Opinione / Editoriale

Me naftë mund ta ndalosh Putinin (por sanksionet nuk po funksionojnë)


Fedrico Fubini Kolumnist i Corriere

Bashkimi Sovjetik u shemb edhe sepse struktura e tij e shtyu atë drejt hiperekstensionit perandorak, i cili në fund ishte vetëvrasës. Udhëheqësit sovjetikë e kuptuan shumë vonë se sistemi i tyre nuk ishte aq i fortë sa të mund të drejtonte sulme dhe ndërhyrje të vazhdueshme në katër kontinente: nga Evropa Qendrore në Afganistan, Eritrea, Angola, deri në Kubë.

Sot ne perëndimorët do të donim shumë që e njëjta gjë të ishte e vërtetë për Rusinë e Putin-it, megjithatë kanë mbetur vetëm dy mundësi. Ose është diktatori i Kremlin-it që nuk e kupton se Rusia nuk mund ta mbajë gjatë luftën në Ukrainë, së bashku me praninë e saj në Siri, infiltrimin në Libi, Niger ose Republikën e Afrikës Qendrore dhe operacionet e saj të fshehta në Evropë; ose mund të jenë qeveritë perëndimore që nuk duan të shohin realitetin e kundërt, se Rusia e Putin-it, për momentin, është në gjendje të vazhdojë (edhe për këtë) sepse sanksionet kundër Moskës janë projektuar – dhe zbatuar – në mënyrë joadekuate.

Tani për tani, Banka Qendrore Evropiane po kërkon nga institucionet italiane, gjermane dhe austriake që të përshpejtojnë daljen e tyre graduale nga Rusia. Sigurisht që ka kuptim – veçanërisht për Raiffeisen në Vjenë, i cili po ecën në drejtim të kundërt – por është një thikë me dy presa: sot ato banka janë kryesisht një kanal jo për daljen e kapitalit, dhe për rrjedhojë për gjakderdhjen e sistemit Putinian.

Ajo që me të vërtetë çon kapital në Moskë është nafta. Siç thekson Sergey Vakulenko, një ish-menaxher i lartë i filialit të naftës të Gazprom, i cili ka qenë në mërgim për më shumë se dy vjet, Rusia kohët e fundit i është rikthyer prodhimit të eksporteve të lëndës së parë kryesore si para luftës: rreth 15 miliardë dollarë në muaj nga nafta e papërpunuar, plus pesë nga karburantet. Dhe krahasuar edhe vetëm me vitin 2022, ndryshimi është se sot të ardhurat nga taksat nga çdo fuçi janë më të larta sepse qeveria ka filluar ta taksojë produktin me nxjerrjen nga toka.

Prandaj, ekziston një fije e përbashkët që lidh dinamika në dukje të ndryshme: suksesi i naftës ruse në tregje, shkatërrimi i Ukrainës dhe popullariteti i Putin-it në vend. Jo vetëm sepse të ardhurat nga lëndët djegëse fosile përbëjnë pothuajse gjysmën e buxhetit, por për shkak të tendencave dhe përdorimit të këtyre të ardhurave.

Viti 2024 sheh një rritje prej 16% të shpenzimeve të nxitura nga një shpërthim buxheti ushtarak prej 70% dhe një seri subvencionesh sociale, të krijuara për t’i dhënë publikut ndjenjën se gjithçka është normale pavarësisht nga 400 mijë vdekjet dhe plagosjet ruse në grirësen e mishit të konfliktit. Kështu që Rusia mund të vazhdojë për vite me radhë, duke riarmatosur veten dhe duke kloroformuar popullsinë me subvencione.

Në paktin social të ofruar nga Putin-i, thotë disidenti Andrei Kolesnikov, shumica e mbështet luftën “për aq kohë sa mund ta bëjnë atë nga divani”. Diktatori duhet t’u japë subjekteve të tij përshtypjen orwelliane se standardet e jetesës së vendit mbeten të paprekura, ndërsa ai i dërgon fëmijët e tyre të masakrohen dhe të masakrojnë në Ukrainë. Paraja publike u shërben të dyja strategjive: agresionit nga jashtë dhe qetësimit nga brenda.

Dhe nafta është çelësi i parasë: në vitin 2024 Kremlini pret që ajo të japë një rritje të të ardhurave prej 30% dhe kjo – vëren Vakulenko – presupozon çmime të larta për fuçi, të kombinuara me kosto shumë të ulëta të anashkalimit të sanksioneve.

Kjo është pikërisht ajo që Perëndimi po i jep Vladimir Putin-it. G7 ka treguar një tavan maksimal të çmimit për shitjet e naftës prej 60 dollarë për fuçi, me kërcënimin e sanksioneve për ata që blejnë me çmime më të larta.

Por anashkalimet janë jashtëzakonisht të thjeshta: pronari i ngarkesës, pronari i anijes ose siguruesi i një cisterne nafte plot me naftë bruto ruse ka nevojë vetëm për një certifikatë nga shitësi, sipas së cilës produkti nuk do të shitet mbi “tavanin” e G7.

Kufijtë dhe ndalimet e eksportit në Evropë shkelen sistematikisht. Një e treta e naftës bruto blihet nga Kina, natyrisht. Por një e treta e shitjeve janë nëpërmjet anijeve ose siguracioneve perëndimore, sipas Isaac Levi-t nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë në Helsinki.

As kjo nuk është rastësi. Politikanët perëndimorë mbyllin të dy sytë sepse kanë frikë se, përndryshe, një rritje e çmimit botëror të naftës do të prekë edhe vendet e tyre dhe për rrjedhojë konsensusin për të njëjtat qeveri që po mbështesin Ukrainën.

Vetëm Rusia përfaqëson më shumë se një të dhjetën e eksporteve globale të naftës së papërpunuar: sanksionet që do të hiqnin një pjesë të atij produkti nga tregu do të rrisnin çmimet në pompën e benzinës për të gjithë.

Dhe në fund të fundit, qeveritë e G7 duan gjithashtu t’u japin qytetarëve të tyre ndjenjën se, pavarësisht luftës, gjithçka është normale; prandaj e lejojnë Putin-in të vazhdojë të financojë me lehtësi agresionin e tij.

Deri në zgjedhjet amerikane, ky bilanc i sëmurë nuk do të ndryshojë, sepse një rritje e çmimit të një gallon benzine është pikërisht ajo që Joe Biden duhet të shmangë për të mos humbur ndaj Donald Trump.

Më pas, megjithatë, edhe në Perëndim do të na duhet t’i bëjmë vetes pyetjen më të pakëndshme: a mund ta thyejmë Putin-in duke vazhduar të fshihemi pas një maske normaliteti?


Lajmet kryesore