Opinione / Kulturë

Pop-i (s’)është art


Xhezair Dashi Xhezair Dashi është gazetar i Kulturës në Albanian Post. Ai studion për Filozofi në nivelin Master në Universitetin e Prishtinës.

Në qarqe më të rafinuara intelektuale dhe artistike, muzika Pop shihet si e konsumueshme, e prodhuar për të përdorur dy-tri herë, dhe të hidhet në shportën e harresës; për t’u prodhuar përsëri, e për t’u hedhur përsëri, ad infinitum.

Muzika Pop, thonë ata është “komerc”, për t’u tregtuar; është imazh, seduksion, joshje, për t’u konsumuar prej adoleshentëve dhe njerëzve pa formim intelektual dhe estetik. Kjo servohet, prandaj, edhe konsumohet. Për ta, është jashtë çdo konsiderate që muzika pop të quhet art. Adazheja e famshme artikulohet kështu “Nuk është art, është thjesht pop”.

Teoricienët si Adorno dhe Horkheimer pop-kulturën e shihnin si instrument të kontrollit politiko-ekonomik, si instrument për të gjeneruar konformizën prej ekraneve, si industri e kulturës ose, thënë në fjalë të tyre, “liria për të zgjedhur atë që është gjithmonë e njëjtë”, ose ndoshta edhe siç jehon në shkronjat e shkrimtares angleze Virginia Woolf , kur shkruan se “askush nuk mund të jetojë jashtë kësaj makineri, për ndoshta as më shumë se gjysmë ore”.

Paradigma e ‘mendimit’ ose e cogito-s është rrënuar që kohë, dhe tash jemi në universin e ‘pamjes’ ose imago-s. Siç thotë Joan Fontcuberta, aksiomatikisht “Imago, Ergo Sum”. Pikërisht imazhi është përdorur nga pop-media si seduksion ose joshje ekstatike, ekstravagante, që ka atraksion seksual, që është kontagjion në botën tonë ekskluzivisht vizuale, pra, imago.

Sidoqoftë, ideja e përgjithshme është si të ekstraktohet një dozë sado minimale e artit në këngë të tilla si ajo e Taylor Swift: “Welcome to New York. It’s been waiting for you. Welcome to New York. Welcome to New York. Welcome to New York. It’s been waiting for you. Welcome to New York.Welcome to New York”, ose ajo e “institucionit” tonë ultra-kulturor siç është Morena Taraku: “I got rrrrr money rrrrrrrr money, real money, rrrrrrr money, rrrrr money, real money” Si do të mundeshim?

Një studim i inxhinierit softuerik Andrew Powell-Morse, analizoi të dhënat e marra nga 225 tekste të këngëve në top lista të botës për të matur sofistikimin lirik të tyre, dhe rezultatet nuk janë fare befasuese. Që nga viti 2005, tekstet vijnë e bëhen më të marra. Në ‘Song Intelligence Metrics’ të Andrew-s për pop-artistët 2005-2014, në fund të listës qëndrojnë Ke$ha, Lady Gaga, Maroon 5, ku mosha mesatare në kuptimin e teksteve të tyre shkon në klasat e para-dyta.

Emri jem ty po t’pëlqen, kom ni shumë që pe përmen, emri jem ty po t’pëlqen, kur je broke ty t’bon me lekë”, për ta përkthyer në sofistikën e Morena Tarakut, një këngë e cila një ditë ndoshta do të elektrizojë edhe Rock and Roll Hall of Fame-in, ku i dihet!

Dhe, si konkluzion Andrew thotë se: “Më shumë se gjithçka tjetër, këto gjetje na kujtojnë se sa kënaqësi e madhe është të jesh i pamend. Por në fund të fundit, asgjë keq nuk ka me të qënit i tillë”.

Megjithatë, le t’i lëmë të qetë gjenitë e lartpërmendur në lartësinë artistike të paprekshme të tyre, dhe të inspektojmë të gjitha anët e mundshme të medaljeve të vlerësimit të zhanrit Pop, si formë artistike apo jo, së pari, ose së paku definiconalisht të përcaktojmë se çka është muzika Pop? Por në fakt, këtu shfaqen problemet dhe mospajtimet më të mëdha.

ADN-ja e botës moderne, është pop. Kaptitalizmi, demokratizimi, dhe globalizimi i kulturës në përgjithësi, si mass-kulturë, është pop. Është krejt një gjë tjetër nëse si proponentë të muzikës klasike, jazz, blues, rock’n’roll, e funk, ne e trajtojmë muzikën pop në mënyrë përbuzëse , dhe është një gjë tjetër realiteti i asaj faktik e i përditshëm.

Pop është populli. Është popullore. Është e njerëzve.

Ndoshta në mendjet relike të elitave ‘aristokratike’ të pluhurosura, te paragonët të shijes, pop është vullgu e vullgarja, që i përket masës e turmave të pasofistikuara; njëjtë sikurse një kohë konsideroheshin Howlin’ Wolf e Muddy Waters e Buddy Guy, por sot ata janë monumente të kulturës, të nderuar nga presidentë botërorë.

Beatles-at në fillim përbuzeshin, deri sa u quajtën ‘këngëshkrujatësit më të mirë që nga Schuberti’, dhe e revolucionarizuan botën e muzikës. Që nga ata, albumet pop, prej fotografive, ambalazhimit e deri te muzika e stili, ishin beatles-uar, ose thënë më mirë, u shndërruan në Pop.

Po ashtu televizioni muzikën Pop e solli në shtëpitë e gjithë botës, formësoi identitete, kohezion social, mënyra jetese, dhe mbi të gjitha argëtoi gjenerata të tëra. Muzika Pop po ashtu ka rrënuar çdo barrierë të mundshme të pabarazisë gjinore, duke sjellë risitë më të vlefshme të aftësive muzikore të grave, ose siç thoshte filozofi John Stuart Mill, gjysma e racës njerëzore që u është mohuar liria e krijimtarisë artistike e intelektuale.

Etta James, Whitney Houston, Maddona, Mariah Carey, Pink, Beyonce, Dua Lipa, etj, për t’i përmendur vetëm disa, të cilat kanë qenë të barabartë, e ndoshta edhe më të mirë, edhe se ikonat e muzikës pop si Michael Jackson, Prince, Elton John, etc.

Muzika pop, për mirë apo keq, duke qenë ‘popullore’ ka farkëtuar e formësuar vetëdije, pikëpamje, personalitete, mënyra të jetesës, shoqëri të ndryshme, për t’i përmendur disa sfera të influencës. Dhe, mundemi të snobizojmë tërë ditën se muzika pop nuk ka vlerë e as substancë, megjithatë, bota është e ekstatizuar në pop-kulturë, në të gjitha prodhimet artisitke të saj.

A mund të kthehemi në një epokë të Schubert-ëve e Schumann-ëve, nga perspektivat e të cilëve gjykohet statusi i muzikës së sotme? Sigurisht që jo.


Lajmet kryesore