Opinione / Politikë

Paradoksi i patriotit


Jeremy Adelman Drejtor i Laboratorit të Historisë Globale në Universitetin Princeton

Vështirë të mbahet mend se, para një gjenerate, ekspertë, bankierë dhe studiues përbënin një kor të zhurmshëm, që deklaronin se koha e kombit i përket së shkuarës.

Me qarkullimin e lirë të kapitalit, ideve dhe të mirave materiale do të vinte dhe epoka globale. Me një narrativë dhe botëkuptim të ri të globalizimit, lëvizjes dhe qarkullimit. Tanimë premtimi global dhe tregimi i saj duken diçka e vjetër. Kombi është rikthyer në skenë.

Variantet sensacionale etno-centrike të nacionalizmit nuk janë ringjalljet e saj të vetme. Po ashtu, edhe patria është duke qarkulluar mes liberalëve dhe progresistëve si ide, prej së cilës komuniteti nëpërmjet nativizmit kërkon të shërohet dhe të korrigjohet. Ekziston edhe një kor i ri, i cili e lartëson këtë narrativë, për të cilën një komb ka nevojë pas dekadash neglizhence globaliste dhe abuzimesh nativiste.

Një komb ka nevojë për një memorie, atë që ndërlidh qytetarët në një eksperiencë të përbashkët; komb-ndërtuesit hedhin themelet e një narrative, mbi të cilën ndërtojnë mure dhe çati. Në një shtysë që të shërojnë – disa do të thoshin t’u vënë fletë përmbi – çarjet, një specie e re kronistësh kanë shkarravitur mbi ato fletë për t’i rindërtuar ato themele.

Sipas progresivëve, ky rikuperim është një kundërsulm heroik kundër nativizmit. Por, në të vërtetë, është pranimi i disfatës. Jo vetëm një, por i dy disfatave.

E para, kur mbaroi Lufta e Ftohtë, liberalë të shumtë vunë bastin e tyre mbi premtimin e një bote me treg të unifikuar, duke hequr barrën e mirëqenies sociale dhe të socialdemokracisë.

E dyta, kur globalizimi nisi të shkundej pas 2008-s, atëherë kur kundër-plasjet nativiste morën flamurin në dorë në betejën kundër elitave “globaliste” dhe emigrantëve “kërcënues”. Tani, progresivët, po e kapërcejnë hapin në gropën e turmës mbi linjën e narrativës kombëtare.

Në çdo hap, progresistët ishin në defensivë; në çdo hap, ata dorëzuan diçka. Kurse, tani, nuk u ka mbetur thuajse asgjë.

Pas 1989-ës, ata i vunë në bast mbetjet e dhuratave të tyre socialiste. Që nga 2008-a, shumë janë duke i dorëzuar trashëgimitë e tyre internacionaliste.

Për sa kohë ndryshimet klimatike rëndojnë mbi ne, një krizë migrimi globale është në rritje  dhe një garë armësh bërthamore po nxehet, kronistët shpëtimtarë të kombit janë duke kërkuar për perspektiva dhe narracione globale, pikërisht kur e lyp nevoja.

Për dy shekuj, kombi ka qenë parimi organizues i konceptit tonë të sovranitetit dhe i lidhur, që nga fillimi, me një rend më të lartë.

Në shekullin XVIII, Xheremi Bentami shpiku termin “internacional”, me të cilin kuptonte një përzierje të kombeve për të zëvendësuar parregullsinë e perandorive grabitqare. Deklarimet e pavarësive të kombeve ishin deklarime të ndërvarësive të tyre, e një shprese për t’u njohur dhe mirëpritur nga kombe të tjera – kështu të sigurohej liria e tyre – dhe të zotimeve që vullnetarisht do të kufizohen në mënyrë që të mirëmbahet rendi më i lartë.

Ishte aq themelore për ligjin ndërkombëtar, që është marrë si i mirëqenë, përveç shoqërive të kolonizuara, të cilat, sipas definimit, qenë të përjashtuara nga njohja dhe liria.

Kur funksiononin, ligjet dhe normat ndërkombëtare siguronin se kombet nuk do të ishin grabitqarë. Kur dështonin, fanatizmi i “kombi në rend të parë” dilte në pah, ndërvarësia armatosej, dhe nevojat e kombit autorizonin pushtimin dhe asgjësimin. Kjo ishte çfarë ndodhi në 1930-ën.

