Opinione / Politikë

‘Mburoja nga fanatizmi, kujtesa’


Jolyon Naegele Ish-gazetar i RFE-së dhe ish-Drejtor Politik në UNMIK

Në mesin e viteve 1970, kur isha student në Universitetin City College të New York-ut, Elie Wiesel po jepte një kurs për fëmijët e të mbijetuarve të Holokaustit.

Asokohe, kuptova se nuk kualifikohesha plotësisht.

Im atë ishte rritur si gjysmë arian në Gjermaninë naziste, duke përjetuar zemërimin e rinisë fanatike hitleriane në rrugët e Stuttgart-it. Mësuesi i tij i historisë, një nazist fanatik, e kishte nxjerrë nga klasa duke i thënë: “Çfarë je ti? Një gjysmë arian? Je një person krejtësisht i padobishëm!”.

Gjyshërit e mi ia dolën mbanë mes viteve 1937 dhe 1939 të dërgonin im atë dhe dy vëllezërit e tij, një nga një, në shkollë në Angli. Gjyshërit e mi u larguan nga Gjermania në fund të gushtit 1939, vetëm disa ditë para se të shpërthente lufta.

Pak më shumë se një vit më vonë, ata arritën në New York. Megjithatë, stërgjyshja ime, e cila kishte qëndruar në Gjermani, i kaloi pesë javët e fundit të 80 viteve të saj në Terezín në vitin 1942, përpara se të hipte në një tren me afro dy mijë shpirtra të tjerë për në Treblinka.

Në arkiva, ajo figuron si e vdekur menjëherë pas mbërritjes në spital.

Ndërkohë që nuk aplikova për të ndjekur klasën e Wiesel-it për pasardhësit e të mbijetuarve të Holokaustit, ndoqa një leksion të paharrueshëm që ai mbajti në universitet, në përkujtim të përvjetorit të Kryengritjes së Getos së Varshavës.

Menjëherë pas atij leksioni, u përplasa me një shok klase hebre ortodoks.

I tregova se sa përshtypje më bëri ligjërata tërheqëse e Wiesel-it. Dhe u përshëndeta nga një tundje dore shpërfillëse dhe nga heshtja.

“Hë? Pse kështu?”, pyeta. “Ai e refuzon ekzistencën e Zotit”, pohoi shoku im i klasës.

Megjithatë, një shok tjetër klase, prindërit e të cilit kishin humbur bashkëshortët e tyre të parë dhe fëmijët në Holokaust, e ndoqi kursin e Wiesel-it.

Sot e kësaj dite, ai e vlerëson atë pasi e ndihmoi të pajtohej me vështirësinë e rritjes bashkë me prindërit, të cilët edhe tre dekada pas Holokaustit, ende jetonin në një heshtje thuajse të padepërtueshme në apartamentin e tyre në Brooklyn.

Teksa vizitoja kushërinjtë në Francë, në vitin 1977, hasa një kopje të kujtimeve të Elie Wiesel-it për kohën e tij si adoleshent në Aushvic dhe Bukenvald.

Pavarësisht shkurtësisë, “Nata”, më la një përshtypje të pashlyeshme me përshkrimin e tmerrit e dëbimeve dhe kampeve përmes syve të një adoleshenti.

Një tjetër libër i paharrueshëm që lexova dekada më parë, i lidhur indirekt me Wiesel-in, ishte “Zogu i pikturuar i Jerzy Kosinski-t”, të cilin Wiesel-i e rishikoi për New York Times në vitin 1965.

Nëse recensentët e shumtë të pakuptueshëm në vitin 2019 të përshkrimit epik kinematografik të Václav Marhoul të librit do të kishin bërë përpjekje për të lexuar recensionin e jashtëzakonshëm të Wiesel-it, ata do ta kishin kuptuar thelbin e historisë.

Ndoshta as nuk do ta kishin përçmuar filmin si të dhunshëm, por mund ta kishin kuptuar më mirë përshkrimin e filmit sesi fanatizmi dhe injoranca mund t’i kthejnë njerëzit në bisha.

Rishikimi i librit nga Wiesel-i tregon qartë se sa e saktë ishte përralla e Kosinski-t, paçka sfidave të mëvonshme për vërtetësinë dhe autorësinë e romanit.

