Opinione / Sport

Një përrallë futbolli në zemër të Evropës: Si kryeqyteti financiar i BE-së ka tani një ekip në Champions League


Jacopo Carmassi Autori është Ekspert i Lartë i Stabilitetit Financiar në Bankën Qendrore Evropiane. Të gjitha pikëpamjet e shprehura janë ekskluzivisht të autorit dhe nuk implikojnë në asnjë mënyrë Bankën Qendrore Evropiane dhe as ndonjë subjekt tjetër me të cilin autori është i lidhur.

“Im Herzen von Europa”, në zemër të Evropës, siç thotë himni i Eintracht Frankfurt. Është ora 22:53 e së martës, 1 nëntor 2022, ndërsa një qytet në zemër të Evropës po mban frymën. Vetëm 60 sekonda kanë mbetur para përfundimit të kohës shtesë të Sporting Lisbona – Eintracht Frankfurt, ndeshja e luajtur për javën e gjashtë dhe të fundit të Grupit D në fazën e grupeve të Champions League UEFA 2022-23, dhe Sporting është gati të marrë një goditje këndi.

Ndërkohë, dy skuadrat e tjera të të njëjtit grup luajnë në Francë, me Totenham-in e Antonio Conte-s përballë Marseille.

Grupi D ishte padyshim emocionues, në fakt, më emocionuesi i këtij sezoni të Champions League, me të katër skuadrat që kishin deri në fund shansin për t’u kualifikuar në raundin e 16-të. Eintracht kryesoi 2-1, rezultati i vetëm për të mbajtur gjallë ëndrrën e tyre të Champions League.

Ndërsa arbitri i bie bilbilit të fundit në Lisbonë, sektori gjerman i stadiumit “Jose Alvalade” shpërthen nga gëzimi, si dhe qyteti i Frankfurtit, mbi 2000 km larg.

Për Eintracht, ky është një sukses i ri historik, vështirë se mund të imagjinohej vetëm pak vite më parë. Mjafton të kujtojmë katër rëniet në Bundesliga 2, liga e dytë gjermane, ndërmjet vitit 1996 (rënia e parë nga Bundesliga në historinë e klubit) dhe 2011, pas rezultateve të mira në gjysmën e parë të viteve ’90.

Ose, në kohët më të fundit, në play-off-in e promovimit/rënies 2016 me Nurnberg, që Eintracht duhej të fitonte për të mbetur në Bundesliga. Goli i famshëm i shënuar nga Seferovic në minutën e 66-të siguroi qëndrimin e “shqiponjave” të Frankfurtit në elitën e futbollit gjerman dhe lejoi Klubin të fillonte mbjelljen e farave të suksesit të ardhshëm.

Midis golit të Seferovic kundër Nurnberg në maj 2016 dhe bilbilit të fundit në Lisbonë në nëntor 2022, Eintracht Frankfurt ka jetuar një përrallë futbolli.

Në 2017 Eintracht luan finalen e DFB-Pokal, Kupës Kombëtare të Gjermanisë, duke e humbur atë kundër Borussia Dortmund. Por në vitin 2018 Eintracht luan sërish finalen, këtë herë duke e fituar me një triumf në Berlin kundër klubit më të spikatur të Gjermanisë, Bayern Munich.

Në Bundesliga, pas më shumë se 20 vitesh, “shqiponjat” e Frankfurtit arrijnë të qëndrojnë në anën e majtë të tabelës, në Evropë. Pas disa pjesëmarrjeve në Europa League, Eintracht arrin rezultatin e jashtëzakonshëm, fitimin e kupës, mposhtjen dhe eliminimin e Barcelona-s në kështjellën e saj në “Camp Nou” në çerekfinale dhe më pas fitimin e finales së Sevijës kundër Glasgow Rangers pas gjuajtjeve të penalltive.

Triumfi i Seviljas i lejoi skuadrës së Frankfurtit të ngrejë sërish një kupë evropiane 42 vjet pas fitimit të Kupës UEFA, por edhe të marrë biletën për pjesëmarrjen e parë historike në Champions League në sezonin 2022-23.

