Ofensiva e ripërtërirë e Izraelit në Gaza ekspozon qëllimin e vërtetë të Netanyahut: Mbijetesën politike përmes luftës së pafund

Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shpjeguar atë: Izraeli me vetëdije shkeli marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin – me miratimin e Amerikës – sepse nuk donte të përmbushte plotësisht kushtet për të c...
Amos Harel
Loading Icons...
test12

Ofensiva e ripërtërirë e Izraelit në Gaza ekspozon qëllimin e vërtetë të Netanyahut: Mbijetesën politike përmes luftës së pafund

Amos Harel
Loading Icons...

Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shpjeguar atë: Izraeli me vetëdije shkeli marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin – me miratimin e Amerikës – sepse nuk donte të përmbushte plotësisht kushtet për të cilat ishte zotuar dy muaj më parë.

Hamasi është një organizatë terroriste vrastare dhe lufta filloi me iniciativën dhe përgjegjësinë e tij të vetme me sulmin e befasishëm në Izraelin jugor më 7 tetor. Por abuzimi psikologjik i Hamasit ndaj pengjeve dhe familjeve të tyre gjatë fazave të fundit të lirimit nuk mund të përshkruhet si një shkelje e rëndësishme e marrëveshjes nga ana e tij.

Ishte qeveria e Izraelit ajo që dështoi të respektojë marrëveshjen kur nuk e përfundoi tërheqjen e premtuar të forcave të IDF nga Rripi i Gazës në javët e fundit, veçanërisht nga korridori Filadelfi përgjatë kufirit Gaza-Egjipt.

Hamasi nuk pranoi të mbyllte një sy dhe të ecë përpara me lirimin e pengjeve sipas propozimeve të reja të ndërmjetësimit të paraqitura nga amerikanët, gjë që shkaktoi ngecjen e negociatave. Si përgjigje, Izraeli rifilloi luftimet herët në mëngjes të martën.

Sipas Hamasit, më shumë se 320 (aktualisht janë mbi 400, shën. red) palestinezë u vranë në një seri sulmesh ajrore në Gaza, duke përfshirë zyrtarë të lartë të Hamasit dhe punonjës të zyrave qeveritare të grupit.

Trupat e palestinezëve të vrarë në një sulm ajror të ushtrisë izraelite janë sjellë në spitalin Shifa në qytetin e Gazës, të martën. Foto Abdel Kareem Hana, AP

Ajo që vijon mund të përfshijë sulme ajrore më masive, por edhe zbatimin e një manovre të re dhe të gjerë tokësore në Gaza, të udhëhequr nga shefi i ri i shtabit të IDF Eyal Zamir, me shpresën për të mundur përfundimisht Hamasin.

Zamiri ka thënë se zbatimi i planit do të kërkonte disa divizione të IDF-së. Kjo do të kërkonte sërish një thirrje rezervë në shkallë të gjerë – për herë të parë në kushtet kur nuk ka konsensus real publik mbi justifikimin e kthimit në luftë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka të ngjarë të argumentojë se vetëm presioni i ri ushtarak do të mundësojë kthimin e 59 pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, nga Gaza. Por ky justifikim nuk është më bindës.

Gati 40 pengje kanë vdekur në Gaza në rrethana të ndryshme që kur u morën peng të gjallë nga territori izraelit më 7 tetor. Presioni i ri ushtarak rrezikon qartë pengjet e mbijetuar, mund të përkeqësojë më tej kushtet e tyre tashmë të padurueshme në robëri dhe në një skenar ekstrem, madje mund ta shtyjë Hamasin të dëmtojë disa prej tyre si hakmarrje.

Një nga gjërat që doli qartë nga dëshmitë e disa prej pengjeve të liruar në dy muajt e fundit është se Hamasi i zhvendoste ata shpesh në vende të ndryshme.

Agjencitë e sigurisë të Izraelit nuk kishin informacione të sakta në kohë reale për vendndodhjen e shumë prej tyre. Kjo do të thotë se do të jetë e pamundur të kryhen sulme ajrore dhe një operacion tokësor me besimin se pengjet nuk do të dëmtohen.

