Opinione / Politikë

Mbreti i Provave


Lirim Mehmetaj

Ja një fjali që e keni dëgjuar/lexuar shumë shpesh: “Kosova është një rast i paprecedentë”. Megjithatë, tani jemi në një situatë të tillë të paparë, jo për shkak të zhvillimit historik të shtetit dhe ngjarjeve para themelimit të tij, por për arsyen e zhvillimeve politike brenda shtetit.

Për shembull, kemi një kryeministër, i cili e thërret opozitën në bashkëpunim, përkundër se paraprakisht ka shkatërruar çdo rrugicë bashkëpunimi. Dhe tani, që supozohet se jemi para një situate ku duhet të merren vendime të rëndësishme, Albin Kurti, përkundër fuqisë së tij faktike prej mbi 50 për qind të votave, nuk mund të marrë asnjë vendim. Nuk di ç’të bëjë me fuqinë e tij. Mbase, nuk e ka fajin ai. Ndoshta kur fliste për fuqinë sa ishte në opozitë, ai e trajtonte si figurë letrare, por u keqkuptua dhe iu dha ajo politike.

Sa herë Kosova vizitohet nga persona të rëndësishëm, të cilët bartin petkun e zyrtarëve të lartë, sidomos amerikanë e evropianë, siç ndodhi me ardhjen e Zëvendës-ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkaktohet përzierje ndjenjash.

Këto vizita janë të mira dhe jo aq të mira njëkohësisht, rrjedhimisht të bëjnë të ndjehesh mirë dhe jo aq mirë.

Ndjenja e mirë vjen nga ideja se vizitat e tyre tregojnë njëfarë kujdesi të shtuar për Kosovën të strukturave të fuqishme globale si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por ajo ndjenjë e mirë lehtësisht mbytet nga fakti se ardhjet e tyre janë rikujtim për pafuqinë politike dhe qeveritare nga udhëheqësit vendës deri në poshtërim.

Strukturat tona shtetërore, në kohën e këtyre vizitave, ngjajnë si makete, si lodra.

Ne luajmë kështu qeverish e parlamentesh dhe bëjmë sikur. Dhe, më pas, vjen dikush dhe na kthen në realitetin që përkohësisht i ikim derisa luajmë.

Është pak i trishtë pozicioni i pafuqishëm i pritjes. Çfarë paska ndodhur me ne? Çfarë do të ndodhë me ne? Dhe për ta përdorur frazën e përhershme që e themi në momentet e pafuqisë: A do të bëhet mirë?

Në psikologji është një simptomë që shpjegon pikërisht këtë: Çrregullimi i personalitetit nga varësia ose (DPD).

Personat me këtë çrregullim në personalitet kanë një nevojë të përhershme të kujdesit të tjetrit dhe frikë nga ndarja me vartësin.

Këta njerëz fuqimisht dyshojnë aftësitë dhe shkathtësitë e veta dhe kultivojnë një klimë/atmosferë të pafuqisë. Ata janë në gjendje edhe për gjërat që mund t’i bëjnë vetë, të gënjejnë, të thonë se nuk mundemi dot, vetëm që vartësi të jetë aty dhe t’i ndihmojë t’i kryejnë.

Ky lloj çrregullimi, te personat që e vuajnë, vjen nga e kaluara traumatike dhe braktisja, jeta në abuzim si fëmijë dhe vuajta nga një dëmtim fizik kronik.

Po të shikohet historia e shqiptarëve të Kosovës, të gjitha këto simptoma i kanë vuajtur si popull, prandaj zhvillimi i çrregullimit të varësisë është simptomatik po sikur te ndonjë individ.

Tash, problemi është shumë i thjeshtë dhe i komplikuar në të njëjtën kohë. I thjeshtë, sepse Kosova krejt çfarë duhet është të ketë një ide të qartë se cili është versioni i saj. I komplikuar, sepse nuk e ka këtë ide.

Për një kohë të gjatë thuhej se ide për mbylljen e brengës së përhershme me Serbinë ka sa të duash, janë njerëzit e duhur që mungojnë për të eksploruar nëpër këtë opus idesh. Prandaj, përqendrimi i vazhdueshëm asnjëherë nuk ka qenë tek idetë, por te njerëzit. Ato duhet të jenë diku aty, duke notuar në pritje të shpëtimtarëve që i nxjerrin nga mbytja dhe i përkthejnë në plane konkrete. Ishte kryeministri aktual që u vetëshpall safeguard në pritje.

