Opinione / Politikë

Një letër e hapur për Tucker Carlson nga një konservator hungarez


Balázs Gulyás

I dashur Carlson,

Javën e fundit, kaluat në vendin tim si gazetar dhe spiker lajmesh për rrjetin amerikan “Fox News”, duke transmetuar nga Hungaria, duke intervistuar kryeministrin Viktor Orban dhe duke folur në një festim të sponsorizuar nga një fondacion i lidhur ngushtë me qeverinë, të mbajtur në qytetin Esztergom, qendra e katolicizmit romak në Hungari.

Jam shumë i kënaqur që interesat tuaja ju sollën në Hungari dhe që mësuat pak për kulturën hungareze.

Por, më lejoni të kaloj drejtpërdrejt në thelb: Druhem se keni rënë viktimë e të menduarit plot me dëshira, kur dëshira për të besuar se supozimet tona janë të vërteta bëhet aq e madhe sa nuk i përfillim provat e kundërta.

Sigurisht, mund të jetë edhe rasti që ju patë vetëm njërën anë të medaljes, meqë u mbajtët në një flluskë në Hungari dhe takuat vetëm njerëz të afërt me qeverinë, të gjithë, të cilët ndajnë të njëjtën pikëpamje.

Mos jini shumë të ashpër me veten! Nuk ndodh vetëm me të huajt. Qindra mijëra hungarezë janë magjepsur nga kënga e Viktor Orban për familjen, historinë, traditën dhe gjuhën, parulla që vetë i përmendët në një nga shfaqjet tuaja.

Për të qenë krejtësisht i sinqertë, për njëfarë kohe, unë vetë besoja se Orbán do të sillte ide të freskëta dhe do të ndërtonte atë lloj Hungarie të kulturuar dhe të begatë për të cilën kisha dëshirë, pasi vuajta nga qeveritë e tmerrshme social-liberale nga viti 2002 deri në 2010. Më duhej të përballesha me faktin që paskësha gabuar thellë.

Familja, historia, tradita, gjuha. Këto vlera qenkan jashtëzakonisht të rëndësishme për miliona hungarezë, por ato janë thjesht terri i së vërtetës për kryeministrin tonë.

Për Orban-in, ato janë “produkte të konsumit politik”, siç e tha një nga këshilltarët e tij rastësisht disa vjet më parë.

Orban i përdor këto vlera për të fshehur natyrën e vërtetë të regjimit të tij: vjedhjen e pasurisë publike, e cila ka marrë përmasa mahnitëse vitet e fundit, si dhe ruajtjen e pushtetit të nevojshëm për të vazhduar vjedhjen.

I dashur Carlson! Si hungarez konservator, jam shumë dakord me ato që keni thënë në Esztergom, veçanërisht me pjesët ku keni filozofuar. Ajo që thatë për prindërit, arkitekturën, humorin, kolonizimin e gjuhës dhe bukurinë e natyrës gjendet thellë brenda meje.

Por, kur bëhet fjalë për Orban-in, ju dëshironi dëshpërimisht të besoni se diku – në këtë planet – ekziston një Disneyland konservator i krishterë. Dhe, meqenëse e doni tepër këtë, keni mbyllur sytë ndaj provave të kundërta.

Ndoshta Disneyland-i konservator i krishterë ekziston diku në këtë glob, por aktualisht nuk mund të gjendet në Hungari.

Në fakt, gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë këtë. Sot shumica e intelektualëve konservatorë hungarezë janë larguar nga radhët e partisë së Orban-it.

Sinqerisht, të qenit konservator në Hungari, tanimë nuk është një përvojë lartësuese. Të dëshmosh ditë pas dite sesi vlerat dhe simbolet që janë të rëndësishme për ty, përdoren nga një autokrat që rrëmbeu pushtetin për të shtypur kombin e tij, nuk e vë një person në humor të mirë.

Në të vërtetë, vetë hungarezët që deklarojnë vlera konservatore janë shpesh nën objektivat eksplicite të shtypjes.

Gazeta javore ku punoj, u themelua nga gazetarë të qendrës së djathtë. Kolegët e mi u detyruan të linin gazetën e përditshme, “Magyar Nemzet”, sepse pas zgjedhjeve të vitit 2018, autoritetet e bënë gazetën, të themeluar në vitin 1938, të paqëndrueshme.

