Opinione / Editoriale

Nuk po afrohet Serbia me NATO-n, por po largohet Kosova


Mero Baze Gazetar, publicist

Christopher Hill arkitekti i politikës amerikane për Kosovën në vitet vendimtare të saj 1998, 1999, ka shkaktuar një ditë më parë një tërmet në politikën e Kosovës, pasi ka thënë qetësisht se Serbia është më afër me NATO se Kosova.

Kundër tij ka reaguar Presidentja Vjosa Osmani, dhe më pas gjithë enturazhi i qeverisë së Albin Kurtit që mezi presin të hap gojën ndonjë perëndimor me kritika ndaj Kosovës.

Sulmet ndaj deklaratës së ambasadorit Hill, së pari nuk bazohen tek thelbi politik i deklaratës.

Ambasadori Hill e di predispozicionin e Serbisë për NATO pasi mbi të gjitha NATO është armiku që ata I ka bombarduar për shkak të Kosovës. E di që nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe në Serbi të hyn në NATO.

E dinë po ashtu  që nuk lidhen dot hapur me Rusinë pikërisht se kanë frikë NATO.

Pra nuk ka ndonjë afërsi të Serbisë me NATO, por ka një pozicion statik të saj, mes NATO dhe Rusisë.

Problemi që sjell deklarata e ambasadorit Hill është vlerësimi që SHBA ka se Kosova po largohet nga rruga drejt NATO . Pra nuk është afruar Serbia me NATO, por rruga që ka marrë Kosova e çon atë më larg se Serbia në raport me NATO.

Kjo nënkupton se politika e Kosovës, e qeverisë së Albin Kurtit, është një politikë antiperëndimor dhe Anti NATO, ndërsa politika e Serbisë është e qartë që është një politik hezituese për tu lidhur me Rusinë dhe spekulative në raport me NATO, pasi duan të mbajnë një këmbë në NATO e një në Rusi.

Këtë nuk e dyshon njeri. Ajo që është  shqetësues është largimi i Kosovës nga orientimi i saj perëndimor dhe krijimi I një klime mosbesuese në Perëndim për udhëheqjen e Kosovës. Dhe ky është problem serioz.

Mënyra si e ka thënë ambasadori Hill normalisht është e pamëshirshme, por mjerisht është dhe  e vërtet.

Christ Hill është ndoshta amerikani që është marrë në terren më shumë se çdo diplomat tjetër në botë, për të çuar Kosovën fillimisht drejt lirisë e më pas pavarësisë.

Ai zëvendësoi Ricard Holbrook në Majin e vitit 1998, si i dërguar special i SHBA për Kosovën, shkeli çdo zonë të Kosovës para luftës, kontaktoi UCK ndërmjetësoi armëpushime të saj me Ushtrinë Jugosllave, tentoi të hartoj personalisht një plan paqeje dhe që muaj më vonë përfundoi në Marrëveshjen e Rambujes si kryenegociatori dhe arkitekti i gjithçkaje që u bë për Kosovën.

Ai i njeh me emra gjithë protagonistët që sollën lirinë e Kosovës që nga Ibrahim Rugova e deri tek truprojat e Hasim Thaçit, që nga drejtuesit e gazetave e deri tek korrespodentët në terren.

Ai e di si erdhi liria e Kosovës. Madje kush nuk e di mirë se si ka ardhur mund të pyes atë.

Ndaj dhe ka të drejt të ngrejë dhe i pari alarmin, për shpërdorimin e asaj që bëri NATO për lirinë e Kosovës dhe akoma më keq, kundërvënien e politikës qeveritare së Kosovës ndaj Perëndimit, si një normalitet politik.

Është e rënd që në këtë debat përfshihen Presidentja e Kosovës dhe politikanë të tjerë që identifikohen me qeverinë, pasi është e qartë se përse e ka fjalën ambasadori Hill.

Nuk është duke na thënë se Serbia po bën hapa drejt NATO më shpejt se Kosova. Është duke thënë se Kosova po I largohet NATO më shpejtë se Serbia. Dhe kjo është e qartë vetëm nga mënyra se si reagojnë ndaj kësaj të vërtete të hidhur.


Lajmet kryesore