Fatet e nacionalizmit dhe internacionalizmit kanë marshuar së bashku. Ndryshimet teknologjike dhe fundi i Luftës së Ftohtë kanë shënuar një ndarje rrënjësore, të cilën ende e kemi të vështirë ta kuptojmë. Ato sollën raundin e fundit të dekolonizimit dhe mbuluan planetin me kombe, duke rrënuar barrierat ndaj qarkullimit të kapitalit dhe komoditeteve, duke shpërndarë kombet, e në të njëjtën kohë duke e thelluar ndërvarësinë mes tyre.

Një valë e re e marrëveshjeve për treg të lirë dhe për kapital lëvizës sollën: Forumin Botëror Ekonomik dhe institucione (Organizatën Botërore të Tregtisë), për të kremtuar konektivitetin, fluiditetin, dhe një kuptim hiperkapitalist të një kohe të përbashkët.

Të pakufizuar nga vendi, baronët e rinj synuan t’u shërbenin nevojave të klientëve të tyre përgjatë tërë kufijve gjeografikë, thënë në fjalët e një broshure rekrutive të Merrill Lynch të vitit 1994.

Pas dy shekujve heroizmi dhe horrori, kombi u shua. Globaliteti lindi. Patriotizmi mbeti në valvulat e sigurta të Kampionateve Botërore, dhe në fshatrat faraonike Olimpike. Historianë, përfshirë edhe mua, nisëm t’i zmadhojmë matjet, të shkojmë më lart, globalisht, duke shkëmbyer histori kombesh për rrjete, qytetarë për konektivitet.

Gjersa ithtarët e Tokës së Sheshtë festonin, gjuha e kombeve u bë retorikë e rezistencës, veçanërisht në Jugun global, ku globalizimi nuk kishte ardhur i spërkatur me pluhur magjik.

Në Argjentinë, piqueteros protestuan dhunshëm kundër efekteve shkatërruese të asketizmit për qytetar dhe pagesave për kreditorë. Firmat tajvaneze u zhvendosën në Afrikën e Jugut post-aparteidiste për të punësuar punëtorë të shpronësuar në zinxhirët e tyre të vlerës, duke vënë përballë sindikatat dhe udhëheqësit e komunitetit kundër një qeverie të sapolindur të Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) të dëshpëruar për investime.

“Ne ju kemi dhënë pushtet, tani duhet të na ofroni”, bërtiti një protestues në 1997 në Këshillin e ANC-së, të cilin e kishin rrethuar.

Pastaj pakënaqësitë që, në masë të madhe ishin mbajtur larg në periferitë globale, u kthyen në shtëpi dhe në bërthamën e saj.

Kriza ekonomike e 2008-ës e grishi aurën magjike të idesë së një bote me kufij të hapur. Që nga viti 2009, flamuri kombëtar ka qenë një emblemë mbarëbotërore e rezistencës kundër elitave kozmopolite dhe paneleve të pashpirta të mosmarrëveshjeve tregtare të OBT-së dhe teknokratëve të tyre.

Ringjalljen e rezistencës patriotike u bë aq e fuqishme prej faktit se kishte performuar dy funksione njëherazi. Ishte një mesazh “kundër” globalizmit dhe “Njeriut Davos”.

Po ashtu, pohoi se, kush i përket kombit si përgjigje ndaj frikrave të grumbulluara ndaj pushtimeve me emigrantë dhe minoritete. Kur mbështetës të Brexit-it, të tillë si Nigel Farage paralajmëruan rregullatorët e Brukselit, ishte një veprim i ngrohtë për shfaqjen e së vërtetës: fruth për kërcënimin e migrantëve që marshonin në Ballkan, për të pushtuar atje ku Napoleoni dhe Hitleri kishin dështuar para tyre, sepse Evropa kishte braktisur idenë e kombit dhe të mazhorancave etnike që qëndrojnë si rojtarë të tij. Në mënyrë që të shpëtohet kombi britanik nga etnocidi, duhej të shkëputej nga Evropa.

Jo vetëm në Perëndim

Kjo histeri nuk ishte e kufizuar vetëm në “Perëndimin” e rrezikuar. Në Indi, kryeministri i Gujarat, Narendra Modi, po ndiqte të njëjtin hark.

Që nga trazirat e përgjakshme në Gujarat të vitit 2002, ku mbetën rreth 2 mijë të vdekur, kryesisht myslimanë, Modi u bojkotua jozyrtarisht nga diplomatë evropianë. Ndërsa u ngrit në pushtet në Indi, njëkohshëm me Marine Le Pen dhe Matteo Salvinin në Evropë, shmangia nga Modi dhe nacionalizmi i tij Hindutva u bë më e vështirë.