Historia e fundit e Eintracht Frankfurt është një përrallë sportive. Megjithatë, është një fakt i njohur se në futbollin modern përrallat vështirë se krijohen nga një “alkimi skuadre e vitit të mbarë”, apo “gjenialiteti” i një ose dy lojtarëve, e lëre më nga një sërë ngjarjesh fatsjellëse.

Përkundrazi, planifikimi është thelbësor dhe jo vetëm nga një sezon në tjetrin, por në planin afatmesëm dhe afatgjatë.

Forca ekonomike dhe financiare nuk është qartësisht dimensioni i vetëm për t’u marrë parasysh, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shpesh mund të jetë një kusht i domosdoshëm (edhe pse jo i mjaftueshëm) për të fituar liga dhe për të ngritur kupat.

Prandaj, historia e fundit ekonomike dhe financiare e Eintracht Frankfurt mund të jetë e dobishme për të kuptuar më mirë disa nga përbërësit kryesorë të recetës së suksesit të “shqiponjave” të Frankfurtit.

Numrat pas përrallës: ndryshimi i lojës në 2016 dhe rekordet e 2019

Gjatë dekadës 2006-16, bilanci i Eintracht Frankfurt Fussball AG nuk u ndikuan nga ndonjë goditje e madhe. Madhësia e bilancit mbeti relativisht e qëndrueshme, me një mesatare prej rreth 35 milionë eurosh (dhe një kulm prej 46,5 milionë euro në 2008)

Fitimet ishin relativisht të kufizuara, me një mesatare pozitive fitimi prej rreth 0.5 milionë euro (rezultati më i mirë në 2006, me një fitim 7.9 milionë euro, rezultati më i keq në 2012 me një humbje prej 5.9 milionë euro.

Por historia e Eintracht, si historia e tij sportive, ashtu edhe historia e tij ekonomiko-financiare, ndryshon në vitin 2016. Ardhja në mars të trajnerit të ri, Niko Kovac, do ta sjellë klubin në qëndrueshmëri në Bundesliga.

Në qershor u emërua një drejtor i ri sportiv, Fredi Bobic, i cili do ta mbajë këtë rol deri në maj 2021.

Në këtë fazë të re, Klubi përqafon një filozofi të re të bazuar, ndër të tjera, në investimet në talentet e futbollit dhe zhvillimit e tyre, si dhe në forcimin e departamentit të skautëve, në vend të transfertave të lira.

Ndërsa në vitet e mëparshme zëvendësimi i largimit të talenteve nga Klubi doli të ishte një detyrë sfiduese. Tashmë aftësia për të rinovuar skuadrën, por në të njëjtën kohë për të ruajtur dhe madje për të rritur konkurrencën e saj u bë një nga pikat kryesore të forta të Eintracht. Siç do të shohim, numrat ilustrojnë mirë këtë ndryshim paradigme.

Duke filluar nga viti 2017, madhësia e bilancit të Eintracht-it u rrit ndjeshëm, duke arritur në 200,26 milionë euro në 2019-ën, më shumë se pesë here nga vlera e vitit 2016 (39,52 milionë euro), e nxitur nga investimet në lojtarë.

Rritja u nxit nga vlera më e lartë e të drejtave të regjistrimit të lojtarëve, e cila pothuajse u dyfishua në 2018 (46,29 milionë euro) në krahasim me 2017 (25,94 milionë euro) dhe më pas u dyfishua në 2019 në krahasim me 2018 (84.5 milionë euro në 2019), duke arritur shumën prej 92.17 milionë eurove, më shumë se tetë herë vlera e vetëm tre viteve më parë (2016: 10.87 milionë euro).

Për më tepër, që nga viti 2019 asetet fikse janë rritur ndjeshëm edhe për shkak të investimit për krijimin e “ProfiCamp”, një strukturë moderne multifunksionale pranë “Deutsche Bank Park”, me një vlerë prej 34.1 milionë euro.

