Opinione / Editoriale

Përtej skepticizmit, e ardhmja i përket grave


Ornela Çuçi Eksperte për mjedisin

Bota është aktualisht në një udhëkryq, duke u përballur pothuaj çdo ditë, përveç me luftën, edhe me kërcënimin në rritje të ndryshimeve klimatike. Në përsiatjen e shkencëtarëve, por edhe vendimmarrësve, për të gjetur një zgjidhje ndaj këtij kërcënimi, që në dukje nuk ngjason me luftën, por ka rrezikshmëri edhe më të lartë, një aspekt që shpesh neglizhohet është hendeku gjinor në veprimin dhe vendimmarrjen klimatike.

Sipas Raportit Global për Hendekun Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 2023, parashikohet të duhen 131 vjet që ky hendek të mbyllet përfundimisht. Ky raport shërben si një kujtesë e fortë e pabarazive të qëndrueshme me të cilat përballen gratë në aspekte të ndryshme të jetës, veçanërisht cenueshmëria e tyre ndaj ndikimeve të ethshëm të ndryshimeve klimatike. Ndërkohë raporte të shumta theksojnë se “ndryshimet klimatike kanë fytyrën e një gruaje”, pasi janë ato të cilat i vuajnë më së shumti efektet e tyre.

Ato kanë më shumë gjasa të mbartin në shpinë (kjo jo gjithnjë në kuptimin metaforik të shprehjes), pasojat shkatërruese të fatkeqësive natyrore, siç nënvizohet nga studimi “Lidershipi i grave në korporata lidhet me ndryshimet klimatike” nga Barbara Balke dhe Thomas Ostros (2023). Rrënjët e kësaj pabarazie janë të ndërthurura me faktorë kompleksë, duke përfshirë qasjen e kufizuar në burime, mbështetjen financiare dhe mundësitë e punës kur krahasohen me burrat.

Në Shtetet e Bashkuara, mospërputhjet me bazë gjinore në përgjigje ishin të dukshme, me 43% të burrave dhe 58% të grave që shprehnin shqetësime rreth ndryshimeve klimatike (Forumi Ekonomik Botëror, Raporti i Hendekut Gjinor Global 2023). Këto statistika nënvizojnë urgjencën e trajtimit të dobësive specifike gjinore dhe sigurimin e përfshirjes aktive të grave në veprimet klimatike.

Ndërsa, efektet negative të ndryshimit të klimës tek gratë pranohen gjithnjë e më shumë, është jetike të mos nënvlerësohet ndikimi thelbësor pozitiv që gratë mund të kenë në udhëheqjen e veprimit klimatik. Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në kryerjen e sondazheve të klimës gjatë pesë viteve të fundit, duke përmirësuar perceptimin e njerëzve për ndryshimet klimatike në rajone të ndryshme. Anketa më e fundit e klimës 2022-2023 EIB u thellua për të hetuar nëse opinionet dhe shqetësimet e grave përputhen me ato të burrave në lidhje me ndryshimin e klimës dhe udhëheqjen.

Gjetjet e anketës nxorën në pah një divergjencë të habitshme në opinionet midis grave dhe burrave në të gjitha rajonet e anketuara. Meshkujt në përgjithësi shfaqën më shumë skepticizëm në lidhje me ndikimin e lidershipit femëror në veprimin klimatik. Për shembull, në Bashkimin Evropian, vetëm 45% e burrave besonin se të pasurit më shumë lidere femra do të bënte ndryshim, krahasuar me 60% të grave. Pabarazia ishte më pak e theksuar në Kinë, por ende evidente, me 63% të meshkujve kundrejt 69% të femrave. Komunizmi shënjon çdokund njësoj, me sa duket, e këtë ne shqiptarët e njohim mirë. Hendeku më i madh u vu re në Mbretërinë e Bashkuar, ku vetëm 38% e burrave dhe 61% e grave besonin se gratë lidere do të ishin më efektive në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Hendeku gjinor nuk kufizohet vetëm në veprimin e klimës, por shtrin ndikimin e tij thellë në sektorin financiar. Hulumtimet e fundit të kryera në Spanjë, për çështjet e kredisë, zbuluan statistika befasuese: femrat kanë midis 10% dhe 25% më pak gjasa të aplikojnë për një kredi dhe përballen me një probabilitet 10% më të ulët për të siguruar kredi në vitin e tyre krahasuar me homologët e tyre meshkuj në të njëjtën industri. Veçanërisht, hendeku i aksesit në kredi zhduket përtej vitit fillestar, duke përjashtuar diskriminimin e bazuar në këtë “ndjesi”. Në vend të kësaj, vihet re prania e paragjykimeve jo racionale të standardeve të dyfishta, që mund të rrjedhin nga diskriminimi i nënkuptuar (i pavetëdijshëm).

Ndryshimi i klimës kërkon veprim të shpejtë dhe bota thjesht nuk mund të përballojë të presë mbi një shekull për barazinë gjinore, në mënyrë që ndryshimet e klimës të mos veprojnë kaq rëndë mbi gratë në të gjithë globin. Ngritja e më shumë grave në poste drejtuese nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e barazisë; ka të bëjë me zgjedhjen e liderëve që kanë prioritet rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e ndikimeve pozitive sociale, mjedisore dhe klimatike.

Në luftën kundër ndryshimeve klimatike, lidershipi femëror nuk është thjesht një çështje e barazisë gjinore; është një imperativ strategjik. Është koha për të çmontuar barrierat, për të sfiduar paragjykimet e rrënjosura të pavetëdijshme dhe për të fuqizuar gjysmën e popullsisë së planetit, atë më të brishtën në fuqinë e vet të madhe.


Lajmet kryesore