Në janar të 2013-ës, diplomatët evropianë, të cilët e sulmonin, e mirëpritën në një drekë të fshehtë në ambasadën gjermane.

Gjashtë muaj më vonë, Modi u dha bulldozë shqetësimeve të tyre. “Unë jam nacionalist! Unë jam patriot! Nuk ka asgjë të keqe!” bërtiti ai gjatë rrugës për të fituar udhëheqjen e Partisë Bharatiya Janata dhe kryeministrinë e vendit.

Në një botë konkurruese, të mbinxehur, dhe tanimë të mbushur me sëmundje, qytetarët janë lënë të gjejnë strehë në gjirin e kombit dhe janë thirrur në mbrojtje të tij.

Universitetet dhe shkollat janë bërë terren beteje për rrëfimin kombëtar. Në vazhdën e demonstrimeve të Verës së kaluar “Black Lives Matter”, presidenti i asokohe, Donald Trump, krijoi një “Komision të 1776” për të festuar edukimin patriotik.

Në Arkansas dhe vende të tjera, sipas legjislacionit të propozuar shkollat, ku mësohej historia e supremacisë së të bardhëve si një linjë amerikane, do të ndëshkoheshin.

Qeveria turke ka urdhëruar pushimin nga puna të pothuajse 6 mijë akademikëve jobesnikë ndaj qeverisë.

Pas arrestimit të rreth 3 mijë studentëve në Hong Kong, Carrie Lam, rreshterja e Pekinit, shfaqi pakënaqësinë sesi kampuset e qytetit nuk kishin arritur të mësonin vlerat e duhura kombëtare. “Çfarë nuk shkon me arsimin në Hong Kong?!” bërtiti ajo. Edhe Partia Komuniste ripohoi rrëfimin e saj patriotik.

Sekretari i Arsimit i qytetit ndaloi studentët të këndonin “Lavdi Hong Kongut”, hoqi kursin e detyrueshëm të qytetarisë të quajtur “Studime Liberale” dhe bëri të detyrushme mësimin e historisë kineze.

Ndërkohë, bibliotekat po pastrohen nga gjithçka që “rrezikon sigurinë kombëtare”. Tekstet shkollore të historisë duhet të ushqejnë “një ndjenjë të përkatësisë në vend, një dashuri për popullin kinez, një ndjenjë të identitetit kombëtar, si dhe vetëdijen për një ndjenjë të përgjegjësisë për ruajtjen e sigurisë kombëtare”.

Gjatë fundit të verës së 1940-ës, George Orwell-i u fut në një nga momentet e tij më të errëta. Autori dhe internacionalisti, i cili kishte luftuar krah për krah me anarkistët në Barcelonë, do të duhej të pajtohet me limitet e bindjeve të tij, kur Stalini u rreshtua me Hitlerin për të ndarë kontinentin.

Pas rënies së Francës, Orwell-i shkroi esenë “My Country Right or Left” (1940), si një mjet për të mbrojtur kombin. Për të, katastrofa e Dunkirk-ut qe dëshmi e pafuqisë së klasës sunduese në Britani. Në një ese të mëvonshme, Britania ngjante me një “familje në të cilën sundojnë anëtarët e gabuar”.

Ai ende e ngrinte flamurin, sepse vetëm kombi mund të krijonte ndjenjat e nevojshme për ta luftuar fashizmin. Në esenë “My Country Right of Left” dënonte klasën intelektuale të majtë si të paaftë për ta kuptuar këtë; ata janë njerëz, zemrat e të cilëve kurrë (theksi i tij) nuk janë lëkundur në pamjen e Union Jack-ut, por që do të lëkunden kur t’u vijë momenti i tyre revolucionar. Për Orwell-in, me rëndësi ishte fuqia afektive për të mbrojtur vendin dhe demokracinë kudo në botë.

Orwelli ishte në dijeni për rreziqet që shumë ithtarë të ringjalljes së patriotizmit i harrojnë. Thirrjet patriotike janë si çamçakëz në ujërat e jetës intelektuale. Peshkaqenët dalin. Të Djathtët e sotëm duan ta shpëtojnë kombin dhe janë gati edhe ta sakrifikojnë demokracinë në emër të tij.

