Nuk duhet ta nënvlerësojmë “luftën me fjalë” të Donald Trump

Historianët e quajnë “luftë të çuditshme” periudhën nga shtatori 1939 deri në maj 1940 – kur ndërmjet Gjermanisë dhe kundërshtarëve të saj evropianë u përdorën më shumë fjalë sesa armë. Në Shtetet e B...
Bill Emmott
Loading Icons...
test12

Nuk duhet ta nënvlerësojmë “luftën me fjalë” të Donald Trump

Bill Emmott
Loading Icons...

Historianët e quajnë “luftë të çuditshme” periudhën nga shtatori 1939 deri në maj 1940 – kur ndërmjet Gjermanisë dhe kundërshtarëve të saj evropianë u përdorën më shumë fjalë sesa armë.

Në Shtetet e Bashkuara po përjetojmë një “presidencë të çuditshme” që nga momenti kur presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe aleatët e tij filluan të flasin shumë para se të kalonin në veprim.

Faleminderit Zotit, dhe na falni, kjo periudhë e çuditshme do të mbarojë më 20 janar, me ceremoninë e inaugurimit të mandatit të ri të Trump, pas së cilës do të fillojmë të shohim presidencën e vërtetë.

Ato fjalë – si gjithmonë, në rastin e Trump, një ekspert i madh i mediave – janë thënë pasi janë studiuar me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik amerikan dhe të qeverive të huaja.

Gjatë fushatës së tij të parë elektorale në 2016, Peter Thiel – në atë kohë aleati i tij më i rëndësishëm teknologjik dhe miliarder, ish-kolegu i Elon Musk në PayPal – tha një gjë që nuk duhet harruar.

“Themelorja me Trump është ta marrësh seriozisht, por jo fjalë për fjalë”.

Trump nuk ka ndërmend të bëjë gjithçka që thotë, për ta thënë më thjesht, por në fakt, sipas Thiel, ai ka qëllime serioze.

Duke grumbulluar atë që Trump tha gjatë fushatës së tij elektorale dhe atë që thotë gjatë kësaj periudhe të çuditshme presidenciale që filloi më 5 nëntor, besoj se mund të dalin pesë përfundime lidhur me çfarë mund të jenë qëllimet e tij.

Përfundimi i parë është se do të ishte shumë gabim të thuhet, siç thonë disa komentatorë, se Trump ose partia e tij e Republikës janë për një rikthim në izolacionizmin që karakterizoi politikën amerikane dhe politikën e jashtme amerikane në vitet ’30.

Një izolacionist nuk kërcënon të pushtojë Panamanë ose Groenlandën, as të shndërrojë Kanadanë në shtetin e SHBA-ve.

Trump dhe lëvizja e tij “America First” janë unilateralistë që urrejnë angazhimet jashtë oqeanit dhe përçmojnë aleatët, por natyrisht ata kanë ndërmend të ushtrojnë fuqinë e tyre në nivel ndërkombëtar, jo të mbyllen në shtëpinë e tyre.

Për më tepër, nëse Panamaja dhe Groenlanda kanë ndonjë rëndësi në mendjen e Trump, ndoshta kjo është për shkak se ai i konsideron ato si vegla në rivalitetin e Amerikës me Rusinë dhe Kinën, dhe jo si qëllime për vetvete.

Përfundimi i dytë është se Trump beson se ka nevojë të duket i fortë, nëse do që opinioni publik amerikan të mbetet i bindur se ai do të “bëjë Amerikën përsëri të madhe”, por gjithashtu duhet të duket i fortë dhe i sigurt nëse do që qëllimet e tij në politikën e jashtme të kurorëzohen me sukses.

Provokimet e tij lidhur me Panamanë, Groenlandën dhe Kanadanë janë kalkuluar që të shërbejnë për të dyja këto qëllime.

Në përputhje me komentimin e Thiel, Trump nuk duhet të merret fjalë për fjalë në asnjë nga këto raste, por padyshim ka një qëllim serioz të duket një njeri i fortë dhe të veprojë si i tillë.

