Presidentja që flet si profesoreshë, por hesht si e papërgjegjshme

Presidentja duhet të jetë në krye të protestës sepse heshtja institucionale kërkon zgjim qytetar qoftë duke e rrethuar Parlamentin e Kosovës
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Presidentja që flet si profesoreshë, por hesht si e papërgjegjshme

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Në një shtet ku Kushtetuta është më shumë se një dokument: është premtimi themelor për ekzistencë dhe veprim institucional, heshtja e Presidentes së Republikës përballë dështimit të Kuvendit për t’u konstituuar brenda afatit kushtetues është më shumë se një mungesë qëndrimi. Është një dorëzim i funksionit që i është besuar.

Kur kalojnë tridhjetë ditë nga shpallja e rezultateve dhe Kuvendi i dalë nga vullneti i popullit nuk arrin të marrë jetë institucionale, shteti nuk ndodhet më në krizë politike, por në krizë të qenies. Në këtë krizë, Kushtetuta nuk kërkon vetëm të lexohet: kërkon të mbrohet. Dhe garant i saj nuk është askush tjetër përveç Presidentes.

Ajo nuk është thjesht një figurë e vendosur në neutralitet. Ajo është juriste. Njohëse e sistemit. Personifikim i unitaritetit institucional. Heshtja e saj nuk është qetësi filozofike, por është një braktisje e obligimit për të vepruar kur shteti hyn në vakum. Kushtetuta nuk është hartuar që të bllokojë funksionimin e shtetit, por që t’i detyrojë aktorët politikë të veprojnë, të ndërtojnë institucione, të mos lejojnë zbrazëti.

Në këtë kontekst, Presidentja duhet të kishte vepruar: të thërriste palët në tryezë politike. Të kërkonte kompromis. Dhe në mungesë të tij, të dërgonte çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, jo për të marrë autorizime që nuk i ka, por për të kërkuar sqarim institucional mbi një situatë që nuk ka precedent.

Nuk është e lejueshme që një republikë të ngecë në ciklin e vet përfaqësues dhe Presidentja të sillet si një lektore e pasivitetit, që e sheh krizën si ese abstrakte. Funksionaliteti i shtetit është përgjegjësi e saj. Heshtja e saj e zgjat gjymtimin institucional. E bën republikën një formë pa përmbajtje.

Nëse Presidentja nuk e ndjen peshën e këtij obligimi, atëherë e gjithë teoria e saj për unitet, integritet dhe maturi kushtetuese bie nën peshën e një realiteti të hidhur: se Republika nuk ka garant, por një figurë që ka zgjedhur heshtjen përpara përgjegjësisë.

Në një demokraci, më shumë se dija formale, kërkohet ndershmëri kushtetuese. E Presidentja, sot, e ka humbur të dyja.

Kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e Republikës: se edhe kur Kushtetuta shkelet në mënyrë flagrante, garantët e saj mund të zgjedhin të mos reagojnë. Presidentja, nëse vazhdon të heshtë, jo vetëm që lë vendin në vakum, por vendos edhe një model të ri, se krizat mund të menaxhohen me neglizhencë, se funksionet mund të mos ushtrohen dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Dhe për ata që përmendin zgjedhjet e reja si zgjidhje, duhet të thuhet qartë: pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të ketë as shpërndarje parlamenti e as cikël të ri zgjedhor. Bllokada pas 30 ditëve nuk sjell zgjidhje automatike.

Përkundrazi, e betonon krizën. Sepse për të shpërndarë Kuvendin, ai duhet më parë të ekzistojë si trup funksional. Prandaj, në këtë gjendje, shteti ngec jo në tekstin e Kushtetutës, por në mosveprimin e atyre që duhet ta mbrojnë atë. Nëse edhe Presidentja e Kosovës e sheh këtë si normale, atëherë e ardhmja institucionale e vendit është lënë në dorë të rastësisë.

Nëse aktorët politikë, nga partitë deri te vet Presidentja e Republikës, nuk e zgjidhin urgjentisht këtë krizë të moskonstituimit të Kuvendit, qytetarët kanë çdo të drejtë morale e demokratike për të mos i njohur më si përfaqësues legjitimë. Ky “kërcënim qytetar” moral e politik, ndonëse me tone të ashpra, mbetet brenda kornizave etike e demokratike, ai përfshin masa simbolike të mosbindjes demokratike, si refuzimi për t’i votuar, mospjesëmarrja në aktivitetet e tyre publike apo edhe moslejimi i hyrjes së tyre në institucione.

Në vende të tjera është dëshmuar fuqia e kësaj forme paqësore të ndëshkimit institucional. Kujtojmë rastin e Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2013, kur mijëra qytetarë rrethuan parlamentin dhe nuk lejuan politikanët të largoheshin derisa të fillonin të kryenin detyrën e tyre . Edhe në Kosovë, mesazhi është i qartë, legjitimiteti i pushtetit buron nga përgjegjësia ndaj qytetarit, dhe nëse kjo përgjegjësi neglizhohet, atëherë qytetarët do t’u mohojnë përfaqësuesve të papërgjegjshëm privilegjin e përfaqësimit. Pse jo edhe presidentja te tregoi veten dhe ti prij protestes.

Prandaj, një protestë e tillë, e udhëhequr nga Presidentja, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të funksionalitetit të institucioneve dhe respektimit të Kushtetutës.

Nëse partitë politike vazhdojnë të injorojnë detyrimet e tyre, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ndryshime përmes mjeteve demokratike dhe të sigurojnë që zëri i tyre të dëgjohet.