“Më shumë lojë, më pak punë”

Në 1930-at, ekonomisti britanez John Maynard Keynes, parashihte se nga fundi i shekullit, puna mesatare javore do të binte në 15 orë në javë. Automatizimi vetëm sa kishte filluar të zëvendësonte shumë...
Peter Gray
Loading Icons...
test12

“Më shumë lojë, më pak punë”

Peter Gray
Loading Icons...

Në 1930-at, ekonomisti britanez John Maynard Keynes, parashihte se nga fundi i shekullit, puna mesatare javore do të binte në 15 orë në javë.

Automatizimi vetëm sa kishte filluar të zëvendësonte shumë punë manuale në fillimin e shekullit të 20 dhe Keynes parashihte se ky trend do të vazhdonte deri në atë pikë ku të gjitha gjërat, që njerëzit kanë nevojë për të bërë një jetë të kënaqshme, do të mund të prodhoheshin me fuqi punëtore njerëzore minimale, qoftë fizike apo mendore.

Keyenes-i kishte të drejtë për rritjen e automatizmit. Ne tani kemi makineri, kompjuterë dhe robotë që mund të bëjnë gjëra që më parë njerëzit i bënin me duart e tyre, dhe rritja e automatizimit nuk po tregon asnjë shenjë ngadalësimi. Por e kishte gabim për rënien e ritmit të punës.

Pasi shumë punë të vjetra janë zëvendësuar nga makineritë, edhe shumë punë të tjera të reja janë shfaqur.

Disa nga këto punë të reja janë rezultat i teknologjive të reja dhe me të drejtë mund të thuhet se sjellin përfitime shoqërore në mënyra më të rëndësishme se thjesht punësimi i njerëzve.

Punët në teknologji informative janë një shembull mjaft i qartë, siç janë edhe punët që shërbejnë për fusha të reja argëtimi, të tilla si dizajni dhe prodhimi i lojërave kompjuterike.

Por ne, gjithashtu, kemi edhe një numër vazhdimisht në rritje të punëve që duken krejtësisht të panevojshme, por edhe të dëmshme.

Si shembuj, ne kemi administratorë dhe asistentë administratorë që hedhin letra sa andej e sa këndej kur s’është fare e nevojshme, avokatë të korporatave dhe stafet e tyre që ndihmojnë kompanitë e mëdha të paguajnë më pak taksa, njerëz të panumërt në industri financiare duke kryer aktivitete nga më të këqijat, lobistë që përdorin gjithëçfarë mjetesh të mundshme për të korruptuar edhe më shumë politikanët dhe ekzekutivë marketingu e personel të shitjeve, të cilët shtyjnë përpara shitje të gjërave që askush s’i do e as nuk ka nevojë.

Një fakt i pikëllueshëm është se shumë njerëz tani po shpenzojnë kohë të madhe të jetës së tyre në punë, një gjë për të cilën janë të vetëdijshëm që nuk i shërben kaq shumë shoqërisë.

Kjo çon në cinizëm saqë njerëzit edhe ndalojnë së menduari se punët duhet të jenë fitimprurëse për shoqërinë.

Ne kemi spektaklin e politikanëve në të dy anët e korridorit që luftojnë për të mbajtur impiantet e municioneve të hapura në shtetet e tyre, për të ruajtur vendet e punës, edhe kur vetë ushtria thotë se armët që po ndërton uzina nuk janë më të dobishme.

Dhe kemi politikanë e ekspertë që argumentojnë se fabrikat e nxjerrjes së fosileve të karburantit dhe karboni duhet të mirëmbahen për hir të vendeve të punës, në djall vaftë mjedisi.

Problemi real, sigurisht, është ekonomik.

Ne tani e dimë se si të reduktojmë masën e punës që lipset për të prodhuar gjithçka që ne realisht kemi nevojë dhe duam, por nuk kemi arritur të gjejmë se si ti shpërndajmë këto të mira përveç përmes pagave të fituara nga 40 orët (ose më shumë) të punës.

