Opinione / Kolumnistët

Pa Draghin, Italia kthehet në vendin e  makaronave


Stefano Marcelli

Mario Draghi nuk është më aty. I emocionuar, në përfundim të një seance të Senatit italian të karakterizuar nga të papritura të vazhdueshme, Kryeministri i dorëzoi dorëheqjen e tij të parevokueshme Presidentit të Republikës Sergio Mattarella.

Pasoja e parë e këtij akti është se italianët do të shkojnë në zgjedhjet e 25 shtatorit.

E dyta është se, sipas të gjitha gjasave, Italia do të kalojë nga një qeveri teknike e angazhuar për ta përafruar me politikat evropiane, në një qeveri të krahut të djathtë të dominuar nga populizmi dhe mbrojtja e interesave të korporatave.

E treta është se vlerësimi dhe autoriteti në fushën ndërkombëtare që ish-presidenti i Bankës Evropiane i kishte transferuar vendit (e dëshmuar në këto orë nga keqardhja unanime e shprehur nga liderët në Perëndim, nga Ëashingtoni deri Paris dhe Berlin e Bruksel) do të nungojnë.

Italia rrezikon tani, pasi palët dërguan në shtëpi atë që konsiderohej ndoshta kryeministri më i mirë në Evropë, të bjerë befas në mosrespektin e komunitetit ndërkombëtar, duke e parë nga klishetë e vjetra si vendi i pakteve të pa respektuara, komploteve, mosbesueshmërisë, makaronave dhe mandolinës.

Draghi kishte mbërritur në Senat duke ofruar gatishmërinë e tij për të qëndruar në krye të qeverisë, për sa kohë që parlamenti i garantonte të zbatonte programin e reformës, tashmë të nisur, për të nxjerrë vendin nga kriza energjetike dhe ekonomike dhe për të marrë miliarda euro të premtuara nga Bashkimi Evropian.

Në fjalën e tij, kryeministri (i cili nuk është politikan dhe është mësuar të flasë sinqerisht) goditi fuqishëm partitë “5 Yjet”, “Lega-n” dhe “Forza Italia”, duke i akuzuar për bllokim të veprimit të qeverisë, kjo për të përkrahur interesat e kategorive individuale.

Përgjigja e partive të djathta qe dhënia Draghit e një listë kërkesash, të cilat në fakt dëmtonin plotësisht programin e qeverisë.

Në atë moment, Draghi e kuptoi se nuk do të ishte më në gjendje të përfundonte punën e nisur dhe të respektonte angazhimet e marra me Evropën.

“E kuptova që duke pranuar lindjen e një qeverie të re, do të qëndroja vetëm një ditë”, rrëfeu ai privatisht.

Politika italiane ka dëbuar kryeministrin më të mirë që kishte në dispozicion në favor të mbrojtjes së interesave të kategorive si taksistë, drejtues resorte plazhi, pronarë pronash të mëdha etj. dhe kjo për të bllokuar ndërtimin e inceneratorëve dhe gazifikuesve, avancimin në elektrik për makinat, reformën e pensioneve…

Me pak fjalë, ka fituar populizmi dhe demagogjia, mbrojtja e interesave të vogla dhe të mëdha në kontrast me politikat komunitare, për hir të sjelljes së votave në arkat e partive.

Dhe në fakt, sondazhet konfirmojnë se koalicioni i qendrës së djathtë i përbërë nga e djathta e “Fratelli d’Italia”, “Lega” dhe e qendrës së djathtë “Forza Italia” do të jetë fitues në zgjedhjet e ardhshme.

Lëvizja “5 Yje” e themeluar nga aktori i humorit Beppe Grillo dhe sot e drejtuar nga avokati Giuseppe Conte duket e destinuar të zhduket, duke qenë se mbështetja ndaj saj tashmë ka shkuar nga 30 në pak më shumë se 10 për qind dhe se dhjetëra deputetë po e braktisin atë.

“Forza Italia”, e cila tani është një parti e reduktuar në pak më shumë se 10 për qind, po vuan gjithashtu braktisjen e figurave të shquara që akuzojnë Berlusconin se i është dorëzuar Salvinit dhe Melonit (në krye të “Fratelli d’Italia”).

Ndërkohë në “La Lega” është duke u zhvilluar një përplasje mes linjës populiste të sekretarit të saj, Salvini dhe krahut qeveritës i përbërë nga ministra dhe administratorë lokalë.

Partia Demokratike (e majta reformiste), e cila në sondazhe pretendohet të jetë në një nivel me të djathtën ekstreme të “Fratelli d’Italia”, u detyrua të prishë aleancën e saj me “5 Yjet”, fajtore për inicimin e komplotit brenda pallatit kundër Draghit ndaj me shumë gjasë e destinuar të humbasë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është tabloja e situatës së sotme politike italiane për të cilën ka dyshime edhe për ato “ndërhyrje” ruse për të cilat foli vetë Draghi në fjalimin e tij dhe që shumë vëzhgues i risjellin, duke qenë se “5 Yjet”, “Lega” dhe “Forza Italia” janë të gjitha palë të lidhura në forma të ndryshme me Vladimir Putin.

Por Draghi është ende aty. Në fakt, deri më 25 shtator, qeveria në largim do të qëndrojë në detyrë për çka ka të bëjë me aktualitetin. Dhe presidenti Mattarella ka ftuar të gjitha palët ta mbështesin për miratimin e masave më të rëndësishme.

Ndërkohë, ish-bankieri lë një trashëgimi thelbësore: marrëveshja për furnizimin me drithë midis Rusisë dhe Ukrainës që po nënshkruhet në Turqi, Gjermanisë përballë krizës energjetike për shkak të ndërprerjes së gazit rus, i vijnë furnizimet algjeriane të prokuruara nga qeveria italiane, të gjitha rezultatet e punës së Draghit.

Madje edhe në hapjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE presioni i fortë i kryeministrit italian ndaj francezit Macron dhe gjermanëve ka qenë shumë i rëndësishëm.

Por asnjë nga këto nuk ka rëndësi. Pas dëbimit të Draghit, Italia tani pret një populist të krahut të djathtë që do të zërë vendin e tij dhe do ta kthejë atë në vendin e makaronave sipas një klisheje të vjetër.

 


Lajmet kryesore