Opinione / Jetesë & Stil

Nuk do t’i shmangem më shoqërisë time


Maeve Higgins

Mbarova programet televizive gjatë pandemisë dhe fillova të shoh filma. Tani, pothuajse kam mbaruar edhe me ato! Ijët e mia janë në një pozicion të shtrirë dhe sytë më janë tharë si një kockë, por unë vazhdoj. Çfarë tjetër kam për të bërë?

Jam duke udhëtuar mbrapa nëpër dekada dhe së fundmi pashë filmin e vitit 1931, “Frankenstein”. Më pëlqeu ajo skenë e famshme e përbindëshit që ngazëllehej tej mase nga kontakti shoqëror duke e hedhur Marian, shoqen e tij të vogël, në një liqen.

Përbindëshi ishte aq i lënë mënjanë nga shoqëria, sa mezi e besoi kur Maria mori dorën e tij dhe e përfshiu atë në një lojë. Ai, ishte aq i entuziazmuar që po lirohej nga vetmia, saqë e hodhi për vdekje.

Unë do të ndihem në të njëjtën mënyrë deri në fund të kësaj pandemie. Do të jem aq e lumtur kur të shoh miqtë e mi sa do të murmuris dhe do të dridhem nga gëzimi dhe më shumë se sa ka të ngjarë, pa dashur, mund edhe t’i mbys. Mezi po pres!

Përveç një shëtitje të shpejtë aty-këtu ose një pije të ftohtë në një trotuar në Brooklyn, nuk kam pasur ndonjë përvojë të re me miqtë e mi për shumë muaj tani. Në vend të kësaj, u jam kthyer kujtimeve dhe përvojave të vjetra me ta, si thesare që gjenden në fund të oqeanit.

Një natë, u zhyta në mendime dhe u ktheva pas në festën e Falënderimeve të vitit 2016. Si një emigrante, nuk kam asnjë familjar këtu, ose as ndonjë traditë. Kjo, në njëfarë mënyre, është çliruese, sepse më lejon të krijoj versione të reja të të dyjave.

Atë natë feste, shoqja ime Abi dhe burri i saj, Noel, hapën apartamentin e tyre për të gjithë. Morën me qira karrige dhe bënë tavolina nga kompensata. Ne u paraqitëm pothuajse 20 veta. Kishte verë, muzikë dhe pjata të mëdha ushqimi, mbi të cilat merrnim frymë pa pikë kujdesi.

Nuk mbaj mend për çfarë kemi biseduar, por unë e kam parasysh, qartë si dita, shoqen time Emilie në njërën anë të tryezës, dhe shoqen time Sophie në anën tjetër. Kishte disa njerëz të rinj e interesantë përreth dhe të gjithë ne që po qeshnim pa pushim.

Ndërsa qeshim, i kalonim patatet njëri-tjetrit, si ato skenat në filmat e pushimeve. Unë për pak sa nuk shkova tek Abi atë mbrëmje, sepse të gjitha tortat ishin shitur në furra, dhe unë nuk doja të paraqitesha pa një ëmbëlsirë. Sikur i interesonte ndokujt! A mund ta besoni? Sikur kishim nevojë për diçka më shumë se njëri-tjetri, një vend të ngrohtë për t’u ulur dhe të rrinim së bashku.

Unë jam rritur katolike, lloji i katolikes që inkurajohet të bëjë edhe pazar. Në moshën shtatë vjeçare, një prift, po më thoshte me pasion se, nëse do të thoja gjysmë duzine lutjesh “Shenjta Mari”, Zoti do të më falte që bëhesha e lig me motrën time. “Dakord”, thashë, duke buzëqeshur si djalli vetë. Një ide e re u vendos në mendjen time.

Tani, dëgjoj veten time duke negociuar me një fuqi tjetër më të lartë. Shkenca mbase. Ose qeveria. “Të lutem”, them unë në boshllëk. “Lejo që të gjithë miqtë e mi ta kalojnë këtë situatë dhe betohem se nuk do t’i lë në plan të dytë kurrë ata”. As për një takim, as për një shkrim që më kërkohet brenda afatit, madje as për justifikimin tim mijëvjeçar: “Jam e rraskapitur”.