Një citat i shkëputur nga Wiesel thotë se…

“Kjo metamorfozë e mendjes dhe zemrës së djalit, përbën një nga elementët e tmerrshëm të rrëfimit. Po aq e frikshme është të kuptuarit se ajo që përshkruan ka ndodhur në fshatra të zakonshëm, ku burra, gra dhe fëmijë të zakonshëm bënin jetën e tyre të zakonshme dhe të cilëve lufta, më shumë abstraksion sesa realitet, u solli shqetësime, por jo trazira serioze.

Brutaliteti i tyre nuk kishte asnjë lidhje me vendimet politike të marra në Berlin, ishte i përjetshëm. Dhe viktima e tyre nuk ishte as një hebre, as një cigan, por një fëmijë i krishterë i braktisur, i prindërve të mirë të krishterë.

Çehrja e tij e errët ishte fatkeqësia e tij… Mund t’i kishte ndodhur kujtdo, kudo. Nëse do të kishim nevojë ndonjëherë për prova që Aushvici ishte më shumë një koncept sesa një emër, ajo na jepet këtu me elokuencë dërrmuese në ‘Zogun e pikturuar’, një përrallë prekëse, por e frikshme në të cilën njeriu akuzohet dhe provohet fajtor, pa rrethana lehtësuese”.

Për të parën herë në vitin 1977, vizitova Aushvicin dhe Birkenaun.

Asnjë lexim paraprak nuk më përgatiti për dhomën plot me flokë të prerë njerëzish nga ardhjet e reja, dhomën plot me proteza krahësh e këmbësh dhe dhëmbë fals, dhomën plot me valixhe me emrat dhe adresat e pronarëve ose për ekspozitën me abazhurë të bërë nga lëkura e viktimave të Aushvicit.

Dhjetë vjet më vonë, në shtator të vitit 1987, si reporter i Zërit të Amerikës, shoqërova zëvendëspresidentin George Bush dhe trupin e shtypit të Shtëpisë së Bardhë në Aushvic, pak para se Bush-i të shpallte kandidaturën e tij për president.

Gjatë gjithë kohës, një grup shtypi i përbërë nga tre korrespondentë të Shtëpisë së Bardhë u lejua të qëndronte pranë presidentit, ndërsa ne të tjerët mbaheshim në distancë.

Raporti i mëpasshëm i grupit vuri në dukje se teksa zëvendëspresidenti po kalonte pranë krematoriumit, ai iu drejtua gruas së tij Barbara dhe tha: “Epo, gjermanët me siguri ishin të lidhur fort me furrat”.

Me sa duket, kjo ishte përpjekja e tij për të ndriçuar një moment të zymtë ose për të mbushur një boshllëk heshtjeje. Asnjëherë nuk ishte menduar për shpërndarje publike. Në dijeninë time, citati nuk u kap nga mediat, gjë që teorikisht mund të kishte dëmtuar ndjeshëm aspiratat e tij presidenciale.

Dikush mund të pyesë veten se çfarë do të kishte thënë Wiesel-i po ta dinte.

Në vitin 1982 dhe sërish në vitin 1987, vizitova vendlindjen e Wiesel-it, Sighet, një qytet i vogël tregtar, etnikisht i larmishëm i ndodhur në lumin Tisa në kufirin e Rumanisë me Carpatho-Ukrainën.

Përmes luftërave, hebrenjtë përbënin komunitetin më të madh në qytet. Si kudo në Evropën Qendrore e Lindore, shumë pak nga komuniteti hebre i Sighet-it i mbijetuan Holokaustit.

Përveç sinagogës kryesore, varrezave hebraike dhe disa prej banesave që banorët hebrenj i kishin quajtur shtëpi.

Siç vuri në dukje më vonë Wiesel-i, gjithçka që mbetet nga komuniteti dikur i gjallë hebre i Sighet-it është heshtja. Kjo heshtje vërtetohet edhe statistikisht. Sipas regjistrimit të fundit rumun të disponueshëm në vitin 2011, popullsia hebre e Sighet-it kishte rënë nga një nivel i paraluftës me mbi 10 mijë e 500 në vetëm 11.

