Opinione / Editoriale

Politika ka arsyet e saj, që arsyeja nuk i kupton


Politika ka arsyet e saj, që vetë arsyeja nuk i kupton. Kështu thotë një shprehje e vjetër franceze, që sot mori jetë.

Mund të ndodhë që ministrat, të cilët kanë punuar mirë në sektorët e tyre, në vend që të shpërblehen, dërgohen në shtëpi nga kreu i qeverisë dhe kjo me shumë lavde e falënderime.

Kjo gjë sapo ndodhi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryenegociatorin me Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

I pari, mund të themi është një nga politikanët më të fuqishëm në vend pas Edi Ramës, i cili arriti të çojë deri në fund procesin e rindërtimin pas tërmetit, gjë që për harkun kohor në të cilin u krye ka pak precedentë edhe në vendet evropiane.
Ahmetaj ishte një ministër politik, i cili kapi majat qeveritare duke ngjitur shkallët e ndryshme të karrierës brenda Partisë Socialiste.

I dyti, Zef Mazi, vinte nga një karrierë e gjatë diplomatike dhe sapo kishte festuar një moment historik të rëndësishëm në ministrinë e tij me hapjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Por që të dy u shkarkuan dhe u zëvendësuan nga dy figura që gëzojnë besimin e plotë të kryeministrit, Belinda Balluku dhe Majlinda Dhuka.
Ndryshimin e ministrave Rama e arsyetoi me nevojën e zbatimit të një strategjie të re që lidhet me përballimin e krizës energjetike dhe arritjen e objektivave të nevojshme për anëtarësimin në BE.Por, nëse reflektojmë, mbeten të paqarta arsyet e vërteta të largimit të dy ministrave, njëri prej të cilit zëvendës direkt i tij.

Një politikan i vjetër dhe autoritar italian si Giulio Andreotti thoshte se “të mendosh keq është mëkat, por thuajse gjithmonë ke të drejtë”.
Kështu që duke dashur të bëj mëkat, duket se shkarkimi i papritur i Ahmetaj ka njëfarë lidhje me hetimin për inceneratorët që e përfshinë në atë aferë dhe në lidhje miqësore me personin e kërkuar për çështjen e inceneratorëve, Klodian Zotaj dhe me Mirel Mërtirin.

Lëvizja në lidhje me shkarkimin e Ahmetaj, mund të jetë me shumë gjasë një nga lëvizjet e Ramës në zbatim të një strategjie “spastrimi” për të shpëtuar qeverinë e tij nga hetimi i SPAK-ut.

Ajo e inceneratorëve, pa dyshim është një çështje që mund të ketë pasoja dhe në nivel ndërkombëtar dhe në fakt, jo pak, përfaqësuesit e ambasadave të aleatëve kryesorë të Shqipërisë janë shprehur ndaj kësaj. Komuniteti ndërkombëtar e vendos luftën kundër korrupsionit si kërkesën numër një për mirëpritjen e Shqipërisë në forumin evropian.

SPAK-u ndërkohë duket absolutisht i vendosur në ecurinë e tij në këtë hetim. Dhe e bën shumë mirë.

Por ajo që të habit është që, ndërsa ndjekin këtë skandal kombëtar me interesin dhe zellin e duhur, prokurorët e anti-korrupsionit vazhdojnë të shpërfillin akuzat e rënda të bëra ndaj ish-presidentit Sali Berisha nga aktorë të tillë me ndikim si Departamenti Amerikan i Shtetit dhe qeveria e Madhërisë së Saj Britanike.

Nëse Washingtoni e ka cilësuar non grata Berishën dhe gjithë familjen e tij duke i akuzuar për korrupsion politik, Londra e ka shtuar dozën akoma më shumë, duke e akuzuar ish-presidentin për marrëdhënie e tij me mafien.

Në çdo vend evropian, pas akuzave kaq të rënda që vinë nga subjekte të tilla autoritare, drejtësia do të kishte hapur menjëherë një hetim duke kërkuar nga administratat e huaja dokumente me provat e akuzave të tilla të rënda.
Kjo edhe për të mbrojtur personin në fjalë në rast se këto akuza janë formuluar pa një bazë të vlefshme.

Por çuditërisht asnjë hap i tillë nuk është ndërmarrë.

SPAK-u, në këtë rast shfaqet i shpërqendruar dhe i ka injoruar plotësisht akuzat që vinë nga jashtë ndaj protagonistit kryesor të jetës politike shqiptare në tridhjetë vitet e fundit, i cili për arsye individuale që lidhen pikërisht me ato akuza, tashmë i është kthyer politikës me stilin e dhunshëm, radikal dhe injorues ndaj kushtetutës apo institucioneve (domethënëse mungesa e tij dhe rrethit të ngushtë gjatë betimit të Presidentit të ri të Republikës).

Një sjellje kjo e SPAK-ut dhe shkarkimit të sotëm të dy ministrave që sugjeron disa pyetje.

E para është se me çfarë kriteresh veprojnë magjistratët e SPAK-ut.
Në pikëpyetje mund të vihet edhe sistemi pushtetar i Edi Ramës.

Pavarësisht prezencës së tij obsesive mediatike dhe akuzave të opozitës për influencë në sistemin e drejtësisë, a është vërtet sistemi pushtetar i Edi Ramës aq i fortë dhe i gjerë sa thonë?

Po ashtu, a sinjalizojnë ndonjë tension të brendshëm në Partinë Socialiste ndryshimet e vazhdueshme brenda ekipit qeveritar.

Dhe fundit, por jo nga rëndësia, mund të pyes se pse një politikan i delegjitimuar nga ndërkombëtarët si Sali Berisha duket se vazhdon të ketë kaq shumë ndikim jo vetëm në një pjesë të opinionit publik (këtë deri diku e kuptoj kur shoh boshllëkun dhe mungesën e alternativës brenda opozitës), por edhe në organet ligjore të këtij vendi?

Këto janë pyetje që thjesht mund t’i ngre duke qenë pjesë e medias. Por përgjigjet në fakt duhet t’i japin ata që kanë role përgjegjëse në menaxhimin e këtij vendi.


Lajmet kryesore