Që nga shtatori 2021, “ProfiCamp” është “shtëpia” e re e Eintracht-it, që ofron një sërë shërbimesh duke filluar nga strukturat sportive deri tek zyrat.

“ProfiCamp” ndodhet në një rrugë të quajtur, s’ka nevojë të thuhet, “Im Herzen von Europa”, dhe, si një haraç tjetër për projeksionin evropian të Klubit, dhomat e takimeve mbajnë emrat e klubeve që luajnë në kompeticionet evropiane, mes të cilëve edhe Juventus.

Zgjerimi i bilancit në vitet e fundit është financuar pjesërisht nëpërmjet rritjes së fondeve të veta dhe pjesërisht rritjes së detyrimeve të tjera dhe në veçanti borxheve. Këto të fundit lidheshin fillimisht me tregun e transfertave në 2019-ën, por më pas me borxhin bankar, i cili u përdor pjesërisht për të përballuar krizën e Covid-it dhe pjesërisht për financimin e investimit të rëndësishëm infrastrukturor në “ProfiCamp”.

Vlen të theksohet se deri në vitin 2020 Klubi nuk kishte asnjë borxh bankar, të cilit Klubi iu drejtua vetëm për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme (Covid) dhe investimeve infrastrukturore. Në fund të vitit 2021, borxhi total ndaj bankës ishte 52,30 milionë euro.

Për sa i përket pozicionit të kapitalit, në fund të vitit 2019 dhe pak para krizës së Covid-it, raporti i fondeve të veta në totalin e bilancit ishte 34%, edhe falë rritjes së kapitalit prej 15 milionë eurosh në prill 2018 dhe fitimit rekord prej 36,88 milionë eurosh në 2019.

Në prill 2021, Klubi vazhdoi me një rritje të mëtejshme të kapitalit prej 21,7 milionë euro, e cila ndihmoi në zbutjen, por nuk mundi plotësisht të neutralizojë efektin e krizës Covid në pozicionin e kapitalit.

Pas humbjeve prej 37,17 milionë euro në 2020 dhe 9,91 milionë euro në 2021, të lidhura kryesisht me rënien e të ardhurave të ditës së ndeshjes (nga biletat), gjatë vitit 2022 raporti fonde të veta/bilanci total ra në 4,1%.

Duke marrë parasysh raportet e kapitalit të viteve të kaluara (përgjithësisht më të larta se 20% ose 30%), një skenar i mundshëm është forcimi i pozicionit të kapitalit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Duke u kthyer në vitin 2019 Klubi arriti një shumë rekord prej 308,82 milionë eurosh në të ardhura totale, trefishi i vlerës së vitit 2016.

Pas një ngadalësimi të pashmangshëm gjatë krizës Covid, me 151,86 milionë euro në 2020, të ardhurat kanë qenë sërish më të larta se 200 milionë euro në 2021.

Të ardhurat nga shitjet e lojtarëve kanë luajtur një rol kyç. Në vitin 2019, falë shitjes së Luka Jovic te Real Madrid për rreth 60 milionë euro dhe Sebastien Haller te West Ham për 50 milionë euro, Eintracht kishte të ardhura totale për transferimet e lojtarëve prej 111,48 milionë eurosh.

Ishte kjo shumë që kontribuoi në vlerën rekord prej 308.82 milionë eurosh të ardhura totale. Vlera e mëparshme më e lartë për të ardhurat nga transferimi i lojtarëve ishte përafërsisht 16 milionë euro dhe ishte regjistruar në vitin 2018 (në vitet e mëparshme shuma ka qenë pothuajse gjithmonë më e ulët se 10 milionë euro).

Prandaj, të ardhurat prej 111,48 milionë euro nga shitjet e lojtarëve në 2019 përfaqësojnë një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e fundit financiare të Eintracht Frankfurt.

Trendi pozitiv i shitjeve të lojtarëve për Eintracht duket se do të vazhdojë.