Krimi ynë ishte të qëndronim të pavarur nga ndikimi politik dhe të kritikonim qeverinë. Pas kësaj, ne themeluam një të përjavshme të quajtur “Magyar Hang”.

Gjatë tre viteve të fundit është rritur në javoren e dytë më të lexuar në Hungari.

Megjithatë, për shkak të frikës së tyre nga qeveria, asnjë shtëpi botuese hungareze nuk është e gatshme të shtypë gazetën tonë.

Ne duhet ta shtypim atë çdo javë në Bratislavë, Sllovaki. Qeveria pengon punën tonë kudo që të mundet.

Në Hungari, ku Orban supozohet se është “i përkushtuar për lirinë e shtypit”, reporterët tanë nuk lejohen të marrin pjesë në konferencat javore të shtypit të qeverisë, për të cilat ne do të donim t’i informonim lexuesit tanë.

Nuk dua të ndalem me ankesat e mia, por më lejoni t’ju përmend një gjë që më ka ndodhur vitin e kaluar.

Miku më i mirë dhe aleati politik i kryeministrit tonë është oligarku Lőrinc Mészáros. Ai ishte një riparues pajisjesh, në një fshat të vogël, para se Orbán të vinte në pushtet në vitin 2010. Po tani ai është një miliarder.

Në vitin 2020, shkrova një artikull për gazetën tonë me fotot e dy tankeve ushtarake të parkuara pranë njërit prej liqeneve në rezidencën vendore të tij.

Në vend që autoritetet hungareze të hetojnë pse Mészáros kishte automjete ushtarake të parkuara buzë liqenit, unë dhe një gazetar tjetër u morëm në pyetje nga policia. Ata donin të dinin pse e kishim publikuar këtë informacion në artikullin tonë.

Një grusht gazetarësh dhe aktivistësh të pavarur kritikë të mbetur në Hungarinë e Viktor Orban-it i nënshtrohen rregullisht abuzimit. Sa për pretendimin se ata që kritikojnë qeverinë në Hungari janë të lirë të shprehin opinionet e tyre pa frikën e hakmarrjes, ju e pohuat në fjalimin tuaj në Hungari dhe kur prezantuat intervistën tuaj me Viktor Orban.

Së fundi, pa pretenduar se jam gjithëpërfshirës, ​​më lejoni të korrigjoj disa deklarata që keni bërë ose raportuar gjatë vizitës tuaj në Hungari.

Në fillesë të fjalimit tuaj në Esztergom, thatë se kur Anne Applebaum, një eksperte për Evropën Qendrore, kritikoi Hungarinë e Orban-it, ndjetë sikur ajo po përshkruante Shtetet e Bashkuara.

Imagjinoni këtë: Kur kritikuat sistemin amerikan, ndjeva sikur po përshkruanit vendin tim. Duke dëgjuar fillimin e fjalimit tuaj, ndjeva se kisha rënë në një anomali kuantike.

Teksa vizitonit vendin tim, dhatë një intervistë vetëm për një media të vetme, një gazetë javore që i përket një konglomerati pro-qeveritar.

Ky konglomerat ka afro pesëqind televizione, radio, gazeta dhe internet, asnjëra prej të cilave nuk paraqet një pamje që sprapset nga linja Orbán.

Ky konglomerat u krijua disa vjet më parë kur këto media u ofruan pa pagesë, “vullnetarisht”, nga pronarët e tyre të mëparshëm. Megjithëse zotërimet e mediave pro-qeveritare janë shumë më të mëdha se kjo.

Ato përfshijnë edhe mediat publike. Prirem të besoj se, një njësi me pesëqind media do të konsiderohej e madhe edhe në Shtetet e Bashkuara, për të mos përmendur në një vend si Hungaria që ka vetëm 10 milionë njerëz.

Për të mbrojtur zotërimet e saj mediatike nga shqyrtimi i Autoritetit Konkurrues Hungarez, qeveria e klasifikoi bashkimin si një çështje me “rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë kombëtare të Hungarisë”.

Prandaj ndikimi i konglomeratit në tregun hungarez nuk u shqyrtua kurrë. Të gjitha këto media, pavarësisht nga madhësia e lexuesve të tyre, financohen nga reklamat qeveritare. Me fjalë të tjera, këto media janë financuar nga taksapaguesit hungarezë.

