Në samitin e fundit për sigurinë globale, ku liderët e botës diskutuan mbi paqen, energjinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, një zë që ra në sy për maturi dhe vizion ishte ai i Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Vendimi i tij për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza, ndërkohë që forcon aleancat me Perëndimin dhe ruan balancat rajonale, e risjell në vëmendje një udhëheqës që di të ndërtojë ura në kohë ndarjesh.
Ky shkrim nuk vjen si një lavdërim i zakonshëm, por si një rikujtim se si një mik i heshtur i shqiptarëve, që na ndihmoi në vitin 1999 pa zhurmë e pa kamera, vazhdon të mbetet një aktor me ndikim global, i respektuar për veprat dhe jo për fjalët. Në një kohë kur partneritetet testohen çdo ditë, është me vlerë të kujtojmë miqtë e vërtetë.
Në një kohë kur politika ndërkombëtare po lëkundet mes interesave të ngushta dhe harresës historike, kujtesa për ata që kanë qenë pranë nesh në ditët më të errëta nuk është vetëm detyrim moral, por domosdoshmëri kombëtare. Në këtë radhë kujtimi dhe njohjeje, është e udhës që të ndalemi te një figurë që pak e përmendim, por shumë ka dhënë për shqiptarët: Lartësia e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky nuk është një shkrim i zakonshëm, as një përpjekje për ta ngritur një lider të huaj në piedestal. Është një reflektim mbi mënyrën se si një burrështetas i kalibrit global ka ndërtuar një model zhvillimi që frymëzon edhe vendet tona. Mbi të gjitha, është një rrëfim për një mik të vërtetë të shqiptarëve, që e nisi këtë lidhje jo për interesa afatshkurtra, por nga një përvojë njerëzore e thellë: mikpritja që ai vetë ua dha refugjatëve kosovarë në vitin 1999, në Kukës, jo si princ, por si ushtar, si njeri, si vëlla.
Në një botë ku miqtë shpesh ndryshojnë me ciklet politike, MBZ ka qenë i qëndrueshëm. Dhe është koha që edhe ne të jemi të qëndrueshëm në kujtesën tonë.
Lartësia e tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, sundimtar i Emirateve të Bashkuara Arabe, i njohur shkurt si MBZ, është arkitekti i transformimit të Emirateve të Bashkuara Arabe në një fuqi rajonale brenda Gjirit Arabik, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik dhe ushtarak. MBZ e udhëheq vendin e tij me vizion të qartë për të ardhmen, ku synohet të dëshmohet që jeta në paqe, zhvillimi e mirëqenia, si dhe qëndrueshmëria e një shoqërie tolerante, janë cilësi që nuk bien në kundërshtim me vlerat tradicionale të Islamit, por përkundrazi e fuqizojnë mesazhin burimor islam të paqes dhe tolerancës.
Nën udhëheqjen e lartësisë së tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Emiratet e Bashkuara Arabe rritjen e qëndrueshme ekonomike e synojnë nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë, paqes sociale, prosperitetit nëpërmjet bashkëjetesës, e gjithë kjo e mishëruar në hapin e pandalshëm të zhvillimit dhe stabilitetit. Dhe e gjithë kjo rezultuar me suksesin e jashtëzakonshëm të renditjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, në indeksin e vitit 2025, si vendi i dytë më i sigurt në botë për të jetuar dhe punuar.
Por MBZ nuk është ndalur me kaq. Nën udhëheqjen e tij, që nga viti 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë kanë programin dhe agjencinë e tyre për eksplorimin e kozmosit. Raketat arabe tashmë janë nisur drejt Marsit dhe përtej, ndërkaq Emiratet e Bashkuara janë i vetmi vend arab që ka çuar astronautët e vet në kozmos. Nën udhëheqjen e MBZ, Emiratet e Bashkuara Arabe janë shteti i vetëm arab që ka centrale bërthamore të energjisë. Thënë shkurt: MBZ është një vizionar i vërtetë.
Në Shqipëri, lartësia e tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan njihet si një mik i mirë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, një fakt tashmë botërisht i njohur, por kjo miqësi nuk është as rastësi e as produkt interesash. Lidhja dhe emocioni i veçantë që MBZ ka për Shqipërinë, dhe shqiptarët në përgjithësi, është e thellë dhe pjesë e pandashme e zhvillimit personal të MBZ si burrështetas. Kur flet për shqiptarët, ose në pranin e tij flitet për shqiptarët, lartësia e tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan ka në mendje si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën.
Historia e kësaj lidhjeje dhe emocioni të veçantë fillon në vitin 1999, në atë që ne shqiptarët e njohim si kampi arab i Kukësit. Derisa lufta në Kosovë ishte në kulmin e saj, në anën shqiptare të kufirit një kontingjent ushtarësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe patrullonte perimetrin me Humvee të mëdha, ndërsa helikopterët Puma të pilotuar nga anëtarë të forcës së saj ajrore, fluturonin mbi peizazhin marramendës të maleve stoike shqiptare. Në krye të këtyre forcave, që natë e ditë kujdeseshin për mijëra refugjatë kosovarë, ishte një burrë i gjatë me mjekër dhe me një hundë të ngritur të theksuar nga një palë syze. Ky oficer 28 vjeçar, i diplomuar i Akademisë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Anglisë, aso kohe vetëm dhjetë vjet më i vjetër se vendi i tij, ishte vetë Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe Princi i ardhshëm i Kurorës, Sheikh Mohammed Ben Zayed. Shqiptarët e Kosovës e mbajnë mend mirë fjalimin e lartësisë së tij në Kukës kur ai ishte zotuar që vendi i tij nuk do t’i braktiste refugjatët në nevojë, derisa edhe kosovari i fundit të kthehej në shtëpi.
Pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1991, lufta e Kosovës e viteve 1998-1999 ishte përvoja e dytë e MBZ me atë çfarë ndodh kur një popull nuk ka fuqi ta mbrojë veten. Gjithçka që ai pa dhe dëshmoi në Kukës, duke parë nga afër vuajtjet e popullit shqiptar, të vrarë e të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre, e ngjizi vizionin e MBZ që Emiratet e Bashkuara Arabe duhet të fuqizohen e forcohen deri në pikën ku secili armik i mundshëm do të detyrohej të mendonte mirë para se të sulmonte. Kjo më së miri dëshmohet në kujtimet e Gjeneral Major Obaid Al Ketbi, komandant i forcave ushtarake të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri dhe më pas në Kosovë. Gjeneral Al Ketbi kujton: “Nëse të gjithë nxorëm një mësim nga Kosova, ai është se përgatitja është thelbësore.”
Investimi i palodhur dhe konsistent në fushën e mbrojtjes e ka arritur pikërisht këtë qëllim. Dhe jo pa arsye, në vitin 2014, i frymëzuar me stilin e veçantë të programit dhe të udhëheqjes shtetërore të MBZ, sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis, Emirateve të Bashkuara Arabe u dha nofkën “Sparta e vogël”. Krahasimi me një nga qytet-shtetet më të fuqishme të Greqisë së lashtë qëllon plotësisht në shenjë, sepse i korrespondon shumë mirë temperamentit të udhëheqësit dhe popullit të këtij shtetit.
Por, duke dëshmuar koalicionin e gjerë ndërkombëtarë të mobilizuar për të ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës, dhe më herët për të çliruar Kuvajtin, MBZ po ashtu e ka ndier nga afër edhe rëndësinë e fuqisë që rrjedh nga aleancat dhe bashkëpunimi. Tani, shumë vite më pas, në indeksin e vitit 2025, Emiratet e Bashkuara janë të ranguara si e dhjeta në botë për nga fuqia e ushtrimit të ndikimit nëpërmjet asaj që njihet si fuqi e butë. Pra, MBZ nuk është vetëm një udhëheqës i fortë dhe i qartë në qëllime, por edhe një diplomat i kalibrit të Talleyrand.
Përtej kësaj lidhjeje personale, lartësia e tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan e vlerëson shumë Shqipërinë dhe Kosovën, si dy shembuj konkret ku një popullsi me shumicë myslimane ka ndërtuar një shoqëri dhe shtet, ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo religjionit, mund të jetojnë, të punojnë dhe të prosperojnë në paqe. Pra, raporti i familjes mbretërore në Abu Dhabi ndaj shqiptarëve është i bazuar vetëm në vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë.
Por MBZ nuk është vetëm një produkt i ngjarjeve që kanë shënuar formimin e tij si burrështetas, ai është mishërim natyror i vlerave të larta njerëzore që ka e gjithë familja e tij. Perëndimorët mund të habiten me faktin që ky njeri kaq i fuqishëm ndonjëherë del, pa roje e asnjë përcjellje, dhe takohet me njerëzit e tij, por kjo sjellje është vetëm pasqyrim i modestisë dhe përuljes që e karakterizon gjithë familjen mbretërore.
Për shqiptarët, por edhe për të tjerët, mund të duket e çuditshme që pakkush në Abu Dhabi e di që familja mbretërore, përkatësisht nëna e MBZ, Sheikha Fatima, e njohur si “nëna e Emirateve të Bashkuara Arabe”, ka financuar në tërësi ndërtimin modern të Spitalit Pediatrik në Prishtinë, si dhe furnizimin me pajisjet më moderne, duke e kthyer këtë spital pediatrik në qendër ekselence që nuk ka të ngjashme askund në rajon. Kjo gjë është kështu sepse familja mbretërore veprën e mirë e sheh vetëm si përkushtim ndaj Zotit dhe jo si projekt për t’u mburrur para të tjerëve. Pra, kjo vepër e madhe dhe shumë e kushtueshme, nuk është bërë për t’u dukur, por si manifestim i përuljes dhe vlerave të thella njerëzore të Sheikha Fatimës dhe të birit të saj Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe një simbol i dashurisë dhe përkushtimit të familjes mbretërore për popullin e Kosovës. Dashuri që është ngjizur që nga momenti kur lindi Fatimja e vogël, foshnja e parë e lindur në kampin arab, refugjate e sapolindur që e morri këtë emër të bekuar në respekt të Sheikha Fatima.
Kryeministri Rama mund të frymëzohet për shumë gjëra nga lartësia e tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Dhe dikush edhe mund të thotë që ngulmimi i Ramës për të realizuar shumë projekte kapitale, paralel me njëri tjetrin, kthimi i Shqipërisë në një atraksion që tërheq miliona të huaj, si dhe së fundmi vendimi për ta ngritur industrinë ushtarake si dhe për ta fuqizuar ushtrinë shqiptare, janë fryte të këtij ndikimi pozitiv. Gjithsesi ndjekja e këtij shembulli të mirë nuk duhet të ndalet me Ramën. Kryeministri Rama nuk do të qeverisë përgjithmonë, prandaj modeli i MBZ, si shembull i udhëheqjes me dashuri dhe përkushtim për atdheun dhe popullin, duhet të ndiqet edhe nga brezi i ardhshëm i udhëheqësve shqiptar.
(Autori është shkrimtar si dhe studiues i fenomeneve që ndërlidhen me funksionimin e institucioneve publike. Autori ka gradën PhD në fushën e sigurisë kombëtare).