Në fakt, teknologjia ka pasur efektin e koncentrimit të shumë e më shumë pasurisë në duart e një përqindje të vogël të popoullatës, gjë që përbën problemit e distributimit ose shpërndarjes.

Për më tepër, si një trashëgimi e revolucionit industrial, ne po funksionojmë në një etos kulturor i cili na thotë se njerëzit duhet të punojnë për aq sa marrin, kështu që ne e ndalim çdo plan serioz për ta shpërndarë atë pasuri përmes mënyrave të tjera të ndryshme, e jo vetëm për nga shkëmbimi me punë.

Kështu që, unë them, poshtë kjo etikë e punës, e lartë etika e lojës!

Ne jemi të ndërtuar të luajmë, jo të punojmë. Ne rrezatojmë më së miri kur luajmë. Le t’i bëjmë ekonomistët tanë të mendojnë se si të krijojnë një botë që maksimizon lojën dhe minimizon punën.

Duket sikur është një problem i zgjidhshëm. Do të ishim shumë më mirë nëse njerëzit që bëjnë punë të panevojshme ose të rrezikshme do të ishin duke luajtur, dhe të gjithë të konsderonim të barabart punën e domosdoshme dhe përfitimet që ato sjellin.

Çka është puna?

Fjala punë, sigurisht, ka një numër të madh, shpesh edhe të ndërthurura, kuptimesh.

Ashtu siç përdoret nga Keynes-i, dhe siç e përdora unë këtu në paragrafet paraprake, i referohet aktivitetit që ne e bëjmë parësisht ose vetëm se ne ndjehemi që duhet ta bëjmë, në mënyrë që për veten dhe familjet tona të krijojmë siguri ekonomike.

Puna mund t’i referohet edhe çfarëdo aktiviteti që ne e shohim si të pakënaqshëm, por të cilin duhet t’a bëjmë, edhe nëse përfitojmë ose jo financiarisht prej saj.

Një sinonim i punës sipas këtij definicioni do të ishte fjala angleze ‘toil’ (punë fizikisht e mundimshme), dhe sipas këtij definicioni do të ishte e kundërta e lojës (play).

Edhe një definicion tjetër për punën është ajo e çfarëdo aktiviteti i cili ka një efekt pozitiv për botën, edhe nëse si përvojë nuk është fort e kënaqshme.

Nga ky definicion, puna dhe loja nuk është se dallojnë shumë.

Disa njerëz me fat i konsiderojnë punët e tyre, me të cilën edhe sigurojnë jetesën, si lojë.

Ata do të vazhdonin ta bënin atë edhe nëse nuk do të siguronin jetesën e tyre nga ajo.

Por kjo nuk është kuptimi i fjalës të cilën unë e përdorë këtu në ese, por është një kuptim i cili ia vlen të mbahet në mendje, sepse na kujton se shumë prej asaj që ne e quajmë punë, me të cilën ne sigurojmë jetesën, mund të quhej punë në një botë në të cilën jetesa jonë do të ishte e garantuar në mënyra të tjera.

A është puna një pjesë esenciale e natyrës njerëzore? Jo

Është befasuese për një numër të madh njerëzish, se në një shkallë kohore të historisë biologjike njerëzore, puna është një shpikje e re.

Puna ka nisur me agrikulturën, kur njerëzit kalonin orë të tëra duke lëvruar, mbjellur, shkulur barërat dhe korrur, dhe pastaj u zgjerua më tej me industrinë, kur njerëzit kaluan orë të panumërta, të rraspaktishme ose të neveritshme duke mbledhur gjëra ose duke punuar në miniera.

Por bujqësia ka qenë me ne për vetëm afro dhjetë mijë vjet dhe industria për shumë më pak kohë.

