Opinione / Politikë

Pse duhet të thyejmë lidhjet mes politikës, krimit dhe korrupsionit?


Sir Stuart Peach I dërguari special i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar më ka ngarkuar me forcimin e marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, rritjes së sigurisë energjetike, bashkëpunimit kulturor, sigurisë dhe mbrojtjes dhe luftimit të krimit të organizuar së bashku.

Unë jam një mysafir i shpeshtë në vendet e rajonit dhe sapo jam kthyer nga Tirana, Shkupi dhe Podgorica, ku kam dëgjuar një mesazh zëlartë dhe të qartë nga njerëz të të gjitha shtresave: të rinjtë po largohen, të dëbuar nga mungesa e mundësive, duke ndjerë se nuk mund të kenë sukses nëse nuk kanë lidhje politike dhe të frustruar nga korrupsioni i rrënjosur.

Ata na kërkojnë të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe t’u kërkojmë liderëve të tyre që të japin llogari për këtë.

Institucionet, shoqëria civile, gazetarët dhe zyrtarët e drejtësisë penale po punojnë për të ndërtuar demokraci të begatë dhe të sigurtë.

Shumica e përpjekjeve reale do të jenë në terren, në të gjithë Ballkanin Perëndimor – përpjekje nga prokurorë të ndershëm, gazetarë të guximshëm, policë të përkushtuar, udhëheqës vizionarë.

Në Shqipëri, me reformën në drejtësi, Agjencinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKI), kemi erën që po fryn kah ndryshimit.

Mbretëria e Bashkuar është me ju në këtë përpjekje. Përparimi është duke u bërë. Disa njerëz që më parë mendonin se ishin të imunizuar tani janë në burg.

Por të tjerët ende veprojnë sikur nuk do të ndëshkohen për keqbërjet, sikur shteti i së drejtës të mos zbatohet njësoj për të gjithë.

Dhe kështu ne po shtojmë përpjekjet tona për të prishur lidhjet midis politikës, biznesit dhe aktivitetit të paligjshëm, si në mbarë botën ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ne kemi caktuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën nën regjimin tonë të sanksioneve globale kundër korrupsionit që nga fillimi i tij.

Një regjistër i ri i subjekteve jashtë shtetit, që kërkon që ata që qëndrojnë pas kompanive të huaja të cilët zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të zbulojnë identitetin e tyre.

Kjo, sipas Aktit të Krimit Ekonomik. Dhe ne kemi krijuar një “Qelizë të Kleptokracisë” të re me bazë në Agjencinë Kombëtare të Krimit, për të synuar evazionin e sanksioneve dhe asetet e korruptuara ruse të fshehura në Britani.

Këtë javë, ne ndërmorëm veprime përçarëse kundër disa individëve shqiptarë me lidhje të publikuara dhe të dokumentuara mirë me kriminalitetin dhe korrupsionin.

Kjo është vala e parë e një sërë veprimesh që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe dhënien fund të mosndëshkimit.

Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh në dispozicion për të penguar individët me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin, duke përfshirë emigracionin dhe përçarjen ekonomike.

Detajet e këtyre veprimeve mund të mos jenë gjithmonë publike.

Mbështetja që disa personazhe publike marrin nga kriminelët në këmbim të korrupsionit të tyre mbyt zërin e popullit shqiptar.

Siç tregon raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, blerja e votave dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdojnë të jenë një problem madhor në politikën shqiptare.

Për sa kohë që politikanët janë në gjendje të punojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe frikësuar votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë.

Tani nevojiten ndryshime të mëtejshme dhe reforma zgjedhore. Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri – dhe më gjerë në rajon – nënkuptojnë gjithashtu se shuma të mëdha fondesh shtetërore, të mbledhura nga taksapaguesit e zakonshëm, nuk arrijnë kurrë te shkollat, spitalet dhe rrugët që shqiptarëve u duhen për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë.

Për të gjithë ju në Shqipëri dhe rajon që përpiqeni për reforma, kam gjithashtu një mesazh: ne do t’ju mbështesim në reformat tuaja në drejtësi, të cilat kanë ndihmuar në eliminimin e zyrtarëve të korruptuar dhe kanë çuar në ndjekjen penale të figurave të pushtetshme.

Ne do t’ju mbështesim në reformimin e zgjedhjeve tuaja dhe në të gjitha përpjekjet tuaja për transparencë, llogaridhënie dhe demokraci.

Ne do të ndihmojmë në rritjen e angazhimit qytetar për të kërkuar llogari nga qeveria.

Ne përshëndesim ata gazetarë të guximshëm investigativë që kanë ekspozuar korrupsionin dhe lidhjet midis politikës, biznesit dhe krimit – shpesh përballë dhunës dhe frikësimit nga kriminelët.

Ata duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë me mbrojtjen e plotë të qeverive dhe agjencive ligjzbatuese dhe me mbështetjen e atyre që e vlerësojnë lirinë.

Ne jemi me ju në rrugëtimin tuaj për të ndërtuar shtetin që populli juaj meriton.

Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për ata që janë të përfshirë në krim ose korrupsion është ky: promovimi i krimit ose korrupsionit – qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë – nuk do të kalojë pa pasoja dhe nuk do të jeni të mirëpritur në MB.

Ata individë që e bëjnë këtë dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre. Qoftë nëpërmjet sanksioneve, veprimeve të imigracionit apo politikave të mosangazhimit, Britania do të veprojë për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Së bashku do të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin.


Lajmet kryesore