Por, politika di të jetë cinike dhe e poshtër në raste (mbase gjithmonë). Tani që “njerëzit e duhur” kanë ardhur askush s’e di ku mbetën idetë që dikur dukeshin aq lehtësisht të përthyeshme në plane.

Megjithatë, qeverisja nuk është poezi. Jo se e di nga përvoja, por e kuptoj nga shija që më ndjellë. Është teknikalitet, burokraci mbytëse që kreativiteti ndalet te nyja e kollares. Është procedurë. Mbase, për këtë shkak, mbyten dhe idetë, veç nëse ishin dikur.

Por, vështirë që kishte. Opozita në Kosovë është kuptuar gjithmonë si kundërshtim, jo – ashtu siç do të duhej, si alternativë.

Vetë fjala opozitë, edhe si kuptim, edhe si etimologji, edhe si logjikë, është pasje e një qëndrimi tjetër, jo kritikë në vetvete. Kritika për një pozitë, vjen vetëm se ekziston një tjetër qëndrim në kahun tjetër, normalisht i kundërt dhe vetë qëndrimi i kundërt krijon kritikën.

Por, s’ishte kështu dhe, për pasojë, Kosova s’e ka asnjë opsion për problemin e vet më të madh. Për më tepër, vendi udhëhiqet nga një grup njerëzish që kanë bindur qytetarët se problemi madje nuk ekziston fare. Dhe ku kuptohet më së miri mungesa e ideve nga brenda? Në faktin se zbrazëtira mbushet me ide nga jashtë.

Tani janë tri opsione/ide. Ndryshimi i kufijve, i cili u refuzua pa u racionalizuar asnjëherë si duhet dhe, përsëri, refuzohet për të mbajtur kontinuitetin fiktiv të qëndrimeve. Autonomi për Veriun, version që s’ka guxim kush ta pranojë. Dhe të qëndruarit në status quo.

Pa ide tonat për zgjidhje, vendimi supozohet të merret brenda këtij trekëndëshi bermudesh. Dhe, në mungesë të guximit për të marrë vendim, rrezikohet shkaktimi i Aboulomanisë, deformimi psikik deri në formimin e pavendosmërisë patologjike.

Pastaj frika e një mosmarrje të një vendimi, duke analizuar se cili duhet të jetë arsyetimi, mund të shkaktojë paralizën nga analiza.

Pra, shkaktim i një gjendjeje bllokimi nga mbi-analizimi. Por jo analizë se cili opsion është më i keq për Kosovën, por cili version i nxjerr më keq nënshkruesit.

Të pavendosur, të paguximshëm dhe të paralizuar, pacientët me DPD (e shpjeguar më lart) thërrasin vartësin. Në këtë prizëm, dhe vetëm në këtë prizëm, shpjegohet edhe kryengritja e vazhdueshme në kërkesë të përfshirjes amerikane. Madje, amerikanët nuk kërkohen si ndihmë, por si zgjidhje, përkundër se edhe në konferencën e fundit para mediave, Palmer, gati si me nervozë, ritheksoi se Amerika s’është palë.

Fatkeqësia është se kërkuesit nuk e kuptojnë që përfshirja amerikane direkt, nënkupton përfshirje të Rusisë direkt në dialog po ashtu. Gjithmonë ka ndodhur kështu. Për kundër-balancë. Amerikanët në Rambuje, rusët në Rambuje. Amerikanët në Dejton, rusët në Dejton. Dhe gjithkah tjetër. I vetmi rast ishte Pavarësia e Kosovës ku SHBA-të, njëanshëm, duke anashkaluar edhe evropianët, vendosën ta dhurojnë pavarësinë, mbase me shpresë të çlirimit të pacientit nga varësia.

Zotërinj, nuk ua zgjidh problemet askush. Ju duhet. Ju keni thënë se mundeni. Ju jeni de-kolonizuesit që kritikonit ndërhyrjet nga jashtë. Urdhëroni. “The spotlight is yours”.

Por, pafuqia do kuptohet më së miri në nisje të këtij muaji, kur do fillojnë takimet dhe në tavolinën e bisedimeve do të keni përballë një kundërshtar që nuk ju njeh përkundër se ekzistoni, anash një ndihmës të bisedës që, po ta pyetesh çfarë përfaqëson, i duhet të mendojë shumë gjatë dhe në anën tjetër jeni ju, me duqin e letrave në tavolinë – ju kujtohet narracioni se mungesa e tyre nëpër takime përbën problemin kryesor – të cilat, me siguri do të jenë ashtu siç janë marrë, të bardha.


Lajmet kryesore