Opinione / Kolumnistët

Një sistem bie për gjashte ditë, institucionet vendosen për gjashtë vjet dhe liria e njeriut dhe e tregut duan 60 vite të funksionojnë


Linda Rama

Të nderuar miq,

U rrita në komunizëm. Ku ëndrra nuk mund të ishte më e madhe se qyteti, e kurrsesi më e madhe se territori i vendit ku ishim lindur, për shkak të izolimit të plotë. Në mes të Europës, po njëkohësisht jashtë Europës dhe botës. Ku lëvizja e lirë ishte e ndaluar edhe brenda vendit. Ku punën ta gjente shteti bashkë me qytetin apo fshatin ku duhet të jetoje pa të drejtë refuzimi. Ku as liria as pasiguria nuk ekzistonin dhe ku përgjigjet për çdo pyetje t’i jepte gati sistemi i diktaturës së proletariatit.

Liria e fituar ne vitin 1990 së bashku me shpresën e madhe, kaosin e patregueshëm, pasigurinë e porsaardhur në jetët tona, na ekspozoi me një fjalor të panjohur më parë. Emigrant, refugjat, trafikim, papunësi, varfëri ekstreme, dhunë, pabarazi, diskriminim.

U largova jashtë vendit për të kryer një master në ekonomi me deshirën e madhe që të kuptoja ca më shumë nga vende të cilat e kishin filluar përpara nesh rrugëtimin drejt lirisë dhe te ballafaqohesha me  profesorë të universiteteve perendimore që njihnin vetëm jetën në liri.

Kujtoj që qysh në leksionet e para, njëri prej profesorëve na tha: një sistem bie për gjashte ditë, institucionet vendosen për gjashtë vjet dhe liria e njeriut dhe e tregut duan 60 vite të funksionojnë. E dëgjova dhe mendova që ose e kisha dëgjuar gabim, ose ishte thënë gabim. Nuk e besova, por dhe nuk e harrova dhe me ikjen e viteve e kujtoj gjithnjë dhe më shpesh shifrën 60.

Tek kthej vështrimin prapa në kohë, nuk ka se si të mos ndjehem mirë. Nëse në dy dekadat e para të tranzicionit dhuna në familje ishte pothuajse ekskluzivitet i punës dhe misionit të organizatave të shoqërisë civile dhe i institucioneve ndërkombëtare si kapacituese dhe financuese të tyre, lobimi i fuqishëm dhe i vijueshëm i shoqërisë civile, sensibilizimi po edhe zgjerimi eksponencial i mjeteve te komunikimit dhe vetëdijësimi në rritje i qytetarëve e ka sjellë axhendën e luftës ndaj dhunës në familje në vemendjen dhe aktivitetin e vazhdueshem te politikës, qeverisjes dhe të institucioneve publike.

Shqipëria ka nënshkruar dhe është angazhuar për zbatimin e konventave ndërkombëtare. Ne sot kemi një kuadër ligjor të avancuar për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës, për rastet e dhunës të vlerësuara me risk të lartë. urdhëri i mbrojtjes aktivizohet brenda 48 orëve, dhuna psikologjike konsiderohet krim penal njëlloj si dhuna dhe abuzimi fizik dhe 22 mijë firmëtarë mbështetën vitin e kaluar nismën e shoqërisë civile për krijimin e rregjistrit publik të dhunuesve, i cili mori mbështetjen dhe miratimin e parlamentit. Në të gjithë territorin është krijuar mekanizmi i referimit ku një punonjës është i ngarkuar për të asistuar viktimat e dhunës. Ekziston një trajtim preferencial për masën ndihmën ekonomike, ndonëse ende i pamjaftueshëm, për gratë viktima të dhunës dhe trafikimit dhe shërbimet publike për to janë shtuar.

Por, ndërkohë Shqipëria sot gjendet midis dy realiteteve të ndryshme.

Kryetarja e Parlamentit është grua, gra deputete sot janë 26 përqind nga 11 përqind një dekadë më parë, zv ministret gra jane dyfishuar, ndërsa nga vetëm një ministre grua në kabinetin qeveritar një dekadë më parë, aktualisht  60 përqind e ministrave janë gra. 61 % e administratës publike përbëhet gjithashtu nga gra ndërsa në arsim e shëndetësi prezenca e gruas e tejkon prezencën e çdo sektori tjetër. Më shumë gra ka sot edhe në sistemin gjyqësor dhe në rradhët e policisë së shtetit.

Por kjo pasqyrë e ka të pamundur të jetë përmbushëse kur një në dy gra në Shqipëri ende mendojnë që gruaja duhet të tolerojë dhunën; një në dy gra gjykojnë akoma që dhuna është një çështje private; një në katër persona mendojnë që gruaja e dhunuar është fajtore dhe po kaq  persona kane opinionin që gruaja nuk duhet të flasë për episodet e dhunës. Një në dy gra të moshës 18-49 vjec ka përjetuar dhunë të paktën një herë në jetën e saj dhe pjesa më e madhe e grave pohojnë që dhuna ekziston. Raportimet e dhunës janë dyfishuar krahasuar me nje dekadë më parë, por ato janë ende fare pak krahasuar me perceptimet dhe pohimet e mësipërme.

Dhe paradoksi me i madh qendron në faktin që gratë e dhunuara pohojnë që nuk i besojnë institucionet, ndonëse në institucione ka më së shumti gra deri në nivelet më të larta.

Pra, agjenda e rritjes së përfaqësimit dhe lidershipit të gruas është e lehtë të arrihet kur ka vullnet te dedikuar politik te lidershipit. Por axhenda e emancipimit social të saj në familje dhe komunitet kerkon shumë më shumë sesa kaq. Përsa kohë gratë në familje e komunitete vuajnë dhunë, papunësi, presion martesash të hershme apo pasiguri psikologjike të shtresëzuar në mjedisin social, qartësisht shifrat e përfaqësimit politik dhe qeverisës të grave qendrojnë larg pritshmërive të dobisë së tyre për shoqërinë dhe larg efektit emancipues për gratë në komunitete. Duke mos e lëkundur profecinë e numrit 60 deri kur dhe nëse gratë që kane marrë vizibilitetin shembullor të dhenë nga vullneti i dedikuar politik i lidershipit në perfaqësim, nuk do të jenë të ndjeshme, të vemendshme dhe të angazhuara që perveçse të bëjnë detyrat përkatëse, të jenë edhe dora e shtrirë e mbështetjes dhe inkurajimit per të nxjerrë nga hija e rendë e së shkuarës gratë e vajzat pa vizibilitet.

Faleminderit.

Fjala e përgatitur me rastin e aktivitetit: Thirrje për veprim -Të ruajmë mirqenien e grave dhe femijve,  organizuar nga Commonwealth, 15 Nëntor 2023, Londër


Lajmet kryesore