Opinione / Ekonomi

Ndotja e turpshme e Porto Romanos


Seit Shallari Profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës

“Porto Romano”, ndryshe “Porta Romake”, qytetarëve të Durrësit, iu sjell në mendje Fabrikën e Lindanit ose sheshin, deponinë thonë në Kosovë, ku grumbulloheshin për shumë vite plehrat e qytetit.

Fatkeqësisht, në kohën kur përdorimi i Lindanit (një pesticid universal për bujqësinë) ishte ndaluar në vitet 1970, në Shqipëri u ndërtua Fabrika e gjashtë më e madhe në botë me teknologji kineze për prodhimin e tij.

Pas viteve 1990, Porto Romano u konsiderua si “pikë e nxehtë” ose “hotspot” nga institucionet Shqiptare dhe ndërkombëtare (Bashkimi Evropian, Banka Botërore), për shkak të stokut, përqëndrimit dhe toksicitetit të lartë të pesticidit.

Pak njerëz dinë se Durrësi, për nga niveli i rriskut mjedisor ishte i krahasushëm me Çernobilin.

Pas viteve 2000, me mbështetjen financiare dhe teknike të BE-së, u bë i mundur grumbullimi dhe largimi nga Shqipëria i stoqeve dhe mbetjeve të rrezikshme nga Porto Romano. Kështu Durrësi mori frymë nga një e keqe e madhe.

Banka Botërore dhe Organizatat Ndërkombëtare e hoqën Durresin nga harta problematike edhe pse mbetjet e Lindanit janë të pranishme në produktet bujqësore shqiptare të cilat kthehen nga eksporti here pas here.

Por, ende pa u shëruar plaga e vjetër, në vitet 2000 në Porto Romano fillon e mavijoset plaga e re – deponia e plehrave të qytetit, një krim i ri mjedisor.

Vlerësohet se rreth 900 mijë meter kub mbetje, të të gjitha llojeve, nga ato shtëpiake e deri tek mbetjet e rrezikshme kimike dhe spitalore, u grumbulluan aty ndër vite.

Studimet tregojnë se ndotja ka kaluar në ujërat nëntokësorë, duke u shpërndarë në hapsirën e Durrësit dhe duke bërë të dyshimtë cilësinë e tyre.

Përmbajtja e kromit, azotit dhe Fosforit, në ujërat e kanaleve kulluese, është shumë herë më e lartë se norma e lejuar. Pasojat lidhen me sëmundjet e njerëzve, eutrofikimin e ujërave, konsumin e oksigjenit dhe problematikën zinxhir në mjedisin ujor detar.

Rritja e algave dhe leshterikëve në bregdetin e Durrësit është ndikuar fort nga derdhja e ujërave të ndotura në det. Degradimi i parametrave të cilësisë së mjedisit (vlera të larta të substancave toksike) rreth parcelës ku depozitoheshin mbetjet e Durrësit ka qënë në nivele katastrofike.

Rrjedhja e lëngjeve me përmbajtje të kimikateve toksik dhe kancerogjenë, zjarret e shkaktuara nga vetëndezja e mbetjeve kryesisht në kohë të thatë, emetimet e dioksinave dhe furaneve si lëndë kancerogjene, kanë qenë kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e banorëve të zonës.

Ky mal i mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit, ishte anti-reklama më efikase kundrejt zhvillimit të turizmit në Durrës dhe Shqipëri. Dhe ky ishte kulmi i papërgjegjëshmërisë së pushtetarëve dhe ekstremi i indiferencës së qytetarëve.

Një gjë është e sigurtë, ndotja në “Porto Romano” nuk ka qenë pa pasoja për shëndetin e banorëve të cilët janë ekspozuar ndaj ndotjes për vite me radhë nëpërmjet ajrit, ujit ose zinxhirit ushqimor, pasoja të cilat mund të jenë të pranishme në një panoramë afatgjatë.

Banorët janë ndjerë mirë dhe mirënjohës duke mos paguar shërbimin e largimit të mbetjeve, ndërkohë që e kanë paguar atë 1000 herë më shumë në farmaci dhe spitale.

Pas largimit të mbetjeve nga “Porto Romano” banorët e Durrësit po marrin frymë lirshëm, pa frikën se do të marin bashkë me ajrin, thërmijat kancerogjene (PM) apo substancat toksike (CO, NO2, SO2, H2S, CH4, etj) të çliruara për vite me radhë nga djegia, oksidimi apo dekompozimi i mbetjeve.

Mbyllja e vendit të depozitimit të mbetjeve në “Porto Romano” është një lajm i mirë për banorët dhe ata që vizitojnë qytetin e Durrësit.

E drejta për një mjedis të pastër është nga më të rëndësishmet ndër të drejtat humane, por ajo mund të garantohet vetëm nëse e dëshirojmë dhe e mbrojmë atë në çdo rast.


Lajmet kryesore