Para kësaj, për qindra mijëra vjet, ne të gjithë ishim mbledhës dhe gjuetarë.

Studiuesit që kanë kqyrur dhe jetuar me grupet që mbijetojnë si gjuetarë në kohë moderne, në pjesë të ndryshme e të largëta të botës, kanë raportuar rregullisht se ata kalojnë shumë pak kohë duke bërë atë që ne, në kulturën tonë, do ta kategorizonim si punë.

Në fakt, studimet sasiore zbuluan se një gjuetar-mbledhës mesatar i rritur kalon rreth 20 orë në javë në gjueti dhe grumbullim, dhe disa orë më shumë në detyra të tjera të lidhura me jetesën, aktivitete si ndërtimi i veglave dhe përgatitja e vakteve të ushqimit.

Pjesa tjetër e kohës së tyre e ditës u kalonte duke pushuar, por pjesa më e madhe e saj shpenzohej në aktivitete të këndshme, duke bërë muzikë, art, vallëzim, lojëra, tregimi i historive, biseda dhe shaka me miqtë dhe vizita të miqve dhe të afërmve në grupet fqinje.

Gjuetia dhe grumbullimi nuk konsideroheshin si punë; ato bëheshin me entuziazëm, jo me nervozë.

Për shkak se këto aktivitete përjetoheshin si argëtuesee dhe kryheshin mes grupe miqsh, kishte gjithmonë shumë njerëz që donin të gjuanin dhe mbledhin; dhe për arsye se ushqimi ndahej mes të gjithë grupit, çdokush që nuk donte të gjuante ose mledhte në ndonjë ditë (ose javë ose më shumë) nuk u bëhej presion për të.

Disa antropologë kanë raportuar se njerëzit që i studionin as që kishin ndonjë fjalë për punën; ose, edhe nëse kishin, me punë ata i referoheshin asaj pune që kryenin fermerët, ose minatorët, ose të tjerët që s’ishin gjuetar, me të cilët kontaktonin.

Antropologu Marshal Sahlins (1972) bëri pohimin e tij të famshëm për shoqëritë gjuetare se ato përbëjnë ‘shoqërinë e pasur origjinale’ – të pasur jo sepse ata kishin shumë, por përshkak se nevojat e tyre ishin të vogla, dhe sepse ata kënaqeshin me ata nevoja të vogla e me mundim relativisht të vogël, kështu që kishin shumë kohë të luanin.

Dhjetë mijë vjet është një periudhë kohe pothuajse e parëndësishme, në kuptimin evolucionar. Ne kemi evoluar në natyrën tonë themelore njerëzore shumë përpara se të vinte bujqësia ose industria.

Ne jemi, përnga natyra, të gjithë gjuetarë-mbledhës, për të shijuar aktivitetet tona të jetesës dhe për të pasur shumë kohë të lirë për të krijuar aktivitetet tona të gëzueshme që shkojnë përtej mbijetesës minimale.

Tani që mund të bëjmë të gjithë bujqësinë dhe prodhimin me kaq pak punë, mund të rimarrim lirinë që gëzuam gjatë pjesës më të madhe të historisë sonë evolucionare, nëse mund të zgjidhim problemin e shpërndarjes.

A na duhet puna që të jemi aktivë dhe të lumtur? Jo

Disa njerëz shqetësohen se jeta pa punë do të ishte e bajatshme dhe depresion psikologjik. Ata mendojnë që qeniet njerëzore kanë nevojë për punë që të kenë kuptimin dhe qëllim në jetë për tu zgjuar nga shtrati. Ata shohin se sa të dëshpëruar bëhen njerëzit e papunë, ose në numrin e njerëzve që thjesht vegojnë kur vijnë në shtëpi pas punës, ose në mënyrën se si disa njerëz, pas pensionit, nuk dinë çfarë të bëjnë dhe fillojnë të ndihen të padobishëm.