Duhet ta mbani mirë në mendje këtë kur të arrini në përfundimin e tretë, lidhur me Ukrainën dhe Rusinë.

Të gjithë, veçanërisht Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, e dinin se pohimi i Trump për të përfunduar luftën “brenda 24 orëve” nuk duhej marrë fjalë për fjalë.

Sidoqoftë, nëse fliste seriozisht kur tha se mund të arrinte një armëpushim, tani do të duhet të duket si një njeri i fortë dhe të veprojë përkatësisht, jo aq në marrëdhëniet e tij me Zelenskyn, por me Putin.

Është e mundur që pas 20 janarit, Trump dhe dërguari i tij i veçantë, gjeneral lejtnant i pensionuar Keith Kellogg, do të kërkojnë mënyra për të shfaqur këtë qëndrim të fortë: thuajse me siguri do të vazhdojnë të ofrojnë disa ndihma ushtarake për Ukrainën, por po ashtu është shumë e mundur që të bëjnë të qartë se kërkesat e Putinit nuk kanë asnjë mundësi të pranohen.

Ajo që pengon zhvillimin e bisedimeve të vërteta të paqes janë kërkesat e Putinit, jo ato të Zelenskyt.

Si president që e ka shpallur veten si njeri të fortë, Trump do të dëshirojë të godasë shpejt Putinin me ekuivalentin diplomatik të një shtytjeje në gjoks për t’i humbur ekuilibrin dhe për t’i bërë të qartë pozicionin e Amerikës.

Si do ta bëjë këtë do të jetë treguesi më i hershëm i qëllimeve të Trump në politikën e jashtme, një shenjë që do të shihet jo vetëm nga Moska dhe Kiev, por edhe nga Pekini, Teherani dhe Pheniani, sepse Kina, Irani dhe Koreja e Veriut janë gjithashtu armiq të Amerikës.

Sigurisht, Trump dhe burrat e tij të sigurisë kombëtare e dinë që ky vendim dhe realizimi i tij me shumë mundësi do të bëjnë të qartë kursin e katër viteve të ardhshëm.

Përfundimi i katërt është se kontradikta më e vështirë për t’u zgjidhur nga ato që Trump ka shprehur është ajo që ka të bëjë me financat publike të Amerikës.

Dihet që Trump dhe mbështetësit e tij republikanë duan të rrisin shpenzimet e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen dhe t’i tregojnë Kinës se Amerika ka ndërmend të mbajë superioritetin e saj ushtarak.

Megjithatë, ai i ka nxitur anëtarët e NATO-s të vendosin një objektiv të ri prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet e Mbrojtjes, kundrejt 2 për qind që është aktualisht.

Kjo është e paqartë nëse mbahet parasysh që buxheti për Mbrojtjen që do të trashëgojë nga presidenti Joe Biden është vetëm 3.4 për qind e PBB-së.

Për Amerikën, kalimi nga 3.4 për qind e PBB-së në 5 për qind në një periudhë kur deficiti i buxhetit federal të Shteteve të Bashkuara është 6.3 për qind e PBB-së është i pamundur, veçanërisht për një Administratë Trump që ka premtuar të mbajë uljet tatimore.

Ajo që është thënë na çon te përfundimi i pestë dhe i fundit: Miliarderët afër Trump, të udhëhequr nga Elon Musk, do të arrijnë të shtyjnë Administratën e tij të liberalizojë çdo sektor të biznesit, qoftë atë energjetik, financiar ose të mediave sociale, por nuk do të arrijnë ta bindin atë të bëjë investime të reja të mëdha publike, përfshirë Mbrojtjen.

Më lejoni që të shtoj një përfundim të fundit.

Kushdo që mendon – si presidenti argjentinas Javier Milei ose Musk – që aktualisht ekziston një bosht liberal që lidh Trump, Milein, Melonin dhe partitë e tjera evropiane të djathta ekstreme nuk di asgjë për Italinë.

Për Musk dhe Milei do të vijë shpejt koha të kuptojnë që qeveria Meloni mund të mbrojë shumë gjëra, por liberalizimi dhe liria e shprehjes nuk janë ndër to.