Opinione / Politikë

“…nuk di ti…”, apo si i thonë në Shqipëri “…ç’ke t’i, ta them unë…”


Astrit Nixha Arkitekt, themelues i studios arkitektonike Anarch

E dëgjova një ditë kryeministrin Edi Rama të thotë: “Jemi populli më i politizuar në rruzull”. Fjali e njohur, e thënë nga shumë të tjerë, por që merr tjetër peshë kur thuhet nga një kryeministër shqiptar.

E lehtë për t’u thënë, por sa e lehtë për t’u zbërthyer dhe kuptuar?

Si shpjegohet ky politizim kolektiv?

Të qenit shqiptar i Kosovës më jep mundësinë e analizimit të së ardhmes time të afërt, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me avantazh kohor të theksuar, ngaqë shihet sheshit se politikanët e Kosovës i kopjojnë ata të Shqipërish pikërisht për ato gjëra që do të duhej t’i shmangnin.

E trishtë, vërtet.

Është e rëndë ta shohësh veten teksa “mbytesh me duar të lidhura”, nëse nuk je Hudini. Është e rëndë ta shohësh veten duke “u përdhunuar intelektualisht”, teksa e sheh të papërmbushur shprehjen ‘dituria krijon mirëqenie’.

Cila është lidhja mes politizimit dhe mirëqenies?

Më ka rënë rasti të jem pjesë e tavolinave me politikanë shqiptar. Natyrisht, duke dashur që ta kuptoj të ardhmen para se ajo të behet realitet. Në një prej tyre, pasi u prezantuan e folën të gjithë, radha më erdhi mua. Kisha një pyetje që më interesonte shumë: kur do të kemi një objekt të projektuar nga një arkitekt shqiptar, të realizuar nga një kompani shqiptare, me materiale të prodhuara nga shqiptarë, në Shqipëri apo Kosovë? Për befasinë time të madhe, përgjigja e Politikanit X që na kish ftuar nuk ishte gjë tjetër veçse një lumë akuzash e fyerjesh. “Nuk di ti… nuk je i informuar… nuk ka arkitektë të shquar shqiptarë… ta them unë”, ishin veç disa nga togfjalëshat plot ironi që mu drejtuan mua. U ndjeva i ofenduar, natyrisht. Isha edhe shqiptar, edhe arkitekt, edhe i ftuar si pjesë e asaj tavoline. Vetëm një gjë nuk dija: e kishte të qartë apo jo zotëriu politikan që unë isha arkitekt. Megjithëse nuk pranoj të më fyhet inteligjenca, duke qenë ai takimi im i parë me atë njeri, u përmbajta. Madje u tërhoqa fare nga diskutimi.

“Nuk di ti”, apo siç thonë në Shqipëri “ç’ke ti, ta them unë”, është ndoshta shprehja më e keqpërdorur, në të dy anët e kufirit. E përdorin pothuaj të gjithë. Madje, më kanë akuzuar se e kam përdorur edhe unë. Një shprehje e kotë, po aq sa ata që e përdorin.

Pse arkitektët shqiptarë nuk dinë dhe si mund ta dijë një politikan ç’dinë apo ç’nuk dinë arkitektët shqiptarë?

Si duket një arkitekt që di?

Nëse arkitektët shqiptarë nuk dikan, a e dinë politikanët tanë qe me produkte të Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ndërtohet një shtëpi banimi?

Nëse arkitektët shqiptarë nuk dikan, a e dinë politikanët që specifikimi i materialeve nga arkitekti ndikon drejtpërdrejt në ekonomi?

Nëse arkitektët shqiptarë nuk dikan, a e dinë politikanët që Kosova importon mbi 300 milionë euro material ndërtimor nga Serbia në vit?

Unë e di. Ndërsa, politikanët nuk po tregojnë se e dinë.

Sikur të niseshin nga maksima e famshme “gjithcka është politike”, klasat politike në Kosovë dhe Shqipëri e kanë politizuar cdo dimension të shoqërisë.

Duke e bërë këtë, ato e ia kanë mbivendosur teatrit të jetës atë politik, njëri herë tragjik e herë komik, ndërsa tjetri tragji-komik; për marrë vëmendje të panevojshme e të pamerituar dhe lënë në harresë gjithçka tjetër.

Argatin e krejt kësaj mbrapështie e kanë bërë edhe mediat, në luftën e tyre të pafund për të mbledhur sa më shumë shikues, në cilëndo mënyrë dhe me cfarëdo mjeti.