Kudo që e Djathta nativiste është ngjitur, një kastë intelektualësh është grumbulluar për të ngritur çështjen e kombit. Financues të grumbulluar, humanitarë dhe “aktivistë” të kampusit së bashku, autorë të tillë, si Swapan Dasgupta i Indisë, Jonah Goldberg i Shteteve të Bashkuara dhe Éric Zemmour i Francës kanë qenë zëdhënësit e dëshpërimit, duke shpallur një zgjedhje të zymtë midis shkatërrimit të pashmangshëm ose rinovimit kombëtar. Ata paraqiten si mbrojtës të trashëgimisë kombëtare.

Filozofi francez, Alain Finkielkraut, dikur një njeri i së majtës, pretendon se e ka parë dritën. Apostazia e tij e bëri atë një ikonë mediatike në një vend që dikur nderonte Simone de Beauvoir, Albert Camus dhe Jean-Paul Sartre.

Bestseller i tij “L’identité malheureuse” (“Identiteti i palumtur”) në 2013-n paralajmëron rënien franceze, falë migrantëve myslimanë dhe eurokratëve në blloqet e zyrave gri në Bruksel.

Nuk janë vetëm të huajt që shqetësojnë Finkielkraut, por fryma patriotike që zbehet nga brenda. Ashtu si konferencat e tij diku tjetër, Alain ofron profeci të tmerrshme të shkatërrimit të vetëshkaktuar nga duart e të huajve të pasimiluar dhe vendasve multikulturorë që kanë humbur rrugën e tyre.

Nacionalizmi konservator tërheq të tjerët në kauzën e ringjalljes patriotike. Të zënë midis populizmit të djathtë dhe lumturisë pa taksa të elitave globale, progresistët janë bashkuar me këtë grindje, duke zbehur thirrjen për internacionalizëm: të qenit global është bërë një markë turpi.

Barack Obama, ikona e vetëpërfytyrimit kozmopolit të Amerikës, ilustron dilemën e ringjalljes së kombit, ndërsa tërhiqet nga bota.

Titulli biblik i kujtimeve të tij politike Toka e Premtuar (2020) nënvizon një temë në lidhje me shtrëngimet e udhëheqjes së një kombi, ndërsa humbet vullnetin e tij për të udhëhequr. Ndërsa Obama u kthye drejt fitores në 2008, ai reflektoi në W. E. B. Du Bois dhe nocionin se zezakët amerikanë janë dënuar përgjithmonë me një dyfishim, në të njëjtën kohë amerikanë dhe zezakë.

Obama përkulet para shkëlqimit të William Edward Burghardt Du Bois, duke shkruar se “megjithatë në asnjë moment nuk e kam vënë në dyshim, ose edhe të tjerët, ‘amerikan-sinë’ time themelore”.

Nënshkrimi i “amerikan-sisë” së tij është një besim i jashtëzakonshëm mbi vendin, një model i lirisë dhe mikpritjes për të tjerët. Lidhur me të, për mirë dhe keq, është një traditë e udhëheqësit global për të reflektuar lavdinë e tij patriotike.

E, megjithatë, politika e jashtme e vet Obamës u formësua nga përpjekjet e tij për të shfryrë pritjet për atë që SHBA-të mund të bënin jashtë, ndërkohë që pomponin lartësinë në vend.

Kundërshtimi i tij ndaj luftës në Irak dhe dyshimet e tij për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe, shkruan ai, ishin të dyja të mbështetura në një besim të zbutur në të jashtëzakonshmen amerikane me një përulësi rreth aftësisë sonë për të ribërë botën sipas imazhin tonë.

Kjo është arsyeja pse realizmi i tij ishte kaq konfuz dhe i përbuzur. Obama pretendoi të kthehej në trashëgiminë e Ronald Reagan, por pa bravurën që e përcaktoi atë. Shkretëtira etike që ishte besimi i Trump-it ka eklipsuar heshtjen e Obamës në lidhje me abuzimet e kryera nga autokratët e Lindjes së Mesme, dëbimet masive dhe duke tërhequr publikisht një vijë në Siri – dhe pastaj duke u larguar prej saj.

Idealistët

Idealistët, gjithashtu, kanë rimarrë kombin. Jill Lepore mund të jetë historiania më e famshme në SHBA. Një shkrimtare dhe studiuese e aftë, bën që historitë e çuditshme të zbulojnë të vërteta më të gjera dhe të kapërcejë Ivy League-n dhe mediat elitare liberale me sukses të pashembullt.