Por këto vëzhgime po ndodhin të gjitha në një botë në të cilën papunësia nënkupton dështim në mendjet e shumë njerëzve; në të cilën punëtorët vijnë në shtëpi të rraskapitur fizikisht ose mendërisht çdo ditë; në të cilën glorifikohet puna dhe denigrohet loja; dhe në të cilën një jetë pune, nga shkolla fillore në pension, i bën shumë veta të harrojnë se si të luajnë.

Shikojini fëmijët, të cilët ende nuk kanë nisur shkollën dhe prandaj ende nuk e kanë humbur kuriozitetin dhe lojën për hir të punës. A janë ata përtacë? Jo. Ata janë vazhdimisht aktivë, përveç se kur flejnë. Ata gjithmonë janë duke bërë gjëra, të motivuar nga kurreshtja, dhe në lojërat e tyre krijojnë tregime, ndërtojnë gjëra, krijojnë art, filozofojnë (po, filozofojnë) për botën rreth tyre.

Nuk ka asnjë arsye për të menduar që shtysat për aktivitete të tilla natyrshëm bien me moshë. Ato bien sepse shkollat tona, të cilat vlerësojnë punën dhe zhvlerësojnë lojën, i nxjerrin ato nga mendjet e njerëzve; dhe më pas punët dhe karrierat e lodhshme vazhdojnë t’i nxjerrin edhe më shumë ato. Këto shtytje nuk bien tek gjahtarët në moshë, dhe ato nuk do të bien as tek ne, po të mos ishte për të gjithë punët që na imponohen.

Shkollat janë shpikur kryesisht për të na mësuar t’u bindemi figurave të autoritetit pa diskutim dhe të kryejmë detyra të lodhshme në kohën e duhur. Me fjalë të tjera, ato janë shpikur për të shtypur prirjet tona natyrale për të eksploruar dhe luajtur dhe për të na përgatitur të pranojmë një jetë pune.

Në një botë që do të vlerësonte lojën më shumë sesa punën, nuk do të kishim nevojë për shkolla të tilla. Në vend të kësaj, ne do të lejonim që lulëzimi, krijimtaria dhe përpjekjet natyrore të secilit person të gjejnë kuptimin në jetë të lulëzueshme.

Puna, pak a shumë si përkufizim, është diçka që ne nuk duam ta bëjmë. Ajo ndërhyn në lirinë tonë. Në shkallën që duhet të punojmë, ne nuk jemi të lirë të zgjedhim aktivitetet tona dhe të gjejmë kuptimet tona të jetës.

Pikëpamja se njerëzit kanë nevojë për punë në mënyrë që të jenë të lumtur është e lidhur ngushtë me pikëpamjen mbrojtëse se njerëzit nuk dinë ta trajtojnë lirinë.

Kjo pamje e keqe e natyrës njerëzore është promovuar për shekuj me radhë dhe është përforcuar në shkolla, në mënyrë që të ruajë një forcë punëtore të qetë dhe të bindur.

A varen zbulimet e vlefshme kulturore, krijimet, dhe shpikjet nga puna? Jo

Njerëzit duan të krijojnë dhe të bëjnë zbulime. Ne për nga natyra jemi kuriozë dhe lojëtarë, dhe krijimi e zbulimi janë, respektivisht, produkte të kuriozitetit dhe lojës. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se më pak punë dhe më shumë kohë për të bërë atë që duam të bëjmë do të shkaktonte më pak arritje në shkenca, arte dhe punë të tjera krijuese.

Format specifike që merr krijimtaria jonë varet pjesërisht nga kushtet kulturore. Midis mbledhësve nomadë gjuetarë, ku të mirat materiale përtej asaj që mund të mbante lehtësisht dikush ishte një barrë, zbulimet në përgjithësi kishin të bënin me mjedisin e atypëratyshëm fizik dhe biologjik, nga i cili vareshin, dhe produktet krijuese, me karakter natyral tipik – këngë, valle, shaka, histori, dekorime trupore dhe të ngjashme. Sot, dhe që nga koha e  bujqësisë, produktet krijuese mund të marrin të gjitha këto forma, shto edhe shpikjet materiale që transformojnë mënyrat tona themelore të jetesës.

