

Kush thotë se ndryshimet qeveritare të Edi Ramës ishin të pakta, ose të papërfillshme, le ta rimendojë.
Çfarë më shumë duhet të ndryshojë një kryeministër në kabinetin e tij, për t’i quajtur ato zëvendësime të qenësishme?
Në më pak se një muaj, gjysma e kabinetit është rinovuar.
Ministri me emër dhe peshë të lartë në këtë retushim: ajo e Brendshme, e Jashtme, e Financave dhe Ekonomisë, Shëndetësia, Arsimi, Bujqësia (edhe pse ndryshim të brendshëm).
Nëse do të shtohej edhe Mbrojtja dhe Drejtësia, praktikisht do të kishim një ekip krejtësisht të ri qeveritar, në mesin e mandatit të tretë të Ramës.
Ndaj, nuk është për të pasur mungesë habie në ndryshimet e kryera, apo të kritikohet se ka pasur shumë pak, pasi e gjithë shtylla kurrizore ka ndryshuar për Qeverinë Rama III.
Shqetësimi real qëndron tjetër kund – brenda forcës politike!
Çfarë të ndërsjellte ka Partia Socialiste nga Partia e copëzuar Demokratike, përveçse një lider të fortë ende energjik dhe aktiv?
Pyetjen le t’ja shtrojë vetes çdokush, nëse ndopak i dhemb aspekti politik shqiptar…
Dikur, me diskurse të ashpra brenda sojit, i ndjeri Bashkim Fino, në mes të kongreseve apo asambleve të PS-së, ia përplaste mendimin e tij në sy kryetarit të asaj kohe, Fatos Nanos.
Individualiteti dhe mendimi kundër ishte i vlerësuar në PS. Në atë PS, ku sot kryetari mban një fjalim thuajse 1 orë e 25 minuta përballë eksponentëve, merr duartrokitje katër herë, disa buzëqeshje, ndonjë shkelje syri, apo edhe shikime të shtrembëra.
Por kaq!
Origjinaliteti dhe liria e shprehjes publike të idealit në PS janë të vdekura.
Në kabinet ka ministra të cilët nuk kanë meritë jo vetëm pse janë aty, por edhe për mosbërjen e asgjëje ndër vite.
Kush ende e mban mend se një ministre e Fëmijëve dhe Rinisë mban detyrën? Sa herë është përmendur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, për vitin më të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka parë ndonjëherë nga vizitorët?
Vlerësim nuk ka në fakt as për ata, të cilët të paktën ende përpiqen të mbajnë gjallë një diskurs politik në staturën e tyre.
Elisa Spiropali është ndër rastet.
E vetmja “armë” parlamentare kundër Sali Berishës, e cila përballjet me këtë të fundit i ka pasur të pakursyera në sallën e Parlamentit, por e qëndrueshme në të vetëm në një pozitë të ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Taulant Balla, vetëm së fundmi u emërua në Ministrinë e Brendshme (e para për të) dhe të paktën në komunikimin publik që ka, po e tregon se besimi, nuk ka qenë rastësor.
Por boshti i sotëm i PS-së – nëse i tillë mund të quhet – është teknikisht i vdekur në kopje të shëmtuara të kryetarit aktual, apo gjoja përdorues të teknikave demode të komunikimit medial.
PS-ja dhe qeverisja në tërësi, e kanë një problem serioz në vetvete. Ato funksionojnë brenda një grupi politik, por distancën ndaj llogaridhënies, e kanë serioze.
Heshtja, është altituda politike e socialistëve sot, me një humbje tërësore të dinjitetit e njerëz të munguar në dallueshmëri, të sertë, pa këllqe politike.
Persona, të cilët nuk e kanë dhe nuk do ta kenë, brenda apo jashtë PS-së, një grimcë pëlqyeshmërie publike.
Vetë Rama, karrierën politike e nisi si ministër, e më tej si kryetar i Bashkisë Tiranë. Ajo çfarë atë e veçoi gjithsesi, ishte ndjesia për garë, lakmia për të qenë i pari dhe mospasja e frikës ndaj asgjëje (është rrahur, kërcënuar, poshtëruar politikisht), dhe sot është kryetar e kryeministër.
Dikush, nëse do që ende ta shohë PS-në funksionale në vitet e ardhshme, duhet të dalë dhe ta thotë më në fund: Unë nuk e dua karrigen e Edi Ramës. Unë dua pozitën e tij!
Lajmet kryesore
-
Shtëpia e Bardhë e shqetësuar me dislokimin e trupave serbe pranë kufirit: Të gatshëm t’ia sigurojmë burimet KFOR-it
-
Suficiti buxhetor i Shqipërisë trefishohet në tetë muajt e parë të 2023-it
-
Hapen qendrat e votimit në Sllovaki, Ukraina në krye të axhendës
-
Shtetet e Bashkuara i treguan “kufijtë” Serbisë, përmes të gjitha rrugëve diplomatike