Fjalimi i Elie Wiesel-it në Mičovna ose Ball House në truallin e Kështjellës së Pragës, 25 vjet më parë, erdhi në vazhdën e gjenocidit të Ruandës, spastrimit etnik e mizorive të tjera të kryera nga forcat serbe në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë, në rrethimet e Sarajevës dhe të pesë të tjera të komunitetit ndërkombëtar të përcaktuara si “strehë të sigurta” dhe afro 70 masakra në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Në kohën e fjalimit të Wiesel-it, diktatori serb Slobodan Millosheviç po komplotonte një akt tjetër fanatik, dëbimin me forcë të një pjese të madhe të popullsisë me shumicë shqiptare të Kosovës në një përpjekje për të zhvendosur ekuilibrin etnik të Kosovës në favor të Serbisë.

Në mënyrë domethënëse, Elie Wiesel ishte një avokat i hapur i angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në vitin 1999, duke i përshkruar sulmet ajrore të NATO-s për të ndaluar spastrimin etnik si një “luftë morale”.

Thuajse 900 mijë banorë të Kosovës ose mbi gjysma e popullsisë së saj, u detyruan të largoheshin gjatë konfliktit.

Gjatë vizitës së refugjatëve kosovarë në Maqedoni, Wiesel-i u tha gazetarëve se përgjigja e Washington-it në Kosovë ishte shumë më e mirë se sa ambivalenca që kishte treguar gjatë Holokaustit. Por veprimi i SHBA-ve në Kosovë duhet të kishte ardhur shumë më herët.

Më shumë se 22 vjet pas atij konflikti dhe gati 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, mbetet i përçarë për statusin e Kosovës.

Ka fitues dhe humbës kryesorë në këtë enigmë ballkanike.

Zëdhënësi i Partisë Socialiste Serbe të Slobodan Milošević –it nga viti 1992 deri në vitin 2000, Ivica Dačić, tanimë është kryetar i parlamentit serb, kurse ministri i Informacionit gjatë dhe pas konfliktit të Kosovës, Aleksandar Vučić, tanimë është president i Serbisë.

Duke zgjedhur vazhdimisht të luajë kartën nacionaliste në çdo zgjedhje, si dhe duke luajtur për shumë më tepër kohë, dekada, në vend që të angazhoheni në një dialog të vërtetë që duhet të çojë në një rezultat të rënë dakord përmes kompromisit, kemi refuzimin fanatik të Beogradit për të pranuar humbjen ose për të njohur Kosovën.

Pavarësia e Kosovës siguron një ngërç të qëndrueshëm do të ushqejë në mënyrë të pashmangshme paqëndrueshmërinë në rajon.

Humbësit janë popujt e Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, por edhe Bashkimi Evropian, i cili mbetet i paaftë për të pasur një qëndrim të unifikuar për Kosovën, pasi pesë nga 27 anëtarët e tij, për arsye kryesisht të brendshme politike, ende refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.

Mjerisht, në çerek shekullin që kur Elie Wiesel-i shtroi pyetje në Pragë për rrënjët e fanatizmit, një ekstremizëm i tillë nuk ka treguar asnjë shenjë zbutjeje, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe në pjesën më të madhe të territorit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Aktet e shtypjes masive të sponsorizuara nga shteti, shtypja e qëllimshme e zgjedhjeve të lira përmes burgosjes së liderëve të opozitës, mbushja e kutive të votimit me fletë votimi të rreme teksa forcat politike, ushtarake, paraushtarake dhe policore shkelin liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, terrori e madje edhe gjenocidi vazhdojnë në të ndryshme vendndodhje në mbarë botën.

Në pjesën më të madhe të Evropës dhe Amerikës së Veriut jemi dëshmitarë të ndarjeve të thella social-politike në shoqëri, pasi fanatikët po përshtatin format tradicionale të populizmit me mënyrat e reja të përhapjes në mediat sociale. Kjo, në një përpjekje për të nxitur përçarje dhe për të mbajtur ose për të fituar pushtetin me çdo kusht.

Mohimet dhe pretendimet e rreme në lidhje me COVID-19, si dhe aktivitetet kundër vaksinimit të udhëhequra nga oportunistët manipulues që mbledhin injorantët për kauzën e tyre janë vetëm ndryshimi i fundit i këtij fenomeni jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Një shembull i sundimit fanatik është lideri i palegjitimuar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili ka mbajtur postin e presidentit për 27 vjet.

