Opinione / Editoriale

Non grata në harresën e shpalljes…një vit më pas


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Shpallja e ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha si persona non grata nga autoritetet amerikane ishte ndoshta ngjarja politike e dekadës në vendin tonë.

Por, në rutinën e ditës së djeshme, pikërisht një vit më pas, asnjë nga përfaqësuesit e politikës apo të medias gjeti kohën për ta vënë në dukje sadopak. Madje as vetë Ambasada amerikane. Asnjë status, asnjë reagim nga asnjë aktor, palë, faktor apo kundërshtar e ithtar.

Ai status i sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, ka kaluar në harresën e shpalljes…një vit më pas.

Vetëm nëse e konsiderojmë heshtjen si manifestim të diçkaje, do të thoshim që ndoshta palët janë në pritje të asaj çka do të ndodhë me PD-në.

Ndoshta heshtja është zgjedhur, duke kuptuar që mungesa e një hetimi të thellë nga organet kompetente të vendit, duke e lënë të vetmuar statusin e “non grata-s”, deri më sot vetëm e ka forcuar Berishën.

Ndoshta është vetëm e rastësishme dhe vërtetë të gjithëve ju ka dalë nga mendja.

Një gjë është e sigurt. Berishës, ish-liderit demokrat, së shpejti ndoshta kryetar për të tretën herë (rikthimi i dytë) i leverdis pas 365 ditësh që kjo “damkë” të mos hiqet kurrë, pasi po e përdor më së miri në betejën pa luftë ose luftën pa betejë me ambasadoren amerikane Yuri Kim apo edhe me vetë Blinken, i cili riafirmohet te diplomatja.

Një vit më pas, asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj ish-figurave të përfshira “në korrupsion të konsiderueshëm”.

E vetmja gjë që ka ndryshuar është përplasja frontale mes një autoriteti diplomatik dhe Komisionit të Rithemelimit (struktura paralele e Berishës për t’u rikthyer në krye të PD-së).


Lajmet kryesore