Pothuajse të gjithë shkencëtarët, shpikësit, artistët, poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj flasin për arritjet e tyre si lojë. Einstein-i, për shembull, foli për arritjet e tij në matematikë dhe fizikë teorike si “lojë kombinatore”. Ai e bëri atë për argëtim, jo për para, ndërsa mbante veten si nëpunës në një zyrë patente.

Historiani holandez i kulturës Johan Huizinga, në librin e tij klasik Homo Ludens, argumentoi, bindshëm, se shumica e arritjeve kulturore që kanë pasuruar jetën njerëzore – në art, muzikë, letërsi, poezi, matematikë, filozofi dhe madje edhe jurisprudencë – kanë derivuar nga motivi për të luajtur. Ai vuri në dukje se pjesët më të mëdha të arritjeve të tilla kanë ndodhur në ato kohë dhe vende ku një numër i konsiderueshëm i të rriturve u liruan nga puna dhe për këtë arsye mund të luanin, në një mjedis në të cilin vlerësohej loja. Një shembull kryesor ishte Athina antike.

A do të degjeneronim moralisht pa punë? Jo

Poeti dhe filozofi i shekullit 18, Friedrich Schiller shkroi se “Njeriu është plotësisht njerëzor vetëm kur ai luan”. Dhe unë pajtohem; dhe më duket aq e qartë siç i dukej edhe Schiller-it që një pjesë e njerëzores në ne, e cila zgjohet kur luajmë, është shqetësim për qeniet tjera njerëzore.

Në botën tonë të stërmbushur me punë, ne shpesh biem në një gropë ku detyrat e punës tejkalojnë shqetësimin tonë për të tjerët. Puna zvogëlon kohën dhe energjinë – dhe ndonjëherë edhe motivimin – për të ndihmuar fqinjët në nevojë, ose duke u përpjekur për të pastruar mjedisin tonë, ose për të promovuar shkaqe që synojnë përmirësimin e fjalës për të gjithë.

Fakti që kaq shumë njerëz merren me aktivitete të tilla humanitare tashmë, pavarësisht presioneve të punës, është dëshmi se njerëzit duan të ndihmojnë të tjerët dhe ta bëjnë botën një vend më të mirë. Shumica prej nesh do të bënin më shumë për njerëzit e tjerë po të mos ishte zhytja e kohës dhe energjisë, dhe prirjet drejt lakmisë, por dhe nënshtrimit ndaj pushtetit që krijon puna.

Grupe gjuetarë-mbledhës, të cilët, siç thash, jetonin jetën si lojë, janë të famshëm mes antropologëve për cilësit e tyre ndihmuese ndaj njëri tjetrit. Një term tjetër për këso shoqërish është shoqëria egalitare – ata janë shoqëritë e vetme pa hierarki shoqërore që janë zbuluar. Etosi i tyre, i themeluar në lojë, është i tillë që ua ndalonte ndonjërit që dëshironte të kishte më shumë të mira materiale ose status më të lartë.

Në një botë pa punë, ose pa një pjesë të madhe të saj, ne të gjithë do të bëheshim më pak merak për tu ngjitur në shkallë të hierarkisë, përfundimisht që shpie në askund, dhe më shumë të shqetësuar për lumturinë e të tjerëve, që janë, në fund të fundit, bashkëlojtarë tanë.

Pra, në vend që të synojnë të ruajmë punën, pse nuk e zgjidhim problemin e shpërndarjes, të shkurtojmë punën, dhe të lejojmë veten të luajmë?

Pyetje e mirë.

Originally published at Peter Gray’s Freedom to Learn blog on Psychology Today.