Si të gjithë në Nju Jork, unë dhe miqtë e mi jemi të shpërndarë, fizikisht dhe mendërisht. Betohem që nga kjo ditë e tutje, kurrë nuk do t’i lejoj mesazhet e tyre të grumbullohen dhe gjithmonë do t’u përgjigjem thirrjeve të tyre. Do të jem atje kur ata janë të mërzitur, të dëshpëruar dhe nuk kanë shumë për të thënë, sepse unë jam e tillë tani dhe ata ende më duan.

Do të bëja praktikisht gjithçka që të gjithë miqtë e mi të ishin në të njëjtën dhomë. Por, është e pamundur, të paktën deri sa të vaksinohemi. Çuditërisht, kam qenë në të vërtetë në disa nga dhomat e miqve të mi kohët e fundit, vetëm, pa to. Pandemia hodhi pjesën më të madhe të ndërtesave të jetës sime në ajër, dhe ende nuk kanë zbritur. Kjo përfshin edhe ndërtesën time ku jetoja.

Për fat të mirë, shoku im Jon, tha që unë mund të qëndroja në banesën e tij ndërsa ai ishte me familjen në vendlindje. E thirra në FaceTime nga dhoma e tij e ndenjes, për të pyetur se si ta hiqja njollën e verës së kuqe nga mbulesat e jastëkëve. Ai më tha: “Qëndro sa të duash; merr gjithçka që të nevojitet”. Si mund ta falënderoj për bujarinë e tij? Sigurisht, duke lënë rrengje në të gjithë gjërat e tij personale!

Gjarpërinj gome tek pjatalarësja, kova me ujë në majë të kornizave të derës dhe një çift të bukur gjerman në dhomën e tij të gjumit, të cilët mendojnë se janë në një hyrje me qira (Airbnb). Ata kanë paguar deri në shkurt. Nuk mund ta imagjinoj fytyrën e Jonit, kur ta merr vesh! Në të vërtetë, aty më zuri frika, sepse nuk mund ta imagjinoja fytyrën e tij për asnjë sekondë. Më mungojnë fytyrat e miqve të mi.

Është dhjetor tani dhe rrezet e diellit mezi depërtojnë midis reve, ndërsa vetmia vjen duke trokitur. Ky çlirim që vjen duke qenë vetëm në një vend të ri, kthehet lehtësisht në izolim – veçanërisht në izolim. Megjithatë, ndryshimi do të vijë së shpejti.

Në këtë kohë, vitin e ardhshëm, është e sigurt që do të shihemi përsëri. Unë do mund të përqafoj miqtë e mi, do të pickoj faqet e tyre, do të hidhem mbi ta, si ata qentë e mëdhenj që shpëtojnë njerëzit nga bora.

Në përgjithësi nuk jam person që i kam qejf festat, por vitin e ardhshëm do t’i bëj të gjithë të festojnë ditëlindjen time. Në fakt, unë do t’i bëj të gjithë të festojnë për gjithçka. Ke një takim tek dentisti dhe ke paguar për të? Ne do të largohemi për fundjavë. Je në pjesën e tretë të “Vitet e Lyndon Johnson?”

Kjo do të thotë do shkojmë në restorant. Ke një faturë ekstra të gjatë për të paguar në farmaci? Do takohesh me mua në karuselin prej druri në Parkun Brooklyn Bridge zemër!

Jam lodhur duke qenë bretkosa e vetmuar në fletët e zambakëve të vetmuar. Është shumë më mirë kur jemi një kor i madh që kërcënon qytetin.

E kuptoj pak më mirë tani shprehjen: “Të bësh miq, është një përpjekje, një zgjedhje dhe diçka që nuk ka fund”. Por, në të vërtetë nuk ka asnjë kuptim të fshehur në këtë. Thjeshtë më mungojnë miqtë e mi.


Lajmet kryesore