Shumë nga ata që kanë sulmuar shkrimin tim për “Shqipërinë 2030” nuk kanë pasur as durimin ta lexojnë, as dëshirën për ta kuptuar. Dhe akoma më pak ndershmërinë për të pranuar se dilema që ngre aty nuk është për Edi Ramën, por për ne si shoqëri.
Pas shkrimit tim për “Shqipërinë 2030”, pati reagime të menjëhershme. Disa prej tyre erdhën nga portale dhe në studio televizive që nuk debatonin për përmbajtjen, por sulmojnë autorin. Siç ndodhi edhe me Çim Pekën, ku diskutimi nuk ishte mbi idetë, por mbi etiketat.
Kjo nuk është një përgjigje për t’u mbrojtur, por një reflektim mbi dilemat që debati shmangu qëllimin, sepse mandati i katërt duhej të fyhej si qëllim, sepse është i tepërt për Edi Ramën, pa analizuar arsyen pse po vjen si i tillë.
Por reagimi që pasoi nuk ishte ndaj pyetjeve qe u u ngritën. Ishte ndaj faktit që dikush guxon të flasë për vizion, për estetikë, për rend, në një vend ku politika është mësuar të flasë vetëm me urrejtje dhe zero nuance. Është më e lehtë të përqeshësh një fjalë si “shije” sesa të përballesh me realitetin se ndoshta për herë të parë po diskutojmë një projekt shtetformues.
Dhe pastaj, si gjithmonë, del argumenti që nuk do të mbarojë kurrë. Si mund të flitet për vizion, kur ka ministra të korruptuar.
Kjo është dilema e parë…dhe është e fortë. Sepse në thelb prek marrëdhënien midis moralit dhe performancën politike të projektit. Prek përgjegjësinë e liderit në një sistem ku korrupsioni ndodh.
Por korrupsioni nuk është shpikje shqiptare. Dhe as e kohës sonë. Ai ndodh në çdo shoqëri që ka pushtet. Në çdo qeveri që ka ndikim. Pyetja nuk është nëse ndodh, por çfarë bën sistemi për ta përballuar. A ndalet drejtësia te dera e partisë, apo i lejon vetes të hyjë edhe atje ku ndodhen më të fuqishmit?
Edi Rama mund të kritikohet për shumëçka, por jo për ndërtimin e një drejtësie të blinduar ndaj vetes. Është në qeverisjen e tij që për herë të parë janë arrestuar ministra dhe drejtues të lartë. Jo sepse ai i ka futur në burg. Por sepse ka ndërtuar dhe përkrahur një sistem që nuk i mbron më. Dhe këtu, çështja nuk është a ka të korruptuar në qeveri. Çështja është a ka një qeveri që i lë ata të shkojnë përpara drejtësisë.
Korrupsioni nuk është alibi për të pranuar çdo gjë. Por nuk është as arsye për të hedhur poshtë gjithçka. Sepse ai është test për sistemin. Dhe më mirë një shtet që ndërton e më pas pastron, sesa një shtet që nuk ndërton asgjë dhe nuk ka asgjë për të pastruar. Boshllëku nuk korrupton. Thjesht nuk ekziston.
Pyetje që e meriton vëmendjen – kohëzgjatja e një pushteti – është gjithmonë ambivalente. Mund të jetë burim ndërtimi. Por edhe autokracie.
Në këtë pikë qëndron ndarja midis një qeverie që e shtyn zhvillimin me vonesë dhe një opozite që s’ka ditur asnjëherë çfarë të bëjë me zhvillimin. Shqiptarët jetojnë me realitetin. Dhe në realitet, sot pagat janë më të larta, me gjithë kufizimet, me gjithë vështirësitë, më shumë se ç’kanë qenë. E ardhmja nuk ndërtohet vetëm me kohë. Por as nuk ndërtohet pa kohë.
Prapë, debati kthehet në atë që sot është bërë parullë. Edi Rama është autokrat. Dhe me kaq mendohet se është thënë gjithçka. Por nuk është thënë asgjë. Sepse fjala “autokrat” nuk zëvendëson analizën. As nuk e përjashton nevojën për të kuptuar përse një njeri mund të mbajë pushtet për kaq gjatë në një vend me histori të trazuar politike.
Rama ka shumë pushtet. Ka ndërtuar një strukturë që e vendos në qendër të çdo procesi. Kjo sjell pasiguri për ata që duan më shumë balancë. Por kjo nuk është ndërtuar në një natë. As me grusht shteti. Është ndërtuar për shkak të dështimit të gjithçkaje tjetër rreth tij.
Autokracia nuk lind vetëm nga ambicia e një lideri. Lind edhe nga boshllëku përballë tij. Nga mungesa e ideve, nga mungesa e organizimit, nga mungesa e një zëri që flet për më shumë se nostalgji. Dhe në këtë pikë, është shumë më shqetësuese një opozitë që nuk arrin të përqafojë asnjë ide përtej të kaluarës, sesa një lider që ka vendosur një ide të vetme dhe e ndjek me ngulm.
Sepse në fund të fundit, ajo që rrezikon demokracinë nuk është vetëm pushteti që zgjatet, por sidomos boshllëku që nuk mbushet.
Dhe kështu vjen ajo që tani është kthyer në dilemë të modës. A ka kuptim të shkojmë në zgjedhje me këtë sistem. A nuk është loja e paracaktuar. Pyetje që kanë një të vërtetë brenda, por që nëse zgjidhen me bojkot, nuk prodhojnë asgjë përveçse mungesë. Bojkoti nuk rrëzon sistemin. E betonon atë.
Në zgjedhje nuk shkohet për të fituar terren që të është dhënë. Shkohet për të fituar atë që nuk e ke. Dhe për ta bërë këtë, duhet të jesh aty. Jo jashtë. Pjesëmarrja nuk është dekor. Është kushti për të mbijetuar në një sistem ku çdo hapësirë e pambrojtur pushtohet menjëherë nga ai që është më i zoti për ta marrë.
Së fundi, një fjalë për partitë e vogla. Është bërë zakon të thuhet se nuk kanë hapësirë. Por kjo është alibi. Nuk është sistemi që i pengon. Është mungesa e tyre. Mungesa e idesë. Mungesa e organizimit. Mungesa e përmbajtjes. Hapësira politike nuk jepet me ligj. Fitohet me guxim. Me mendim. Me projekt. Dhe nëse nuk je në gjendje të thuash asgjë që s’të kenë thënë të tjerët para teje, atëherë mos u anko për mungesë terreni.
Demokracia nuk është e butë ndaj atyre që nuk dinë të veprojnë. Por kjo nuk është arsye për ta fajësuar atë. Është arsye për të ndryshuar veten. Dhe për ta fituar besimin, jo me mllef, por me vizion.
Unë nuk shkrova për të bindur askënd. As për të shpëtuar ndonjë pushtet. Shkrova për ata që dinë të lexojnë pa ndërtuar legjenda. Shkrova për ata që besojnë se nuk ka vizion pa gabime, por as nuk ka të ardhme pa ide.
Dhe po, e them edhe një herë. Më shqetëson më shumë një opozitë pa projekt, sesa një qeveri që ndoshta është ndotur gjatë rrugës. Sepse në fund, e ardhmja nuk është një garë për pastërti morale. Është një betejë për ndërtim.
Dhe kush ka frikë nga kjo betejë, ka frikë nga vetja. Unë jo.