Për shembull, ata morën 40.27 milionë euro nga transferimi i lojtarëve në vitin 2021. Aty përfshihen 23 milionë euro për shitjen e Andre Silva te Leipzig në verën e vitit 2021, pasi Eintracht kishte blerë atë nga Milan në shtator 2020 për 3 milionë euro. Dhe, me transferimin më të fundit të Filip Kostic te Juventus në gusht 2022, me një çmim më shumë se dyfish krahasuar me përafërsisht 6 milionë euro për transferimin e tij nga Hamburgu te Eintracht në korrik 2019.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e të ardhurave ishte ajo e të drejtave televizive, e cila u rrit nga 35 milionë euro në 2016 në 101,89 milionë euro në 2021 (zëri kryesor i të ardhurave në 2021, rreth 48% e të ardhurave totale), mbështetur edhe nga pjesëmarrja në garat evropiane.

Të ardhurat nga marketingu dhe sponsorët gjithashtu u rritën ndjeshëm, nga 32,9 milionë euro në 2016 në 46,82 milionë euro në 2021. Për më tepër, ngritja në vitin 2020 e një filiali të ngarkuar me menaxhimin dhe marketingun e stadiumit (në pronësi të qytetit), zonat përreth dhe strukturat kontribuan më tej në fitimin e të ardhurave (gjithashtu duhet theksuar: kapaciteti i “Deutsche Bank Park” së shpejti do të rritet nga 51.500 në 60.000).

Së fundi, një tjetër filial i themeluar në vitin 2019, “EintrachtTech”, kryen detyrat në lidhje me digjitalizimin, i cili konsiderohet nga Eintracht një dimension kyç edhe për zhvillimin ekonomik të Klubit.

Kostot nën kontroll: të fitosh pa kafshuar më shumë se sa mund të përtypësh

Përkundrejt xhiros totale më shumë se dyfishuar midis 2016 dhe 2021, kostot operative patën një evolucion të ngjashëm me kalimin e kohës, duke u rritur nga 107,29 milionë euro në 2016 në 221,85 milionë euro në 2021.

Kostot e amortizimit, kryesisht të lidhura me të drejtat e regjistrimit të lojtarëve, kanë ka qenë një pjesë relativisht e kufizuar e kostove totale operacionale (mesatarisht 10% në periudhën 2016-2021). Është e qartë se kostot e personelit dhe në veçanti kostot për lojtarët kanë një rol vendimtar kur bëhet fjalë për kontrollin e kostos.

Kostot e personelit u dyfishuan për Eintracht midis 2016 dhe 2021, nga 48,97 milionë euro në 97,6 milionë euro dhe patën një rritje pothuajse katërfish në dhjetë vjet (ishte 26,05 milionë euro në 2011).

Por, kjo rritje nuk ka rrezikuar ekonominë e klubit, qëndrueshmëria financiare e të cilit është falë rritjes së të ardhurave të diskutuara më sipër.

Raporti paga/të ardhura ka mbetur mjaft i ulët, me vlera përgjithësisht në përputhje me ato të Bundesliga-s dhe dukshëm më të ulëta se ato në pesë ligat kryesore evropiane.

Prandaj, Eintracht ka rritur ndjeshëm me kalimin e kohës pagat e lojtarëve të tij. Duke e bërë këtë arriti të tërheqë lojtarë shumë të fortë, dhe lojtarë me potencial të madh, të cilët mund të ndihmojnë në forcimin e konkurrencës së ekipit. Por kjo nuk ka rrezikuar qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare, falë rritjes së të ardhurave edhe nga përmirësimi i rezultateve sportive, të cilat nga ana e tyre e bënë klubin edhe më tërheqës për lojtarët e rinj, si në aspektin e prestigjit, ashtu dhe në kushtet ekonomike.

Prandaj u krijua një rreth i virtytshëm, i cili e lejoi Klubin të ecë përpara në rrugën e tij hap pas hapi të sukseseve sportive, por pa kafshuar më shumë sesa mund të kishte përtypur . D.m.th. pa pësuar humbje sistematike në përpjekjen për të tërhequr lojtarët më të mirë në mënyrë që të maksimizohen shanset për të fituar.

