Opinione / Jetesë & Stil

Mirësevini në vitin 2030: Nuk kam asgjë, as privatësi, por jeta s’ka qenë asnjëherë më e bukur!


Ida Auken Anëtare e Këshillit Global Future për Qytetet dhe Urbanizimin e Forumit Ekonomik Botëror

Mirë se vini në vitin 2030! Mirë se vini në qytetin tim – ose më mirë, “në qytetit tonë”.

Nuk kam asgjë. Nuk kam makinë e as shtëpi. Nuk zotëroj asnjë pajisje apo rroba.

Mund t’ju duket e çuditshme, por ka kuptim të plotë për ne në këtë qytet. Çdo gjë që e konsideronit si produkt, tani është bërë shërbim.

Kemi akses në transport, akomodim, ushqim dhe të gjitha gjërat që na nevojiten në jetën tonë të përditshme. Një nga një, të gjitha këto gjëra u bënë falas, kështu që nuk kishte kuptim që ne të zotëronim shumë.

Së pari, komunikimi u bë i digjitalizuar dhe i falas për të gjithë. Më pas, kur energjia e pastër u bë falas, gjërat filluan të lëviznin shpejt. Çmimi i transportit ra në mënyrë dramatike. Nuk kishte më kuptim që të zotëronim makina, sepse mund të thërrisnim një automjet pa shofer për udhëtime më të gjata, brenda pak minutash. Filluam të lëviznim në një mënyrë shumë më të organizuar dhe më të koordinuar kur transporti publik u bë më i lehtë, më i shpejtë dhe më i përshtatshëm se makina. Tani mezi e besoj se më parë nuk e kishim problem trafikun, për të mos përmendur ndotjen e ajrit nga motorët me djegie.

Çfarë po mendonim?

Në qytetin tonë ne nuk paguajmë qira, sepse dikush tjetër e shfrytëzon hapësirën tonë të lirë sa herë që nuk kemi nevojë. Dhoma ime e ndenjes përdoret për takime biznesi kur unë nuk jam atje.

Herë pas here zgjedh të gatuaj vetë. Është e lehtë – pajisjet e nevojshme të kuzhinës vijnë në derën time brenda pak minutash. Që kur transporti u bë falas, ne nuk kishim nevojë për të gjithë ato gjëra në shtëpi. Pse të mbajmë në dollapë mikrovalë apo tenxhere me presion? Mund t’i porosisim vetëm kur të na duhen.

Kur produktet kthehen në shërbime, askush nuk ka interes për gjërat me jetëgjatësi të shkurtër. Gjithçka është projektuar për qëndrueshmëri, riparueshmëri dhe riciklueshmëri.

Problemet mjedisore duken të largëta, pasi ne përdorim vetëm energji të pastër dhe të rinovueshme.

Ajri është i pastër, uji është i pastër dhe askush nuk do të guxonte të prekte zonat e mbrojtura të natyrës, sepse ato përbëjnë një vlerë të paçmueshme për mirëqenien tonë. Në qytete kemi shumë hapësira të gjelbra, bimë e pemë kudo. Ende nuk e kuptoj pse në të kaluarën kemi mbushur të gjitha vendet e lira në qytet me beton.

Pazar? Pothuajse se kam harruar. Për shumicën prej nesh, të bësh Pazar do të thotë të marrësh sende thjesht sa për t’i përdorur dhe t’i kthesh përsëri.

Ndonjëherë, sa për t’u argëtuar,  lë algoritmin të bëjë zgjedhje për mua. Ai e njeh shijen time më mirë se unë.

Kur Inteligjenca Artificiale (AI) dhe robotët morën përsipër kaq shumë punë, papritmas patëm kohë për të ngrënë më mirë, për të fjetur më mirë dhe për të kaluar kohë me njerëzit e tjerë.

Koncepti i orës së pikut nuk ka më kuptim, pasi puna që bëjmë mund të bëhet në çdo kohë. Nuk e di nëse do ta quaja më punë. Është më shumë si koha e të menduarit, koha e krijimit dhe koha e zhvillimit.

Për një kohë, gjithçka u kthye në argëtim dhe njerëzit nuk donin të shqetësoheshin me çështje të vështira. Ishte vetëm në minutën e fundit që ne zbuluam se si t’i përdorim të gjitha këto teknologji të reja për qëllime më të mira sesa thjesht për të vrarë kohën.

Shqetësimi im më i madh janë të gjithë njerëzit që nuk jetojnë në qytetin tonë. Ata që humbëm rrugës. Ata që, sipas tyre, teknologjia është zhvilluar më shumë së ç’duhet. Ata që u ndjenë të vjetëruar dhe të padobishëm kur robotët dhe AI ​​morën pjesë të mëdha të punëve tona. Ata që u mërzitën me sistemin politik dhe u kthyen kundër tij.

Ata bëjnë jetë të ndryshme jashtë qytetit. Disa kanë formuar komunitete të vogla vetë-furnizuese. Të tjerët thjesht qëndruan në shtëpitë boshe dhe të braktisura në fshatrat e vegjël të shekullit të 19-të.

Herë pas here mërzitem për faktin se nuk kam privatësi të vërtetë .Nuk ka vend që shkoj dhe nuk regjistrohem. E di që, diku, gjithçka që bëj, mendoj dhe ëndërroj është e regjistruar. Shpresoj që askush të mos e përdorë kundër meje.

Në përgjithësi, është një jetë e mirë. Shumë më mirë se rruga në të cilën ishim, ku u bë aq e qartë sa nuk mund të vazhdonim me të njëjtin model rritjeje. Kishim të gjitha këto gjëra të tmerrshme që po ndodhnin: sëmundjet, ndryshimet klimatike, kriza e refugjatëve, degradimi i mjedisit, qytetet e mbipopulluara, ndotja e ujit, ndotja e ajrit, trazirat sociale dhe papunësia. Ne humbëm shumë njerëz përpara se të kuptonim se mund t’i bënim gjërat ndryshe.

 


Lajmet kryesore