Shpikja më e fundit e shtëpive mediale janë analistët politikë. Të gatshëm kurdoherë për të dhënë mendimin e tyre per ckado. Ata analizojnë secilin dhe gjithcka. Japin vlerësime për atë që ka ndodhur, për atë që do të ndodhë dhe për atë që nuk duhet të ndodhë. Diskutojnë çështje lokale, strategji globale dhe rendin botëror. Përnatë.

Kështu të gjithë mbeten të kënaqur. Politikanët sepse trillet e tyre, duke qenë në fokus të medias, kthehen në fokus të bisedës së përditshme. Mediat sepse duke e replikuar të njëjtin diskutim i mbajnë po ata njerëz para ekraneve televizive. Dhe, të ashtuquajturit analistë politikë sepse në një formë a një tjetër edhe ata bëhen pjesë e këtij diskutimi.

Ndërsa, populli sheh përmes ekraneve analiza të llojllojshme nëpër studio të po atyre mediave se si po ata politikanë emërojnë në pozita udhëheqëse njerëz pa arsimim të lartë.

Dhe, kështu deri në pafundësi.

Prandaj, më shumë se fyes, janë të trishtë togjalëshat e Politikanit X.

Ata nuk janë veçse shpërfaqje e padijes, që fshihet prapa të folurës së vrazhdë, kurdo që dikushe e kundërshton.

Madje mund ta përfytyroj edhe trajektoren e tij, deri në atë moment.

Pasi merr detyrën, Politikani X shkon në udhëtim jashtë vendit. Ndryshe nga c’është mësuar, përpos ushqimit atje i shërbehen edhe doza kulture, arti dhe rrjedhimisht edhe arkitekture. Aty, jashtë baltakut politik ai është në terren të panjohur. Nikoqiri kujdeset që t’ia qartësojë se gjithcka sheh nuk bëhet brenda një mandati. Nuk ka kohë të mjaftueshme për t’i dhënë drejtim të ri vendit. Nuk mjafton koha për ta zhvilluar as ekonominë, as arsimin, as shëndetësinë, as artin, as kulturën. Dhe, meqë mungojnë të gjitha, ato duhen importuar nga vendet që i kanë. Nga to duhen marrë ekonomistë, profesorë, mjekë, piktorë, regjisorë, arkitektë.

Pra, gjenezën e bindjes së Politikanit X se arkitektët, mjekët, profesorët, artistët e regjisorët shqiptarë nuk dinë e gjejmë tek padija e tij.

I mahnitur nga ato që ka parë, ai kthehet në vendin e tij ku pothuaj asgjë nuk shkon – natyrisht sepse shqiptarët nuk dinë! Ai di. Të tjerët nuk dinë.

Me po të njëjtin yrysh me të cilin ka arritur në këtë përfundim, ai arrin në studion televizive ku e presin analistët politikë dhe dy orë program, ku fyhen ata që janë e ata që nuk janë aty, por më së shumti fyhet inteligjenca e popullit.

Shqiptarëve këtej dhe matanë kufirit nuk u mungojnë as profesorët, as artistët, as doktorët, as arkitektët. Shqiptarëve u mungojnë politikanë që punojnë për mirëqenien e tyre, që celin vende pune, që ndërtojnë hapësira për argëtim, që investojnë në kulturë, art dhe arkitekturë. Ne na mungojnë politikanë që nuk e projektojnë padijen e tyre, që nuk dalin përnatë nëpër studio televizive, por që punojnë ditë e natë dhe të atillë që nuk imponohen pa bërë asnjë punë, por që i imponon puna që bëjnë.

Nga gjiri i këtij populli kanë dalë Rita Ora dhe Dua Lipa, Milot Rashica dhe Igli Tare, Ferid Murati dhe Safet Beqiri, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, Eliza Dushku e Xhim Bellushi. Dhe, shumë të tjerë.

Më shumë se për ekspertë fushash e profesionesh, shqiptarët kanë nevojë për politikanë që veten e shohin ashtu siç duhet të jenë – shërbëtorë dhe jo shpëtimtarë, të zgjedhur dhe jo zotërues të popullit.

Të tillët na duhen. Për të tillët kemi nevojë.

Përpara jush është udhëkryqi në të cilin lidhen fatet e të gjithë neve.

Dhe, fatet e mijëra, qindra mijëra e madje miliona jetëve ende të pajetuara.

Zgjedhja ju takon juve.

 


Lajmet kryesore