbajtje të madhe dhe me vendosmëri në fjalën e saj kundër regjimit të Vladimir Putin.
E gjithë salla u çua në këmbë në këtë ngjarje të pashoqe, duke e duartrokitur guximin e Yulias dhe kujtimin e luftës së paepur që Navalny (një hero i vlerave perëndimore) bëri kundër Putin deri në frymën e fundit.
Përveç një personi…Aleksandar Vuçiç!
Ky i fundit, në mënyrë të pashembullt, me një skenë krejtësisht primitive, u çua në këmbë në përfundim, por asnjë trokitje të vetme duarsh nuk ia denjoi shembullit të rezistencës ndaj regjimit të Putinit.
Mendja e Vuçiç qartësisht shkoi për nga i rreh zemra dhe Evropa e Amerika e dinë tanimë se nuk mund të ndryshohet kahja ruse e Serbisë.
-Tre javë për dialog
Kosova dhe Serbia, dialogu mes tyre, “main event” i vërtetë i Konferencës sa i takon Ballkanit Perëndimor. Vetëm se jo në protokolle të Konferencës, por thjesht në margjinat e saj.
Nga një anë, margjinat, shfrytëzohen për takime si ai i Edi Ramës me Hillary Clinton – kortezi të rastit mes partnerësh, të cilët e gjejnë veten në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë dhe përmendin bashkëpunimin e fuqishëm.
Kosova dhe Serbia megjithatë ia kanë sjellë Bashkimit Evropian – edhe Amerikës – në majë të hundës me bisedimet mes tyre.
Dy shtete, të cilat parimisht kanë rënë dakord për një marrëveshje dhe për implementimin e anekseve të Ohrit, por që nuk bëjnë asgjë për ti zbatuar ato.
Përkundrazi, krijojnë më shumë kaos mes vetes dhe me ngjarje tejet të rënda, si sulmi në Banjskë, i cili rrezikonte të risillte luftën e vërtetë në Ballkan.
Qëndrimi amerikan dhe evropian është tashmë i prerë: Tre javë kohë për angazhim serioz.
Kjo është koha e dhënë nga ndërkombëtarët për Kosovën dhe Serbinë që të marrin masat dhe të ulen seriozisht në tryezat e ndërmjetësuara nga Brukseli.
Kush mendon se SHBA-të nuk janë në këtë linjë, mjafton të kthehen pas në kohë vetëm tre ditë: 15 shkurt 2024, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në konferencë me kryeministrin Rama, thotë se Washingtoni nuk ndjek asnjë dialog tjetër, veç atij të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Nëse tre javët e ardhshme kalojnë shterpë? Do të ketë masa dhe sanksione shtesë. Këtë herë si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Beogradit. (Ky i fundit e “shpëtoi lëkurën” me masat e para shtrënguese).
Sërish, sinjalet e një konference të tillë me kaq rëndësi si e Mynihut, nuk mund të merren lehtë.
Perëndimi gjendet në çaste kritike politike, pasi ka zgjedhje në BE, por ka edhe zgjedhje në SHBA.
Kosova, Serbia, ndoshta i gjithë rajoni në vetvete, i pret me ngashërim ato, pasi dinamikat mund të ndryshojnë në varësi të fituesit.
E djathta ekstreme brenda BE-së po fiton terren. Trump shfaqet përpara në sondazhe aktualisht.
Por pyetjen ballkanasit duhet t’ia drejtojnë vetes: Politikanët perëndimorë ndryshojnë, por a kanë ndryshuar politikat e tyre për rajonin në këto dhjetëvjeçarë?