Kur Partia Demokratike e Shqipërisë shpalli një tjetër protestë në emër të destabilizimit të qeverisë, dhe kundër korrupsionit, pak gjëra duken të reja.
Një pjesë e popullatës së Tiranës e ka parë tashmë këtë skenar të përsëritur; kërcënimet për “përmbysje” dhe trazira, të shoqëruara me thirrje për rebelim kundër një qeverie të korruptuar.
Por në thelb, kjo është një taktikë e njohur për liderët politikë që ndodhen në një pozicion të dobët.
Jo rastësisht, protestat shumicën e herëve nuk janë përpjekje për të sjellë ndryshim real, por një strategji për të shpëtuar nga një humbje e pashmangshme.
Kjo lloj strategjie ka një histori të gjatë në politikën globale.
Shumë liderë të dobësuar, përpara se të përballeshin me drejtësinë, janë përpjekur të krijojnë trazira për të shmangur fatin e tyre personal.
Në vitin 1989, Nicolae Ceaușescu, që nuk ka shumë ngjashmëri me Berishën si politikan sepse ai ka qenë një diktator i Rumanisë, por ka ngjashmëri situata politike e tanishme për ta marrë si shembull politik.
Ai tentoi të organizonte një tubim të madh në shesh për të treguar mbështetjen popullore, dhe mendonte se një manifestim i tillë do të frenonte kritikat dhe do të forconte pozitën e tij në pushtet.
Por, realiteti ishte ndryshe: njerëzit që dolën për ta mbështetur, shndërruan sheshin në një arenë proteste kundër tij, duke e përmbysur regjimin.
Në vend që të forconte pushtetin, tubimi zbuloi dobësinë e tij ekstreme.
Sot, në Shqipëri, Sali Berisha është përballur me një situatë të ngjashme.
Pas më shumë se tre dekadash në politikë, ai ndodhet në një udhëkryq kritik: arrestimi i bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si Ervin Salianji, dhe hetimet ndaj tij dhe familjarëve si duket janë të pashmangshme.
Në këtë moment, Berisha, ka zgjedhur që mos të përballet me pasojat, përkundrazi, po kërkon të krijojë një “rebelim” për të larguar vëmendjen nga vetja.
Por, ai nuk ka më as fuqinë e mëparshme dhe as mbështetjen që dikur e ngriti në pushtet.
Problemi i Berishës është një – pafuqia e tij aktuale.
Nëse Berisha dhe PD-ja do kishin fuqinë për të përmbysur qeverinë e Edi Ramës, kjo do të ishte bërë me aksion konkret, jo me kërcënime.
Historia politike e ka dëshmuar shpesh se liderët e vërtetë nuk kërcënojnë publikisht për “përmbysje” dhe “destabilizim”.
Ata veprojnë në heshtje dhe me saktësi prej strategu politik.
Ta zëmë, kur Nelson Mandela u përball me regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, ai nuk ngriti tonet dhe nuk kërcënoi publikisht.
Ai përdori mbështetjen popullore dhe ndërkombëtare për të rrëzuar një sistem të padrejtë me vendosmëri dhe qetësi.
Ndërsa Berisha e di mirë se fuqia e tij ka rënë, ai ka zgjedhur taktikën e vetme që i ka mbetur: retorikën e zhurmshme dhe të dëshpëruar.
Protestat që po organizohen përtej çështjes së Salianjit janë, në fakt, një tentativë për të mbrojtur Berishën nga arrestimi i tij i ardhshëm.
Ai kërkon të paraqesë veten jo si një hajdut, por si një rebel që po lufton për kauza të larta. Por realiteti është se Berisha po përpiqet të shpëtojë vetëm veten.
Arrestimi i Salianjit është thjesht një prelud, një fillim i asaj që pritet të vijë për Berishën dhe për shumë nga njerëzit e tij më të ngushtë.
Nëse e analizojmë këtë situatë në një kontekst më të gjerë historik, shembuj të tillë të protestave të dobëta për të mbrojtur liderët politikë nuk janë të rralla.
Në vitin 2011, presidenti sirian Bashar al-Assad organizoi disa protesta pro-qeveritare në përpjekje për të ndalur lëvizjet anti-regjim që po rriteshin në vend.
Ai donte të paraqiste një pamje të fuqisë dhe mbështetjes popullore, por në vend të kësaj, u duk qartë se këto lëvizje ishin të sajuara dhe të dobëta.
Rezultati i një lëvizjeje të tillë është gjithmonë i njëjtë: pushteti opozitar përfundon duke u shembur nën peshën e vet, ose duke kërkuar ndihmë nga një fuqi më e madhe, siç bëri Bashari me Rusinë.
Nuk dua të aludoj në mbështetje ruse për Berishën, por aludimi shkon krejt të ndryshimi i pushtetit në Amerikë.
Në Shqipëri, Berisha po ndjek një skemë të ngjashme.
Retorika e tij për “përmbysje” dhe protesta masive është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga akuzat e korrupsionit dhe nga arrestimi i mundshëm i afërt.
Por, është gati bindje se gjithçka që mund të arrijë është një zhurmë kalimtare që nuk sjell asgjë reale në terren.
Mungesa e mbështetjes masive dhe pafuqia për të vepruar e bën të qartë se këto protesta janë të dënuara të dështojnë.
Në fund, Shqipëria është në prag të një momenti historik për të ardhmen e saj evropiane.
Me fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi po hyn në një fazë të re dhe më të rëndësishme.
Berisha e di që çdo protestë që synon destabilizimin e qeverisë në këtë moment do të perceptohet si përpjekje për të prishur këtë proces historik.
Dëshira për t’i prishur njerëzve çdo festë është bërë një zakon për të.
Megjithatë, qeveria e Edi Ramës ka arritur të avancojë vendin në arenën ndërkombëtare, pa marrë parasysh që po e rëndojnë aferat korruptive, ndërsa Berisha ngelet i bllokuar në skenën dhe skemën e vjetër të konflikteve të brendshme.
Kjo është një situatë e njohur në politikë: kur liderët e dobësuar përpiqen të përdorin protesta për të mbajtur pushtetin, rezultati është shpesh kundërprodhues.
Në fund, do të vijë një ditë kur Berisha do të dalë përpara gjykatës jo si rebel që lufton për kauza të mëdha, por si një ish-lider i akuzuar për korrupsion, i braktisur nga koha dhe historia.