Një ditë para sulmit izraelit në Gaza, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar nisën një sulm të ri dhe masiv kundër Houthis në Jemen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërcënoi se do t’i godiste më fort se sa janë goditur ndonjëherë më parë – por veçanërisht i rëndësishëm ishte kërcënimi i tij i qartë kundër Iranit. Trump tha se do ta konsideronte çdo sulm Houthi ndaj amerikanëve si një akt të kryer nga regjimi në Teheran.

Ky kërcënim vjen pasi SHBA-të po përpiqen ta kthejnë Iranin në negociata për të ndalur programin e tij bërthamor, por gjithashtu rrit tensionet në frontin ushtarak midis dy vendeve.

Që nga armëpushimi në Gaza, Houthi-t kishin ndaluar lëshimin e raketave dhe dronëve në Izrael. Tani, ka të ngjarë që ata të rifillojnë përpjekjet për të goditur Izraelin qendror në solidaritet me Hamasin.

Shpërqëndrimi nga Netanyahu

Ndërkohë, përpjekjet e Netanyahut për të rrëzuar shefin e Shin Bet, Ronen Bar janë në vazhdim. Kur Netanyahu mbajti bisedën e shkurtër të shkarkimit të Bar-it të dielën në mbrëmje, të dy e dinin tashmë se vendimi për të rifilluar luftën kundër Hamasit ishte i pashmangshëm. Bar gjithashtu mori pjesë në konsultimet e kufizuara që Netanyahu mbajti të hënën në mbrëmje përpara sulmeve ajrore në Gaza.

Vetëm nën Netanyahu-n mund të ekzistonte një situatë e tillë: nëse ai nuk ka besim te kreu i Shin Bet, siç pretendon ai, pse vazhdon ta përfshijë atë në forumet më të klasifikuara?

Duke pasur parasysh hetimin e vazhdueshëm ndaj tre prej këshilltarëve të Netanyahut mbi akuzat për marrjen e fondeve nga Katari, Netanyahu duhet të kishte shmangur çdo lëvizje në lidhje me Bar-in.

Ka gjithashtu diçka shqetësuese në lidhje larjen e hesapeve të Netanyahut me Bar-in, veçanërisht pasi hetimi i brendshëm i Shin Bet për dështimet e sigurisë të 7 tetorit përfshin akuza të ashpra kundër Netanyahut për politikën e tij të transferimit të fondeve të Katarit drejt Hamas-it.

Madje në raport përmendet se Shin Bet e kishte paralajmëruar kryeministrin në atë kohë se një pjesë e parave po përdoreshin drejtpërdrejt për veprimtari terroriste. Në këtë pikë, nuk është krejtësisht e përjashtuar që qeveria të përpiqet të shtyjë përpara shkarkimin e Bar-it në ditët në vijim – edhe kur lufta është duke u rinovuar.

Operacioni i Izraelit në Gaza do të justifikohet si një hap i domosdoshëm për të thyer bllokimin e negociatave duke përmbushur njëkohësisht premtimin e Netanyahut për të mposhtur Hamasin – edhe pse afatet kohore për këto dy qëllime nuk janë të përafruara. Pengjet mund të vdesin përpara se Hamasi të mposhtet, nëse do të mposhtet tërësisht.

Por mbi të gjitha, bëhet fjalë për një sërë synimesh urgjente politike që kryeministri nuk do t’i pranojë publikisht: rikthimi i Itamar Ben-Gvir dhe fraksioni i tij i ekstremit të djathtë Otzma Yehudit në qeveri, miratimi i buxhetit dhe stabilizimi i koalicionit.

Këtë herë, mbijetesa politike e Netanyahut varet vërtet nga mbajtja e presionit në Gaza – duke përfshirë një përpjekje për të larguar vëmendjen e medias nga protestat e ripërtëritura kundër qeverisë mbi planin për të shkarkuar Bar-in.

Objektivi i vërtetë i Netanyahut duket gjithnjë e më i qartë: një rrëshqitje graduale drejt një regjimi të stilit autoritar, mbijetesën e të cilit ai do të përpiqet ta sigurojë përmes luftës së përhershme në fronte të shumta.

Edhe në videon që publikoi në lidhje me përpjekjen e tij për të shkarkuar Bar-in, Netanyahu foli për “një luftë në shtatë fronte”. Po pengjet? Nga këndvështrimi i Netanyahut, duket se ata mund të vdesin në tunele – duke e ditur se ata kontribuan në kontrollin e tij të vazhdueshëm në pushtet.