Për më tepër, falë aftësisë për të tërhequr dhe zhvilluar talente, shitja e “xhevahirëve” të Klubit nuk pengoi vazhdimin e rritjes sportive. Këta të fundit rezultuan të ishin të pavarur nga lojtarët individualë edhe kur bëhej fjalë për ata që kishin bërë diferencën në fushë, si Jovic, Haller dhe Ante Rebic. Tre lojtarë “Buffelherde” (tufë buajsh – një shprehje e përdorur për herë të parë nga portieri i Eintracht, Kevin Trapp për të theksuar forcën mbresëlënëse të treshes).

Përbërësit e suksesit: përtej numrave

Shumë elementë kanë kontribuar në suksesin e fundit të Eintracht.

Aty përfshihet ndjekja e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare. Aftësia për të investuar në talente dhe për t’i zhvilluar ato. Rritja graduale financiare dhe sportive e klubit. Aftësia për të ruajtur dhe forcuar më tej konkurrencën e ekipit pavarësisht nga lojtarët individualë. Menaxhimi i drejtpërdrejtë i stadiumit (edhe pse jo në pronësi). Dhe, vëmendje për digjitalizimin.

Rasti i Eintracht tregon se është e mundur të fitosh, edhe në Evropë, pa shpenzuar sistematikisht më shumë sesa të fitosh. Ajo që ka rëndësi është një proces rritjeje i bazuar në investimin në talentin e lojtarëve dhe në krijimin e vlerës, si në fushë, ashtu edhe mbi librat financiar.

Përtej shifrave, vlen të përmenden tre faktorë të mëtejshëm, relevantë, të cilët kanë karakter cilësor, por jo më pak të rëndësishëm.

Faktori i parë është stabiliteti i klubit, i lidhur me dy element, rregulli gjerman 50+1 që pengon investitorët e jashtëm të marrin shumicën e të drejtave të votës (me disa përjashtime) dhe qëndrueshmëria më shumë se 20-vjeçare në Klubin e Presidentit, Peter Fischer, dhe të menaxherëve të tjerë kyç të Eintracht si Axel Hellmann dhe Oliver Frankenbach dhe Axel Hellmann.

Faktori i dytë është mentaliteti: besimi në aftësitë e tyre që del nga klubi, stafi teknik dhe lojtarët, të cilët shumë herë janë përballur hapur dhe pa frikë, dhe kanë mundur, edhe skuadra më të mëdha, si në garat kombëtare ashtu edhe në ato europiane.

Faktori i tretë është “mjedisi”, radha e gjatë e tifozëve të Eintracht drejt stadiumit të tyre para ndeshjeve në shtëpi, dhe më pas gjatë ndeshjeve, tregon unitetin e klubit, ekipit, mbështetësve, sponsorëve dhe qytetit, të cilat të japin përshtypjen se po bëhen një ent i vetëm, duke mbështetur gjithmonë Klubin, edhe kur rezultatet sportive nuk janë të kënaqshme. Në fund të fundit, fjala “Eintracht” do të thotë “konkord”.

Pas barazimit 1-1 në Mainz më 13 nëntor, në ndeshjen e fundit të Bundesliga-s para pauzës për Kupën e Botës në Katar, Eintracht Frankfurt është në vendin e katërt në tabelë. Në fund të sezonit, kjo do të thoshte kualifikim në Champions League 2023-24.

Por, përpara se të mendojnë për sezonin e ardhshëm, “shqiponjat” e Frankfurtit duhet të përqendrohen fillimisht te sezoni aktual, i cili do të ofrojë gjithashtu një ndeshje magjepsëse me Napoli-n për fazën e 16-të të Champions (21 shkurt 2023 në “Deutsche Bank Park” në Frankfurt dhe 15 mars në stadiumin “Maradona” në Napoli).

Megjithatë, pavarësisht se si do të përfundojë ky sezon, procesi i rritjes dhe sukseset e Eintracht Frankfurt në vitet e fundit japin arsye për të pritur që “shqiponjat” që kanë folenë e tyre “Im Herzen von Europa” do të vazhdojnë të fluturojnë lart në qiellin e elitës së futbollit.


Lajmet kryesore