Opinione / Sport

Nga Cristiano-Messi te Mbappe-Haaland


Alfredo Relano Gazetar spanjoll i AS, El Pais dhe Canal +

Të dy, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi përcaktuan futbollin gjatë dekadës së kaluar. Fituan Topin e Artë vit pas viti. Prania e tyre eklipsoi lojtarë të tjerë si Ibrahimoviç-i, Ribery, Xavi, Iniesta, Neymar-i etj.

Neymar-i ka qenë pranë rivalizimit të të dy super yjeve por nuk ka mundur të tregojë qendrueshmëri në formën e tij. Luka Modric-i shkaktoi humbjen e parë për Ronaldo – Messi, pasi fitoi Topin e Artë përballë të dyve. Këtë vit, ylli i Bayern Munich-ut, Robert Lewandowski mund të ishte lojtari tjetër që do t’i rivalizonte për Topin e Artë, por këtë vit për shkak të pandemisë së Covid-19, çmimi nuk u dha.

Talente në zhvillim

Ne kemi qenë të privilegjuar që kemi parë Ronaldo-n dhe Messi-n në përballje me njëri-tjetrin. Është ngjarje e rrallë në historinë e futbollit që dy kolos shfaqen në të njëjtën kohë. Më parë, Di Stefano, Pele, Cruyff dhe Maradona kanë qenë të vetëm në qendër të vëmendjes.

Situata me Ronaldo-n dhe Messi-n ka qenë më e theksuar edhe nga rivaliteti historik midis Real Madrid-it dhe Barcelona-s, që të kujton dhe periudhën e Kubala-s me Di Stefano-n.

Tani duket se të dy lojtarët do të pasohen nga Mbappe dhe Haaland, përkatësisht 22-vjeç dhe 20-vjeç, me perspektivë të jashtëzakonshme.

Super yjet aktual, Ronaldo dhe Messi, arritën të ruanin një nivel të shkëlqyer të formës së tyre për një periudhë të gjatë kohore, të cilën Neymar-i nuk arriti që ta realizonte.

Pyetje më të hollësishme

Debati tani vazhdon për “kush është më i miri” dhe “kë do të dëshironit në ekipin tuaj”.

Personalisht ndjej që Mbappe është një lojtar më i plotë, por do të ishte e tmerrshme të luante kundër Haaland-it, i cili ka një guxim të madh për të lufutar për topin.

Agjenti i tij është Mino Raiola i cili ka një marrëdhënie të tensionuar me Florentino Perez-in, por është mik me Joan Laporta-n.

Mbappe-s i përfundon kontrata me PSG-ën në fundin e qeshorit të 2022 dhe të gjithë e dinë sa shumë e dëshiron Real Madrid-i.

Kush e di nëse të dy lojtarët mund të ofrojnë një dekad tjetër si ajo Ronaldo – Messi, por aktualisht pyetja rrotullohet rreth faktit se kush ka para për të siguruar blerjet e tyre.


Lajmet kryesore