Në intervistën që i dhatë një prej këtyre mediave të sponsorizuara nga qeveria, pohuat se Orban ishte “një udhëheqës i rezistencës hungareze ndaj sovjetikëve” në vitet 1980. Gjithashtu e përmendët këtë në intervistën tuaj me kryeministrin.

Megjithëse është e vërtetë që Viktor Orban ishte një udhëheqës i partisë liberale Fidesz në fund të viteve 1980, e cila asokohe kundërshtonte regjimin komunist (atë kohë, ai dhe partia e tij u financuan nga George Soros), para kësaj Orbán kishte qenë një anëtar i Shoqatës së Rinisë Komuniste dhe drejtues i një prej departamenteve të saj rurale.

Gjithashtu, një detaj i vogël: Në fjalimin që mbajtët – i sponsorizuar nga një institucion miqësor ndaj qeverisë, Mathias Corvinus Collegium, i cili, nga rruga, ka marrë miliarda dollarë para të taksapaguesve –  goditët ish-presidentin Barack Obama për jetesën në “një pasuri prej 30 milionë dollarësh” (në fakt 12 milionë dollarë) “në një ishull në brigjet e Massachusetts”, pavarësisht se kurrë nuk kishte punuar në sektorin privat.

Sigurisht, nuk është vendi im për të vlerësuar Obama-n, por vërejtjet tuaja më bënë të mendoj për Hungarinë dhe kryeministrin tonë, i cili ka qenë politikan gjatë gjithë jetës së tij dhe sapo po përfundon rezidencën e tij, të ndërtuar mbi rrënojat e një pasurie të mëparshme dhe vlerësohet të ketë vlerë të paktën 20 milionë dollarë.

Në emisionin tuaj, thatë që Orban është një “konservator i stilit perëndimor”. Kjo mund të ketë qenë e vërtetë pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ai mbajti fjalime që ishin vërtet atlanticiste dhe kritikonin shpesh Rusinë dhe regjimet totalitare.

Që kur ka qenë në qeveri, Orban-i është larguar nga Evropa, Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara.

Tani ai është duke bërë gjeste ekonomike ndaj diktatorëve lindorë dhe duke u ngushëlluar me ta. Vlen të mendohet për faktin se gjatë administratës Trump, sipas disa raporteve, aleatët e NATO-s refuzuan të ndajnë informacion të ndjeshëm me homologët e tyre hungarezë për shkak të angazhimeve të Orban-it ndaj Rusisë dhe Kinës.

Gjithashtu, gjatë presidencës Trump, dy tregtarë rusë të armëve u arrestuan në Hungari me kërkesë të Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës. Përfundimisht ata u ekstraduan në Rusi, pavarësisht protestave të SHBA-ve.

Hungaria po ndërton një central bërthamor, jo nga aleatët perëndimorë të vendit, por nga kompania shtetërore ruse Rosatom.

Për më tepër, Orban i ka borxh Hungarisë dhe Kinës prej investimeve krejtësisht të panevojshme (me pjesëmarrjen e oligarkëve të tij).

Së shpejti, Partia Komuniste Kineze do të hapë një universitet të madh në vendin tim. Ndërkohë, rusët kanë krijuar një seli bankare në kryeqytetin e Hungarisë, një bankë që ishte përdorur në të kaluarën për spiunazh.

Një shenjë e qartë e angazhimeve lindore të kryeministrit tonë është se zyra e kryeministrit fshiu komentet kritike që keni bërë për presidentin kinez, Xi Jinping, kur postuat intervistën tuaj me të në faqen e saj.

Institucioni miqësor ndaj qeverisë që transmeton fjalimin tuaj gjithashtu censuroi një fjali në lidhje me mbajtjen e maskave që ishte e turpshme për qeverinë hungareze.

Por, të tillë janë nikoqirët tuaj.

I dashur Carlson! Ju jeni mashtruar nga mikpritësit tuaj.

Viktor Orban nuk po ndërton një Disneyland konservator në Hungari, por një Kalë Troje ruso-kinez teksa pasuron veten.

Për të, vlerat konservative janë një alibi.

Herën tjetër që do të keni fatin të vini në Hungari, më kërkoni dhe do t’ju ofroj pilulën e kuqe të Morpheus-it të Matrix-it hungarez dhe “do t’ju tregoj se sa thellë shkon gropa e lepurit”.

Zgjedhja është e juaja.


Lajmet kryesore