Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga krenaritë më të mëdha të historisë së shqiptarëve në fund të shekullit të kaluar, pasi përmbylli një proces dhjetëvjeçar të pavarësimit të Kosovës nga Serbia, duke u bërë aleate me Perëndimin në fazën finale të çlirimit. Ajo nuk do të mund të bëhej kurrë nëse nuk do të ishte Shqipëria si territor, si ndihmë ushtarake dhe si mbështetje politike dhe njerëzore.
Një ushtri pa territor, pa armatime dhe pa mbështetje aty ku vepron, nuk ekziston. Shqipëria ishte territori fizik i UÇK-së, ku ajo armatosej, stërvitej, mbështetej dhe pastaj futej në Kosovë. Në këtë pikë, mund të themi se ajo nuk është thjesht një formacion ushtarak gueril i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.
Kështu që na kurseni nga pretendimet për pronësi mbi UÇK-në dhe mbi historinë e saj, pasi shumica e atyre “patriotëve” që tundin flamurin e saj në stadium, kanë lindur pas UÇK-së, dhe ka gjasa që shumë prej tyre, po të kishin qenë gjallë në atë kohë, do të kishin qenë dezertorë të saj.
UÇK-ja e stadiumit “Air Albania” me UÇK-në e luftës nuk kanë asnjë lidhje. UÇK-ja e luftës së Kosovës kishte përballë ushtrinë serbe, dhe jo futbollistë serbë. Dhe ajo ja doli falë avionëve të NATO-s dhe ushtrisë më të madhe në botë që është ajo e NATO-s.
UÇK-ja e stadiumit do të donte të fitonte “betejën” e saj me 11 futbollistë serbë në fushë, pa e thirrur askush në ndihmë. Por ndeshjet e futbollit kanë rregullat e tyre dhe jo rregullat e luftës.
Njerëzit më të interesuar që në stadium të ishin këta “tifozët” e UÇK-së, ishin vetë serbët. Ata, ende pa filluar ndeshja, paralajmëronin pikërisht praninë e tyre dhe dhunën e mundshme. Edhe tre gotat me birrë që u hodhën nga shkallët e stadiumit në fushë, për pak e penalizuan dhe e ndërprenë ndeshjen, duke ua realizuar 100 për qind objektivin serbëve.
UÇK-ja ka lindur për t’ia prishur planet dhe objektivat Serbisë, dhe jo për ta ndihmuar t’i realizojë ato — siç për pak ndodhi në “Air Albania”.
Nëse UÇK-ja e stadiumit do të ishte vazhduese dhe përfaqësuese e UÇK-së së luftës, do të duhej të kishte të njëjtin objektiv me Shqipërinë dhe jo me Serbinë. Objektivi i Shqipërisë ishte të kishim një publik të kultivuar dhe paqësor, që të mos na dëmtonte ndeshjen dhe të fitonim kundër Serbisë. Objektivi i Serbisë ishte si ta prishte ndeshjen përmes “UÇK-së së stadiumit”. Për fat, Serbia nuk e arriti objektivin e saj, falë ndërhyrjeve profesionale të policisë shqiptare, për të cilat duhet vlerësuar.
Dhe së fundi, u shfaq edhe një “fans” i orës 25 të UÇK-së: Sali Berisha. Kur lindi UÇK-ja dhe ajo ishte në kulmin e organizimit të saj, ai ishte armiku kryesor i saj. E denoncoi atë në mediat ndërkombëtare, në Senatin e Francës dhe në Asamblenë Parlamentare, duke bërë dëshmi për krime kundër shqiptarëve nga drejtuesit e saj. Bëri thirrje që të mos firmosej Marrëveshja e Rambujesë, me qëllim që të dështonte ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe UÇK-ja të mbetej e vetme përballë ushtrisë serbe. Arrestoi gjithë krerët e UÇK në Shqiperi që nga Pajazati , Thaçi Adem Jashari etj, dhe zhduku një nga veprimtarët e saj Remzi Hoxha. Edhe sot, vazhdon t’i akuzojë drejtuesit e saj, veçanërisht Hashim Thaçin, si kriminelë lufte.
Befas, edhe ky dje u shqetësua pse nuk u realizua objektivi i Serbisë për t’ia prishur ndeshjen Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”.
Tani, kur e mendon që fëmijët e tij e kanë gjyshen serbe, ndoshta e ka hak që mban anën e Serbisë, dhe që u mërzit që ajo nuk arriti objektivin e saj për prishjen e ndeshjes. Por të paktën të mos e bëjë pis UÇK-në — se boll i ka rënë në qafë.
Nga tre UÇK-të e djeshme në stadium, ajo e vërteta nuk ka punë me ndeshjen. Ajo u shfaq në skenë dhe hyri në histori atëherë kur duhej. Këto UÇK-të e stadiumit dhe të Saliut, janë thjesht të shqetësuar që serbët nuk ia dolën dot të prishnin ndeshjen në Tiranë përmes siglës së UÇK-së.
Nuk i ndihmojmë dot.