Opinione / Politikë

Për kë bien kambanat?


Sejdi Demiri Gazetar

Për herë të parë në historinë e re të Kosovës, edhe formalisht, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë konfirmon se një qeveri e këtij vendi të vogël ka rënë si rezultat i marrëdhënieve të saj me Amerikën.

E tha shumë shkoqitur – për t’u kuptuar mirë – gjatë një interviste në njërin nga mediumet tona.

Pra, një qeveri e Kosovës, vendi, ekzistenca e së cilit thelbësisht varet nga mbështetja direkte dhe e vazhdueshme e SHBA-ve, bie ndesh me politikën e administratës së këtij vendi.

Pavarësisht pyetjes për shkaqet, fakti që një qeveri e koalicionit ka rënë si rezultat i qasjes së saj ndaj SHBA-ve, përbën lajmin më të keq për nivelin më të ulët të raporteve që Kosova ka pasur me Amerikën në historinë e mbamendjes sonë kolektive. Dhe, kjo për shumë arsye!

E para, ka të bëjë me të keqen e konsumit të propagandës, se cila është politika formale e SHBA-ve?

Ta zëmë kur thuhet se kush është SHBA-ja e vërtetë, Donald Trump, Richard Grenel apo Philip Kossnet? Që Ambasadori Dell më tepër se ambasador është punëtor i Bechtel Eka’s? Apo të tjera si këto.

Përplasja publike dhe debati intensiv 2009-2015 me ambasadorin Christopher Dell e një pjese të opozitës së kohës (që sot është në pushtet) dhe e një pjese të shoqërisë civile dhe medias (që mbështeti atë opozitë drejt pushtetit, nën dritëhijet e lirisë së shprehjes, mendimit, protestës e tubmit), ka degraduar dhe është përshkallëzuar vit pas viti, duke kulmuar me rënien e një qeverie si rezultat i raporteve të saj të këqija me SHBA-të.

Pra, diskursi i komunikimit publik, i qasjes negative dhe abuzive me përfaqësimin zyrtar të SHBA-ve karshi zhvillimeve tona të brendshme, ka marrë formë institucionale dhe do duhej të ishte shqetësimi më serioz i njeriut të këtij vendi e kësaj shoqërie. Shoqërisë që nuk mund të mbijetojë pa mbështetjen e SHBA-ve, në kuptimin e plotë të fjalës!

E dyta, ka të bëjë me masivizimin e frymës publike në të kundërtën e asaj që promovon raporte miqësore me SHBA-të.

Nëse e keqja e vogël ishte rënia e një qeverie të koalicionit, si pasojë e raporteve të saj me qeverinë amerikane, si rrjedhojë e mospajtimit me këtë gjendje të njërit prej partnerëve të këtij koalicioni, gjëma e madhe është se sot Kosova qeveriset nga po ai lidership politik i po asaj partie politike, raportet e së cilës karshi SHBA-ve ishin shkak i rënies së qeverisë paraprake.

Nëse në të kaluarën kishte një minimum të mekanizmit politik, përmes së cilit vetërregulloheshin këto raporte, si mund të rregullohen ato sot? Si ka mundësi që shoqëria më pro-amerikane në botë, Kosova të rrëshqasë në një shoqëri, qeveria e së cilës bie si rezultat i raporteve mospajtuese me Amerikën, e cila edhe sot ka rezerva në projeksionet e saj?

E treta është vijimësia negative dhe qasja refuzuese dhe me mosbesim.

Refuzimi kategorik i marrëveshjes së Washington-it edhe nën administratën Biden, cilësimet si e dëmshme të saj, abstenimi nga të gjitha iniciativat rajonale, që janë nën ndikimin amerikan dhe zhvillimi i procesit të dialogut pa prezencën amerikane, janë disa prej treguesve që me kryeneçësi vazhdojnë të ndjekin rrugën e rrëshqitjes jashtë ndikimit amerikan në Kosovë.

Pra, nuk po flasim për mospajtimet Kosovë-SHBA, që konsistojnë në refuzimin e emrit të një rruge, të një neni në ligjin për ambientin, për të drejtat e komunitetit LGBTQI, apo të kujdesit ndaj ariut të murrmë në Bjeshkët e Sharrit.

Po flasim për mospajtime që, në thelb, janë rrugët për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës, në shumë-dimensionalitetin e tyre: janë kufijtë, territori dhe sovraniteti i tërësishëm i tij dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës – elementet bazë të një shteti.

Fitorja masovike nën populizmin kundër të vjetrës dhe në kërkim të së resë e ndëshkim ndaj të keqes 20-vjeçare; ridefinim i konjukturave politike në Kosovë, sidomos te subjektet e mëdha politike, nën presionin e kësaj fitoreje të madhe e të ndryshimeve dhe kërkesave për të renë, alternativën, për opsionet e pakonsumuara të pushtetit etj., ndërkohë që diskursi institucional negativ me SHBA-të rritet.

Dhe, në kohën kur Amerika vijon të rindërtojë raportet e saj me vendet e botës së tretë, për shoqëritë e vogla, si kjo e jona, do duhej të shërbenin si “kambana alarmi” për të nesërmen që na pret.

Rrëshqitja nga sipërfaqja e ndikimit amerikan te shqiptarët në tërësi dhe Kosovën në veçanti i shpie në askund.

Afirmiteti i tepruar i Kosovës me disa prej kancelarive evropiane, ku ndikimi rus vazhdon të jetë i fortifikuar, sot përbën kërcënim real për qenësinë e shtetit. Historikisht, përvojat në këtë drejtim kanë qenë negative.

Kosova duhet të afrimojë vlerën e saj demokratike. Duhet të qeveriset mirë, me nder e me duar të pastra. Duhet të ndahet nga e keqja koletiktive e 20-vjetëshit të saj, por jo nga bashkërrugëtimi në tandem me SHBA-të.

Fati i shqiptarëve në Ballkan është aleanca e natyrshme e tyre me SHBA-të. Përtej secilës preferencë politike, çdo fenomen që lëviz themelin e kësaj marrëdhënieje është fataliteti i kombësisë sonë.


Lajmet kryesore