Vërejtjet e tij në një intervistë të fundit të jashtëzakonshme për “BBC”-në janë tipike për arrogancën e pakufishme, egoizmin, cinizmin dhe gënjeshtrat flagrante të përqafuara nga diktatorë të tjerë, komandantët e luftës dhe liderët populistë, apologjetët dhe mundësitë e tyre në pjesë të tjera të botës.

Diktatori bjellorus qëndroi mbi kokën e së vërtetës dhe ia ktheu pyetje pas pyetje intervistuesit, Steve Rosenberg.

I pyetur në lidhje me mosnjohjen e legjitimitetit të tij nga BE-je si president i Bjellorusisë, Lukashenko tha se “nuk ia vlen”. Ai pohoi si kundërpërgjigje se Joe Biden-i nuk është presidenti legjitim i SHBA-ve.

Kur Rosenberg e pyeti se pse kaq shumë njerëz demonstruan vitin e kaluar për të protestuar kundër zgjedhjeve, Lukashenko tha: “Nuk kishte turma të mëdha”.

Ndërsa kur Rosenberg vuri në dukje se ai kishte qenë në Minsk në atë kohë dhe kishte parë madhësinë e vërtetë të turmave, Lukashenko u përgjigj: “Nëse nuk më dëgjoni, kjo intervistë ka marrë fund”.

I pyetur se pse Bjellorusia ka 873 të burgosur politikë, Lukashenko u përgjigj se “këta janë njerëz që kanë shkelur ligjin bjellorus. Nuk kemi të burgosur politikë, asnjë të vetëm”.

Kjo ishte gjithashtu një linjë standarde në Bashkimin Sovjetik dhe në Çekosllovakinë komuniste, ngjashëm siç është kohët e sotme në Rusi.

Në fillim të vitit 1989, pas burgosjes së Václav Havel dhe disa aktivistëve të rinj për vendosjen e luleve në vendin e flijimit të Jan Palach-ut, intervistova kreun e Unionit Socialist të Rinisë Çekosllovake, Vasil Mohorita.

E pyeta se përse Çekosllovakia ishte asokohe i vetmi vend në Evropë, me përjashtim të Shqipërisë, që burgosi ​​një shkrimtar të shquar.

Mohorita kundërshtoi se Havel-i nuk ishte në burg për shfaqjet e tij.

Kur nuk e lash me kaq këtë çështje, Mohorita heshti përpara se të thoshte se “detyra jonë është të forcojmë socializmin, të mos lejojmë shkatërrimin e tij”.

Ngjashëm, Lukashenko e ka përshkruar opozitën si tradhtare, duke shtuar se ai do të merrte në konsideratë negociatat ose një dialog me ta vetëm nëse Vladimir Putin do të ulej me Alexei Navalny-n.

Çka, siç e tha edhe ai vetë, nuk do të ndodhte kurrë.

Dikush mund të thotë se sa më shumë të ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten të njëjta. Por nëse e kaluara është prolog, “Kurrë mos thuaj kurrë”  ka të ngjarë të provojë një slogan më të përshtatshëm në planin afatgjatë.

Siç mund ta keni vënë re, prirja e Lukashenko-s për të shtrembëruar faktet i bën jehonë të ashtuquajturave “fakte alternative” të administratës Trump, si dhe obsesionin e tij me madhësinë e turmës dhe përpjekjet e dëshpëruara për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Narrativat e rreme dhe teoritë e konspiracionit po kontribuojnë në një kërcënim vdekjeprurës gjithnjë në rritje ndaj eksperimentit gati 250-vjeçar të Amerikës në demokraci.

Si do t’i përgjigjej vallë Elie Wiesel një fanatizmi të tillë?

Si 25 vjet më parë, fjalët e tij përsëriten po aq me rëndësi si atëherë.

“Nëse nuk kontrollohet, denoncohet dhe çarmatoset, jemi të gjithë të arritshëm, viktima të mundshme të fanatizmit…. Çfarë mund të na shpëtojë nga urrejtja apo fanatizmi? Besoj kujtesa, kujtesa është mburojë.”


Lajmet kryesore