Opinione / Politikë

Përse ushtria e Pakistanit dëshiron SHBA-në përsëri në rajon


Arif Rafiq Presidenti i Vizier Consulting, firmë këshilluese për rrezikun politik

Për vite me radhë, liderët kinezë dhe pakistanezë e kanë përshkruar marrëdhënien e tyre, të krijuar nga një rivalitet i përbashkët me fqinjin e tyre Indinë, si “më të ëmbël se mjalti”. Por pikëpamja e ushtrisë pakistaneze për marrëdhëniet me Kinën është më divergjente nga ajo e udhëheqjes politike. Kështu shkruhet në esenë e Arif Rafiq, presidenti i Vizier Consulting, firmë këshilluese për rrezikun politik dhe të publikuar në agjencinë e lajmeve The New York Times .

Muajin e kaluar, pasi kryeministri Imran Khan refuzoi ftesën e administratës Biden në Samitin e saj për Demokraci, spikeri i lajmeve të televizionit pakistanez Kamran Khan, postoi një video në mediat sociale duke denoncuar vendimin si “të gabuar” dhe deklaroi se ishte marrë me urdhër të Kinës. (Kina nuk ishte e ftuar – apo e lumtur për këtë samit).

Gazetari u ankua se, me atë lëvizje, kryeministri “e kishte vënë hapur Pakistanin në prehrin e Kinës”. Ai pretendoi se huatë e Pekinit kishin “marrë në kurth” Islamabadin. Gazetari Khan madje bëri thirrje për një “auditim” të avantazheve dhe disavantazheve të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, i cili ka sjellë miliarda dollarë në energji dhe investime në infrastrukturë të drejtuar nga borxhi në Pakistan.

Në Pakistan, liria e shtypit dhe politika shtrihen në një zonë gri, me vija të kuqe të menaxhuara me kujdes nga ushtria.

Pra, thirrja e qartë për të rishqyrtuar marrëdhëniet me Kinën nga një prej zërave më të shquar të medias pakistaneze nuk është thjesht një rast i nxehtë. Ai pasqyron pëlqimin, nëse jo urdhrat, e ushtrisë së vendit. Në të vërtetë, ushtria Pakistanit do të kishte preferuar, sipas një diplomati amerikan në pension, që kryeministri Imran Khan të kishte marrë pjesë në samitin e Presidentit Biden – për të rigjallëruar marrëdhëniet, tani të ftohta, me një superfuqi.

Gjeneralët, natyrisht, kanë pak dashuri për demokracinë ose, për Amerikën, shkruan Rafiq. Ajo që ata kanë është një ndjenjë e mprehtë e realizmit dhe një besim i fortë se ushtria është rojtari i interesit kombëtar. (Ushtria ka sunduar drejtpërdrejt ose komanduar ndikim të fortë politik indirekt për pjesën më të madhe të historisë së Pakistanit.)

Udhëheqja e ushtrisë duhet të dijë se nuk ka miq të përhershëm mes forcave politike brenda apo jashtë vendit. Ai kërkon vazhdimisht manovrim strategjik, duke balancuar forcat vendase dhe të huaja në përgjigje të realiteteve në ndryshim dhe për të shmangur varësinë nga një mbrojtës, përfaqësues ose aleat i vetëm.

Marrëdhëniet jo të qëndrueshme SHBA-Pakistane janë një shembull i përsosur.

Sulmet e 11 shtatorit dhe pushtimi i mëpasshëm i SHBA-së në Afganistan afruan Islamabadin me Uashingtonin. Pakistani i sunduar nga ushtria nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte një mori kërkesash të SHBA-së, duke përfshirë ndihmën për përmbysjen e një regjimi taleban që e shihte si miqësor.

Por nga mesi i viteve 2000, Pakistani rifilloi mbështetjen e fshehtë për talebanët, duke pasur si qellim tërheqjen e negociuar të SHBA-së. Vitin e kaluar, Pakistani mori atë që donte. Por tani, pasi kanë kaluar dy dekada duke punuar për të shtyrë Amerikën nga Afganistani, ushtria pakistaneze duket se dëshiron që ajo të rikthehet në rajon.

Opinionisti argumenton se ndërsa konkurrenca SHBA-Kinë intensifikohet, ushtria e Pakistanit ka frikë se do të bllokohet në një ngërç me Pekinin. Pra, ajo kërkon të balancojë dy fuqitë e mëdha duke u kapur në fusha bashkëpunimi, duke përfshirë kundërterrorizmin dhe tregtinë. Këto të fundit mund të shpëtojnë marrëdhëniet me Washington-in.

Kryeministri, në të kundërt, duket se është më i shtyrë nga ndjenjat personale. Ai e admiron sistemin politik të Kinës, veçanërisht përfitimet e saj kundër varfërisë dhe masat e saj të pamëshirshme kundër korrupsionit.