Gjithashtu Lepore është bashkuar në klubin e ndërtimit të kombit. Ajo dëshiron ta kthejë atë nga etnocentristët dhe nga neglizhenca e kozmopolitanëve, veçanërisht midis profesoratit, të cilët e lanë kombin të shkojë, sepse ata i kthyen vëmendjet e tyre në gjëra më të vogla dhe më të mëdha; duke u bërë global, ajo pretendon në This America: The Case for the Nation (2019), ata “përçanë historinë kombëtare”. Kjo e la kombin të rrëmbehej nga njerëz më pak skrupulozë”.

Sipas këndvështrimit të Lepores, progresistët braktisën kombin; njerëzit e këqij e kapën atë. Është koha për ta marrë atë përsëri.

Në faqet e revistave të tilla, si “Foreign Affairs” dhe “The New Yorker”, si dhe në “This America”, Lepore shprehet se do ta bëjë kombin përsëri të freskët për liberalët dhe progresistët.

Versioni i saj i kombit është i hapur, mikpritës, pluralist, qytetar. Ai lidh njerëz të ndryshëm dhe u jep atyre strehim, pavarësisht ndasive. Lepore pranon gabimet e skllavërisë dhe përjashtimit racor në narrativën kryesore; ata i japin tensionin dhe dramën komplotit të papërfunduar, që kërkon lirinë.

Për Leporen, ringjallja e rrëfimit patriotik, do të thotë të ndezësh pretendimet e jashtëzakonshme se SHBA-të janë të ndryshme. Se, ndryshe nga kombet e tjera, lindi liberale. Nga ai moment themelues e formues, Lepore e shpëton kombin nga nativistët gërhitës, sepse është tregimi liberal i kombit që e bën atë të jashtëzakonshëm.

Pa atë mbiemër kritik, liberal, SHBA duket si kombet e tjera. Protestuesit e Make America Great Again mund të pretendojnë se vetëm ata e duan vendin, por “ata do të gabojnë”, thërret ajo në fund të This America.

Pse? Sepse ato përmbajnë atë që e bën SHBA-në të jashtëzakonshme: nacionalizmi i tyre do të gllabërojë liberalizmin dhe virtytet që e bëjnë kombin të madh. Mënyra për të qenë një patriot i vërtetë, është të jesh një liberal, për të ndarë narrativën themeluese të Lepore.

Ajo që Lepore nuk e thotë është se liberalizmi i saj nuk mund të mbijetojë pa ombrellën mbrojtëse të kombit. Për këtë arsye, ajo kërkon rikthimin e saj.

Ajo dëshiron që lexuesit dhe studentët e saj të ndiejnë po aq shumë krenari kur e valëvisin flamurin amerikan, sikurse ndiejnë edhe legjioni i Trump-it. Sfida është të rikthehet romanca kombëtare dhe të rikthehet kujtesa kolektive e liberalitetit për njerëzit brenda, edhe kur të huajt nuk duken në pamje.

Ajo që Lepore nuk mund të shohë janë tiparet përjashtuese të imagjinatës së saj liberal-nacionaliste. “Nacionalizmi amerikan është dhe gjithmonë ka qenë i komplikuar ”, thotë ajo.

Komplikimi i saj fillon me Trembëdhjetë Kolonitë, që ndanin pak gjëra të përbashkëta përveç disa kartave vizionare të njerëzimit, siç janë Artikujt e Konfederatës. Por është në përbërjen e kombeve të krijojnë bashkësi, duke përfshirë disa ndërsa përjashtojnë të tjerët.

Kolonitë, në fillim, do të thoshin pushtim dhe kolonizim. Por popujt vendas, meksikanët, hawaiianët dhe porto-rikanët janë fantazma në llogarinë e Lepore. Për të rivendosur mitin e kombit liberal të lindur liberal, për ta shpëtuar atë nga nativistët etnocidë, do të thotë të lëmë të tjerët jashtë historisë derisa të bëhen “emigrantë” që kërkojnë strehë nga iliberalizmi diku tjetër.

Ka mënyra alternative për të rindërtuar një të kaluar të përbashkët, që përballet me përjashtimet themelore nga kombi.

Pak historianë australianë, zelandezë të rinj ose kanadezë do të përpiqeshin të krijonin një epikë të tillë patriotike, pa llogaritur historinë e kolonializmit vendosës. Edhe para lojërave të hokejt, tifozët në veri të kufirit amerikan dëgjojnë ato që quhen “mirënjohje toke”, si përkujtues se idetë e tyre të sovranitetit ishin dhe janë kontingjente, se territori nën shesh patinazhi ishte shtëpia e kombeve të tjerë dhe se ekzistenca e rrëfimit tradicional kanadez (ose australian, ose Zelanda e Re) kishte kërkuar breza të harresës.

