Opinione / Editoriale

Post protestë – Basha vijon të drejtojë PD-në


Vitjon Nina Gazetar pranë Albanian Post prej janarit 2021

Shqipëria, në tre dekada regjimi demokratik në vend, ka parë protesta të shumta, nga më paqësoret, në më të dhunshmet e mundshme, por një të tillë si ajo brenda llojit që ngjau me Partinë Demokratike të shtunën e 8 janarit, nuk ia kishin zënë sytë.

Jo për pamjet e vandalizmat që u transmetuan, sa për aktin e paprecedentë midis idit dhe egos, ku e para vijon të përjetohet në një pleqëri të vonë politike nga Sali Berisha dhe e dyta, në një maturi identitare të Lulzim Bashës.

“Luftë” midis vandalëve e qëndrestarëve janë parë gjatë në histori dhe kur ajo bëhet brenda llojit e sojit, është gjithnjë më e ashpër.

Berisha, si politikani më jetëgjatë në demokracinë shqiptare, ka parë të shumta, por asnjë si kjo.

Protesta e 8 janarit, e nxorri Berishën dhe krijesën e tij politike krejtësisht zbuluar. Ai me të vërtetë pretendoi se ajo do të qe paqësore, por gjuha e trupit dhe aktet protestuese e tradhtuan.

Në skenë u rishfaq – i pandryshuar – Berisha politikan, me gjuhën e tij të ashpër dhe sulmuese, në kërkesë për piedestalin e lënë dhënë hua.

Veçse, ashtu si e vërtetuar më parë, dhuna nuk fitoi!

Me skenar nga ana e Bashës siç pretendon Berisha ose jo, ndryshimi i fronit nuk erdhi.

Kjo, pasi në një vend demokratik si Shqipëria, edhe brenda demokratëve, të cilët i dhanë frymë regjimit, fitorja bëhet me votë.

Shfaqja e dhunës nga ana e demonstruesve të Berishës, nuk arriti asgjë, përveçse e avantazhoi Bashën.

Ky i fundit, e ka kuptuar se sovrani, është institucioni dhe parimin mbi këtë premisë, nuk e zhbën dot askush.

Basha tregoi durim në përballjen me Berishën. Ai e “fortifikoi” selinë, si godinë të institucionit që përfaqëson.

Por, mbi të gjitha, ai ruajti institucionalitetin e Partisë Demokratike.

Basha ka nga ana e tij jo thjesht postin dhe vulën, por edhe strukturat e forcës politike.

Mbledhjet e Këshillit Kombëtar – organ më i lartë i partisë – i drejton ai. Degët drejtohen po nga ai. Kuvendi Kombëtar, gjithashtu.

Me çështjen e demokratëve në Gjykatë, vetëm kjo e fundit mund të japë një mendim mbi ndodhitë.

Ndaj, pikërisht për këtë fakt, dhuna nuk mundej kurrsesi të ishte fituese. Kjo, edhe në rast se Basha do të nxirrej nga selia.

Por Berisha – as simbolikisht – nuk e arriti këtë gjë.

Partia Demokratike, njësoj si shteti demokratik, ndryshimet i sjell juridikisht, jo me anë të grushteve të formave të ndryshme.

Juridikisht, Berisha nuk e zotëron PD-në. Gjykata, të kundërtën mund ta vendosë.

Por mëngjesi i 9 janarit, Bashën e gjen në zyrën e tij, nën drejtimin e opozitës.

Berishën, në vendnumëro, me një kauzë në shuarje.


Lajmet kryesore