Dihet që baballarët kanë për detyrë t’u garantojnë fëmijëve të tyre jetesën, mbrojtjen dhe madje edhe arsimimin.
Por jo vetëm kaq! Ndodh edhe që ata duhet t’i qortojnë fëmijët e ndoshta edhe t’i ndëshkojnë, në rast se ata nuk sillen si duhur a bëjnë gabime.
Kështu për Kosovën ka ardhur momenti i qortimit nga babai, atit themelues të shtetit të ri.
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, në vizitën e tij të parë në Tiranë, më shumë se kujtdo tjetër, iu drejtua kosovarëve.
Kosova ishte aty, mes rreshtave dhe fjalëve, mes rrëfimit të anekdotave, historive dhe emocioneve, mes thirrjeve për qetësim të tensioneve me serbët dhe ndërtimit të një paqeje gjithëpërfshirëse.
Nuk ka dyshim se nëse Ibrahim Rugova themeloi lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, dhe Adem Jashari e Hashim Thaçi i dhanë forcë për të luftuar kundër serbëve, ishte ish-presidenti i SHBA-ve ai që përmbyti regjimin e Millosheviçit dhe mundësoi lindjen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Bill Clinton është babai efektiv i atdheut kosovar siç e dëshmuan shumë të rinj kosovarë që sot kanë emrin e tij.
Ish-presidenti kujtoi këto lidhje të thella (madje edhe emocionale) që e lidhin atë me Kosovën dhe Shqipërinë dhe, në lidhje me tensionet serioze mes Prishtinës dhe Beogradit, ai paralajmëroi se shqiptarët, tani në shumicë, janë në momentin e duhur për të për të paraqitur argumentet e tyre, me të vetmin qëllim, atë të ndaljes së kësaj marrëzie.
Clinton me elegancën dhe qetësinë e moshës duke përmendur Nelson Mandelën dha ndoshta mesazhin kryesor të fjalimit, atë të aftësisë në bujari nga ana e fitimtarit, edhe pse e kaluara bart dhunë. “Nuk është e thënë që kush kishte të drejtë 20 vjet më parë vazhdon të ketë”, do të theksonte përgjatë fjalës.
Nuk mungoi as referenca ndaj situatës irlandeze me marrëveshjen mes katolikëve dhe protestantëve, e cila, pavarësisht disa tensioneve, vazhdon edhe sot të garantojë paqen dhe të ardhmen.
Në fjalimin e tij, plot simbolika e diplomaci përkrah kryeministrit Edi Rama, Clinton ftoi popullin kosovar të mos ndjekë liderët që kanë synime përçarëse: “Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur këtë tension, ka njerëz që jetojnë aty, që kanë nevojë për qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet të votojnë. Bota po drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit”.
Pas kësaj fjalie nuk mund të mos mendosh për Albin Kurtin, por dhe dy mungesa të mëdha në këtë ceremoni, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Liderët e lëvizjes së parë anti perëndimore që flet shqip në Ballkan që pas rënies së komunizmit.
Nga ana tjetër, nëse dikush lexon dokumentin e Albin Kurtit dërguar në 2017 për drejtuesit e partisë së tij, zbulon një lider nacionalist më shumë makiavelik sesa idealist, bazuar në parimin qëllimi justifikon mjetet.
“Ne i duam parimet jo pse janë parime, por pse besojmë që na çojnë te qëllimet”, thuhet në dokument.
Kurti shpjegon shprehimisht se synon të manipulojë një popullatë analfabete funksionale me çdo mjet, qoftë edhe me forma ilegale: “Pastërtia është vlerë në dritën e një synimi që e kemi, jo vlerë në vetvete”, thuhet në dokument.
Ndërsa Edi Rama përcolli Bill Clinton dhe fillon të bëhet gati për një udhëtim rajonal në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë me qëllim diskutimin për të ardhmen e projektit të Ballkanit të Hapur, çfarë mund të presim tani nga Kurti?
“Ne duhet të pranojmë fort dhe qartë se dallimet tona kanë rëndësi dhe se askush nuk ka të drejtë gjatë gjithë kohës. Duhet të jemi në gjendje të dëgjojmë njëri-tjetrin. E vetmja mënyrë që të lejojmë zërin e tyre është nëse e themi fort se humanizmi ynë i përbashkët vlen më shumë” do të thoshte Bill Clinton në një nga mesazhet e tij.
Do të jetë Kurti në gjendje të dëgjoj zërat e fqinjëve, këshillat e miqve dhe qortimin e atit themelues?
Ndërkohë masat e para për Kosovën janë aktive. Pas përjashtimit nga Defender Europe 23, Kosova mbetet edhe jashtë granteve që BE-ja ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.
Pyetja e vetme në mendje që mbetet për Makiavelin e Kosovës është cili është qëllimi final? Se mjetet u kuptuan.