Për më tepër, fuqia e pretendimeve të indigjenëve për njohje dhe dëmshpërblim varet nga – merreni me mend se çfarë? – qarkullimi global i ideve të indigjenitetit.

Lepore do të pajtohej me Orwellin. Mënyra e vetme për të mposhtur iliberalizmin është, siç shprehet ajo, duke “bërë thirrje për qëllimet kombëtare”.

Por, a do të pajtohej Orwell-i me Lepore-n? Nuk e besoj. Ai kurrë nuk do ta kishte parë mbrojtjen e nderit dhe të drejtave si diçka që ndalet në kufijtë e patrisë. Për më tepër, ajo që u ka parandaluar kombeve lejimin e fuqive të tyre përjashtuese dhe shfarosëse ka qenë një përzierje e rrjedhshme e solidaritetit dhe rivalitetit global, që mban shtete-kombet nën kontroll, të mbështetur nga “ndërkombëtarja” e Bentamit, ku kombi merr pjesë dhe nuk është jashtë saj.

Ata që mbrojnë rastin e rilindjes së narrativave patriotike, nuk po përpiqen thjesht të rimarrin kombin nga bullistët, që mbyllin studentë, çanëtarësojnë gazetarë dhe i përzënë intelektualët.

Ata gjithashtu janë duke pranuar disfatën. Si pasojë, ata po deklarojnë përfundimin e kërkimit për narrativa që rivendosin pajtimin ndaj anëtarësisë në kombe me pyetje të përkatësisë së tyre në një rend më të lartë.

Në 1951, Hannah Arendt bëri thirrje për narrativa të reja. Vetvetiu ende një refugjate, një e dëbuar nga shoqëria që po aplikonte për shtetësi amerikane, në veprën e saj Origjinat e Totalitarizmit, ajo u tregonte lexuesve të saj se vetëm në “një parim politik, në një ligj të ri në botë, vlefshmëria e së cilës kësaj here duhet të përfshijë të gjithë njerëzimin” do të ishte e mundur që kombet të kufizojnë veset e tyre më të këqija.

Kjo duhej të llogaritej me realitetin e shteteve kombe territoriale. Por ky parim i ri nuk duhet të na licencojë për të marrë “atë që ishte e mirë në të kaluarën dhe thjesht ta quajmë si trashëgimi tonën”.

Tmerret e epokës së saj – dhe pamja e refugjatëve që po mbyteshin ose zhurma e fëmijëve jetimë në kohën tonë – nuk janë më pak reale.

“Kjo është arsyeja pse të gjitha përpjekjet për të shpëtuar nga zymtësia e së tashmes, në nostalgji për një të kaluar ende të paprekshme, ose në harresën e pritur të një të ardhmeje më të mirë, janë nule”, shkroi ajo në parathënien e saj.

Për hir të njerëzimit, Arendt i nxiti lexuesit të shihnin kombin si një domosdoshmëri, por edhe të aftë për një mizori të tillë, që kurrë nuk mund t’i besohej vetvetiu për të bërë mirë.

Pas Holokaustit dhe një shekulli të dhunës imperiale, tundimi për t’u tërhequr në komoditetet e nostalgjisë – për ta bërë çdo komb përsëri të madh duke u thirrur në kthimin e trashëgimisë së tij – hoqi sfidën e krijimit të narrativave që tejkalojnë zgjedhjen e gabuar të përkatësisë ose një komb ose në një botë që e bën atë komb të mundur.

Ringjallësit patriotikë – nëse duan ta përmirësojnë “rastin” e tyre – duhet të vihen ballë për ballë me një paradoks dhe të jenë më të komplikuar. Bota ka nevojë për kombe për të bërë gjëra të mira, sikur ulja e emisioneve të karbonit, dhe të ndalojë së trajtuari njerëzit “të pa-shtet” si më pak se njerëz.

Për të bërë gjëra të mira, kombet duhet të jenë të mira. Por kushti për ekzistencën e kombeve të mira është që kombe të tjera të mira të bëjnë gjëra të mira për njëri-tjetrin: edhe për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre për arsye se kombet e tyre s’kanë qenë të mira.

Pse të mos fillojmë me këtë në kërkimin e historive të tjera për kombet në një epokë të re globale?

Përktheu nga anglishtja Xhezair Dashi për Albanian Post 


Lajmet kryesore