Ushtria, megjithatë, nuk duket se ka mendime të tilla. Fokusi i saj është e tashmja dhe e ardhmja. Ekonomia e Pakistanit nuk është në ditën e saj më të mirë, gjë që mund të jetë një recetë për trazira sociale dhe politike, si dhe shkurtime në shpenzimet ushtarake.

Ndërsa rubineti nga Kina thahet – duke pasur parasysh neverinë në rritje të Pekinit për t’u dhënë hua vendeve me rrezik të lartë – dhe problemet ekonomike të Pakistanit përkeqësohen, shumica e komandës së ushtrisë e shohin hipernacionalizmin e kryeministrit Khan si një dhunë jo produktive. Kjo ndihmon për të shpjeguar hapat ndaj Washington-it, të cilat përfshijnë jo vetëm mesazhet e samitit të demokracisë, por edhe dhënien e një diplomati amerikan akses të rrallë në portin e Gwadar, i cili operohet nga Kina.

Por përpjekja për të kthyer sytë nga Amerika nuk do të shkojë larg. Në ese shkruhet se vullneti i mirë në Uashington është tharë, veçanërisht duke pasur parasysh mbështetjen e inteligjencës pakistaneze për talebanët. Dhe mëkatet e Islamabadit nuk janë shtytësi i vetëm i divorcit SHBA-Pakistan.

Washington-i e ka përqafuar me gjithë zemër Indinë, duke kërkuar të avancojë ngritjen e saj si një fuqi globale, edhe pse ai vend po shkon drejt autoritarizmit nacionalist hindu. Herë pas here, Washingtoni ka lejuar një “përjashtim të Indisë” në politikat e tij të të drejtave të njeriut ose të përhapjes bërthamore, duke inkurajuar Nju Delhin dhe duke rrezikuar Islamabadin.

Ndërsa Pakistani i ka rritur vitet e fundit lidhjet me Rusinë dhe Turqinë, Kina është bërë zgjedhja e qartë për një alternativë kuptimplote ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kur marrëdhëniet me Washington-in, në vitin 2011, ishin në kulmin më të ulët, Islamabadi iu drejtua Pekinit për të marrë pajisje ushtarake që nuk mund ta merrte nga Amerika, duke përfshirë dronë dhe avionët e avancuar.

Ndërsa gjeneralët pakistanezë duken të inatosur nga perspektiva për t’u bllokuar në anën e Kinës në një luftë të re të ftohtë, ata gjithashtu kanë përfituar nga muskuloziteti i ri i Pekinit – siç ndodhi vitin e kaluar kur India u detyrua të devijonte trupat nga vijat e frontit me Pakistanin drejt kufirit me Kinën.

Frika e një lufte me dy fronte me Kinën dhe Pakistanin e ka frenuar qëndrimin e Nju Delhit ndaj Islamabadit për momentin. Por ato shtrëngojnë edhe përqafimin indo-amerikan. Në mënyrë paradoksale, partneriteti i Pakistanit me Kinën është duke sjellë përfitime për Pakistanin.

Për t’iu kundërvënë Kinës, India po kapërcen pengesat e saj për t’u lidhur me amerikanët, duke zbehur “autonominë e saj strategjike” dhe duke thelluar bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes. Kjo nga ana tjetër rrit varësinë e Pakistanit nga Kina, furnizuesin e saj më të madh të armëve.

Ndërkohë, Pakistani ka mësuar në mënyrën e vështirë se kur bëhet fjalë për tregtinë dhe kreditimin, marrëdhënia e tij e veçantë me Kinën nuk është aq e veçantë.

Islamabadi në vitin 2020 filloi përpjekjet për të rinegociuar kontratat e shtrenjta të energjisë elektrike që kishte lidhur në mënyrë të pamatur me kompanitë kineze. Pekini jo vetëm që refuzoi ta bëjë këtë, por këmbënguli që Islamabadi të paguajë 1.4 miliardë dollarë borxhe ndaj prodhuesve kinezë të energjisë.

Pakistani i ka varur të gjitha shpresat në një vend dhe po mëson çfarë do të thotë të jesh një “aleat” i Kinës. Gjendja e saj e vështirë ofron mësime për vendet e tjera më të vogla që në një epokë të re të rivalitetit SHBA-Kinë të mos ndiqet verbërisht Kina si një alternativë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në çështjet tregtare, qasja e Kinës është merkantiliste si për miqtë ashtu edhe për armiqtë.

Dhe kështu, ndërsa ushtria e Pakistanit duket se po përpiqet të distancohet, tashmë mund të jetë tepër vonë.


Lajmet kryesore